Ballina

Autor: Kallxo

  • Trump dhe Kosova

    Nga sot merr detyrën presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

    Pas fitores në Zgjedhjet e 5 nëntorit 2024, Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ku shërbeu edhe në periudhën 2017-2021 – shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Gjatë mandatit të parë, Trump dëshmoi nënshkrimin e një Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, më 4 shtator të vitit 2020.

    Ndër pikat kryesore të kësaj Marrëveshjeje që gjetën zbatim të plotë ishte njohja e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Izraelit.

    Ndonëse shumë pika të tjera mbeten pa u zbatuar dhe palët fajësojnë njëra-tjetrën për këtë, Trump e cilësoi atë si një “përparim të madh” në marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

    Atëkohë, ai tha se është “krenar për dy udhëheqësit”: kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

    Në sigurimin e kësaj Marrëveshjeje, rol të rëndësishëm luajti Richard Grenell, që asokohe shërbente si i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi.

    Për këtë arritje, ai u dekorua edhe me Medaljen e Sigurisë Kombëtare nga Trump, në dhjetor të vitit 2020.

    Përveç tij kishte edhe zyrtarë të tjerë të Administratës së parë Trump që mbështetën ide për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Njëri prej tyre ishte John Bolton, atëkohë këshilltar për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk i përjashtoi si mundësi korrigjimet territoriale në mes të dy vendeve.

    “Ne nuk do të jemi pengesë dhe nuk mendoj se dikush në Evropë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët në konflikt arrijnë një Marrëveshje të kënaqshme.” – tha Bolton, në gusht të vitit 2018.

    Në Administratën e re, Trump zgjodhi republikanin Mike Waltz në pozitën e këshilltarit për siguri kombëtare.

    Ndonjë deklaratë e tij për Kosovën nuk është publike, por është i zgjedhuri i Trumpit për sekretar të ri të Shtetit, Marco Rubio, i cili, përgjatë karrierës, e kishte disa herë në fokus rajonin e Ballkanit.

    Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit të atëhershëm amerikan, Joe Biden për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.

    “Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes.” – u tha në atë letër.

    Vëzhguesit e zhvillimeve politike janë të rezervuar kur flasin për qasjen që pritet ta ketë Trump ndaj Kosovës, gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

    Kosova, aktualisht, është në mes të fushatës për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit; marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë nuk kanë shënuar ndonjë përparim, e ngjashëm ka ngecur edhe avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike.

    Ish-diplomati amerikan, Cameron Munter tha në një intervistë të mëhershme për Radio Evropa e Lirë se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të imponojë patjetër ndryshim të strategjisë në Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tij, Trump do Marrëveshje.

    “Synim i tij nuk është t’i fusë serbët dhe kosovarët në Bashkimin Evropian. Synim i tij është ta bëjë më të mirën për Shtetet e Bashkuara, ta bëjë Amerikën sërish madhështore.” – tha Munter, ish-ambasador i SHBA-së në Serbi.

    Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, tha më herët për Radio Evropa e Lirë se nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.

    “Nëse ai sheh ndonjë Marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandër] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një Marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë.” – tha Wisner.

    Për David Kaninin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins”, në Uashington, Administrata e parë e Trumpit ka qenë proserbe dhe zyrtarët serbë janë ndier të respektuar prej tij.

    “Humbësit, si gjithmonë, janë klientët e Amerikës: boshnjakët dhe kosovarët. Por, për këtë nuk duhet të fajësohet vetëm Trump. Ne kemi 30 vjet që i detyrojmë boshnjakët dhe kosovarët të bëjnë lëshime ndaj kundërshtarëve të tyre – qysh nga Marrëveshja e Dejtonit.” – tha Kanin, por shtoi se Trump, megjithatë, është i paparashikueshëm.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti e uruan Trumpin për fitoren – duke e cilësuar SHBA-në si një aleate, mike dhe partnere të rëndësishme të Kosovës.

    Dhjetë ditë para se Trump ta merrte detyrën, Osmani bëri të ditur se Kosova dhe SHBA-ja do të finalizojnë së shpejti një Marrëveshje për Dialog strategjik, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme./REL

  • Tetë të vdekur nga zjarri në një Shtëpi të pleqve në Serbi

    Tetë njerëz kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë lënduar të hënën, si pasojë e zjarrit në një Shtëpi të pleqve, në periferi të kryeqytetit të Serbisë, Beograd – raportoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

    Zjarri shpërtheu të hënën, rreth orës 3:30, në Komunën e Barajevës, në jug të Beogradit.

    Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Nemanja Staroviq tha se 13 njerëz janë evakuuar nga ndërtesa, si pasojë e zjarrit.

