Ballina

Autor: Kallxo

  • DASH informon Kongresin mbi planet për t’i shitur Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë

    Departamenti i Shtetit informoi Kongresin mbi planifikimin për t’i shitur Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë, thonë zyrtarët amerikanë, ndërsa vendi aleat i Shteteve të Bashkuara vazhdon luftën kundër Hamasit në Gazë.

    Një pjesë e tyre mund të dërgohet nga stoqet aktuale të armëve amerikane, por për shumicën mund të duhet një ose disa vite për t’u dorëzuar, thanë dy zyrtarë amerikanë të cilën folën të shtunën në kushte anonimiteti, sepse njoftimi nuk është dërguar zyrtarisht në Kongres.

    Shitja përfshin raketa të mesme veprimi për ta ndihmuar Izraelin të mbrohet nga kërcënimet ajrore, predha artilerie prej 155 mm, raketa Hellfire AGM-114 dhe armatime të tjera.

    Shitja e këtyre armëve do t’i shtohej ndihmës ushtarake prej të paktën 17.9 miliardë dollarësh që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Izraelit që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, kur filloi lufta.

    Administrata Biden është përballur me kritika për rritjen e vdekjeve të civilëve palestinezë. Ka pasur protesta në kampuset universitare, si edhe përpjekje të pasuksesshme në Kongres nga Senatori i pavarur Bernie Sanders dhe disa demokratë për të bllokuar që t’i shiten armë Izraelit.

    Në muajin maj Shtetet e Bashkuara pezulluan përkohësisht dërgimin e 2 mijë bombave të fuqishme në Izrael mes shqetësimeve mbi humbjet e jetëve të civilëve nëse ato do të përdoreshin gjatë sulmit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

    Administrata e Presidentit Biden ka kërkuar që Izraeli të rrisë ndihmën humanitare në Gazë. Por në nëntor, duke vënë në duke se ishte bërë një përparim i kufizuar në këtë drejtim, administrata refuzoi të kufizonte transferimin e armëve, siç kishte kërcënuar se do të bënte, në rast se gjendja nuk përmirësohej./VoA

  • Në Kosovë konsiderohet se janë afër 230 mijë armë pa leje

    Kosovarët sipas shoqërisë civile dhe MPB-së në duart e tyre mbajnë afër 230 mijë armë pa leje. Arsye, sipas njohësve të sigurisë, është kontrabandimi i lehtë i tyre nga shtetet fqinje, dhe pamundësisë së organeve të rendit për të kontrolluar gjithë kufirin.

    Data 13.12.2024 do të ishte fundi i një grupi kriminal, që bënin kontrabandë me armë në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    14 persona mbetën të arrestuar, 8 prej tyre në Kosovë.

    Kjo ishte vetëm një formë se si në duart e qytetarëve të Kosovës binin armët pa leje.

    TV Dukagjini pyeti Policinë e Kosovës së sa armë pa leje kanë marrë nga duart e qytetarëve këtë vit.

    “Në baza vjetore, Policia e Republikës së Kosovës konfiskon mesatarisht rreth 1,500 armë të llojeve të ndryshme, duke përfshirë numër relativisht të madh të municionit të kalibrave të ndryshëm si dhe mjeteve të ndryshme plasëse duke përfshirë edhe eksplozivët artizanal. Numri i armëve dhe municionit të konfiskuar për periudhën Janar – Gusht 2024 në nivel të PK-së është 1122, kurse numri i municionit të konfiskuar është 20653” – thuhet në përgjigjen e Policisë e Kosovës.

    Ndërkaq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organizata të shoqërisë civile në duart e qytetarëve besohet të jenë mbi 230 mijë armë pa leje.

    Shumica nga to, besohet të kenë mbetur edhe lufta e fundit por që një rol të rëndësishëm e luan kontrabanda.

    Njohësit e sigurisë në vend thonë se këto armë, nuk vijnë nga shtete të posaçme siç është Serbia, por gjithandej pasi janë fitim prurëse për grupet kriminale.

    ”Krimi trans-nacional nuk zgjedh shtet as komb as dhe as fe, dhe unë nuk do të thoja që armët vinë vetëm nga Serbia, ku patëm rastin e fundit ku u kap një grup kriminal në kuadër të krimit transnacional në mes Kosovës dhe Serbisë” – ka thënë Avni Islami, njohës i sigurisë.

    Pamundësia që të kontrollohen kufijtë për futjen e kontrabandës me armë në Kosovë, e sheh si faktor kyç njohësi i sigurisë Valdet Hoxha.

    Veç i njëjti nuk e hedh mundësinë që shteti duhet të marrë disa masa.

