Ballina

Autor: Isa Vatovci

  • Nis tërheqja e pakove të para me fletëvotime nga kutitë postare në Shtutgart, Vjenë dhe Podgoricë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar tërheqjet e para të pakove me fletëvotime nga kutitë postare në Shtutgart, Vjenë dhe Podgoricë.

    Sipas njoftimit, duke filluar nga sot, 23.01.2025, KQZ ka filluar me tërheqjet e para të pakove me fletëvotime nga kutitë postare, në të cilat shtetasit e Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës mund të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim. Sipas njoftimit, nga Shtutgarti i Gjermanisë janë tërhequr 6,054 pako me fletëvotime, nga Podgorica në Mal të Zi janë tërhequr 80 pako me fletëvotime dhe nga Vjena në Austri 712 pako me fletëvotime.

    “Në përputhje me procedurat, gjatë ditës së enjte është realizuar tërheqja e 6,054 pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Shtutgart të Gjermanisë dhe të njëjtat janë dërguar në Konsullatën e Republikës së Kosovës në këtë qytet, të cilat janë vendosur në dhomën e sigurisë dhe që vëzhgohet me kamera 24 orë”- thuhet në njoftim.

    Ky proces, sipas njoftimit, është realizuar nën mbikëqyrjen e anëtarëve dhe stafit të KQZ-së, vëzhguesve të subjekteve politike të akredituar për vëzhgimin e procesit zgjedhor dhe të përfaqësuesve të autorizuar të përfaqësisë diplomatike.

    KQZ -ja bën të ditur se këto pako me fletëvotime dhe të tjerat që do të tërhiqen në mënyrë të herëpashershme, do të sillen në Kosovë gjatë ditëve në vazhdim.

    Sipas procedurave, shton KQZ-ja, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshin verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat e tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.

    Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja.

    “KQZ ka realizuar edhe tërheqjen e 80 pakove me fletëvotime nga kutia postare në Podgoricë të Malit të Zi, të cilat janë transportuar si pako diplomatike dhe janë vendosur në hapësirën për grumbullimin dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime në objektin e KQZ-së. Gjithashtu, KQZ, nën monitorimin e vëzhguesve të subjekteve politike ka tërhequr 712 pako me fletëvotime nga kutia postare në Vjenë të Austrisë, të cilat do t’i nënshtrohen procedurës së njëjtë” – thuhet në njoftim.

    Me qëllim të mundësimit të votimit përmes postës janë duke funksionuar kutitë postare në 22 shtete të ndryshme të botës, përfshirë dhe kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

    Periudha e votimit përmes postës për të votuar nga jashtë Kosovës do të përfundojë më 8 shkurt 2025.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.

  • Grenell kritikon Kurtin: I solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët

    Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si emisar presidencial për misione të posaçme, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për dëmtim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Grenell ka thënë se Kurti i solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët.

    “Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën vuajtën gjatë presidencës së Joe Biden. Departamenti i Shtetit i Bidenit dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme. Ai solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët. Ai u dënua nga udhëheqësit europianë, NATO dhe ekipi i Joe Biden. Kurti mbështeti Joe Bidenin dhe Kamala Harrisin dhe megjithatë ai ishte kritikuar nga ta” – ka shkruar Grenell më 23.01.2025.

    Një ditë më parë, të mërkurën, më 22.01.2025, Grenell ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen ndaj Kosovës të Administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe asaj të ish-presidentit Barack Obama.

    Gjatë një interviste për RTK, Konjufca ka thënë se qasja e ish-presidentëve amerikanë, Joe Biden dhe Barack Obama, e ka vënë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë.

    Sipas tij, këto veprime të dy ish-presidentëve amerikanë, kanë qenë shtysë edhe e themelimit të Gjykatës Speciale.

    “Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”- ka shkruar Grenell në “X”.

