Ballina

Autor: Kallxo

  • Çfarë pritet nga BE-ja gjatë këtij viti?

    Është e vështirë të anashkalohet inaugurimi i presidentit amerikan, Donald Trump, më 20 janar, kur parashikohet politika e Bashkimit Evropian për vitin 2025.

    Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa zyrtarë në bllokun evropian në javët e fundit dhe të gjithë duket se po presin se si të reagojnë ndaj shumë sfidave të ndryshme që Administrata e re amerikane mund të paraqesë për bllokun. Kjo paparashikueshmëri, që pikë së pari duket se i bënë ata nervozë, së fundi u shpërfaq edhe me interesimin e Trumpit për Grenlandën, territorin danez.

    Por, ka edhe çështje të tjera për të cilat zyrtarët evropianë po përgatiten. Njëra nga to do të jenë tarifat, duke besuar se premtimi zgjedhor i Trumpit për një tarifë universale prej 10 deri në 20% ndaj importeve mund të ndodhë dhe kjo do të ishte e menaxhueshme, edhe pse ka frikë se disa produkte të caktuara do të goditen me tarifa më të larta. Një tjetër çështje ka të bëjë me kërkesën për shpenzime më të mëdha të mbrojtjes, me Presidentin e ardhshëm që kohëve të fundit ka sugjeruar që 5% e Bruto Prodhimit Vendor t’i kushtohet Ushtrisë, teksa shumica e anëtarëve evropianë të NATO-s mezi arrijnë të përmbushin objektivin e mëparshëm prej 2%.

    Ukraina

    E ardhmja e Ukrainës sigurisht që do të jetë në qendër të vëmendjes, veçmas nëse ndonjë marrëveshje për paqe apo për armëpushim mund të ndodhë gjatë vitit 2025. Sërish, në Bruksel duket se është Trumpi dhe jo evropianët që do të duhet të ketë vëmendjen për këtë çështje. Në shumë mënyra, qëllimi për ta është që të paktën të sigurohet një “ulëse në tavolinë” – gjë që nuk është krejtësisht e sigurt. Fakti qëndron se evropianëve po u shterojnë idetë dhe nismat, kur bëhet fjalë për Kievin.

    Këtu vlen të përmendet propozimi i fundit i bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka kërkuar që asetet e ngrira ruse në Perëndim, në vlerë prej miliarda dollarësh, t’i jepen Ukrainës për të blerë armë amerikane. Ky është shembulli perfekt i shmangies së Evropës në disa mënyra. Në radhë të parë, sepse paratë do të shkonin në buxhetin e SHBA-së në vend të shteteve evropiane dhe së dyti, për shkak se shumica e parave ruse janë në BE. Kjo do të thotë se potencialisht do të minonte Eurozonën si vend i mirë për investime nga shtetet e treta. BE-ja ka përdorur këto asete të ngrira si garanci për kredinë e fundit të G7-ës për Ukrainën, që do të mbulojë shpenzimet e Kievit për të paktën për vitin 2025. Dhe, kjo është më e shumta që Evropa është e gatshme të bëjë deri në këto momente.

    Sanksionet ndaj Rusisë

    Ajo që është e sigurt është se BE-ja do të synojë t’i shkaktojë më shumë dhimbje Rusisë përmes sanksioneve. Gjatë Presidencës të Hungarisë të Këshillit të BE-së, në pjesën e dytë të vitit të kaluar, Brukseli miratoi masat më të dobëta, me qëllim që të mos përplasej me Budapestin, që është kritik i çdo mase kufizuese ndaj Moskës.

    Tani, me Poloninë që ka marrë udhëheqjen e Presidencës, në Bruksel ka shpresë për një Paketë të re që do të jetë e gatshme në 3-vjetorin e nisjes së pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt. Ka ide të ndryshme, sikurse shënjestrimi i gazit të lëngshëm natyror rus dhe këto ide do të shtyhen përpara nga disa shtete, por ka pak të ngjarë që të ketë pajtim në mesin e 27 shteteve anëtare – pajtim që kërkohet që Paketa të miratohet.

