Ballina

Autor: Isa Vatovci

  • Njoftimi i KRU “Prishtina”: Të shtunën disa lagje të Prishtinës mbesin pa ujë

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se, më 25.01.2025, disa lagje të Prishtinës do të mbesin pa ujë, për shkak të punimeve që do të bëhen për rritjen e kapaciteteve në Stacionin e punimeve në Park.

    Ndalja e pompave që bëjnë furnizimin me ujë do të bëhet nga ora 11:00 deri në orën 16:00.

    “Nga kjo ndalje do të ketë mungesë të furnizimit me ujë në rrugët: ‘Ndue Përlleshi’, ‘Qëndresa’, lagjja e ‘Muhaxhirëve’ dhe lagjja ‘Ulpiana’ në Prishtinë.” – thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”, më 24.01.2025.

     

     

  • Reuters: Trump nënshkruan urdhrin për deklasifikimin e dosjeve mbi vrasjet e John F. Kennedy dhe Martin Luther King

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nënshkroi të enjten një urdhër në lidhje me deklasifikimin e dosjeve mbi vrasjet e ish-presidentit Xhon Kenedit (John F. Kennedy), Robert Kenedi (Robert Kennedy) dhe Martin Luter King (Martin Luther King Jr), tha një ndihmës i Trump, trensmeton Reuters.

    Xhon Kenedi (John Fitzgerald Kennedy), presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara, u vra më 22 nëntor 1963 gjatë një parakalimi presidencial në Dallas të Teksasit, në SHBA.

    Ndërsa vëllai i tij, Robert Kenedi (Robert Kennedy), vdiq më 6 qershor 1968, pasi një ditë më parë (5 qershor) u qëllua më armë zjarri në Los Anxhelos, pas fitores së tij në garën për kandidat të Partisë Demokratike në Kaliforni.

    Kurse, Martin Luter King (Martin Luther King Jr), një aktivist amerikan për të drejtat civile u vra më 4 prill 1968, në motelin Lorrene në Memfis, Tenesi, të SHBA-ve.

    Deklasifikimi i dosjeve të vrasjes së këtyre personave do të mundësonte të sqaronte rrethanat, tri prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e SHBA-së.

     

  • Reagime pasi Serbia dëbon 13 aktivistë të shoqërisë civile, përfshirë shqiptarë

    Serbia ka dëbuar 13 shtetas të huaj, të cilët po merrnin pjesë në punëtori për organizatat joqeveritare nga nëntë shtete të ndryshme. Autoritetet në Beograd i kanë ndaluar dhe më pas dëbuar ata në natën mes 21 dhe 22 janarit, duke cilësuar se ata paraqisnin “kërcënim për sigurinë”.

    Në mesin e tyre ishin edhe dy shtetas të Shqipërisë.

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ajo e Jashtme, e as nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se konkretisht çfarë kërcënimi përbënin personat e dëbuar.

    Fondacioni Erste, i cili është ndër organizatorët e punëtorisë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë tha se më 21 janar, vonë në mbrëmje, autoritetet serbe kanë marrë në pyetje 13 pjesëmarrës nga nëntë vende, pas së cilës atyre iu ndalua hyrja në Serbi për një vit.

    Nga ky fondacion theksuan se as ata, as Akademia për Organizatat Joqeveritare e Universitetit të Vjenës për Ekonomi dhe Biznes nuk janë informuar për arsyet e dëbimit.

    “Ky incident është jashtëzakonisht shqetësues. Së bashku me partnerët tanë po vazhdojmë të ndjekim me kujdes situatën. Thellësisht na vjen keq që pjesëmarrësit e punëtorive tona u desh të kalonin nëpër një përvojë të tillë dhe ritheksojmë përkushtimin tonë ndaj shoqërisë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore”, u tha në njoftimin e Fondacionit Erste.

    Nga ky fondacion thanë se programet e tyre organizohen që nga viti 2013, disa prej tyre kanë qenë në Beograd dhe janë mbajtur pa asnjë problem.

    Reagime nga BE-ja, Shqipëria dhe vendet e rajonit

    Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për këtë ngjarje, duke e ftuar Serbinë që të respektojë të drejtat e njeriut, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare.

    “Ne jemi të shqetësuar për arrestimin dhe dëbimin nga Serbia të aktivistëve paqësorë të shoqërisë civile që vijnë nga vendet anëtare të BE-së dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, me pretendimin se paraqesin kërcënim për sigurinë. Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë demokratike. Këto janë vlera në themele jo vetëm të BE-së, por janë edhe kyçë për të ardhmen e Serbisë si një vend kandidat dhe për qytetarët e sajë”, ka thënë një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel.

