Ballina

Autor: Kallxo

  • Jufkat e Dashurisë që shuajnë mallin për traditën

    Njihet si Dashuria e jufkave. Dhe pikërisht dashuria për këtë produkt – makarona të prodhuara në mënyrë artizanale – e ka bërë atë një grua të suksesshme.

    Dashurie Zerja nga fshati Grevë i Dibrës – qytet në lindje të Shqipërisë – tregon se ka mësuar se si përgatiten jufkat që në moshë të vogël.

    “Bëj jufka që 12 vjeçe”

    “Kam qenë 12 vjeçe kur më vdiq nëna. Dy motrat e mëdha ishin të martuara. Dikush duhej të kujdesej për gatimin për babanë dhe dy vëllezërit”, nis rrëfimin Dashuria.

    “Gjyshja më mori pranë vetes dhe më mësoi se si të bëhej brumi e si t’i përgatisja jufkat. Në njëfarë mënyre, ky ishte ushqimi kryesor në sofrat tona. Dhe, që në atë kohë, nuk iu ndava kurrë gatimit të jufkave”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

    Për Dashurinë, është një punë e vështirë, që do forcë në krahë për ta bërë brumin ashtu siç duhet.

    Brumi bëhet me miell, vezë dhe qumësht, e më pas duhet të pushojë për disa orë i mbështjellë me qese.

    Pasi që të bëhet peta, shpjegon Dashuria, ajo pritet në fije me thikë dhe në fund hapet nëpër çarçafë të bardhë, përzihet derisa të thahet mirë dhe paketohet.

    Jufkat nuk mungojnë kurrë në një sofër dibrane dhe janë pjata më e mirë për të nderuar mikun.

    Dashuria e nisi përgatitjen e tyre si nevojë, pasi mori rolin e nënës në shtëpi, por ngjashëm nisi edhe tregtimin e tyre shumë vite më vonë – për të siguruar më shumë të ardhura për familjen e saj.

    Nënë e tre fëmijëve me rezultate të shkëlqyera në shkollë, Dashuria vendosi që me jufka të siguronte edhe shkollimin e tyre në universitet.

    Nga tradita te biznesi

    “Me ndihmën e vjehrrës sime nisa të gatuaj jufka për t’i tregtuar, jo për t’i konsumuar në familje. Duhej më shumë punë dhe mund, por e pashë si mundësi të mirë për të nxjerrë të ardhura që fëmijët t’i kryenin studimet e larta. Isha e vendosur për të bërë gjithçka për të shkolluar fëmijët”, thotë 53-vjeçarja.

    Kështu, gjashtë vjet më parë, ajo nisi punën në punishten e saj të prodhimit të jufkave.

    Shumë shpejt nisën edhe porositë nga banorët e zonës, por edhe jashtë saj.

    Dashuria tregon se, për shkak se kërkesat për jufkat e saj u rritën shumë, futi në punishte edhe makineri, por nga ato të vjetrat që janë përdorur në zonën e Dibrës në të shkuarën, e jo moderne.

    Thotë se ka zgjedhur kështu për të ruajtur sa më shumë traditën dhe që jufkat e saj “ta shuajnë mallin e jufkave që kanë bërë gjyshet apo nënat tona”.

    Por, krahas jufkave, në punishte shtoi edhe të tjera zahire që përgatisin çdo dimër gratë e zonës. Nisi të tregtojë edhe trahana, turshi, reçele të ndryshme.

    Dashuria thotë se produktet e dyqanit të saj, shpërndahen në të gjithë Shqipërinë, por se arrijnë edhe në SHBA dhe Australi.

    Bujtina mes fshatrave që po braktisen

    “Pasi vura re se kërkesat ishin gjithnjë e në rritje, diskutuam në familje dhe e pamë të arsyeshme të kishim bujtinën tonë. Djali i madh studion për inxhinieri dhe ndihmoi me ndërtimin, duke ruajtur traditën dibrane”, tregon Dashuria.

    “Në bujtinën tonë gjen edhe dhomën e burrave, edhe dhomën e grave, ashtu siç kanë qenë dikur me oxhak, sofër, shtroje me lëkurë qengji e gjithçka tjetër. Por, kjo nuk do të thotë se i ndajmë burrat nga gratë, por i kemi risjellë sepse shumë njerëz kanë nostalgji për odat dibrane”, thotë ajo.