    Por, ka edhe aspekte të tjera në këtë çështje. Hungaria ende nuk ka hequr dorë nga kundërshtimi për sanksionet aktuale ekonomike të BE-së ndaj Rusisë. Afati për të dhënë miratimin është deri më 31 janar dhe diplomatët me të cilët ka biseduar REL-i thanë se Budapesti ka kërkuar që fillimisht të ndodhë inaugurimi i Trumpit, para se blloku të marrë ndonjë vendim. Ata thanë, po ashtu, se Hungaria ende nuk ka dhënë sinjale se ndonjë aspekt i sanksioneve duhet të zbutet ose nëse Budapesti dëshiron t’i jepen disa fonde të ngrira të BE-së – në mënyrë që të thotë ‘Po’ për sanksionet. Megjithatë, kjo çështje mund të zgjidhet gjatë takimit të ministrave të Jashtëm më 27 janar në Bruksel, apo në ndonjë Samit emergjent më vonë gjatë kësaj jave.

    Raportet Kosovë-Serbi

    Dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja që nga viti 2011, do të vazhdojë të jetë kyç për rajonin.

    Do të ketë përpjekje për ringjalljen e bisedimeve në nivelin më të lartë pas Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

    Pas Zgjedhjeve, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pyetja është nëse ajo do të mund të arrijë ndonjë rezultat, duke pasur parasysh se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deri më tani kanë shfaqur pak vullnet që bisedimet të kenë sukses. Për t’i dalë në ndihmë, ajo me gjasë do të zgjedhë danezin, diplomat karriere dhe ish-përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Bosnjë e Hercegovinë, Peter Sorensen, për të ndërmjetësuar Dialogun. Ai pritet të ketë rolin që ka ushtruar ish-ministri i Jashtëm sllovak, Mirosllav Lajçak, në pesë vjetët e fundit, kur diplomacinë evropiane e udhëhiqte Josep Borrell.

    Ndërkaq, në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor aspirante për në BE, Shqipëria do të vazhdojë drejt anëtarësimit, duke hapur kapituj të tjerë negocimi, teksa në gjysmën e dytë të vitit 2024 hapi shtatë.

    Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina do të vazhdojnë me gjasë të jenë të bllokuara në rrugën drejt BE-së për shkak të mungesës së reformave, ndërkaq Mali i Zi, që veçse ka hapur të gjithë kapitujt, synon t’i afrohet edhe më shumë bllokut. Deri më tani, shteti ka arritur të përfundojë bisedimet përreth një të pestën e tyre dhe ka vullnet në Bruksel që shteti të bëhet anëtari i 28 i bllokut deri në fund të dekadës – dëshmi se zgjerimi i BE-së ende është i mundur. Prandaj, komisionarja e re për Zgjerim, Marta Kos, me gjasë do ta ketë Podgoricën destinacion të parë gjatë vizitës në rajon, që do të zhvillojë në fillim të këtij viti.

    Moldavia, Serbia, Ukraina më afër BE-së

    Pjesë e zgjerimit janë edhe shtete të tjera. Për Ukrainën dhe Moldavinë pritet të ketë një vendim historik për hapjen e disa nga 33 kapitujt e zgjerimit gjatë Presidencës polake. Por, kjo nuk nënkupton se puna do të kryhet. Në mënyrë që të gjitha shtetet të vazhdojnë integrimin, duhet pajtimi i të gjithëve – përfshirë edhe i skeptikëve si Hungaria dhe Sllovakia që janë gjithnjë e më shumë kritikë ndaj integrimit të Kievit në BE.

    Ka gjasa që Serbia të hapë po ashtu kapituj të rinj, për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës. Shtetet kundërshtare, sikurse ato në Baltik, Polonia, e madje edhe Holanda duhet të pajtohen për këtë, edhe pse ato kanë shprehur zemërimin e tyre me afërsinë e Beogradit me Rusinë dhe për kthimin prapa të sundimit të ligjit.

    Megjithatë, Gjeorgjia do të qëndrojë në vendnumëro. Në BE ende nuk ka një qëndrim sesi të sillen me Tbilisin, teksa Ekzekutivi atje ka ndërmarrë një sërë vendimesh kundërthënëse që janë kritikuar nga Perëndimi. Për sanksione ndaj personave të lidhur me partinë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, sikurse vendosi SHBA-ja, nuk ka konsensus, por ka të ngjarë që BE-ja të suspendojë liberalizimin e vizave.