    Gjatë mandatit të parë të Trumpit në krye të SHBA-së, Richard Grenell ishte emëruar si i dërguar i Administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

  • Shkup, Gjykata Penale liron të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme të vitit 2017 në parlament

    Gjykata Penale në Shkup i liroi të enjten katër të akuzuarit për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e vendit në vitin 2017, pasi prokuroria dhe Gjykata e Apelit kërkuan që ata të përfshiheshin në Ligjin e Amnistisë.

    Ngjarja ishte cilësuar atëherë si përpjekje terroriste për rrënimin e rendit shtetëror, ndërsa katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së, sipas akuzës kishin mobilizuar persona për t’u futur me forcë në parlament dhe për të ushtruar dhunë.

    Katër të akuzuarit kryesorë për organizimin e ngjarjeve të dhunshme në parlamentin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill të vitit 2017, ish-Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristevski dhe Mile Janakievski dhe ish-drejtori i shërbimit sekret, Vladimir Atanasovski u lanë të lirë sot nga Gjykata Penale.

    Rasti i tyre përfshihet në Ligjin e Amnistisë të miratuar në vitin 2018, ndonëse ata akuzoheshin për veprën “rrezikim terrorist ndaj rendit shtetëror”.

    Procesi gjyqësor zgjati gjashtë vjet; në gjykimin e parë të vitit 2021 Trajko Veljanovski u dënua me 6 vjet e gjysmë heqje lirie dhe tre të tjerët me nga gjashtë vjet burg, por Gjykata e Apelit vitin e kaluar e ktheu rastin për rigjykim në shkallën e parë.

    Gjykatësi Ilija Tërpkov tha se “shkatërrimi i Parlamentit paraqet shkatërrimin e shtetit”. “Personalisht por dhe si juri e gjykatës vlerësojmë se qëllimi i ligjvënësve me Ligjin për Amnistinë nuk ishte bërë për të falur organizatorët, por gjithnjë ka një ‘por’ dhe Prokuroria e Përgjithshme si dhe Gjykata e Apelit vendosën që tre të akuzuarit nuk kanë vepruar në kundërshti me autorizimin e tyre”, u shpreh gjykatësi Tërpkov.

    “Mund të shkoni. Jeni të lirë!”- iu drejtua gjykatësi të akuzuarve, ndërsa shtoi se “shkatërrimi i parlamentit dhe rrahja e deputetëve nuk është një akt patriotizmi”. Në një mesazh për të akuzuarit tjerë gjykatësi u shpreh: “Uleni kokën dhe kërkoni falje nga shteti, siç bënë këta këtu dhe mos lejoni që dikush t’ju manipulojë”.

    Katër të akuzuarit, njëkohësisht zyrtarë të lartë të kohës së VMRO-DPMNE-së akuzoheshin se më 27 prill të vitit 2017 kishin organizuar hyrjen e grupeve në parlament dhe se angazhonin persona për të ushtruar dhunë. “Nga selia e VMRO-së, Janakievski dhe Ristovski vazhdimisht mobilizonin anëtarë të partisë nga Shkupi dhe qytete ë tjera për t’u futur me forcë në parlament”, sipas akuzës.

    Njëri nga mbrojtësit e të akuzuarve theksoi se bëhej fjalë për një proces të montuar politik me qëllim të lirimit të organizatorëve të vërtetë të ngjarjeve.

    “Edhe më parë, por edhe tani i bëjmë thirrje prokurorit të përgjithshëm që të hetojë se kush janë organizatorët e vërtetë”, tha avokati Jordan Apostollski.

    Megjithatë, edhe avokatët pajtohen se ligji nuk amniston organizatorët e vërtetë të ngjarjeve të dhunshme në parlament.

    Grupet dhe individët e dhunshëm sulmuan fizikisht deputetët e Lidhjes Social Demokrate dhe Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët, teksa ky i fundit e pësoi më rëndë.

