Ballina

Autor: Isa Vatovci

  • Protesta e punëtorëve të terminalit doganor në Han të Elezit, kërkojnë të mbesin në punë edhe pas marrjes së terminalit nën menaxhim nga Qeveria

    Punëtorët e terminalit doganor në Han të Elezit kanë protestuar të martën, më 21.01.2025, me kërkesa që të mbesin në punë në terminal edhe pas marrjes së tij nën menaxhim nga Qeveria e Kosovës.

    Qeveria ka shpronësuar terminalin, i cili nga data 20.01.2025 konsiderohet pronë e Qeverisë.

    Por, ka lënë të pazgjidhur fatin e 28 punëtorëve të këtij terminali, i cili deri në shpronësim ishte në pronësi dhe menaxhohej nga kompania “Terminali” Sh.P.K.

    Punëtorët protestues thanë për KALLXO.com se po kërkojnë që të mos mbesim pa punë pas marrjes së terminalit në menaxhim nga Qeveria.

    Ahmet Tafili, punëtor i terminalit, tha për KALLXO.com se 28 punëtorë të terminalit rrezikojnë të mbesin pa punë.

    “Ne jemi me këmbëngulje që të gjithë të mbesim në punë, jo parcialisht, tre andej, dy andej, katër andej. Po, edhe tash në demokraci, në liri me na lënë pa punë gjithë këta kolegë është mjerim”- ka thënë Ahmet Tafili.

    Kurse, Mevlud Curri, punëtor në terminal, tha se arsye e protestës është edhe mospërmbushja e disa kërkesave nga një kompani që, sipas tij, po angazhohet për sigurimin e terminalit. “Ne kërkojmë që të jemi në punë, të gjithë ose asnjë”- tha Curri.

    Ndërsa, Xhevdet Ramuka, përfaqësues i agjencive doganore që funksionojnë në terminal, tha se po mbështesin protestën e punëtorëve se pas marrjes nën menaxhim nga Qeveria nuk është studiuar mirë as për punëtorët, as për agjencitë doganore.

    “Por, ne jemi duke shkuar mirë, ka filluar me u rregullu rryma, por fatin e punëtorëve askush nuk e ka marrë parasysh, punëtorëve teknikë dhe sigurimit të terminalit. Për momentin nuk po dihet se në fatin e kujt janë” – tha Ramuka.

    Xhevdet Bajramaliu, drejtor dhe bashkëpronar i kompanisë “Terminali” ka thënë për KALLXO.com se ka kërkuar nga Dogana e Kosovës që të zgjidhë çështjen e punëtorëve të terminalit, por nuk ka marrë përgjigje.

    “Sa i përket punëtorëve unë kam kontaktuar këta shefat e degës që janë në pikë (në terminal) edhe kam kërkuar prej tyre që me iu bë një zgjidhje punëtorëve dhe me i mbajtë në punë, për arsye se aty janë 24 familje dhe nuk ka kuptim tash me shpronësu një pronë të terminalit edhe me i nxjerrë punëtorë në rrugë. Këtë e kam kërkuar prej Doganës dhe nuk kam marrë përgjigje ende”- tha ai për KALLXO.com.

    Dogana e Kosovës nuk është deklaruar për kërkesat e punëtorëve, pasi sipas tyre, ata nuk kanë qenë pjesë e Doganës.

    “Dogana ka informuar me kohë agjentët doganorë, të cilët kanë përkrahur procesin dhe kanë shfaqur mirëkuptimin e tyre deri në rifillimin e plotë të zhdoganimeve në terminalin e ri. Kjo zgjidhje është në interesin e tyre sikur që është në interesin e bizneseve dhe ekonomisë sonë, pasi që ofron shërbime falas për zhdoganimin dhe kushte më të favorshme për hisedarët në proces. Sa i përket çështjes së punëtorëve që ju referoheni, ju njoftojmë se ata asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e Doganës së Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës për KALLXO.com.