    Në Bruksel mendojnë se Gjeorgjia tani do të jetë në pozitë të njëjtë si Turqia, zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, por de facto rruga e saj e anëtarësimit do të bllokohet.

    Situata në shtetet e tjera

    Evropa, në aspektin politik, gjithnjë e më shumë po rrethohet nga forca populiste, që po fitojnë terren gjithandej në kontinent.

    Më 2025, disa shtete të mëdha të BE-së do të jenë dukshëm më të dobëta. Gjermania do të nisë vitin me periudhë zgjedhore, pasi më 23 shkurt ajo do të mbajë Zgjedhjet parlamentare. Përderisa një koalicion mes qendrës së djathtë, CDU dhe qendrës së majtë, SPD ka të ngjarë të formohet pas Zgjedhjeve, partia e ekstremit të djathtë, AfD me gjasë do të fitojë 20% të votave – që do të ishte rezultati më i mirë i arritur në nivel kombëtar.

    Në Francë situata është më e paqëndrueshme për shkak të Qeverisë jostabile që ka mbështetjen e heshtur nga ekstremi i djathtë, derisa të mbahen Zgjedhjet e reja në korrik.

    Qeveritë në Spanjë dhe Holandë janë të lëkundura dhe mund të rrëzohen gjatë këtij viti. Më në lindje, miliarderi çek, populisti Andrej Babis, me gjasë do të fitojë Zgjedhjet në tetor, duke e sjellë Pragën politikisht më afër Hungarisë dhe Sllovakisë. Ndërkaq, në Austri, FPO-ja e ekstremit të djathtë së fundi mori për herë të parë mandatin për formimin e Qeverisë – gjë që potencialisht mund ta rreshtojë edhe Vjenën në bllokun populist të Evropës Qendrore.

    Sa i përket Polonisë, ekziston një mendim se lideri i saj, properëndimori Donald Tusk, tani është politikani më i fortë në BE. Ai ndihmohet, po ashtu, edhe nga udhëheqja e Presidencës së BE-së, ka marrëdhënie të mira me Uashingtonin dhe ka qenë shpenzuesi më i madh ushtarak, sa i përket përqindjes së Bruto Prodhimit Vendor në NATO.

    Por, edhe Varshava do të jetë e shpërqendruar nga Zgjedhjet, pasi do të mbajë Zgjedhjet presidenciale më 18 maj dhe raundin e dytë më 1 qershor.

    Aleati i Tuskut, kryetari i Varshavës, Rafal Trzaskowski konsiderohet favorit në këto Zgjedhje dhe nëse ai fiton, Tusk do të konsolidonte pushtetin në vend. Por, kandidati konservator Karol Nawrocki pritet të jetë kundërkandidat i tij dhe fushata zgjedhore do të marrë vëmendjen e vendit gjatë pranverës./REL

  • Koreja e Veriut lëshon raketa me rreze të shkurtër

    Koreja e Veriut lëshoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër nga bregu i saj lindor të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut, duke shënuar një tjetër demonstrim fuqie, disa ditë para rikthimit në detyrë të Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.

    Raketat udhëtuan rreth 250 km pas ngritjes rreth orës 09:30 të mëngjesit nga Kanggye, në Provincën Jagang, afër kufirit të vendit me Kinën, tha Këshilli i Përbashkët i Shefave të Shtabit të Seulit (JCS).

    “Ne e dënojmë fuqishëm këtë lëshim si një provokim të qartë që kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në gadishullin korean.” – tha JCS, duke e paralajmëruar Korenë e Veriut për “keqinterpretimin” e situatës dhe duke premtuar se do të “përgjigjen me forcë” ndaj çdo provokimi të mëtejshëm.

    Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Choi Sang-mok e dënoi gjithashtu lëshimin si një shkelje të Rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe tha se Seuli do të përgjigjet ashpër ndaj provokimeve të Koresë së Veriut.

    Zyra Presidenciale e Seulit tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare mbajti një takim për të shqyrtuar situatën dhe premtoi një qëndrim të palëkundëshëm.

