Ballina

Autor: Kallxo

  • Nivel rekord i krimeve të ekstremit të djathtë në Gjermani

    Krimet me bazë propagandistike, nxitje e urrejtjes, dhunë: veprat penale me sfond ekstremist të djathtë po shtohen, sipas një raporti mediatik.

    Ministria e Brendshme gjermane ka regjistruar vitin e kaluar një rekord të veprave kriminale të ekstremistëve të djathtë. Sipas një raporti mediatik, numri i krimeve të ekstremistëve të djathtë në Gjermani arriti nivel të ri rekord, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Brendshme, në pyetjen e deputetëve nga e Majta në Bundestag. Deri me 30 nëntor 2024 janë regjistruar 33.963 vepra kriminale nga krahu i djathtë ekstrem, thuhet në raport. Shifra përfundimtare pritet të prezantohet nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në maj 2025. Dyshohet se shifrat do të jenë edhe më të larta, për shkak të krimeve të kryera në dhjetor dhe regjistrimeve të vonuara.

    Krimet e propagandës

    Në vitin 2023, BKA regjistroi gjithsej 28.945 krime politike të motivuara nga ekstremistët e djathtë. Ndërsa në vitin 2024, numri i krimeve është rritur me të paktën 17,34 për qind. Nga pothuajse 34.000 krime të regjistruara, 1.136 ishin krime të dhunshme. Ndërsa përqindja më e madhe e krimeve në vitin 2024 ishin krime të propagandës (21.311 raste) dhe nxitje dhune (5.097). Policia ka regjistruar edhe 1.942 raste të dëmtimit të pronës.

    Kërkohen masa

    Deputetja nga e Majta dhe ekspertja e ekstremizmit të djathtë Martina Renner foli për një zhvillim alarmues. “Numrat janë rritur vazhdimisht me 20 deri në 25 për qind në vitet e fundit. Nuk ka masa drastike të politikës së brendshme për të ndaluar këtë zhvillim të rrezikshëm,” tha Renner për RND. Shumica e autorëve të dhunshëm janë të rritur, megjithëse edhe përqindja e dhunuesve të rinj është rritur kohët e fundit.

    “Nëse nuk duam të mësohemi me më shumë se 3.000 krime të kryera nga neo-nazistët në muaj, duhet të merren masa”, tha Renner./ DW

  • Prapa dyerve të mbyllura: Si i gjykoi Rusia kundërshtarët në Krime më 2024

    Më shumë se një dekadë pas aneksimit të paligjshëm nga Rusia të Gadishullit të Krimesë të Detit të Zi të Ukrainës, shumë seanca gjyqësore zhvillohen pa praninë e publikut, mediave ose avokatëve të pavarur. Në mesin e të dënuarve për kundërshtimin e tyre ndaj shtetit rus, në Krime vitin e kaluar ishin ukrainas të kapur në rajone të tjera të vendit të pushtuara nga Rusia.

    Pas një dekade nën pushtimin e Rusisë, Gadishulli ukrainas i Krimesë është një vend më pak i lirë, specifikisht për ata që guxuan ta kundërshtojnë Kremlinin.

    Por, nuk janë vetëm rastet e vendasve të Krimesë që gjykatësit e kontrolluar nga Moska po i marrin në pyetje këto ditë.

    Prej kur Rusia filloi pushtimin e saj të paprovokuar në shkallë të plotë në Ukrainë në shkurtin e vitit 2022 objektet penale të Krimesë u kthyen në shtëpi për shumë ukrainas politikisht aktivë të rrëmbyer nga pjesë të tjera të vendit, që ranë nën pushtimin rus.

    Radio Evropa e Lirë vëzhgoi disa prej gjyqeve më të rëndësishme që u zhvilluan në gadishullin e Detit të Zi në vitin 2024.

    Banori i Krimesë dënohet pasi kundërshtoi simboloin “Z”

    Në gushtin e vitit 2023 banori i Krimesë, Dilaver Salimov, shfaqi zemërimin e tij kur pa një shoqërues të veshur me një kapele bejsbolli me simbolin “Z”, i cili promovonte dhe justifikonte agresionin ushtarak rus në një pikë derivatesh në qytetin e vogël të Stariji Krim.