    Bujtina e saj pret e përcjell çdo ditë turistë vendas e të huaj.

    Thotë se turistët e huaj vijnë thuajse nga të gjitha vendet e botës, por më shumë nga Gjermania, Polonia dhe Çekia.

    Gatimet tradicionale të zonës janë ato që u bëjnë përshtypje për shijen dhe historinë e tyre, sipas Dashurisë.

    Ajo thotë se ndien keqardhje që fshatrat po braktisen.

    Këtë e ndien edhe derisa përpiqet të sigurojë lëndën e parë për produktet që i duhen për bujtinën dhe dyqanin.

    “Është shumë e vështirë ta sigurosh lëndën e parë, produktet bio – qoftë bujqësore, apo blegtorale. Kjo, sepse fshatrat po braktisen për fat të keq. Njerëzit nuk duan të merren më me bujqësi dhe blegtori”, thotë Dashuria.

    Dashuria ka punësuar në bujtinën dhe dyqanin e saj gjashtë gra të zonës si dhe katër të rinj, përveç pesë anëtarëve të familjes së saj.

    Ajo është e kënaqur që djali i saj i vogël, Albi, studion për menaxhim agrobiznesi dhe është e bindur se do të vijojë traditën familjare.

    Dashuria shpreson që edhe gra të tjera dibrane ta ndjekin shembullin e saj, ndërsa të rinjtë të mos i braktisin fshatrat, por të shkollohen dhe të kontribuojnë në vendin e tyre.

  • Hyn në fuqi armëpushimi Izrael-Hamas

    Armëpushimi në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – hyri në fuqi të dielën.

    Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra që do t’i lirojë më 19 janar.

    Mosdërgimi i emrave të pengjeve bëri që hyrja në fuqi e armëpushimit të vonohen për më shumë se dy orë, teksa Izraeli tha më herët se do të vazhdojë luftimet derisa emrat të dorëzoheshin, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen e arritur më herët gjatë javës.

    Hamasi tha më herët gjatë së dielës se për “arsye teknike në terren” nuk arriti që me kohë të dorëzojë emrat. Përmes një deklarate, grupi radikal palestinez tha se është i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit.

    Izraeli tha po ashtu para nisjes së armëpushimit se do të vazhdonte luftimet derisa nuk do të publikohej lista me emrat e pengjeve. Më vonë, ushtria izraelite tha se ka shënjestruar një sërë caqesh të Hamasit në Gazë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën tetë persona u vranë mëngjesin e 19 janarit.

    Me lirimin e tri pengjeve të para pritet të lirohen edhe dhjetëra palestinezë të burgosur në Izrael.

    Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.

    Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

    Ndërkaq, Izraeli njoftoi se ka arritur të tërheqë trupin e Oron Shaul, një ushtar që ishte vrarë në luftën Izrael-Hamas më 2014. Trupat e Shaulit dhe ushtarit tjetër, Hadar Goldin, kishin qenë në Gazë edhe pas përfundimit të luftës më 2014.

    Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.

    Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael. Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.

    Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin pauzuar luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.

    Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.

    Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.

    Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë. Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit./REL

  • Përparim Rama: Jemi sabotuar dhe bllokuar nga pushteti qendror

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi lëvizjen Vetëvendosje, se ka sabotuar dhe bllokuar projektet për zhvillimin e kryeqytetit. Ai sjell si shembuj unazën dhe spitalin e Prishtinës. Por pavarërsisht kësaj situate thotë zoti Rama, Prishtina është transformuar.

    Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të 47 të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 20.01.2025.

    Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, kryetari i Komunës së Prishtinës u përgjigjet kritikëve që e akuzojnë për mos zgjidhje të problemeve me trafikun, mbledhjen e mbeturinave, apo ndotjen e mjedisit. Po kështu zoti Rama flet dhe mbi hetimet e nisura nga Prokuroria Speciale mbi tenderin prej 12 milionë eurosh për themelimin e shërbimit të ‘Arkitektit të Kryeqytetit’.

    Rama thotë se me tenderin janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore duke e cilësuar atë si një projekt madhor që ka ndihmuar në transformimin e Prishtinës.

    Zëri i Amerikës: Zoti Rama, Kosova ndodhet tashmë zyrtarisht në fushatë zgjedhore për përballjen më 9 shkurt. A mendoni se ka ndryshuar diçka nga zgjedhjet pararendëse, ku partia juaj Lidhja Demokratike u rendit e treta. A ka shanse që LDK-ja të jetë forcë e parë apo edhe e dytë?