    ”Shteti duhet të bëjë çmos që fillimisht përmes ndonjë amnistie, të zvogëlojë numrin e armëve ilegale në vend e pastaj me aplikimin e normave materiale të kodit penal të Republikës së Kosovës, sidomos në rastet kur zihen në posedim” – ka thënë Valdet Hoxha, njohës i sigurisë.

    Ndërkohë gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme janë regjistruar gjithsej 14,340 aplikime për pëlqime për blerje armësh nga persona fizikë, kryesisht për arsye të gjuetisë dhe rekreacionit./Dukagjini

  • Hillary Clinton, George Soros dhe Denzel Washington ndër të dekoruarit me medaljen më të lartë civile

    Ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, filantropi demokrat George Soros, si dhe aktori dhe regjizori Denzel Washington marrin medaljen më të lartë civile në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë.

    Presidenti Joe Biden do t’u japë Medaljen Presidenciale të Lirisë 19 personaliteteve të politikës, sporteve, industrisë së argëtimit, grupeve të të drejtave civile, aktivistëve për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ dhe të shkencave.

    Shtëpia e Bardhë tha se të dekoruarit kanë dhënë “kontribut shembullor për begatinë, vlerat dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara, paqen ndërkombëtare dhe përpjekje të tjera domethënëse shoqërore, publike dhe private”.

    Katër personalitete do të nderohen pas vdekjes: Fannie Lou Hamer, e cila themeloi Partinë Demokrate në Mississippi dhe përgatiti terrenin për Ligjin e të Drejtës së Votës së vitit 1965; ish-prokurori i përgjithshëm dhe senatori Robert F. Kennedy; George W. Romney, i cili shërbeu si guvernator i Miçiganit dhe sekretar për strehimin dhe zhvillimin urban; si dhe Ash Carter, ish-sekretar i mbrojtjes.

    Kennedy ishte babai i Robert F. Kennedy Jr., tashmë i emëruar nga presidenti i zgjedhur Donald Trump në postin e sekretarit të shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore. Romney është babai i ish-senatori republikan të shtetit Utah, Mitt Romney, i cili është një ndër konservatorët më kritikë ndaj presidentit të zgjedhur Trump.

    Ndër filantropët që po nderohen me medalje janë: shefi spanjollo-amerikan i kuzhinës, Jose Andres, organizata e të cilit “World Central Kitchen” është bërë ndër organizatat më të njohura të ndihmave në botë; si dhe Bono, ish-anëtari i grupit të muzikës rock U2 dhe aktivist për drejtësinë sociale.

    Ndër yjet e sportit dhe industrisë së argëtimit që vlerësohen me medalje janë: lojtari i futbollit Lionel Messi; ish-lojtari legjendar i ekipit të basketbollit “Los Angeles Lakers”, Earvin “Magic” Johnson; aktori Michael J. Fox, që shërben si aktivist për punën kërkimore për sëmundjen Parkinson; si dhe William Sanford Nye, i njohur nga disa breza studentësh si “njeriu i shkencës Bill Nye”.

    Ndër personalitetet e tjera janë: aktivistja për mbrojtjen e mjedisit Jane Goodall; kryeredaktorja e hershme e revistës “Vogue Magazine”, Anna Wintour; stilisti amerikan i modës Ralph Lauren; themeluesi i Institutit Amerikan të Filmit, George Stevens Jr.; sipërmarrësi dhe aktivisti për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Tim Gill; si dhe David Rubenstein, bashkëthemelues i firmës globale të investimeve “The Carlyle Group”.

    Një vit më parë, Presidenti Biden dha Medaljen Presidenciale të Lirisë për 19 persona: për aktivistin për të drejtat civile Medgar Evers (pas vdekjes); për ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi; ligjvënësin James Clyburn, nga Karolina e Jugut dhe aktoren Michelle Yeoh./VoA

  • Ukraina bllokon kalimin e gazit rus në Evropë, rriten çmimet e gazit 

    Çmimet e gazit në Evropë janë rritur pasi Ukraina ndaloi kalimin e gazit rus përmes territorit të saj drejt Bashkimit Evropian. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Moska dikur përmbushte mbi një të tretën e nevojave të Evropës. Kontinenti evropian megjithatë ka arritur të heqë dorë nga gazi rus pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022.

    Çmimet e gazit me shumicë në Evropë u rritën të enjten në nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2023.

    Rritja ndodhi pas vendimit të Ukrainës që ndaloi kalimin tranzit të gazit rus përmes territorit të saj drejt Evropës nga 01.01.2025. Moska do të humbasë mbi 5 miliardë dollarë në vit. Ukraina do të humbasë rreth 800 milionë dollarë që i siguronte nga tarifat. Megjithatë, ndikimi në Evropë do të jetë i kufizuar, thotë analisti Thomas O’Donnell.