    Salimov kërkoi që shoqëruesi ta heqë kapelën dhe dyshohet se kërcënoi se “do ta paguajë dikë që t’i vë flakën shoqëruesit”.

    Pamjet e incidentit u postuan në një kanal të Telegramit, që supozohej se kishte lidhje me Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë dhe raportet për ndalimin e Salimovit u ndoqën me shpejtësi.

    Fillimisht, Salimov u gjobit për “diskreditim të ushtrisë ruse”.

    Akuzat për kërcënim me vdekje kundër Salimovit u ngritën vetëm pasi ai refuzoi të kërkonte falje nëpërmjet videos përderisa ishte në paraburgim, sipas Grupit të Krimesë për të Drejtat e Njeriut.

    Gjyqi kundër tij filloi në shkurtin e këtij viti dhe ishte i mbyllur për shtypin.

    Avokatët e Salimovit kritikuan një analizë gjuhësore, e cila thanë se përmban disa gabime drejtshkrimore, në pikësim dhe logjikë bazike.

    Gjykatësi Georgy Tsertsvadze i injoroi këto ankesa, duke e dënuar të akuzuarin me një vit në një koloni penale (formë e ndëshkimit të të akuzuarve me qëndrim larg pjesës tjetër të popullsisë për një kohë).

    Salimovi është një tatar krimeas, pjesë e një grupi turqfolësish, kryesisht grup mysliman që është vendës i Krimesë.

    Në një raport për të shënuar 10-vjetorin e pushtimit rus të gadishullit vitin e kaluar, mbikëqyrësi i respektimit të të drejtave, Amnesty International, e akuzoi Rusinë për “përpjekje për ta ndryshuar përbërjen etnike të Krimesë duke i shtypur identitetet joruse në gadishull”.

    Moska e ka bërë këtë duke “kufizuar edukimin në gjuhët ukrainase dhe tatare të Krimesë duke i goditur pakicat fetare, duke mbytur median dhe kulturën, po ashtu duke minuar përfaqësimin institucional dhe duke abuzuar me sistemin e drejtësisë kriminale”, tha organizata, përderisa po citonte të dhënat se ”Rusia ka transferuar popullatën e saj brenda Krimesë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.

    Gadishulli për të burgosurit 

    Sipas grupit qytetar të fokusuar në Krime, Irade, kërcënimet me dhunë ndaj banorëve të Krimesë që dihet se e mbështesin Ukrainën, kanë qenë të zakonshme përgjatë pushtimit.

    Ndjekja formale, si në rastin e Salimovit, është e rrallë.

    Por, prej fillimit të pushtimit të paprovokuar me shkallë të plotë të Rusisë në vitin 2022 ka pasur disa raste të profilit të lartë të banorëve të rajoneve të tjera të okupuara të Ukrainës që janë transferuar me forcë në gadishull për t’u përballur me drejtësinë arbitrare.

    Aktivisti dhe shkrimtari ukrainas, Serhiy Tsihypa, ishte rrëmbyer nga forcat ruse nga vendlindja e tij në Nova Kakhovka të rajonit Herson të Ukrainës në mars të vitit 2022, pasi qyteti ra nën kontrollin rus.

    Ai ishte vullnetar dhe u dërgonte ushqim e ilaçe të moshuarve në territoret e pushtuara atëherë.

    Tsihypa u mbajt për nëntë muaj pa akuza, pa këshilla ligjore dhe pa kontakte me familjen e tij, përpara se ta detyronin të rrëfehej dhe ta akuzonin për spiunazh.

    Në tetor të vitit 2023, ”Gjykata e Lartë e Republikës së Krimesë” e emëruar nga Rusia, i shqiptoi Tsihypas dënimin prej 13 vjetësh burgim për akuzat që e ngarkonin.

    Në shkurt të vitit 2024, ky vendim u fuqizua.

    Tsihypa tani është duke vuajtur dënimin larg prej Nova Kakhovas dhe Krimesë, në një koloni penale të sigurisë maksimale në rajonin Ryazan të Rusisë.

    Oleksandr Tarasov, një tjetër aktivist ukrainas ishte në paraburgim me Tsihypan në Simferopol të Krimesë.

    Tarasov, i cili u lirua në vitin 2023 dhe u lejua të bashkohet me familjen e tij në Gjermani tha se Tsihypa pësoi tortura dhe keqtrajtime brutale për shkak të shërbimit në ushtrinë dhe shërbimin sekret të Ukrainës në të kaluarën.

