Ballina

Autor: Kallxo

  • Ish-Kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së: Kërkesa që të bëhem Shef i Shërbimit Juridik në UÇK ka qenë e Adem Demaçit

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 14.01.2025, ka filluar dëshminë Sokol Dobruna, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

    Dëshmitari Dobruna deklaroi se në UÇK është kyçur më 7 shtator 1998.

    I pyetur se a i kujtohej kush kishte qenë komandant i tij. Dobruna tha se ‘Ramush Haradinaj’.

    Në pyetjen se a e kishte njohur dikë me emrin Lahi Brahimaj. Dëshmitari Dobruna deklaroi duke thënë ‘Po’,  ndërsa shtoi se nuk e di se çfarë roli kishte pasur Brahimaj në Shtabin e Përgjithshëm atë kohë.

    Prokurori John Capin pyeti dëshmitarin Dobruna nëse ishte takuar më 1998 me Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin.

    “Zotëri dëshmitar a jeni takuar ju në vjeshtë më 1998 me Jakup Krasniqin dhe Hashim Thaçin?” – pyeti Prokurori. Ndërsa, përgjigjja e dëshmitarit ishte se nuk i kujtohej.

    Lidhur me Jakup Krasniqin, Dobruna deklaroi se kishin qenë shokë veprimtarë para luftës.

    “Me Jakupin kemi qenë shokë veprimtarë para luftës dhe për atë jam taku pa ditë për çka është fjala. Atje kam shku me udhëzim të përfaqësuesit të të drejtave të njeriut në Kosovë, Adem Demaçit dhe e kam përcjellë Jakupin, se kam kujtu se ai është. Se kur e kam pyet atë, i kam thënë ‘A je ti Komandanti?’. Kam kujtu që është Komandant ai. ‘Jo’ – ka thënë ai – ‘…jam vetëm Zëdhënës’. Kaq kam pasë muhabet.” – shtoi tutje Dobruna.

    Tutje, prokurori Capin pyeti dëshmitarin nëse i kujtohej që kishte shkuar në Divjakë në dhjetor të vitit 1998, për të marrë një pozitë të re brenda UÇK-së. Dëshmitari Dobruna tha ‘Po’.

    “Kur shkuat në Divjakë si e mësuat se do të bëheshit Shefi i Shërbimit Juridik. Kush ju tha këtë gjë?”- ishte pyetja e radhës nga prokurori Capin.

    “Nuk më kujtohet se si, por e di që atje më është komuniku emërimi si Shef i Shërbimit Juridik. Nuk më kujtohet si. Ka kalu (një) kohë shumë e gjatë.” – u përgjigj Dobruna.

    “Ju po kërkoni prej meje, edhe pse është vërtetu se unë jam kah harresa shumë keq. Po nuk po e kuptoj këtë sjellje të Zotit Prokuror. Unë nuk jam në gjendje m’i kujtu të gjitha.” – shtoi tutje Dobruna.

    Tutje, prokurori Capin pyeti dëshmitarin nëse ka pasur dijeni që të ketë pasur ndonjë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm për emërimin e tij.

    “Zoti dëshmitar, ju vetë keni dijeni të ketë pasur ndonjë urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm që do t’ju emëronte juve si Shef i Shërbimit Juridik.” – ishte pyetja e radhës nga Prokurori.

    “Me siguri, masi më është komuniku qashtu. Unë procedurën nuk e di si është ardhë deri tek ajo. Po e di që kërkesa ka qenë prej Adem Demaçit.” – u përgjigj dëshmitari Dobruna.

    Ku gjykim po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023 .

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.

     

     

  • Për çka do të votojnë serbët?

    Paqe e siguri, punësim i barabartë dhe luftë institucionale për realizimin e të drejtave.

    Këto janë disa nga çështjet që do t’i bindin qytetarët serbë të Kosovës, me të cilët bisedoi Radio Evropa e lirë, se kujt t’ia japin votën në Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Në garë për dhjetë ulëset e Kuvendit janë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë; Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.