    “Të gjithë kanë qenë të përgatitur për këtë. Sigurisht, ka fitues dhe humbës deri në një pikë të caktuar. Disa vende si Sllovakia, Hungaria dhe Austria janë më të varura nga kjo se të tjerat. Ato nuk do të kenë mungesa gazi, por do të duhet të paguajnë më shumë, siç po bëjnë gjithë të tjerët” – thotë O’Donnell nga Qendra ‘Wilson’.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha muajin e kaluar se ai nuk do t’i jepte më Rusisë “mundësinë për të fituar miliarda dollarë”, ndërsa forcat e saj vazhdojnë agresionin në tokën e Ukrainës.

    Kryeministri sllovak Robert Fico është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin. Të dy u takuan në Moskë muajin e kaluar.

    Kryeministri Fico e kundërshton mbështetjen perëndimore për Kievin.

    Gjatë një fjalimi që mbajti të mërkurën, pasi Ukraina ndërpreu kalimin e gazit rus, Fico akuzoi bllokun evropian për sakrifikimin e interesave të anëtarëve më të vegjël për ato që ai i quajti qëllime “të pakuptimta” gjeopolitike.

    “Kjo do të ketë ndikim drastik për të gjithë ne në Bashkimin Evropian, por jo për Federatën Ruse” – tha kryeministri Fico.

    Në realitet, Bashkimi Evropian e ka ulur tejmase varësinë e tij nga gazi rus, pjesërisht falë rritjes së madhe të importeve të gazit nga Shtetet e Bashkuara.

    Në vitin 2024 importet e gazit rus përmes Ukrainës përbënin rreth 5% të furnizimeve totale të Evropës. Një pjesë e gazit u dërgua në Evropën Perëndimore përmes Sllovakisë që, sipas analistit O’Donnell, shpjegon shqetësimet e kryeministrit sllovak.

    “Sllovakia fitonte rreth gjysmë miliardë dollarë nga tarifat e kalimit të gazit rus përmes sistemit sllovak të tubacioneve” – thotë O’Donnell nga qendra ‘Wilson’.

    Përpara fillimit të agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, firma shtetërore ruse ‘Gazprom’ ishte furnizuesi më i madh i gazit në Evropë. Sipas analistit O’Donnell, udhëheqësi rus Putin e llogariti gabim përgjigjen e Evropës ndaj luftës në Ukrainë.

    “Presidenti Putin e portretizon veten si një nacionalist i madh rus. Ky nacionalist i madh rus sapo humbi një nga bizneset më të mëdha që Rusia ka pasur ndonjëherë”.

    Rrugët e tjera të furnizimit të Moskës për në Evropë janë të kufizuara.

    Tubacioni ‘Yamal-Evropë’, përmes Bjellorusisë, u mbyll në vitin 2022. Disa muaj më vonë, gazsjellësi ‘Nord Stream’ nën Detin Baltik për në Gjermani u sabotua.

    Rusia është ende në gjendje të furnizojë me gaz Hungarinë, Turqinë dhe Serbinë përmes tubacionit ‘TurkStream’./VoA

  • Lara Colturi nderon përsëri Shqipërinë, përfundon e dyta në garat e Kupës së Botës

    Skitarja që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, ka shënuar këtë të shtunë tjetër sukses të madh në garat me ski.

    Ky me sa duket është viti i parë që reprezentuesja shqiptare, Lara Colturi po i tregon të gjithëve, se çfarë mund të bëjë dhe se do të jetë një ndër skiatoret kryesore të paktën 10 viteve të ardhshme.

    Vetëm 18 vjeç, në ndalesën e pare të Kupës së Botës për vitin 2025, në Slloveni, Lara renditet sërish në vendin e dytë, për të dytën herë në këtë edicion të Kupës së Botës.

    Në të dyja zbritjet e saj në sllalomin gjigand të Kranjska Goras në Slloveni, skiatorja kuqezi ishte në vendin e dytë menjëherë pas suedezes Sara Hector që ishte dhe fituesja e etapës.

    Një sukses i jashtëzakonshëm për skiatoren me origjinë italiane e cila në këtë vit të parë pjesëmarrëse si konkurruese serioze tek të rriturat e gjen veten në vendin e gjashtë në klasifikimin e përgjithshëm pas 9 ndalesash të Kupës së Botës duke lënë pas edhe për shkak dëmtimesh jo vetëm emrat e mëdhenj të kësaj kategorie si 10 herë kampionen e botës amerikanen Mikael Schifrin por edhe zviceranen po kaq here, numri 1 i botës Lara Gut Berhami.

    Por më tepër se këto, sfida e Larës është drejtpërdrejtë me kroaten Zrinka Ljutiç e cila së bashku me Colturin pritet të jenë dominueset e skive alpine në dekadën e ardhshme./Telegrafi