    Komanda Indo-Pacifike e SHBA-së e dënoi këtë testim, duke i kërkuar Pjongjangut të heqë dorë nga veprime të mëtejshme të paligjshme dhe destabilizuese.

    Sekretari i Kabinetit të Japonisë, Yoshimasa Hayashi tha se ishte në dijeni të testit të raketave dhe se Tokio po merrte të gjitha masat e mundshme për të përgjigjur përmes bashkëpunimit të ngushtë me Uashingtonin dhe Seulin – përfshirë ndarjen në kohë reale të të dhënave të paralajmërimeve për raketa.

    Lëshimi ndodhi rreth një javë pas lëshimit nga Koreja e Veriut të një rakete balistike hipersonike me rreze të mesme, që pretendoi se ishte një raketë e re, e cila ishte testi i parë i raketave që nga 5 nëntori.

    Lëshimi i fundit i raketave gjithashtu ndodhi gjatë një vizite në Seul të ministrit të Jashtëm të Japonisë, Takeshi Iwaya.

    Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Tae-yul dhe Iwaya e dënuan zhvillimin e armëve dhe raketave të Koresë së Veriut të hënën dhe premtuan të forcojnë lidhjet e sigurisë pas bisedimeve në Seul.

    Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken, gjatë vizitës në Seul javën e kaluar, bëri gjithashtu thirrje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe trilateral – përfshirë Tokion, për të kundërshtuar më mirë kërcënimet në rritje ushtarake të Pjongjangut.

    Lëshimi i të martës ndodhi disa ditë para inagurimit të presidentit amerikan, Trump, i cili zhvilloi Samite me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë mandatit të tij të parë dhe e vlerësoi marrëdhënien e tij personale me të.

    Ligjvënësit e Koresë së Jugut, pas një informimi nga Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare, thanë të hënën se testet e armëve të fundit të Pjongjangut ishin pjesërisht të synuara për “të shfaqur asetet e tij ndaj SHBA-së dhe për të tërhequr vëmendjen e Trump”, pas premtimit të “kundërveprimit më të ashpër kundër SHBA-së”, në një takim kyç politik në fund të vitit të kaluar./REL

  • Parashikimi i motit për sot, ftohtë dhe ngrica  

    Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët.

    IHK njofton se ngricat tashmë janë prezentë në të gjitha zonat, duke e bërë qarkullimin më të vështirë.

    “Për këtë arsye, rekomandohet kujdes i shtuar për drejtuesit e automjeteve, të cilët duhet të jenë të pajisur me mjete dimërore dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.” – thuhet në njoftim.

    Gjithashtu, këmbësorët dhe personat e moshuar këshillohen të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur rrëshqitjet dhe incidentet në rrugë.

    IHK thekson tutje se temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -3°C dhe -1°C, ndërsa ato maksimale do të variojnë nga 0°C deri në 2°C.

    Era do të jetë e lehtë nga drejtimi verilindor./Telegrafi

     

  • Kryeministri i Grenlandës: Jemi të gatshëm të punojmë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes

    Grenlanda dëshiron të punojë më ngushtë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes dhe eksplorimin e burimeve të saj minerare, ka thënë kryeministri i saj Mute Egede më 13.01.2025.

    Sipas BBC-së, Egede tha se qeveria e tij po kërkonte mënyra për të punuar me presidentin e zgjedhur Donald Trump, i cili javët e fundit ka treguar interes të ri për të marrë nën kontroll territorin – pa përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake ose ekonomike për ta berë këtë.

    Gjithashtu të hënën, ministri i Jashtëm i Danimarkës tha se ishte gati të punonte me Grenlandën për të “vazhduar bisedimet” me Trump “për të siguruar interesat legjitime amerikane” në Arktik.

    Grenlanda, një territor danez me autonomi të zgjeruar, shtrihet në rrugën më të shkurtër nga Amerika e Veriut në Europë, duke e bërë atë strategjikisht të rëndësishme për SHBA-në.

    Trump u përpoq të blinte Grenlandën gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2019 dhe e ka vendosur përsëri këtë çështje në axhendë me marrjen e mandatit të dytë, duke e quajtur atë një “domosdoshmëri absolute” si për sigurinë amerikane ashtu edhe për atë ndërkombëtare.