    Megjithatë, mbështetja nga Beogradi, edhe kësaj radhe, shkon ekskluzivisht për Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila u formua me përkrahjen e autoriteteve të Serbisë – përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.

    Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq tha në një intervistë për RTS-në më 13 janar se është e rëndësishme që Lista Serbe të marrë pjesë në Zgjedhje “për të treguar se nuk po tërhiqemi”.

    Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, vlerëson se serbët nga Kosova presin që përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvend, të jenë më aktivë, të luftojnë për ndryshime, të drejta më të mëdha dhe Dialog me autoritetet qendrore.

    Por, Olliver Vujoviq, nga Forumi joqeveritar për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik nga Graçanica, beson se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të fillojnë të mendojnë më shumë për “mbijetesën lokale” dhe më pak për politikën e nivelit të lartë.

    “Nuk mund të bëhet më keq se kaq”

    Milloshi nga Mitrovica e Veriut thotë se në periudhën e kaluar ka mbizotëruar punësimi partiak apo ndarja e pabarabartë e banesave për persona më të cenueshëm socialë.

    Ai pret që gjatë fushatës të dëgjojë se do të ketë ndryshime në këtë drejtim.

    “Uniteti i vërtetë duhet të ndodhë, e jo vetëm të flitet për të. Ky unitet nënkupton që ne jemi të gjithë njësoj.” – thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Mlladeni do që përfaqësuesit politikë serbë të luftojnë më shumë për të drejtat e tyre në Kuvendin e Kosovës.

    “Ajo që po ndodh tani me serbët në Kosovë është nën çdo nivel të jetesës normale. Shumë njerëz kanë humbur punën dhe pyetja është se deri kur do t’i paguajë Serbia pagat e tyre?! Shpresoj që të ndryshojë diçka. Nuk mund të bëhet më keq se kaq.” – thotë Mlladeni, gjithashtu nga Mitrovica e Veriut.

    Që nga viti 2013, Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

    Votimi për të është organizuar kryesisht përmes institucioneve ku serbët punojnë, e të cilat financohen nga Serbia.

    Mirëpo, që nga nëntori i vitit 2022, deputetët e kësaj liste nuk kanë marrë pjesë aktive në punimet e Kuvendit, për shkak të “politikës së bojkotit”. Atëkohë, përfaqësuesit serbë kanë vendosur të largohen nga institucionet e Kosovës në veri – duke kundërshtuar kështu vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

    Për të mos i humbur mandatet dhe pagat, ata kanë shkuar në Kuvend çdo gjashtë muaj për t’u nënshkruar.

    Qeveria e Kosovës, ndërkohë, ka punuar në mënyrë intensive për konsolidimin e pushtetit në Komunat me Shumicë Serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Që nga fillimi i vitit 2024, ajo ka mbyllur edhe institucione që kanë vepruar në kuadër të sistemit të Serbisë në atë zonë.

    Beogradi zyrtar e kundërshton mbylljen e këtyre institucioneve, ndaj disa prej tyre i ka zhvendosur në qytetet kufitare të Serbisë dhe ka premtuar se askush nuk do të mbetet pa rrogë.

    Nemanja nga Mitrovica e Veriut thotë se ka ardhur koha që serbët “ta kuptojnë seriozitetin e situatës” dhe të fillojnë një luftë institucionale për të drejtat e tyre.

    “Dhe, le të shpresojmë se kjo do të sjellë disa ndryshime, që do ta përmirësojnë jetën në veri të Kosovës.” – thotë ai.

    Çka është e rëndësishme për serbët në jug të lumit Ibër?

    Titomiri nga Graçanica, afër Prishtinës, nuk beson në premtimet elektorale. Po ashtu, nuk beson se politikanët duan vërtet të luftojnë për të drejtat e njerëzve të thjeshtë.