    Përparim Rama: Lidhja Demokratike e Kosovës më ka ftuar që të garoj për kryetar të kryeqytetit. Pra është e vetmja parti e cila që në atë kohë ka filluar transformimin e menjëhershëm të saj, pra rivitalizimin e partisë, rishqyrtimin e strukturave të brendshme dhe ka bërë një punë të madhe që nga ajo kohë, pra rreth më shumë se tre vite, kur fituam garën, pra kur u bëra kryetar i kryeqytetit, kryetar i Prishtinës, një garë që mendohej se nuk mund të fitohej. Por ja që e kemi fituar dhe kemi tregu se me një vizion të mirëfilltë, me një analizë dhe njohje të mirëfilltë të problemeve, dhe me një vision për të ardhmen e kryeqytetit, nuk ka asgjë që mund të na ndalë. Dhe kjo po shihet tashmë pas më shumë se tre vitesh në menaxhimin e kryeqytetit.

    Zëri i Amerikës: Por a e ka këtë vizion fitues partia (LKD-ja) për zgjedhjet e përgjithshme?

    Përparim Rama: Po, ne jemi duke punuar së bashku me Dr. Lumir Abdixhikun, i cili është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku strukturat e brendshme janë ristrukturuar dhe rivitalizuar, pra është një ekip fantastik e fitues në garën e 9 shkurtit. Kemi pasur një konferencë të përbashkët ku edhe jemi zotuar që investimet në kryeqytet të jenë 1.5 miliardë euro, investime të cilat i duhen kryeqytetit për arsye se kryeqyteti është taksapaguesi më i madh në buxhetin e Kosovës. Pra 49.8 për qind e gjithë buxhetin të Kosovës paguhet nga bizneset dhe qytetarët e kryeqytetit, për këtë arsye është me rëndësi që investimet të vijnë së pari dhe më të mëdhajat të jenë, për kryeqytetin.

    Zëri i Amerikës: Logjika ta do të mendosh se një drejtues i pushtetit lokal do të preferonte që në pushtetin qendror, të kishte partinë e tij në mënyrë që të avanconte projektet dhe vizionin për qytetin. A keni ndjerë ju probleme në punën tuaj, duke pasur parasysh që në qeverisjen qendrore është lëvizja Vetëvendosje. Si do ta përkufizoni ju bashkëpunimin me qeverinë?

    Përparim Rama: Unë mendoj se në çdo qeverisje normale nuk do të duhej të ishte problem se kush është në nivelin qendror dhe kush në atë lokal, por ja që përkundër faktit që unë kam qenë neutral në aspektin e qeverisjes, pra Prishtina ka qenë për të gjithë, ashtu e kam qeverisur dhe ashtu do të vazhdoj ta qeveris, duke parë në përbashkim dhe jo në përçarje, për fat të keq nuk e kemi pasur përkrahjen e qeverisë, pra kemi pasur sabotazh dhe bllokada të ndryshme në zhvillimin e kryeqytetit. Për shembull për projekte madhore si ai i unazës dhe spitali i kryeqytetit. Mirëpo përkundër faktit të bllokadave dhe sabotazhave ne kemi arritur të realizojmë buxhetin e kryeqytetit me 80 për qind, që është faktikisht realizim historik, më i madhi në historinë e kryeqytetit, po ashtu edhe në investime kapitale 63 për qind. Paramendo po të kishim pas një qeverisje më normale, nëse e quaj kështu, çka do të kishim pas mundësi të bënim. Do të kishim pas mundësi të bëjmë shumë më shumë edhe në kryeqytet, por edhe në të gjithë Kosovën.

    Zëri i Amerikës: Por megjithatë çfarë do t’u thoshit ju kritikëve tuaj që u fajësojnë për mos zgjidhje të problemeve që lidhen me trafikun e ngarkuar, ngushtimin e hapësirave për lëvizjen e makinave, problemet me mbledhjen e mbeturinave, ndotjen e mjedisit, ndërtimet pa leje apo edhe kritika të tjera të kësaj natyre?