    Staroviq tha për RTS-në se, sipas të dhënave fillestare, ka shenja se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme.

    Ai shtoi se Shtëpia e pleqve ka licensë të vlefshme pune dhe se plotësonte kërkesat për mbrojtje nga zjarri. Ai tha gjithashtu se për të evakuuarit është siguruar strehim i menjëhershëm.

    Luka Qaushiq, ushtrues detyre i shefit të Departamentit për Situata Emergjente të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i tha RTS-së se në shtëpi ndodhshin 30 njerëz.

    Shtatë të lënduar, shtoi ai, janë marrë nga autoambulanca dhe janë dërguar në Akademinë Mjekësore Ushtarake dhe në Qendrën Emergjente.

    Një numër i madh i zjarrfikësve dhe makinave zjarrfikëse kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

    “Ata janë ende duke kërkuar nëse mund të ketë një burim të mbetur, që mund të shkaktojë ndonjë zjarr të ri, ndërsa shkaku do të përcaktohet në orët në vijim.” – tha Qaushiq.

    Ai shtoi se Shtëpia e pleqve ndodhet larg rrugëve të frekuentuara, por zjarrfikësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe të lënduarve u është ofruar ndihmë sa më parë.

    Barajeva është një nga 17 Komunat e Beogradit dhe ndodhet 30 kilometra në jugperëndim të qendrës së Kryeqytetit./REL

  • Ukraina insiston se situata në Pokrovsk është “stabile” pas luftimeve të ashpra

    Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase pretendoi se situata në Pokrovks vazhdon të jetë “stabile” dhe nuk ka trupa ruse brenda qytetit të rrethuar ukrainas, edhe pse autoritetet kanë evakuuar fëmijët nga aty.

    “Në Pokrovsk, në qytet, situata nuk ka ndryshuar. Është stabile”, tha zëdhënësi Viktor Tregubov, përderisa e pranoi se forcat ruse ende duket se po synojnë ta rrethojnë zonën.

    “Atje [në qytet] nuk ka forca të armikut. Tashmë na duhet ta përgënjeshtrojmë informacionin e publikuar se forcat armike kanë arritur atje. Kjo nuk është e vërtetë”, insistoi ai.

    Forcat ruse kanë vazhduar të bombardojnë qytetin që gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut, policia më 18 janar ndihmoi banorët lokalë të largoheshin nga qyteti, sipas korrespondentëve të Radios Evropa e Lirë në terren.

    Dikur shtëpi e 60 mijë banorëve, në Pokrovsk aktualisht gjenden afër 7 mijë banorë, vlerësojnë autoritetet lokale.

    Situata përreth kësaj qendre të rëndësishme logjistike – që ka qenë në shënjestër të forcave ruse në muajt e fundit – mbetet e paqartë. Është raportuar se të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha, edhe pse ushtritë e asnjërit shtet nuk publikojnë numrin e viktimave.

    Forcat ruse që disa javë janë afër Pokrovskut, por disa vëzhgues kanë sugjeruar se Kremlini mund të vendosë që ta shmangë luftën në këtë qytet dhe të vazhdojë tutje për të marrë territor në pjesë të tjera të Ukrainës.

    Më 7 janar, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se trupat e saj kishin marrë nën kontroll qytezën ukrainase të Kurahovas, që gjendet rreth 30 kilometra në jug të Pokrovskut.

    Më 18 janar, kjo ministri tha se forcat e saj kanë marrë nën kontroll edhe dy vendbanime në këtë rajon, fshatin Petropavlivka – që gjendet mes Pokrovskut dhe Kurakovas – dhe Vremivka.

    Nëse forcat ruse marrin Pokrovskun, kjo do të ishte një fitore e madhe për Kremlinin pasi luftimet e kanë shndërruar shumicën e këtij qyteti në gërmadha.

    Në deklaratën e tij, Tregubov tha se “armiku po tenton që të qëndrojë në jug të Pokrovskut në mënyrë që të avancojë në jugperëndim të vendbanimit dhe të ndërpresë rrugët që përdoren për furnizime të logjistikës”.

    “Ajo që po ndodh në vendbanimet në jug të Pokrovskut… atje ka luftime të vazhdueshme, përpjekje të vazhdueshme nga armiku që ta bëjë këtë zonë bazë dhe të avancojë. Rusët aktualisht janë larg arritjes së këtij qëllimi, por ata po tentojnë”, tha ai.