    “Unë besoj vetëm tek Aleksandër Vuçiqi si President [i Serbisë].” – thotë ai.

    Megjithatë, ai shton se është e rëndësishme që problemet e serbëve të dëgjohen në institucionet e Kosovës dhe të kërkohet zgjidhje për to.

    “Asnjëherë nuk i kam parë [përfaqësuesit aktualë] në foltore [në Kuvendin e Kosovës], nuk i kam parë që dalin e flasin për problemet…” – thotë Titomiri.

    Zorani, po ashtu nga Graçanica, thotë se duhet të krijohen kushte më të mira të jetesës për serbët në Kosovë, si dhe mundësi më të mëdha punësimi. Por, dilema është nëse opsionet politike që i përfaqësojnë serbët, mund t’i ofrojnë këto.

    “Të gjithë bëjnë premtime kur janë Zgjedhjet, e më pas çdo gjë kthehet në normalitet.” – thotë ky bashkëbisedues për Radion Evropa e Lirë.

    Për Sllavishën nga Rahoveci, punësimi i barabartë është gjithashtu vendimtar për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Ai thotë se do të votonte për opsionin që e bind se një gjë e tillë është e mundur.

    “Situata te ne është e shkëlqyer. Nuk është si në veri. Por, duhet të punësohen të rinjtë. Unë i kam dy djem. Duhet të punësohen.” – thotë Sllavisha.

    Brankoja nga Prizreni, ku kanë mbetur shumë pak serbë, thotë se është i zhgënjyer nga përfaqësuesit politikë të serbëve, sepse askush nuk i viziton dhe nuk përpiqet t’i kuptojë më mirë problemet e tyre reale.

    Ai thotë se nuk ka besim në partinë më të madhe – Listën Serbe, por se as nga të tjerët nuk ka dëgjuar ndonjë plan konkret për përmirësimin e kushteve të jetesës.

    “Të gjithë janë për interes. Askush nuk na e hap derën.” – thotë Brankoja.

    Çka ofrojnë përfaqësuesit politikë të serbëve?

    Pothuajse të gjitha opsionet politike flasin për “mbijetesën” e serbëve në Kosovë, por nga këndvështrime të ndryshme dhe pa paraqitur propozime konkrete se si të arrihet kjo.

    Lista Serbe mbështetet në masë të madhe te Beogradi dhe që nga fillimi i fushatës, më 11 janar, zyrtarët e saj kanë vizituar kryesisht institucionet shëndetësore që funksionojnë nën sistemin serb dhe punësojnë mijëra njerëz.

    Kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek është edhe drejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut.

    Gjatë një vizite në Graçanicë më 13 janar, Ellek foli për investimet dhe punësimin në sektorin e Shëndetësisë – duke theksuar se në katër vjetët e fundit janë punësuar 1.500 punëtorë mjekësorë dhe jomjekësorë.

    Subjektet e tjera politike që kanë hyrë në garë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, kryesisht e akuzojnë Listën Serbe se punon ekskluzivisht për të mirën e zyrtarëve të saj dhe se kontribuon në largimin e serbëve nga Kosova.

    Kështu, subjekti Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë i Nenad Rashiqit – që është pjesë e Qeverisë aktuale të Albin Kurtit – me sloganin “Jeta ime në duart e mia” thotë se mbështet politika “autentike”, që do t’i mbrojnë interesat e serbëve të Kosovës.

    Në ditën e parë të fushatës zgjedhore, Rashiq tha se Lista Serbe ka “keqpërdorur burimet” për vite me radhë. Ai tha se është pro krijimit të një “të ardhmeje të përbashkët”, e jo vetëm për individët.

    Mesazhi politik i Lëvizjes Popullore Serbe, të udhëhequr nga Millija Bishevac nga Zubin Potoku në veri dhe Branimir Stojanoviq nga Graçanica në jug, është “Lufta jonë nuk ka ndaluar”.