    Kallxo.com ka pyetur edhe Ministrinë e Financave për çështjen dhe kërkesat punëtorëve të terminalit doganor në Han të Elezit, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e artikullit.

  • Përmes performancës artistike drejt Kuvendit të Kosovës

    Aktori Sokol Plakolli është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës i Koalicionit për Familjen.

    I veshur me rroba tradicionale, Plakolli e ka gjetur një vend në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në të cilin thotë se çdo ditë, për një orë, deri në fund të fushatës zgjedhore, do të ulet e të bisedojë me qytetarët në sofrën e vendosur aty.

    Duke i qerasur me nga një kafe, në odën e tij të improvizuar, ai shpalos para kalimtarëve arsyet dhe synimet e tij për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 09.02.2025.

    Plakolli ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se e ka nisur kampanjën “Shqiptari në parlament” që të marrë opinionet e qytetarëve rreth platformës së tij për deputet. Ai thotë se do të jetë zëri i qytetarëve, pasi sipas tij, ai do të veprojë si një deputet i pavarur.

    “Dua që t’i pyes qytetarët se a kanë qejf me pa një kësi shqiptari në Parlament, herë është bari, herë Adem Jashari, e herë intelektual. Unë kam vetëm një premtim për qytetarët, telefoni im do të jetë i hapur 24 orë për shqetësimet e qytetarëve. Secili qytetar që ka një shqetësim dhe dëshiron ta ngritë në Kuvend përmes meje”- tha ai për KALLXO.com.

    Mënyra e Plakollit për të bërë fushatë përmes performancës artistike është pëlqyer nga qytetarët.

    Blerim Saramati tha për KALLXO.com se po i pëlqen mënyra e Plakollit për të bërë fushatë zgjedhore. “Mënyra kaq origjinale e odës shqiptare është një ide kaq kreative e Sokolit e cila besoj se duhet të mbështetet nga të gjithë”- ka thënë Saramati për KALLXo.com.

    Ndërkaq, Milazim Krasniqi thotë se Plakolli është një kandidat serioz me edukatë dhe nëse zgjidhet deputet ai e mban atë që thotë.  “Është edhe regjisor i mirë dhe shteti nuk i ka dhënë asnjëherë mundësi me punu dhe jam i lumtur që Sokolin me pa në Parlament (deputet) me këto rroba, sepse njerëzit që frikohen apo e ndjejnë veten të ofenduar prej origjinës apo autoktonisë së vet ata janë të zhveshur nga jeta njerëzore”- tha Krasniqi.

    Plakolli është pjesë e listës zgjedhore të Koalicionit për Familjen.

    Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 09.02.2025.

    Foto: KALLXO.com.
    Foto: KALLXO.com.

     

     

  • “Miqtë e Amerikës” mbajnë aktivitete në ditën e inaugurimit të Presidentit të 47-të të SHBA-ve

    Shoqata “Miqtë e Amerikës”, ka organizuar të hënën, më 20.01.2025,  disa aktivitete në shenjë mirënjohje për të shënuar inaugurimin e Presidentin e 47 -të  të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump.

    Fillimisht tek shtatorja e presidentit Bill Klinton në Prishtinë, “Miqtë e Amerikës e kanë zëvendësuar flamurin e mëparshëm të SHBA-së me një flamur të ri të shoqëruar me një fjongo.

    Me këtë rast Agim Rexhepi, kryetari i Shoqatës, “Miqtë e Amerikës” tha për media tha se me këtë veprim  por respektohet SHBA, flamuri amerikan, institucionin e presidentit të SHBA-së si dhe popullin aleat dhe mik amerikan”.

     “Veprimi jonë ka për qëllim që të dërgoj mesazh që në populli i Kosovës në veçanti populli shqiptar di të respektoj aleatët, di të respektoj SHBA-në, dimë të vlerësojmë veprimet e bëra jo vetëm gjatë kohës se fundit, por gjatë historisë që kanë bërë për Kosovën e Shqipërinë”- tha ai, para mediave, duke shtuar se shpreson që edhe presidenti Trump do të vazhdojë traditën e presidentëve të mëparshëm mbështetjen për Kosovën.