    Ngjarjeve iu parapriu revolta e nxitur në parlament nga ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së, kur Talat Xhaferi i Bashkimit Demokatik për Integrim u zgjodh për kryetar të parlamentit.

    Aleanca për Shqiptarët ka theksuar më parë se me ardhjen e VMRO-së në pushtet, u inkurajuan të gjitha elementet antishqiptare brenda shtetit, në gjyqësor dhe prokurori. “Falja e pjesëmarësve të kësaj ngjarjeje është vetëm inkurajim për ata që cënuan rendin kushtetues të shtetit; ushqen nacionalizmin dhe legalizon terrorizmin si formë të veprimit”, qenë shprehur para pak javësh përfaqësuesit e lartë të Aleancës për Shqiptarët./VOA

  • Dyshohet se vodhi para në xhami, Policia kërkon ndihmë për identifikimin e të dyshuarit

    Polica po kërkohen ndihmë nga qytetarët dhe mediat për identifikimin e një personi, i cili dyshohet për vjedhjen e një shumë të parave në një xhami në Rahovec.

    Policia ka publikuar fotografinë e të dyshuarit për identifikimin e tij me qëllim të zbatimit sa më efektiv të procedurës penale dhe atë në drejtim të veprës penale – vjedhje e rëndë.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në një xhami në qytetin e Rahovecit më 07.12.2024, kur i dyshuari ka hyrë në objektin fetar dhe duke përdorur mjete të forta dyshohet se ka vjedhur paratë që ishin në arkën e objektit fetar, para të cilat, siç thuhet në njoftimin e Policisë, besimtarët i kishin lënë në baza vullnetare.

    “Hetimet intensive të zhvilluara deri më tani nga Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Rahovec, në bashkëpunim me njësitë tjera policore, nuk kanë rezultuar ende në gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarit, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme hetimore dhe operative”.

    Policia fton qytetarët se nëse kanë ndonjë informacion mbi identitetin apo vendndodhjen e të dyshuarit të njoftojnë menjëherë Policinë, stacionin më të afërt policor, apo në numrat; 192 (pa pagesë) ose 0390 310 482.

    Policia thotë se çdo informacion i ofruar që do të ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti do të trajtohet në mënyrë konfidenciale.

  • Pas telefonatës me Presidentin Trump, sauditët 600 miliardë dollarë investime në SHBA

    Princi i Kurorës i Arabisë Saudite tha të enjten se Mbretëria Saudite dëshiron të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme. Komenti u bë pak pasi Presidenti Donald Trump i përmendi si parakusht investimet, nëse do të bëhej vizita e tij e parë jashtë vendit në Arabinë Saudite.

    Vizita e tij në vitin 2017 në Arabinë Saudite i dha fund traditës së udhëtimit të parë të një presidenti të ri amerikan drejt Britanisë. Vizita nxjerr në pah edhe lidhjet e ngushta të administratës së tij me sundimtarët e vendeve të pasura të Gjirit Persik, ndërkohë që kompania e tij e pronave të patundshme është angazhuar për disa projekte në rajon.

    Komentet e Princit të kurorës Mohammed bin Salman, të raportuara të enjten nga Agjencia Saudite e Shtypit, u bënë gjatë një telefonate me Presidentin Trump. Kjo ishte edhe telefonata e parë që Presidenti Trump pati me një udhëheqës të huaj, pas inaugurimit të tij të hënën.

    “Princi i kurorës konfirmoi synimin e mbretërisë për të zgjeruar investimet dhe tregtinë me Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme, me një shumë prej 600 miliardë dollarësh dhe ndoshta edhe më tej”, thuhet në njoftim.

    Në njoftim nuk shtjellohet se ku do të bëheshin investimet. Shtetet e Bashkuara janë shkëputur gjithnjë e më shumë gjatë viteve të fundit nga mbështetja tek eksportet saudite të naftës, që shërbente si themeli i marrëdhënieve për dekada të tëra. Investimet nga fondi sovran saudit kanë marrë aksione të rëndësishme në bizneset amerikane dhe ndërkohë po shqyrtohet mundësia e investimeve tek sportet.

