Ballina

Autor: Kallxo

  • BKT Kosova lanson Kredinë për Ekonominë Qarkore – e para dhe e vetmja e këtij lloji në Kosovë

    BKT Kosova, si një nga bankat më të mëdha komerciale në tregun e Kosovës, lanson produktin e saj të ri të gjelbër – Kredinë për Ekonominë Qarkore, e cila është e para dhe e vetmja kredi e këtij lloji në Kosovë. Qëllimi kryesor i kësaj kredie është të ofrojë zgjidhje për klientët e biznesit për të optimizuar operacionet dhe proceset e tyre, për të minimizuar ose eliminuar gjenerimin e mbetjeve, si dhe për të optimizuar resurset në mënyrë efikase, njëkohësisht duke rritur ndikimin pozitiv në mjedis i cili sjell përfitime të rëndësishme ekonomike dhe ndihmon bizneset të pozicionohen më mirë në tregjet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.

    Ky produkt inovativ i financimit është projektuar për të mbështetur bizneset, veçanërisht ato prodhuese, në tranzicionin e tyre nga modeli linear në atë qarkor, duke promovuar praktika të qëndrueshme dhe duke rritur produktivitetin dhe efikasitetin e operacioneve të tyre.

    Në përgjithësi, Ekonomia Qarkore është një model ekonomik inovativ ku produktet dhe materialet mbahen në qarkullim përmes proceseve si mirëmbajtja, ripërdorimi, rinovimi, riprodhimi, riciklimi dhe kompostimi, me qëllim eliminimin e mbetjeve dhe ruajtjen e resurseve.

    Kredia për Ekonominë Qarkore ofron mundësi fleksibile dhe konkurruese, të përshtatura sipas nevojave dhe kërkesave të secilit biznes, duke i mundësuar atyre të investojnë në teknologji, procese, iniciativa dhe infrastrukturë të qëndrueshme. Përfitimet kryesore të kësaj kredie përfshijnë:

    – Financim për një gamë të gjerë iniciativash të Ekonomisë Qarkore në sektorin e prodhimit, si eko-dizajni i produkteve, reduktimi i mbetjeve, ripërdorimi, rinovimi, riciklimi, zgjatja e ciklit të jetës së produktit, si dhe optimizimi i konsumit të resurseve përmes teknologjive të avancuara dhe mjeteve IT.

    – Qasje në resurse për të ndihmuar bizneset të zbatojnë strategji të Ekonomisë Qarkore në mënyrë efektive.

    – Norma interesi konkurruese dhe kushte të favorshme, etj.

    Duke zgjedhur Kredinë për Ekonominë Qarkore, bizneset mund të përfitojnë nga mundësitë e shumta për të nxitur rritjen e qëndrueshme të operacioneve dhe të krijojnë ndryshime pozitive, duke krijuar bashkëpunime të reja me partnerë  të rëndësishëm brenda tregjeve lokale dhe rajonale.

    Për më shumë informacione rreth Kredisë për Ekonominë Qarkore dhe përfitimeve që ajo ofron për biznesin tuaj, ju lutemi vizitoni linkun në vijim: Kredi për Ekonominë Qarkore – Banka Kombëtare Tregtare.

  • Mbrojtja pa shkresa të lëndës, dështon seanca fillestare ndaj 5 të akuzuarve për krime lufte

    Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Millosh Sosiq, Nenad Stojanoviq dhe Sllobodan Jevtiq, të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘krime lufte kundër popullatës civile’.

    Arsyeja pse ka dështuar të mbahet seanca fillestare është për shkak se nuk kishte kushte, pasi që mbrojtja nuk ishin pajisur me shkresa të lëndës.

    Në momentin kur gjyqtari Rrahman Beqiri e pyeti prokurorin Atdhe Dema se a i ka dorëzuar provat të cilat i njëjti është i detyruar t’i dorëzojë sipas Kodit të Procedurës, prokurori Dema tha se duke qenë që akuza është dorëzuar më 27.12.2024 dhe shumica e stafit janë në pushime në momentin e dorëzimit nuk kanë mundur të dorëzohen të gjitha provat, por në fund të fundit në afat prej dy javësh ato prova janë bërë gati dhe sot mund të vijnë t’i tërheqin të gjithë avokatët mbrojtës.

    Ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit Dragan Cvetkoviq, avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet pasi e njëjta tha që nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

    “Prokuroria ka qenë në obligim që në momentin e ngritjes së Aktakuzës, të gjitha provat t’i dorëzojë së bashku me Aktakuzën, neve si mbrojtës si dhe të akuzuarve dhe kjo nuk është bërë.” – tha mbrojtësja e të akuzuarit Dragan Cvetkoviq, avokatja Jovana Filipoviq.

    “Unë më 03.01.2025 isha në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe i kam kërkuar të gjitha shkresat e lëndës dhe më është thënë se ende të gjitha ato shkresat nuk ishin të përkthyera, ashtu që unë për klientin tim deklaroj se konsiderojmë që kjo seancë e sotme nuk mund të mbahet, sepse nuk mund të bëjmë këso praktika të këqija që aktakuza të ngritet pa dorëzimin e shkresave të lëndës.” – shtoi tutje avokatja Jovana Filipoviq.

    Gjyqtari Rrahman Beqiri mori Aktvendim që seanca e sotme të ndërpritet dhe e njëjta të shtyhet në afat të caktuar, meqenëse nuk ka kushte për të vazhduar, pasi që mbrojtja nuk i ka pranuar shkresat.

    Shqyrtimi fillestar pritet të mbahet më 15.01.2025.

    Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, me gjyqtar Rrahman Beqiri.

    Ndërsa, aktakuza po përfaqësohet nga prokurori special Atdhe Dema.

    Dosja e Prokurorisë

    Sipas Dosjes së Prokurorisë ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Millosh Sosiq, Nenad Stojanoviq dhe Sllobodan Jevtiq, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të këtij grupi të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të Policisë apo Ushtrisë serbe, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.

    Sipas Aktakuzës thuhet se në mes të fshatrave Inatoc (Kokaj) dhe Llovcë te vendi i quajtur “Kisha e epërme”, fillimisht i kishin ndaluar viktimat Rr. I. dhe Xh. Z., kishin filluar që ta maltretonin viktimën Rr. I., duke e goditur pandërprerë në pjesë të ndryshme të trupit. Në po të njëjtin moment, derisa viktima Xh. Z. ishte duke ecur në drejtim të Rr. I., njëri nga pjesëtarët e këtij grupi, me armë kishte shtënë në drejtim të saj dhe e kishte goditur në stomak dhe si pasojë ishte rrëzuar dhe kishte mbetur e vrarë në vend.

    Tutje, sipas Aktakuzës, thuhet se pas këtij veprimi Rr. I. kishin vazhduar ta godisnin me thika në pjesë të ndryshme të trupit dhe pasi i njëjti kishte rënë në tokë, kishin vazhduar që ta godisnin me pjesën e pasme të armës automatike dhe me bajoneta të armëve, për të vazhduar tutje ashtu që në një grumbull të dushkut të ndezur, i kishin vendosur viktimat Xh. Z. dhe Rr. I., i cili në ato momente ishte ende gjallë dhe i kishin djegur trupat e tyre – ngjarje kjo e parë nga dëshmitari okular, Rifat Rexhepi.

    Gjithnjë, sipas aktakuzës, në drejtim të fshatit Llovcë në vendin e quajtur “Lugu i Elbishtës” i kishin ndaluar fillimisht viktimat R. D., S. Xh, Xh.H., A. R., të dëmtuarin Nazmi Hajdinin dhe Naser Halitin dhe nën kërcënimin e armëve i kishin detyruar që të shtriheshin në tokë, i kishin kontrolluar, e më pas e kishin liruar Naser Halitin dhe pastaj kishin shtënë me armë në drejtim të viktimave. Si pasojë e këtij veprimi kishin mbetur të vrarë R. D., S. Xh., Xh. H. dhe A. R.

    Sipas Aktakuzës, Nazmi Hajdinin fillimisht e kishin urdhëruar që t’i grumbullonte trupat e viktimave dhe t’i vendoste mbi një grumbull të drunjve, pastaj e kishin urdhëruar që të shtrihej edhe vetë i dëmtuari mbi viktimat dhe posa ishte shtrirë, kishin gjuajtur me automatik mbi të dëmtuarin Nazmi Hajdinin, i cili i kishte marrë dy plagë: njërën në qafë dhe tjetrën në shpatullën e majtë. Mirëpo, iu kishte mbijetuar plagëve të marra.