    Nga kjo parti thonë se do të jenë “zëri i popullit” dhe se do të “luftojnë për popullin, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”.

    Edhe Demokracia Serbe e Aleksandër Arsenijeviqit premton se do të jetë zëri i popullit dhe “zëri i lirisë”.

    Kjo parti thotë se përkeqësimit të pozitës së komunitetit serb i ka kontribuar heshtja në Kuvendin e Kosovës dhe mosveprimi i deputetëve aktualë të Listës Serbe.

    Nga kjo parti premtojnë se do të jenë më aktivë dhe se do ta ngrenë zërin kudo që të munden.

    Në tubimin në Graçanicë, Partia Serbe e Kosovës ka thënë, gjithashtu, se do të luftojë për të drejtat e qytetarëve dhe se do të çrrënjosë manipulimin dhe korrupsionin.

    Nisma Qytetare Drejtësia Popullore, në anën tjetër, thotë se mbron bashkëjetesën, pajtimin në Kosovë, por edhe lirinë e mendimit dhe të fjalës.

    Kjo parti mbështet edhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, si dhe premton kushte të njëjta punësimi pa diskriminim, kushte më të mira shëndetësore dhe ruajtjen e të gjitha të drejtave të komuniteteve.

    Çka do të jetë vendimtare në betejën për vota?

    Milliqeviq, nga organizata Aktiv, beson se subjektet politike serbe në Kosovë nuk kanë shumë për t’u ofruar votuesve, edhe pse dëshirojnë “vetëm një jetë të denjë dhe një mjedis të sigurt”.

    Megjithatë, ai shton se qytetarët, sigurisht, presin që politikanët serbë të jenë më aktivë në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Vetëm atëherë, sipas tij, mund të flitet për përparim ekonomik apo punësim.

    Lista Serbe, në masë të madhe, e ka humbur besimin e popullit – thotë Milliqeviq dhe pret që në Kuvendin e ri të Kosovës të shohë përfaqësues edhe të opsioneve të tjera politike.

    “Në detin e negativitetit dhe të gjërave të këqija që kanë ndodhur, ky pluralizëm është e vetmja gjë pozitive. Të dëgjohet pak më shumë se një zë, pa pasur dallime të mëdha në perceptimin e interesave më të gjera të komunitetit serb.” – thotë Milliqeviq.

    Lista Serbe ka fituar mbi 90% të votave në të gjitha Zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë që nga formimi i saj në vitin 2013, por misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ka shkruar në Raportet e tij për “monopolin dhe frikësimin” nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie.

    Vujoviq, nga Forumi për Zhvillim dhe Bashkëpunim Multietnik, beson se votuesit, me shumë gjasa, do të votojnë për opsionin i cili mund t’u sigurojë atyre stabilitet ekonomik, të drejta më të mëdha dhe kushte më të mira jetese.

    Ai thotë se Lista Serbe ka përparësi, sepse ka mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe se Serbia, përmes institucioneve të saj, punëson një numër të madh të njerëzve në Kosovë.

    “Nga frika se mos humbasin diçka, një pjesë e njerëzve ndoshta do të votojnë për atë opsion që lidhet drejtpërdrejt me Beogradin. Megjithatë, ka ende njerëz që nuk janë të lidhur me ato paga [nga buxheti i Serbisë].” – thotë Vujoviq për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se ka më shumë se dy vjet që zëri i Listës Serbe nuk dëgjohet as në Kuvendin e Kosovës, as në institucionet e tjera.

    Sipas tij, ka qytetarë nga komuniteti serb, të cilët ankohen që nuk kanë qenë më aktivë në mbrojtjen e interesave të tyre.