    Më pak detaje dihen për gjyqin e Iryna Horobtsovas, një specialiste e IT-së dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut, e cila publikisht kundërshtoi pushtimin rus të qytetit të Hersonit dhe u zhduk në maj të vitit 2022.

    Pasi e mohuan fillimisht çdo përfshirje në zhdukjen e saj, autoritetet ruse konfirmuan në gusht të vitit 2024 se Horobtsova ishte dënuar me 10 vjet e gjysmë burgim për spiunazh.

    Prokurorët thanë se Horobtsova “mblidhte dhe përcillte informacione (tek inteligjenca ukrainase) në lidhje me vendndodhjet, oraret, rrugët dhe lëvizjet” e njësive ushtarake ruse në rajonin e saj të prejardhjes. Ata pretenduan se kjo kishte ndodhur “nga shkurti i vitit 2022 deri në mars të vitit 2023”, por grupet ukrainase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave, ngritën shqetësimin për rrëmbimin dhe transferimin e Horobtsovas në Krime gjatë kësaj periudhe.

    Dmytro Shaynoga, një banor nga rajoni Zaporizhja i Ukrainës, i cili pjesërisht u pushtua nga forcat ruse, u zhduk në tetor të vitit 2022 dhe më vonë u gjet në një paraburgim të Krimesë nga grupi i fshehtë për të drejtat e njeriut Tribunali.Episodi i Krimesë.

    Në tetor të vitit 2024, Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Rusisë njoftoi se ai ishte dënuar me 12 vjet burgim, pasi u akuzua për sigurimin e vendndodhjeve për operacione, që përdoreshin nga inteligjenca ukrainase. Është e paqartë se si u deklarua ai dhe nëse kishte qasje ose jo te një avokat. Vendimi iu atribuua një gjykate në Zaporizhja.

    Hakmarrja për incidentin e Nordit

    Incidenti tërhoqi vëmendjen e madhe te propaganda ruse.

    Në maj të vitit 2022 dy roje kufitare ukrainase të përfshira në atë operacion, Ivan Tereshchenko dhe Vasyl Dmytriuk ishin kapur nga forcat ruse përgjatë rrethimit të Azovstalit nga Moska në Mariupol.

    Të akuzuar për grabitjen e anijes dhe rrëmbimin e ekuipazhit të saj, të dy burrat u deklaruan të pafajshëm përgjatë procesit gjyqësor që u zhvillua kundër tyre në Simferopol, duke argumentuar se kishin vepruar sipas urdhrave zyrtarë për mbrojtje të kufijve të Ukrainës.

    Me gjithë mospërputhjet në çështjen e Prokurorisë dhe refuzimin e gjyqtarit për t’i pranuar provat e ofruara nga mbrojtja, të dy u dënuan me 17 vjet burgim. Mediat ruse raportuan në qershor të vitit 2024 se dënimet kishin mbetur në fuqi edhe pas apelimit të rastit në nëntor.

    Në mars të vitit 2018, autoritetet ukrainase e ndaluan një anije peshkimi e quajtur Nord në detin e Azovit për shkelje të ligjit ukrainas duke u nisur ilegalisht nga porti i pushtuar krimean i Kerchit./ REL

  • Aty ku mrekullitë dinë t’i bëjnë më të vegjlit e QKUK-së

    Çdo zhurmë monitori në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë bart peshën e shpresës, por edhe të frikës.

    Qindra fëmijë të lindur para kohe trajtohen çdo vit në këtë njësi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

    Shpesh me peshë më pak se një kilogram, ata luftojnë për secilën frymë, ndërsa aparaturat përreth tyre, bashkë me stafin e profesionistëve, punojnë pa pushim.

    “Është punë shumë e ndjeshme, por e bëj me kënaqësinë më të madhe dhe pa përtesë”, thotë infermierja Antigona Ejupi, e cila në mjekimin intensiv neonatal punon për më shumë se 25 vjet.

    Në ditën kur Radio Evropa e Lirë bisedoi me të, në pjesën e parë të dhjetorit, ajo kishte nën kujdesin e saj 6-7 fëmijë të lindur para kohe.