    Tutje, në Aktakuzë, thuhet që pas një kohe i ishte kthyer vetëdija. Këta pjesëtarë të këtij grupi kriminal nuk ishin aty. Ashtu i lënduar arrin që të shkojë deri në fshatin më të afërt dhe më pas i ishte ofruar ndihma e parë mjekësore – ngjarje kjo e parë nga dëshmitarët okular, Behxhet Mehmeti e Menderes Ramushi.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, rreth orës 15:00 përderisa popullata civile ishte duke u larguar me traktorë nga fshati Llovcë në drejtim të fshatit Pogragjë, nga shkolla e fshatit Llovcë, pjesëtarë të këtij grupi kriminal kishin filluar që të gjuanin në drejtim të popullatës civile dhe si pasojë ishte plagosur viktima N. A. në shpinë dhe po ashtu ishte plagosur edhe M. A., po ashtu në shpinë, e moshës rreth dy vjeçare, të cilën e kishte pasur në dorë viktima N. A., e si pasojë e plagëve të marra N.A. kishte ndërruar jetë.

    Gjithnjë, sipas Dosjes së Prokurorisë, pjesëtarë të këtij grupi kriminal të cilët ishin duke lëvizur me traktor me rimorkio në drejtim të Gjilanit, në dalje të fshatit Pogragjë, derisa viktima N. R. ishte duke i ruajtur bagëtinë, të njëjtit pa e ndaluar traktorin gjuajnë në drejtim të N. R. me armë automatike. I njëjti kishte mbetur i plagosur dhe si pasojë e plagëve të marra të njëjtën ditë në mbrëmje kishte ndërruar jetë.

    Sipas Aktakuzës në hyrje të fshatit Llovcë derisa po ktheheshin në shtëpi me traktor, të dëmtuarit B. M., F. H. dhe M. R., pjesëtarë të këtij grupi i kishin marrë peng të dëmtuarit në fjalë dhe ishin nisur në drejtim të shtatit Pogragjë dhe në ndërkohë e kishin liruar Fetije Hazirin dhe duke shkuar në drejtim të Gjilanit, te vendi i quajtur “Goveni” në dalje të Pogragjës, kishin ndaluar dhe i kishin zbritur nga rimorkio e traktorit Behxhetin e Menderesin.

    Në Aktakuzë thuhet se ua kishin lidhur duart mbrapa me lidhëse të duajve dhe iu kishin thënë se po ju “ekzekutojmë sepse nuk na duheni më”. Tre herë kishin gjuajtur me breshëri mbrapa shpinës së tyre, nga ku ishte dëgjuar komanda “Pucaj”, po nuk i kishin vrarë.

    Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

    Të akuzuarit Millosh Sosiq e Nenad Stojanoviq, po ashtu, po akuzohen edhe për veprën penale: “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur e të Serbisë.

    Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë”. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci”.

    Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.

    Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.

    Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.

    Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.

    Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.

     

  • SHBA-ja i ofron ndihmë të re Ukrainës, që mund të jetë e fundit nga Biden

    Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin ka njoftuar për një Paketë të re të Ndihmës Ushtarake prej 500 milionë dollarësh, si pjesë e qëllimit të Administratës në largim të presidentit Joe Biden, për të dërguar sa më shumë të jetë e mundur mbështetje për Ukrainën, para se presidenti i zgjedhur Donald Trump të rikthehet në detyrë.

    Paketa përfshin “raketa shtesë për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, më shumë municione, më shumë pajisje ajër-tokë dhe pajisje të tjera për të mbështetur F 16-shat e Ukrainës.” – tha Austin.

    Austin foli në një takim me grupin e kontaktit në bazën ajrore amerikane në Gjermani, Ramstein, i cili përbëhet prej rreth 50 shtetesh partnere që Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së mblodhi për të koordinuar mbështetjen me armë, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili gjithashtu po merr pjesë në takim, u bëri thirrje vendeve evropiane që të bashkohen rreth Kievit, nëse mbështetja amerikane dobësohet nën Administratën e re të Shtëpisë së Bardhë.