    “Duhet të flitet dhe të bashkëpunohet me të gjithë për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin ekonomik.” – thotë Vujoviq.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që mbahen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008./REL

  • Shkup: Punonjësit e Administratës Publike protestojnë për rritje pagash

    Nëpunësit e disa Ministrive dhe institucioneve shtetërore në Maqedoninë e Veriut, përfshirë ato të Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entit Shtetëror të Statistikave, protestuan më 14.01.2025 për shkak të mosmiratimit të rritjes së shtesave në paga – një kërkesë kjo e përsëritur ndër vite.

    Ata kërkuan nënshkrimin e Kontratave kolektive dhe miratimin e Shtesave për pagat në masën 30%.

    Protestuesit akuzuan Ministrinë e Financave për mosmarrje të masave të nevojshme dhe theksuan se, që nga formimi i Qeverisë së re, kanë zhvilluar takime me shumicën e Ministrave përkatës dhe kanë paraqitur propozimet e nevojshme për arritjen e Marrëveshjes kolektive.

    “Më pas, me mbështetjen e Ministrave, janë dorëzuar në Ministrinë e Financave. Edhe pse këto propozime për Marrëveshje kolektive janë dorëzuar në Ministrinë e Financave, para miratimit të buxhetit shtetëror për vitin 2025, por për arsye të pakuptueshme për ne Ministria e Financave nuk i ka miratuar mjete për nënshkrimin e tyre.” – deklaroi Trpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës.

    Aktualisht, paga mesatare në këto institucione ku po protestojnë nëpunësit, siç theksoi Deanoski, është rreth 29,000 denarë (471 euro), ndërsa paga mesatare në nivel shtetëror në Maqedoninë e Veriut është 42,124 denarë (684 euro).

    “Shtesa prej 30% që po kërkojmë do të thotë se punëtorët do të kenë rritje të pagave prej 6.000 denarëve [100 euro], por përkundër kësaj, të gjithë të punësuarit sërish do të jenë nën pagën mesatare të shtetit. Kjo kërkesë e jona është më shumë se katër vjet e vjetër.” – shtoi ai.

    Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, në një dalje televizive më 13.01.2025 deklaroi se problemi me rritjen e pagave qëndron në Marrëveshjet kolektive individuale të disa institucioneve, që kanë rritur pagat për disa punëtorë, ndërsa pjesa tjetër e Administratës ka mbetur me paga të pandryshuara. Ai theksoi se zgjidhja ideale do të ishte një sistem i unifikuar pagash që garanton barazi për punonjësit me kompetenca të njëjta.

    Në anën tjetër, opozita maqedonase dha mbështetje për protestuesit. Ata nënvizuan se Qeveria e ka për detyrë të sigurojë kushte për nënshkrimin e Marrëveshjeve kolektive dhe rritjen e pagave.

    “Ne e kuptojmë zemërimin e nëpunësve në sektorin publik dhe mbështesim kërkesat e tyre për rritje të pagave, të cilat janë plotësisht të justifikuara.” – deklaruan nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM).

    Protestat, siç potencuan nëpunësit e Ministrive, do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave, çdo ditë, nga ora 11:00 deri 11:30. Ndërsa, të premten, më 17.01.2025, do të zhvendosen përballë Ministrisë së Financave, ku do të shprehin pakënaqësitë për mosnënshkrimin e Kontratave kolektive.

    Sindikata e Punëtorëve të Administratës, Organeve të Drejtësisë dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH) i ka bërë thirrje Qeverisë së kryeministrit Hristijan Mickoski që të ulet dhe të dakordësojë një Marrëveshje, me qëllim që të mos ketë largim shtesë të punëtorëve nga sektori publik.

    Ndërkohë, nga Qeveria ditë më parë bën të ditur se nuk kanë pranuar një kërkesë të tillë nga Sindikatat, por edhe shtuan se një rritje prej 30% në këtë moment “është përtej mundësive të buxhetit shtetëror”.