    Në mesin e tyre ishte edhe vajza e Kosovare Pacollit nga komuna e Lipjanit.

    E vogla kishte ardhur në jetë në javën e 27-të të shtatzënisë, ndërsa normalisht do të duhej në javën e 39-të apo 40.

    “Kemi qenë të dyja në rrezik. Kam hyrë me urgjencë në operacion. Falë mjekëve, sot jemi më mirë”, thotë Kosovarja për Radion Evropa e Lirë.

    Vetë e shtrirë në Klinikën e Gjinekologjisë, për më shumë se një javë, ajo mundohej që ta vizitonte të bijën në klinikën tjetër, disa metra larg, së paku një herë në ditë.

    Qante vazhdimisht dhe kërkonte të dinte se si është gjendja e së voglës së saj.

    “Mjekët po më thonë se edhe pak kohë dhe do të ma sjellin vajzën atje ku jam unë në Gjinekologji. Jam shumë e kënaqur me kujdesin e mjekëve dhe të infermierëve këtu”, thotë nëna e pesë fëmijëve.

    Shpresë asaj dhe shumë nënave si ajo u jepte rasti i Hyrmete Llullecit nga Ferizaj, foshnja e së cilës kishte qëndruar një muaj në kujdesin intensiv të Neonatologjisë.

    “Nuk e kam besuar se do të më shpëtojë vajza, sepse lindi me një peshë të vogël, por, falë Zotit dhe kujdesit të mjekëve, sot është mirë. Një muaj ka qëndruar në mjekimin intensiv pa mua, e tash jemi bashkë këtu në repartin e Neonatologjisë”, thotë Hyrmetja, nënë e dy fëmijëve.

    Nga janari i vitit 2024 deri në fillim të dhjetorit, në kujdesin intensiv të Klinikës së Neonatologjisë në QKUK janë trajtuar 1.095 foshnja – në mesin e tyre 785 të lindura para kohe.

    Prej këtyre të fundit, 48 kanë lindur në spitalet rajonale të Kosovës dhe në ato private, por që më pas kanë pasur nevojë të trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj klinike, Luan Morina.

    “Mbi 50% e punës që bëhet në kliniken tonë, ka të bëjë me lindje të parakohshme. Fatkeqësisht, duhet të them se kemi një rritje të numrit të rasteve ‘premature’, sidomos të këtyre me peshë të vogël”, thotë Morina, por nuk ofron ndonjë shifër specifike se sa apo në cilën periudhë është vërejtur rritja e numrit të rasteve.

    Ai vetëm thotë se foshnjat me peshën më të vogël të trajtuara në mjekimin intensiv neonatal, janë ato nga 500 gramë deri në 999 gramë.

    Gjatë vitit 2024, sipas tij, 61 foshnja kanë lindur mes javës së 22-të dhe 28-të të shtatzënisë dhe prej tyre 57 nuk kanë arritur të mbijetojnë.

    “Është prematuritet i thellë, që, pavarësisht kushteve, kujdesit e gjërave të tjera, është e vështirë të mbijetojnë, sepse bëhet fjalë për një papjekuri totale të foshnjave”, thotë Morina.

    Për infermieren e kujdesit intensiv në Neonatologji, Elvane Ramadani, është një moment tejet i rëndë edhe për stafin, kur bebja nuk mbijeton.

    “Nuk e di se si ta përshkruaj. Por, mundohemi t’u japim shumë forcë prindërve, sidomos nënës, e cila, në njëfarë forme, është më e lidhur me frytin e saj”, thotë Ramadani.

    Vdekshmëria e fëmijëve në Kosovë përmendet si problem serioz edhe në vlerësime të ndryshme ndërkombëtare.

    Raporti i vitit 2023 për progresin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ka nxjerrë në pah se 16 në 1.000 fëmijë vdesin para se t’i mbushin 5 vjet, për shkak të sëmundjeve jongjitëse.

    Kjo shifër, sipas raportit, është tri herë më e lartë se mesatarja e BE-së.

    Në raportin e progresit të vitit 2024, ndërkaq, thuhet se “jetëgjatësia në lindje në Kosovë mbetet më e ulëta në rajon dhe shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve më e larta në rajon”.