    Në këtë aktivitet “Miqtë e Amerikës” janë mbështetur nga zjarrfikësit e Prishtinës.

    Po në kuadër të shënimeve për nderë të inaugurimit të Presidentit Trump, “Miqtë e Amerikës” kanë mbajtur në selinë tyre edhe një koktej rasti me personalitete të ndryshme.

    Donald Trump është betuar sot më 20.01.2025, si president i 47-të i SHBA-së në një ceremoni të organizuar në Kapitol Hill në Uashington.

     

     

  • Siguruan nga Shqipëria mbi 49 kg marihuanë dhe e fshehën në Suharekë – Aktakuzë ndaj katër personave

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë kundër të pandehurve M.M., N.U., S.S. dhe N.K., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale: “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

    Bëhet fjalë për mbi 49 kilogramë substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’, të sistemuara në pesë paketime, të cilat të akuzuarit tashmë i kishin siguruar nga Shqipëria dhe i kanë fshehur në fshatin Greikoc të Suharekës.

    Sipas Aktakuzës, të pandehurit M.M., N.U., S.S. dhe N.K., deri më 20.04.2024, pa autorizim posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pasi substancën narkotike e kishin siguruar nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e kishin fshehur në fshatin Greikoc – Komuna e Suharekës, në shtëpinë e të pandehurit S.S., e cila gjendet në rrugën “8 Martirët”.

    “Të njëjtën substancë narkotike ia ofrojnë për shitje dy personave në njërën prej Pompave të derivateve, në rrugën e transitit në Prizren, ashtu që derisa të pandehurit N.K., M.M. dhe N.U., me një person qëndrojnë në Pompën e derivateve, i pandehuri S.S., me personin tjetër, blerësin potencial shkojnë në fshatin Greikoc në shtëpinë e të pandehurit S.S., për ta verifikuar substancën narkotike, me ç’ rast sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren, kontrollohet shtëpia e S.S., ku Policia gjen 49 kg e 750 gram substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’, të sistemuara në 5 (pesë) paketime.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.

    Po, sipas njoftimit, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së Aktakuzës i ka propozuar Gjykatës, që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Lirohet nga izolimi personi i parë i infekuar me ‘linë e majmunëve’ në Kosovë

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (ISHPK) ka njoftuar më 17. 01.2025, se rasti i parë i importuar i “LijësM” (Mpox) dhe të gjitha kontaktet e ngushta të tij, e kanë përfunduar periudhën e izolimit dhe të monitorimit – duke iu kthyer normalitetit.

    Më 26.12.2024,  IKSHPK se kishte detektuar një rast me “LijënM” (Mpox), e njohur si “Lija e majmunëve”.

    IKSHP ka bërë të ditur se nga data 16.01.2025 janë bërë 21 ditë nga konfirmimi i këtij rasti dhe prej asaj dite nuk është raportuar apo konfirmuar asnjë rast tjetër i “LijësM” në Kosovë.

    “Rasti me ‘LijënM’ është liruar nga Klinika Infektive ditë më parë në gjendje të mirë shëndetësore dhe me rekomandimet shtesë për kujdes dhe sjellje shëndetësore, ndërkohë që te asnjë prej kontakteve të identifikuara të rastit, nuk ka pasur manifestim të shenjave të dyshimta për infeksion dhe që të gjitha i janë kthyer normalitetit, pas periudhës së monitorimit të rregullt nga IKSHPK.” – thuhet në njoftim.

    IKSHPK thotë se do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme situatën epidemiologjike, lidhur me “Mpox” dhe për sëmundjet të tjera ngjitëse në vend.

    https://kallxo.com/lajm/konfirmohet-rasti-i-pare-i-lise-se-majmuneve-ne-kosove/