    Arabia Saudite varet kryesisht tek armatimet dhe sistemet mbrojtëse të prodhimit amerikan, sektor ku mendohet të bëhen edhe investimet e ardhshme.

    Shtëpia e Bardhë bëri të enjten një deklaratë ku konfirmohet telefonata, dhe thuhet se dy udhëheqësit “diskutuan përpjekjet për të sjellë stabilitet në Lindjen e Mesme, për të forcuar sigurinë rajonale dhe për të luftuar terrorizmin”.

    “Gjithashtu, ata diskutuan ambiciet ekonomike ndërkombëtare të mbretërisë së Arabisë Saudite gjatë katër viteve të ardhshme, si dhe tregtinë dhe mundësitë e tjera për të rritur begatinë e ndërsjellë të Shteteve të Bashkuara dhe mbretërisë së Arabisë Saudite”, thuhet në deklaratë, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Princi i Kurorës, sundimtari de fakto i mbretërisë së pasur me naftë, foli të enjten edhe me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.

    Të hënën pas inaugurimit të tij, Presidenti Trump foli për mundësinë e udhëtimit sërish drejt Arabisë Saudite, si vizitën e tij të parë jashtë vendit, siç veproi në vitin 2017.

    “Udhëtimi i parë jashtë vendit zakonisht ka qenë në Britaninë e Madhe, por… unë e bëra atë me Arabinë Saudite herën e fundit, sepse ata ranë dakord të shpenzonin 450 miliardë dollarë për të blerë prodhimet tona”, u tha Presidenti Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Nëse Arabia Saudite do të donte të blinte 450 miliardë dollarë ose 500 miliardë dollarë të tjerë – le ta rrisim pak për shkak të gjithë këtij inflacioni – mendoj se ndoshta do të shkoja”.

    Në lidhje me një udhëtim të mundshëm në Arabinë Saudite, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt u tha gazetarëve të enjten se: “Nuk jam në dijeni të ndonjë plani, në këtë kohë”.

    Pas vizitës së Presidentit Trump në vitin 2017 në mbretërinë saudite, filloi një bojkot njëvjeçar ndaj Katarit nga katër vende arabe, përfshirë nga vetë Arabia Saudite.

    Presidenti Trump mbajti marrëdhënie të ngushta me Arabinë Saudite, edhe pasi Princi Mohammed u përfshi në vitin 2018 në vrasjen dhe copëtimin e trupit të bashkëpunëtorit të gazetës Washington Post, Jamal Khashoggi, në Stamboll. Mbretëria gjithashtu ishte angazhuar prej vitesh në bisedime me administratën e ish-Presidentit Biden për një marrëveshje më të gjerë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin, në këmbim të garancive amerikane për mbrojtjen dhe formave të tjera të mbështetjes.

    Premtimi prej 600 miliardë dollarësh, shifër që ia kalon produktit të brendshëm bruto të shumë vendeve, vjen ndërsa Mbretëria Saudite përballet me problemet e saj buxhetore. Çmimet globale të naftës mbeten të ulta, vite pas pikës kulmore të pandemisë së koronavirusit, duke ndikuar tek të ardhurat e mbretërisë.

    Ndërkohë, Princi Mohammed gjithashtu dëshiron ta vazhdojë projektin e tij prej 500 miliardë dollarësh për ndërtimin e qytetit të ri NEOM, në shkretëtirën perëndimore të Arabisë Saudite, pranë Detit të Kuq. Mbretëria saudite duhet gjithashtu të ndërtojë stadiume dhe infrastrukturë të re, me vlerë dhjetëra miliarda dollarë, përpara se të organizojë Kupën e Botës FIFA 2034./VOA