    Por, për dallim nga fundi i viteve ’90, kur shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë ka arritur në mbi 30 promil – që do të thotë në 1 mijë foshnja të lindura, mbi 30 kanë vdekur – kjo shifër sot është së paku për gjysmë më e vogël, nën 14 promil.

    Stafi shpreh bindjen se në rënien e shkallës së vdekshmërisë, ndër vite, kanë ndikuar: trajtimi me medikamente gjithnjë e më të avancuara, përvoja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i punonjësve shëndetësorë.

    Për infermieren Antigona Ejupi, një gjë është e sigurt: kujdesi për të porsalindurit është prioritet mbi prioritetet.

    “Edhe kur jam në shtëpi, i thërras kolegët dhe i pyes për rastet – a kanë pasur ndonjë problem, a kanë shtuar peshë… Ne lidhemi shumë me to”, thotë Antigona./ REL

  • Një tërmet i fuqishëm vret 95 njerëz në Tibet

    Të paktën 95 njerëz kanë vdekur dhe 130 janë lënduar nga një tërmet i fuqishëm që e goditi rajonin bjeshkor të Tibetit të martën në mëngjes, raportojnë mediat shtetërore kineze.

    Shumë njerëz të tjerë kanë ngecur nën rrënoja të shtëpive dhe ndërtesave në këtë rajon në perëndim të Kinës.

    Mediat shtetërore raportuan se 1.000 shtëpi janë dëmtuar në Tibet.

    Tërmeti u ndje edhe në Nepalin fqinj dhe në pjesë të Indisë.

    Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së njoftoi se tërmeti ishte me magnitudë prej 7.1 ballësh dhe goditi në një thellësi prej rreth 10 kilometrash. Kina e regjistroi tërmetin si 6.8 ballësh.

    Epiqendra e tërmetit ishte rreth 75 kilometra në verilindje të Malit Everest, i cili shtrihet në kufirin mes Kinës dhe Nepalit. Kjo zonë është sizmologjikisht aktive, pasi aty përplasen mes vete pllakat nëntokësore të Indisë dhe Eurazisë.

    Rreth 50 lëkundje u dëgjuan në tri orët pas tërmetit, dhe zona turistike e Malit Everest në anën kineze u mbyll si pasojë.

    Rreth 1.500 zjarrfikës dhe shpëtimtarë janë dërguar për t’i kërkuar njerëzit e ngecur nën rrënoja, sipas Ministrisë së Menaxhimit të Emergjencave. Gjithashtu, 200 ushtarë iu bashkuan operacionit të kërkimit, raportojnë mediat shtetërore.

    Lideri i Kinës, Xi Jinping, bëri thirrje për përpjekje të gjithanshme për shpëtimin e njerëzve, minimizimin e viktimave dhe sistemimin e personave që kanë humbur shtëpitë e tyre.

    Ndërkohë, në Nepal, autoritetet u kërkuan zyrtarëve në zonën bjeshkore në afërsi të epiqendrës të shikojnë nëse ka viktima apo dëme.

    Qendra Kombëtare e Operacioneve Emergjente në Kathmandu raportoi se njerëzit në verilindje të Nepalit e ndien tërmetin, por nuk kishte njoftime të menjëhershme për lëndime apo dëme në shtëpi./REL

  • Vdes një i burgosur që po trajtohej në Klinikën Infektive në QKUK

    Një i burgosur i cili po trajtohej në Klinikën Infektive të QKUK-së ka vdekur të hënën rreth orës 21:50 minuta. Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 21:50, në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri A. M.”- thuhet në njoftim.

    I njëjti sipas njoftimit ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 14.11.2024.

    “Në momentin e pranimit, gjendja e tij ka qenë stabile, por me të dhëna për sëmundje paraprake të mushkërive. Ai ishte duke u trajtuar për një gjendje gripale, e cila ka progreduar në mushkëri. Për këtë arsye, është dërguar për kontroll specialistike pulmologjike. Në Klinikën e Emergjencës në SHSKUK, janë konsultuar radiologu, pulmologu dhe kirurgu torakal, dhe pacienti është transferuar në Klinikën Infektive”- thuhet tutje në njoftimin e SHKK-së.

    “Gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet dhe, përkundër angazhimit të stafit të kësaj klinike, nuk është arritur që pacienti të mbahet në jetë. Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekje”- përfundon njoftimi.