    “Është e qartë se një kapitull i ri po fillon për Evropën dhe të gjithë botën, vetëm 11 ditë nga tani, një kohë kur duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë, të mbështetemi te njëri-tjetri edhe më shumë dhe të arrijmë rezultate edhe më të mëdha së bashku. E shoh këtë si një kohë mundësish.” – tha ai.

    Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, gjithashtu në Ramstein, tha se pret që liderët e koalicioneve të mbrojtjes të miratojnë “udhërrëfyes” për qëllimet strategjike dhe nevojat kyçe për ndihmën ushtarake, deri të paktën në fund të vitit 2027.

    “Këto dokumente, të zhvilluara dhe të dakorduara së bashku nga Ukraina dhe partnerët, do të bëhen bazë për mbështetjen dhe alokimin e ndihmës në fusha si mbrojtja ajrore, artileria, automjetet e blinduara, dronët, forcat ajrore, siguria detare dhe fusha të tjera të rëndësishme. Ka shumë punë përpara.” – shtoi ai pas takimit me sekretarin Austin.

    Takimi në Ramstein u mbajt një ditë pasi Ukraina pësoi një nga humbjet më të rënda në njerëz në javët e fundit – një sulm në qytetin jugor të Zaporizhjas që vrau 13 civilë. Autoritetet besojnë se Rusia e kreu sulmin duke përdorur bomba rrëshqitëse të drejtuara mbi një objekt industrial.

    Ukraina pretendoi më herët më 8 janar se forcat e saj goditën një depo nafte brenda Rusisë, që shërbente si bazë strategjike ajrore në rajonin jugor të Saratovit. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase tha se sulmi krijoi probleme serioze logjistike për aviacionin rus dhe uli ndjeshëm aftësinë e tij për t’i sulmuar qytetet dhe objektet civile ukrainase.

    Anëtarët e Grupit të Kontaktit kanë thënë se takimi i 9 janarit mund të jetë i fundit, pasi fati i tij mbetet i paqartë nën Administratën e Trumpit.

    Administrata në largim e SHBA-së ka punuar për të dërguar sa më shumë ndihmë të jetë e mundur për Ukrainën para se Trumpi të marrë detyrën më 20 janar, për të përmirësuar pozicionin negociues të Kievit. Trump, i cili ka kritikuar në mënyrë të përsëritur ndihmën amerikane për Kievin, ka pretenduar se mund të negociojë shpejt për t’i dhënë fund luftës pasi të rikthehet në detyrë.

    Kjo ka ngritur frikën në Ukrainë se çdo negociatë e organizuar me ngut do të përdoret nga Rusia, për të mbajtur territoret ukrainase që ajo pushton dhe për t’i lejuar trupat e saj të pushojnë e të armatosen sërish.

    Austin ka thënë se është e rëndësishme që Grupi i Kontaktit të vazhdojë të ofrojë ndihmë ushtarake, ndërsa ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius ka paralajmëruar gjithashtu kundër dobësimit të mbështetjes nga Perëndimi për Ukrainën./REL

  • Papa e kritikon Izraelin, e quan “të turpshme” situatën në Gazë

    Papa Françesku intensifikoi kritikat e tij ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë – duke e quajtur situatën humanitare në enklavën palestineze si “shumë serioze dhe të turpshme”.

    Në adresimin vjetor para diplomatëve, që në emër të Papës e mbajti një nga këshilltarët, Françesku duket se iu referohej vdekjeve të shkaktuara nga i ftohti në Gazë – territor ku pothuajse nuk ka fare energji elektrike.

    “Ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë bombardimin e civilëve.” – u tha në fjalimin e Papës, që u lexua nga këshilltari i tij.

    “Ne nuk mund të pranojmë që fëmijët të ngrijnë për vdekje sepse Spitalet janë shkatërruar apo se është sulmuar Rrjeti energjetik i vendit”.

    Papa pritej që personalisht të mbante fjalimin, por i kërkoi një këshilltari të tij që ta bënte në emër të tij, pasi Ati i Shenjtë është duke u rikuperuar nga një ftohje.