    Në buxhetin e shtetit për vitin 2025 janë planifikuar të hyra totale në nivelin prej 358.8 miliardë denarë (5.83 miliardë euro), një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2024, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në nivel të 400 miliardë denarëve (6.50 miliardë euro) – duke shënuar një rritje prej 10%, krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar./REL

  • Dobruna: ‘Thuj be që i kom harru krejt. A e di që i kam harru krejt? Kallxoju.’

    Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 14.01.2025, ka filluar dëshminë Sokol Dobruna, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.

    Dëshmitari Sokol Dobruna gjatë dhënies së dëshmisë së tij deklaroi se ka problem me kujtesën dhe se nuk po i kujtohen ato për të cilat po pyetet nga prokurori John Capin.

    “A ju kujtohet që unë ju kam pyetur në qoftë se ju keni parë një të burgosur serb të vdekur në burgun e Kleqkës. A ju kujtohet kjo?” – pyeti prokurori Capin.

    “Kam problem me këtë kujtesë, ta hajë dreqi! Nuk më kujtohet, veç s’është me rëndësi mund të jetë, nuk e mohoj – ashtu po mendoj.” – tha dëshmitari Dobruna.

    “Më konkretisht, a ju kujtohet që keni bërë sqarime në deklaratën tuaj se vendi ku e keni parë këtë të burgosur ka qenë një qeli brenda një burgu?” – ishte pyetja e radhës nga Prokurori.

    Ndërsa me “Jo.” – u përgjigj Dobruna.

    Në pyetjet e radhës, Prokurori pyeti dëshmitarin Dobruna, nëse i kujtoheshin fjalët të cilat ishin korrigjuar nga ai. Lidhur me këtë dëshmitari Dobruna tha se nuk e di për cilat fjalë.

    Tutje, prokurori Capin i kujtoi një fjalë Dobrunës, e cila ishte korrigjuar. Ndërsa, dëshmitari Dobruna tha se ‘I kishte harruar.’.

    “Thuj, bre, që i kom harru krejt. A e di që i kam harru krejt? Kallxoju.” – tha dëshmitari Dobruna.

    Pas kësaj Trupi Gjykues bëri pushim prej dhjetë minutash, që dëshmitari Dobruna të konsultohet me avokatin e tij . Ndërsa, kur palët u kthyen në Sallë, seanca kaloi në sesion privat për disa minuta.

    Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

    Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

    Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

    Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

    Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

    Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

    Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

    Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.

     

     

     

     

  • Lavrov: Moska në kontakt me Serbinë lidhur me pronësinë e NIS-it

    Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të martën, më 14.01.2025, se Moska është në kontakt me “miqtë e saj serbë”, lidhur me fatin e pronësisë së kompanisë serbe të naftës NIS, e cila u vu nën sanksionet e SHBA-së.

    Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, pas një takimi me ambasadorin rus në Serbi, Bocan-Harçenko tha se ka kërkuar “nga miqtë rusë” fillimin e konsultimeve dhe mbajtjen e takimeve për funksionimin e NIS-it në të ardhmen.

    “(Diskutuam edhe për) gjetjen e zgjidhjes më të mirë në interes të ndërsjellë, duke ruajtur marrëdhëniet e partneritetit dhe ato miqësore ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse.” – shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, të martën, më 14.01.2025.

    Vuçiq tha të premten, më 10.01.2025, se pas sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara kundër sektorit të naftës ruse, kompanisë Gazprom Neft të Rusisë do t’i jepet një afat prej 45 ditësh për të dalë nga pronësia e NIS-it.

    Ky afat vlen edhe për Serbinë që të përfundojë “nënshkrimin e çfarëdo Marrëveshjeje apo Kontrate me palën ruse”.

    Pas kësaj, siç tha ai, sanksionet hyjnë në fuqi “plotësisht”.

    Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj amë Gazprom.

    Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50% të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87% të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15% të aksioneve.

    Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara më 10 janar, për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma tha në Beograd të shtunën, më 11.01.2025, se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike – nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i./REL