    Blloku evropian porositi Serbinë se masat që ndërmerr në interes të sigurisë kombëtare duhet të jenë në përputhje me kornizën ligjore vendëse dhe evropiane.

    “Masat e tilla nuk duhet të rezultojnë me kufizimin e lirive individuale, përfshirë edhe të qytetarëve të huaj”, u tha nga BE-ja.

    Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka konfirmuar se dy shtetas shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile që po merrnin pjesë në ngjarjen në Beograd, u ndaluan dhe më pas u dëbuan nga Serbia.

    Për këtë ngjarje, kjo ministri ka ftuar në bisedë ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq.

    Gjatë takimit është shprehur shqetësimi serioz për dëbimin e dy shtetasve shqiptarë, tha Ministria e Jashtme shqiptare.

    “Ky veprim nuk konsiderohet në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore, si dhe ka ndikim negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen”, u tha në reagimin e ministrisë shqiptare.

    Dy të rinjtë, përfaqësues të dy organizatave në Tiranë, thanë për mediat në Shqipëri se u ndaluan nga policia serbe në momentin kur po ktheheshin në hotelin ku kishin qëndruar gjatë punëtorisë. Ata thanë se u shoqëruan në stacion policor ku u është dhënë një dokument, i shkruar në gjuhën serbe, dhe janë njoftuar se duhet të largohen menjëherë nga vendi dhe nuk mund të hyjnë në Serbi për një vit.

    Edhe Kroacia ka reaguar për këtë ngjarje, duke thënë se pesë qytetarët e saj u dëbuan nga Serbia. Zagrebi ka thënë se ata ishin në shënjestër të sulmeve nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi dhe mediave të afërta me të, që akuzojnë studentët, gazetarët dhe aktivistët nga Kroacia për organizim të protestave në Serbi.

    Kroacia i ka dërguar notë proteste Serbisë dhe ka këshilluar shtetasit e saj të shmangin udhëtimet drejt këtij shteti.

    Por, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka akuzuar autoritetet kroate për një reagim “të papërshtatshëm”, duke deklaruar se shtetasit kroatë janë trajtuar “në përputhje me procedurat ligjore dhe praktikën e zakonshme ndërkombëtare”.

    Ana Kovaçiq nga Kroacia ishte një nga pjesëmarrëset në ngjarjen në Beograd, që u dëbua nga Serbia.

    Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ajo tha se rreth mesnatës të 21 janarit, në hollin e hotelit iu afruan policë.

    “Ishin me rroba civile, na treguan distinktivët. Thanë diçka, nëse e mbaj mend mirë, në kuptimin që janë policia për të huajt, dhe na kërkuan që të prisnim për pak kohë në holl. Pastaj na morën tre nga tre, me një makinë pa shenja, dhe na dërguan në stacionin e policisë Novi Beograd”, tregoi ajo.

    Reagime për dëbime nga pasur edhe nga Rumania. Ministria e Jashtme rumune po ashtu tha se një shtetas i saj, pjesëtar i shoqërisë civile, u dëbua nga Serbia, pasi mori pjesë në ngjarjen në Beograd. Kjo ministri tha se autoritetet serbe nuk kanë dhënë shpjegim për këtë ngjarje.

    Ndërkaq, një grup i organizatave joqeveritare në Serbi, përmes një deklarate të përbashkët, kërkoi që shteti t’iu kërkojë familje përfaqësuesve të shoqërisë civile që u arrestuan dhe dëbuan “dhe menjëherë të shfuqizohet vendimi i turpshëm” i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë

    “Trajtimi frikacak, i paligjshëm dhe i poshtër ndaj kolegëve nga sektori civil nga vendet fqinje është një përpjekje e rrezikshme për të forcuar narrativin e agjentëve të huaj, mercenarëve dhe shërbimeve të fshehta, me qëllim frikësimin e qytetarëve të Serbisë”, u tha në deklaratë.

    Dëbimet e shtetasve të huaj nga Serbia ndodhën në kohën kur ky vend po përballet me protesta masive antiqeveritare, të udhëhequra nga studentët, të cilët kanë bllokuar më shumë se 60 universitete shtetërore.

    Zyrtarë të lartë shtetërorë, pa ofruar dëshmi, kanë pretenduar se bllokadat nga studentët dhe protestat, po organizohet nën ndikimin e shërbimeve perëndimore të inteligjencës, me qëllimin për të rrëzuar nga pushteti presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Studentët protestues vazhdimisht kanë mohuar këto pretendime./REL

  • Shpallen nominimet për çmimet “Oscar 2025”, prin filmi “Emilia Pérez” i ndjekur nga “The Brutalist” dhe “Wicked”

    Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave të Filmit “OSCAR” ka shpallur të enjten, më 23.01.2025, listën e filmave të nominuar për ceremoninë e 97-të të çmimeve të Akademisë.