    Fjalimi ishte pjesë e adresimit para emisarëve të akredituar në Vatikan nga afër 184 shtete. Ambasadori izraelit në Selinë e Shenjtë ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

    Françesku zakonisht është i kujdesshëm që të mos mbajë anë në konflikte. Por, së fundi ai ka qenë më i zëshëm për fushatën ushtarake të Izraelit në Gazë dhe ka sugjeruar që komuniteti global duhet të hetojë, nëse ofensiva përbën gjenocid ndaj popullit palestinez.

    Në dhjetor, një ministër izraelit publikisht e kishte kundërshtuar këtë sugjerim të Atit të Shenjtë.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Fushata hakmarrëse ushtarake e Izraelit në Gazë ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Kjo Ministri ka thënë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Izraeli pretendon se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë, por nuk ka dhënë prova për këtë pretendim.

    Izraeli ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit dhe lufta ka detyruar afër 90% të popullsisë, prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendosen, shpesh disa herë./REL

  • EFCSN e zhgënjyer prej përfundimit të Programit të META për Verifikimin e Fakteve nga Palët e Treta në SHBA – dënon deklaratat që e ndërlidhin verifikimin e fakteve me censurë

    ECFSN i dënon fuqishëm deklaratat e shefit ekzekutiv të META, me të cilat e lidh verifikimin e fakteve me censurë

    Tërheqja e platformave prej luftës kundër keqinformimit dhe dezinformimit hapë shtegun për ndërhyrje në zgjedhje

    ECFSN inkurajon Bashkimin Europian që të qëndrojë fuqishëm kundrejt presionit të tillë politik dhe të mos heqë dorë prej përpjekjeve të veta për të ndalur përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit mbi Platformat Shumë të Mëdha Online

    Rrjeti Europian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN) është e zhgënjyer prej vendimit të META për t’i dhënë fund Programit të saj të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta “duke nisur në Shtetet e Bashkuara” dhe dënon rreptë deklaratat e shefit të saj ekzekutiv që e lidhin verifikimin e fakteve me censurë.

    “Kjo më fort duket një lëvizje e motivuar politikisht në kontekstin e administratës në ardhje të Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara, sesa një vendim të bazuar në dëshmi”- ka thënë Clara Jimenez Cruz, shefe e EFCSN.

    EFCSN inkurajon Bashkimin Europian  që të qëndrojë me vendosmëri përballë presionit të tillë politik dhe të mos heqë dorë prej përpjekjeve të veta për të ndalur përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit në Platformat Shumë të Mëdha Online.

    Verifikimi i fakteve nuk është censurë, larg asaj, por verifikimi i fakteve thot fjalën e vet në debatet publike, ofron kontekst dhe fakte për çdo qytetar që ketë mendimin e vet. Verifkimi i fakteve është vërtetuar të jetë efektiv kundrejt keqinformimit përherë. Të barazosh verifikimin e fakteve me censurën është një pretendim i rremë dhe malicioz. Verifikuesit e fakteve nuk “censurojnë” askënd. Anëtarët tanë hulumtojnë dhe publikojnë provat e pretendimeve që potencialisht janë të rreme. Gjithnjë ka qenë në dorën e META të bëjë çfarë të dojë me vlerësimin e përmbajtjes së verifikuesve të fakteve, e jo i yni.

    ECFSN nuk pajtohet me karakterizimin që shefi ekzekutiv i META, Mark Zuckerberg, ua bëri në deklaratë verifikuesve të fakteve dhe gazetarëve. Në justifikimin për t’i dhënë fund programit, Zuckerberg tha: “Verifikuesit e fakteve janë mashtruar tepër politikisht dhe më shumë e kanë shkatërruar, sesa kanë shtuar besim”. Kjo pa asnjë fije dyshimi se është gënjeshtër. Verifikuesit e fakteve kanë respektuar standardet më të larta gazetareske të raportimit, transparencës, integritetit dhe llogaridhënies së pasajuar, me organizatat si EFCSN që i kanë mbikëqyrur këto standarde nëpërmjet auditimeve të kryera në mënyrë të pavarur. Ndërlidhja e verifikimit të fakteve me censurën është veçmas e dëmshme duke pasur parasysh se pretendimet e rreme tashmë janë një prej forcave kryesore shtytëse prapa ngacmimeve dhe sulmeve ndaj verifikuesve të fakteve. Për më tepër që këto pretendime vetëm sa mund ta thellojnë edhe më shumë një gjandje edhe ashtu të rënduar të verifikuesëve të fakteve anembanë botës.