    Përparim Rama: Pikërisht këto janë edhe problemet të cilat i përmenda dhe më herët. Pra unaza e kryeqytetit, një projekt madhor për kryeqytetin i cili është i gatshëm tashmë prej dy vite e gjysmë, e që bllokohet nga qeveria. Një projekt 206 milionësh, në të cilin 40 për qind e të gjitha fondeve janë faktikisht grant nga Komuniteti Evropian, vazhdon të bllokohet nga qeveria. Pra ky është një projekt madhor i cili do ta kishte zbutur dhe përmirësuar dukshëm trafikun në kryeqytet. Me informatat të cilat ne i marrim çdo ditë, kemi 748 mijë hyrje në qytet, po them hyrje, pra vetëm prej telefonisë mobile IPKO, i kemi këto të dhëna prej tyre. Pra paramendoni kur i marrim edhe ata që kanë telefona VALA e të tjerë, kemi afër një milion hyrje. Çfarë do të thotë kjo? Që gati më shumë se gjysma e Kosovës vjen çdo ditë në kryeqytet dhe del nga kryeqyteti dhe kjo normal që shkakton presion në trafik në kryeqytet. Për këtë arsye edhe projektet madhore siç është unaza e kryeqytetit…

    Zëri i Amerikës: E keni fjalën për rrugën ‘A’, çfarë po ndodh me të?

    Përparim Rama: Pikërisht vazhdojmë tash me punë në rrugën A, por ja që tre herë e kemi fituar gjyqin, pra na e kanë bllokuar. Kemi dalë në gjykatë e kemi fituar herën e parë, po ashtu e kemi fituar edhe herën e dytë edhe herën e tretë. Pra na e kanë bllokuar projektin për më shumë se gjashtë muaj. Projekte madhore të cilat janë në të mirën e të gjithë qytetarëve të kryeqytetit edhe jo vetëm. Pra kur janë për kryeqytetin janë për të gjithë Kosovën, sepse e përmenda që jemi taksapaguesit më të mëdhenj në buxhetin e Kosovës. Pra këto janë sfidat. Mirëpo nuk është vetëm kjo, ka pasur edhe mungesë të ndërtimit të shkollave, jemi duke ndërtuar shkolla gjithandej përrreth. Kemi vazhduar tashmë mësimin tërëditor edhe kjo është shndërruar në problem sepse prindërve u është dashur t’i dërgojnë fëmijët në shkollë, jo në zonat ku jetojnë, por në qendër në mëngjes dhe t’i marrin në orën dymbëdhjetë, gjë që ka shkaktuar edhe probleme në trafik. Pra kur e kemi një qytet i cili po zhvillohet dhe që ka një energji fantastike, një energji pozitive dhe po i mundësojmë bizneseve dhe çdo qytetari që të vijë, të punojë, të zhvillohet, i duhet edhe infrastruktura, i duhet edhe bashkëpunimi me nivelin qendror. Ja që këtu s’e kemi. Mirëpo përkundër faktit, po them që nuk e kemi mbështetjen e nivelit qendror, ne vazhdojmë ta transformojmë kryeqytetin dhe vazhdojmë me projekte të mira e madhore për të.

    Zëri i Amerikës: Zoti Rama, Prokuroria Speciale ka konfirmuar para pak muajsh se ka nisur hetimin mbi tenderin 12 milionë eurosh për themelimin e shërbimit të ‘Arkitektit të Kryeqytetit’. A besoni se gjatë tenderimit janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore?

    Përparim Rama: Po unë të gjitha informatat i kam që të gjitha procedurat ligjore janë ndjekur edhe normal që të gjitha kontratat në spektrin publik duhet të analizohen, të shihet a është çdo gjë ligjore. Unë i kam mirëpritur këto dhe i mirëpres edhe në të ardhmen. Mirëpo kontrata e Arkitektit të Kryeqytetit është një projekt madhor i cili e ndihmon kryeqytetit në transformim. Deri më tani nuk është shpenzuar as gjysma e kësaj kontrate, kemi më shumë se 65 projekte për të mirën e kryeqytetit. Për herë të parë kryeqyteti ka projekte të shumta ku edhe mundësohet që punimet në terren të kryen më mirë, më shpejt dhe në mënyrë të planifikuar. Për këtë arsye po them edhe kemi arritur që realizimi i buxhetit të jetë historikisht më i madhi këtë vit dhe do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Projektet do të vazhdojnë dhe projektet e mëdha pavarësisht faktit që kemi bllokadë nga niveli qendror.