    Filmi “Emilia Perez” ka thyer rekordin me 13 nominime, ndërsa pas tij vijnë “The Brutalist” dhe “Wicked” me nga 10 nominime secili.

    Sipas njoftimit të “OSCARS”, filmi “Emilia Pérez”, që tregon historinë e një bosi meksikan, i cili vendos të zhduket duke kaluar në një tranzicion gjinor për t’u bërë Emilia Pérez, është nominuar në 13 kategori, duke përfshirë edhe regjinë më të mirë, për aktorë më të mirë, kinematografia më e mirë, kostumografia, dizajni më i mirë, etj.

    Kurse, filmi “The Brutalist”, që flet për historinë e arkitektit hungarez i cili emigron në SHBA pas Luftës së Dytë Botërore për të ndjekur ëndrrën amerikane, është nominuar në 10 kategori, duke përfshirë nominimin për fotografinë më të mirë, regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë, etj.

    Edhe “Wicked” një film muzikor fantastiko-shkencor amerikan që rrëfen historinë e Elphaba Thropp (Cynthia Erivo), e njohur si “Shtriga e Keqe e Perëndimit”, dhe miqësinë e saj me Galinda Upland (Ariana Grande), e cila bëhet Glinda e Mirë, është nominuar në 10 kategori për çmimin më të mirë, ndër të cilat edhe fotografia më e mirë, aktorja më e mirë, regjisori më i mirë, etj.

    Ceremonia e edicionit të 97-të ndarjes së çmimeve “OSCAR” do të mbahet më 02.03.2025 në Teatrin “Dolby” në Hollywood, në Los Anxhelos në SHBA.

  • Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të premten, më 24.01.2025, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë:

    Njoftime  për punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga NS 220/35/10 kV Podujeva do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J14 Bajqinë-Pollatë (kodi: 14000014) vnga ora 11:00 deri 11:30

    Vendet: Buzëllap, Doberdol, Kërpymeh, Metehi, Repë, Pollat, Dvorishtë, Zhiti, Sylevicë, Brecë, Tërnavicë, Marincë, Bradash, Peran, Bajqinë, Murgullë, Pakashticë e Poshme dhe rr,Vlora.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri – premontimi i shtyllës së tensionit të mesëm.

    2.

    TS 220/35/10(20)kV Podujeva  do të ndërprehet:

    TS 10/0.4 kV TS Dumnicë te Ilmia (kodi: 14000011218) nga ora 10:00 deri 14:30

    Vendet: Dumnice e Epërme  te Ilmiu.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, demontim i shtyllave 0,4kV.

    Prizren

    Punime nga palët e treta

    1.

    Nga NS 110/35/10 kV Theranda do të ndërprehet:

    Dalja 10kV  Rruga e Reqanit (kodi: 32000005) nga ora 09:00 deri 13:00

    Vendet: pjesët periferike të Therandës (rr.Reqani); Banesat e Benafit, Banesat e Inxhinieringut, Banesat te Viva, lagjja Hoxha I dhe II.

    Arsyeja: Punimi i lidhëseve sipas pëlqimit elektro-energjetik.

     Mitrovicë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    NS 110/10(20) kV Vushtria 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Stacioni Hekurudhor  (kodi: 73000004) nga ora 10:30 deri 15:30

    Vendet: fshatrat: Akrashticë, Ashlan, Balinc, Beqiq, Bruznik, Bukosh, Dolak, Dubovc, Galicë, Hercegov, Liqej, Lugmir, Mikushnicë (një pjesë), Novolan  (një pjesë), Okrashticë, Oshlan, Pantinë, Shtitaricë, Shtruher, Stacioni Hekurudhor dhe Taraxha  (një pjesë).

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri – vendosja e një shtylle 12/1000 në linjën ekzistuese Dolak.

    Gjakovë

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga NS 35/10[kV] Malisheva  do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Kijeva (kodi: 82082007) nga ora 09:00 deri 18:00

    Vendet: fshatrat: Balincë, Bubavec, Drenoc, Gollubovc, Kijevë, Llazicë, Lubizhdë, Mleqan, Plloçicë, Polluzhë dhe Stapanicë.

    Arsyeja: Projekte investive, ndërrimi i konzollave dhe izolatorëve nën largpërçues ekzistues.

     Gjilan

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga  TS 110/35/10 kV Gjilani 1 do të ndërprehet:

    NS 35/10kV Artanë vetëm 2 NS 35/0.4kV Cufa Com Sh.P.K  prej orës 11:00  deri në ora 14:00

    Vendet: Minierat 6kV.

    Arsyeja: Punime në NS 35/0.4kV – Cufa Com Sh.P.K.