    Instituti për Studim të Luftës – me bazë në SHBA – në përditësimin e fundit sa i përket luftës në Ukrainë, tha se “forcat ruse së fundi kanë avancuar në drejtim të Pokrovskut dhe po vazhduan ofensivat e tyre më 17 janar./REL

  • Peter Sorensen pritet të jetë pasardhësi i Lajçakut për dialogun Kosovë-Serbi

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka vendosur që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Këtë post aktualisht e mban Mirosllav Lajçak.

    Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burime diplomatike në BE se emri i Sorensenit është dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.

    Kandidatura e tij do të jetë në rend dite në takimin e Komitetit politikë dhe të sigurisë së BE-së (PSC) ku janë përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare.

    Burimet diplomatike thanë se sipas praktikës nga e kaluara, konfirmimi i Sorensenit nga vendet anëtare do të jetë vetëm procedurë formale, pasi tashmë Kallas e ka zgjedhur atë si të dërguar të posaçëm për dialogun.

    Përfaqësuesit e posaçëm të BE-së emërohen nga kryediplomatja e bllokut, por emërimi i tyre duhet të konfirmohet edhe nga vendet anëtare në Këshill.

    Pritet që Sorensen të konfirmohet në postin e emisarit për dialog deri në fund të këtij muaji, në mënyrë që nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij.

    Të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.

    Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

    Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Burimet diplomatike në BE, i thanë Radios Evropa e Lirë që Sorensen pritet të jetë vetëm i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi dhe nuk do të ketë detyrime të tjera lidhur me Ballkanin Perëndimor, siç ka pasur paraardhësi i tij.

    Gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

    Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren./REL

  • TikTok ndalohet në SHBA

    TikTok është ndaluar në Shtetet e Bashkuara dhe është zhdukur nga tregjet e aplikacioneve të Apple dhe Google, disa orë para se të hynte në fuqi më 19 janar ligji që kërkonte ndalimin e platformës që përdorej nga 170 milionë amerikanë.

    Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, ka thënë se “me shumë gjasa” do t’i japë TikTok-ut një pezullim të ndalesës për 90 ditë, pasi të marrë detyrën të hënën, një premtim që TikTok-u e ka përmendur në njoftimin që ka publikuar për përdoruesit e aplikacionit.

    “Ligji që ndalon TikTok-un është miratuar në SHBA. Për fat të keq, kjo nënkupton se ju nuk mund të përdorni për momentin TikTok-un. Jemi me fat që presidenti Trump ka treguar se do të punojë me ne për një zgjidhje për të rikthyer TikTok-un, pasi ai të marrë detyrën”, u tha në njoftimin që platforma publikoi për përdoruesit të shtunën mbrëma.

    Edhe nëse është e përkohshme, ndalja e paprecedent e TikTok-ut, që është në pronësi të ByteDance nga Kina, pritet të ketë ndikime të ndryshme në raportet SHBA-Kinë, në politikën e brendshme amerikane, në tregjet në mediat sociale dhe te miliona amerikanë që varet ekonomikisht nga ky aplikacion.

    Kjo është hera e parë që SHBA-ja ndalon një platformë të madhe të mediave sociale. Kongresi amerikan vitin e kaluar miratoi ligjin për ndalimin e tij, por ligji i mundëson administratës së re të Trumpit autoritetin që ta ndalojë apo të kërkojë që të shitet tek aplikacionet tjera që janë në pronësi kineze.

    Aplikacionet e tjera që janë në pronësi të ByteDance, përfshirë edhe aplikacionin për editimin e videove CapCut dhe aplikacionin Lemon8, po ashtu dolën jashtë përdorimit në SHBA.

    “Zgjatja prej 90 ditësh është diçka që me shumë gjasa do të ndodhë sepse është gjëja e duhur”, tha Trump për NBC. “Nëse vendos ta bëj këtë, me gjasë do të njoftoj për këtë temë të hënën”.

    Sipas ligjit të miratuar vitin e kaluar, e që u mbajt në fuqi nga Gjykata Supreme amerikane më herët gjatë kësaj jave, platforma kishte kohë deri të dielën që të shkëpuste raportet me partnerët që gjenden në Kinë ose do të ndalohej në SHBA, për shkak të shqetësimeve se ky aplikacion paraqet kërcënime për sigurinë kombëtare.

    Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga demokrati Joe Biden, tha të shtunën se i përket administratës së re që të ndërmarrë veprime.

    Firmat e sigurisë kibernetike kanë sugjeruar se aplikacioni është i aftë të mbledhë të dhënat e përdoruesve përtej asaj çfarë përmbajtje ata shohin në TikTok, dhe Kina miratoi një ligj më 2017 që detyron shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit të bashkëpunojnë me aparatin e saj të inteligjencës./REL