    Zëri i Amerikës: A do të rikandidoni për Prishtinën?

    Përparim Rama: Patjetër që po. Unë kam thënë edhe gjatë kandidimit tim të parë që më duhen tetë vite ta transformoj kryeqytetin, jemi në proces të transformimit, pra kemi filluar transformim e kryeqytetit. Tashmë Prishtina është e njohur ndërkombëtarisht në aspektin e artit, kulturës, të eventeve të mëdha, e po ashtu të një jete të mirë, ku edhe sektori për shembull i teknologjisë ka më shumë se 35 mijë të punësuar, ku shumica prej tyre janë të fokusuar në kryeqytet, me kompani tashmë gjithnjë e më të mëdha, e më të shumta prej vendeve të ndryshme, që po vijnë në kryeqytet, të krijojnë bazën e tyre.

    Zëri i Amerikës: Si mund ta ndikojë rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit tek fati i Prishtinës në zgjedhjet lokale të vjeshtës?

    Përparim Rama: Me siguri që do të ketë ndërlidhshmëri, por them nëse ne kemi qendrën e djathtë që e fiton nivelin qendror, atëherë zhvillimi jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë territorin e Kosovës do të jetë më i mirë, më i përshpejtuar. Nëse kemi fitore të të majtës ekstreme atëherë normal që do të vazhdohet me pengesa. Mirëpo ne nuk do të ndalemi. Kryeqyteti e ka edhe ligjin e vet dhe fuqinë e vet, kështu që nuk ka gjë që na ndal në transformimin e Prishtinës, e me të Prishtinës edhe të të gjjthë vendit./VoA

  • Ballkani Perëndimor, Kosova vendi me më së paku zjarre në pyje gjatë vitit 2024

    Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje ka publikuar të dhënat për dëmet e shkaktuara nga zjarret në pyje në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2024.

    Sipas të dhënave të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) ndër vendet në rajon, Maqedonia e Veriut pësoi dëmin më të madh nga zjarret në pyje vitin e kaluar, transmeton Telegrafi.

    Sipas sistemit EFIS, në vitin 2024, në Maqedoninë e Veriut vend u dogjën 95,181 hektarë nga 131 zjarre që u regjistruan gjatë gjithë vitit.

    Në Shqipëri janë regjistruar 168 zjarre, duke djegur 46,534 hektarë dhe në Bosnjë e Hercegovinë janë djegur 43,571 hektarë në 178 zjarre.

    Të dhënat e EFIS-it tregojnë se në Serbi janë djegur 38,954 hektarë nga 226 zjarre, në Mal të Zi 23,054 hektarë nga 135 zjarre, ndërsa në Kosovë janë regjistruar 94 zjarre në të cilat janë djegur 12,079 hektarë pyje dhe shkurre. /Telegrafi

  • Temperatura të ulëta ekstreme në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara

    Një valë e re të ftohti pritet të përfshijë pjesë të tëra të Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim, të shoqëruara me erëra të ftohta, dëborë dhe ngrica.

    Temperaturat e ftohta që parashikohen për ditën e hënë (20.01.2025) në Uashington, detyruan autoritetet që ta zhvendosin ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Trump në ambientet e brendshme të Kapitolit.

    Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, që nga malet Rockies në Kolorado deri tek shtetet veriore, temperaturat do të bien duke filluar nga e diela (19.01.2025) dhe do të vazhdojnë gjatë tërë javës së ardhshme dhe ato do të arrijnë deri në – 40 gradë celsius, ose edhe më të ulëta, në Dakota dhe në pjesën veriore të Minesotës, sipas meteorologut nga Shërbimi Kombëtar i Motit, Marc Chenard.

    Në kushte të tilla atmosferike, mund të pësohet deri edhe ngrirje nëse ndonjë pjesë e trupi të njeriut ekspozohet ndaj këtyre temperaturave, qoftë edhe për më pak se 10 minuta. Zyrtarët e institutit meteorologjik u bënë thirrje banorëve të veshin xhaketa, kapele dhe doreza dhe të kalojnë sa më pak kohë jashtë.

    Autoritetet presin që reshjet e shiut dhe të borës të krijojnë probleme në komunikacion, sidomos në pjesët e vendit që zakonisht nuk përjetojnë mot të këtillë dimëror./VoA