    Me disa vende europiane që do të mbajnë zgjedhje më 2025, tërheqja e platformave nga lufta kundër keqinformimit dhe dezinformimit lejon dhe potencialisht edhe bën thirrje për ndërhyrje në zgjedhje, sidomos nga aktorët e jashtëm. BE veçanërisht duhet të qëndrojë vendosmërisht në mbrojtje të zbatimit të ligjeve të saj, edhe përballë presionit nga vendet e tjera.

    Çfarë thonë faktet (dhe META) për ndikimin e Programit të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta

    Në njoftim, META barazoi njashtu sistemin e vlerësimit të dezinformimit të verifikuar faktikisht me censurën, duke theksuar se “një program që synonte të informonte, shumë shpesh u kthye në mjet censure”. Aktualisht kjo është e kundërta e funksionimit të sistemit të vlerësimit. Vlerësimet për keqinformimin i fuqizojnë përdoruesit të marrin vet vendime të informuara për cilën përmbajtje të ndërveprojnë dhe ta ndajnë. Në fakt, vetëm vjet, para zgjedhjeve parlamentare të Bashkimit Europian, META spikati efektshmërinë e sistemit të saj të vlerësimit, duke theksuar: “Ndërmjet korrikut dhe dhjetorit 2023, ta zëmë, më shumë se 68 milionë artikuj të përmbajtjes në BE në Facebook dhe Instagram kishin vlerësime të verifikimit të fakteve. Kur një vlerësim i verifikuar faktikisht vendoset në një postim, 95% e njerëzve nuk e klikojnë që ta shohin”.

    META gjithashtu e ka lavdëruar më parë Programin e saj të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta si të suksesshëm dhe të dobishëm për përdoruesit, duke theksuar “ne e dimë se ky program po funksionon dhe se njerëzit e shohin të vlefshëm në paralajmërimet ekranore që i zbatojmë për përmbajtjen pasi një partner verifikues faktesh ta ketë vlerësuar”. Në komunikatën e fundit për media, shefi ekzekutiv i META aludon në “shumë gabime dhe shumë censurë”, por raporti i fundit i transparencës, DSA (Digital Security Act- Aktit të Sigurisë Digjitale), i vet META ka treguar se përmbajtja e kategorizuar gabimisht si e Verifikuar Faktikisht ka prekur vetëm 3.15% të totalit të ankesave të zhvlerësimit në Facebook.

    Model i “Community Notes” (Shënime Komuniteti), i propozuar si alternativë ndaj Programit të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta gjithashtu ka mangësitë e veta. “Community Notes” do të mund të përdorej më së miri për t’iu kundërvënë pretendimeve të rreme kur bazohen në eskpertizë të duhur dhe në punë të verifikimit të fakteve. Në kontekstin e zgjedhjeve amerikane më 2024, Poynter vuri në pah se “Community Notes” të platformës X në rastin më të mirë kishin efekt skajshmërisht margjinal në luftimin e dezinformimit zgjedhor. Një tjetër hulumtim i organizatës anëtare të EFCSN, “Science Feedback” spikati se shumica e përmbajtjes në X (më parë e njohur si Twitter), të cilën verifikuesit e fakteve e kishin ardhur në përfundim se ishte e rreme ose keqinformuese, nuk kishte shenja të dukshme se po moderohej.

    Rrjeti Europian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve është një asociacion i organizatave fakt-kontrolluese, të cilat u janë zotuar standardeve të pavarësisë, transparencës dhe cilësisë gazetareske, të përcaktuara në Kodin Europian të Standardeve për Organizatat e Pavarura të Verifikimit të Fakteve. Me më shumë se 50 anëtarë të verifikuar anembanë Europës, EFCSN është zëri i verifikuesve europianë të fakteve./EFCSN

    Ky artikull i përkthyer fillimisht është publikuar nga EFCSN.