    Donald Trump ka shprehur gjithashtu dëshirën e tij për të marrë Kanalin e Panamasë dhe u zotua të përdorë “forcën ekonomike” për të absorbuar Kanadanë në SHBA./BBC

    Përgatiti: Arjana Berisha/KALLXO.com

  • Ukraina thotë se po merr informacione ‘të dobishme’ nga ushtarët e kapur koreano-veriorë

    Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës (HUR) tha se dy ushtarët koreanoveriorë, të cilët u kapën teksa po luftonin për Rusinë, po vazhdojnë të merren në pyetje.

    Kievi ka thënë se është i gatshëm t’i këmbejë ata me ushtarët ukrainas të cilët mbahen nga Moska – nëse udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un mund të organizojë një këmbim të tillë.

    Duke folur me Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë më 13 janar, Yevhen Yerin, përfaqësues i HUR-it, tha se kapja gjallë e ushtarëve të Koresë së Veriut – hera e parë që Ukraina njofton për një gjë të tillë që kur ushtarët koreanoveriorë hynë në luftë për të mbështetur Rusinë – i ofrojnë Kievit “shumë mundësi të dobishme”.

    “Informacioni që mund të mbledhim nga këta individë është i rëndësishëm jo vetëm për inteligjencën operacionale, por edhe si mjet politik për të zbuluar pjesëmarrjen e Ushtrisë së Koresë së Veriut në veprimet ushtarake të Rusisë.” – tha ai.

    Kapja e dy ushtarëve të plagosur, që u bë publike më 11 janar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ende nuk është konfirmuar as nga Moska e as nga Pheniani.

    Vjeshtën e kaluar, Koreja e Veriut dërgoi afër 11.000 trupa në rajonin Kursk për të mbështetur forcat ruse atje. Moska ka rimarrë afër 40% të territorit, por trupat ukrainase ende kontrollojnë mbi 500 kilometra katrorë në Kursk dhe trupat e Phenianit raportohet se po përjetojnë humbje masive.

    Yerin tha se duket se ushtarët koranoveriorë po integrohen në shumë pjesë të betejës së Rusisë në rajonin e Kurskut.

    “Ata përdoren kryesisht si mish për top. Megjithatë, në mesin e tyre ka edhe specialistë të ndryshëm të cilët merren me çështje të ndryshme, por në përgjithësi ata janë pjesë e këmbësorisë.” – tha ai duke iu referuar ushtarëve të cilët luftojnë në mbështetje të Rusisë.

    Më herët gjatë 13 janarit, Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut tha se më shumë se 300 ushtarë koreanoveriorë janë vrarë në rajonin rus të Kurskut, ndërkaq afër 2.700 të tjerë janë plagosur.

    Shërbimi i Sigurisë të Ukrainës (SUB) tha se një i burgosur, i cili u tha se ka lindur më 2005, pretendoi se besonte se po shkonte “për t’u trajnuar, jo për të luftuar kundër Ukrainës”.

    Tjetri ishte detyruar të shkruante përgjigjet e tij sepse ka lëndime në nofull, tha SBU-ja. Ky ushtar tha se ka lindur më 1999 dhe ishte snajperist në Ushtrinë e Koresë së Veriut.

    Një nga ushtarët e kapur pretendohet se ka thënë se preferon të qëndrojë në Ukrainë sesa të kthehet në Korenë e Veriut, për shkak të frikës se do të “ndëshkohet ashpër” nga Qeveria e tij – duke thënë se me gjasë ai përballet me ekzekutim apo burgim afatgjatë.

    “Pjesëmarrja e Koresë së Veriut nuk ka rëndësi vetëm në fushëbetejë, por ka edhe implikime të mëdha diplomatike.” – tha Yerin.

    Zelensky e ka akuzuar publikisht Rusinë dhe Korenë e Veriut, se po tentojnë të fshehin prova të dislokimit të ushtarëve – duke u dhënë dokumente të falsifikuara ushtarëve të Koresë së Veriut, për t’i paraqitur ata si qytetarë rusë./REL