Ballina

Autor: Isa Vatovci

  • Hamasi konfirmon vrasjen e shefit të krahut të tij ushtarak

    Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ka konfirmuar vrasjen e Mohammed Deif, kreut të krahut të tij ushtarak.

    Konfirmimi nga grupi radikal palestinez vjen gjashtë muaj pasi Izraeli kishte njoftuar se e kishte vrarë Deifin. Izraeli kishte thënë se Deif ishte vrarë gjatë sulmeve ajrore në jug të Gazës korrikun e vitit 2024.

    Deif për një kohë të gjatë kishte qenë udhëheqës i krahut ushtarak të Hamasit dhe Izraeli ka thënë se ai ishte një ndër arkitektët e sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, që nxiti luftën 15-mujore në Gazë.

    Për vite të tëra, Izraeli e kishte pasur atë në listën e personave më të kërkuar, ndërkaq që nga viti 2015 ishte në listën amerikane të “terroristëve ndërkombëtarë” .

    Deif i kishte mbijetuar një sërë atentatesh të Izraelit dhe ai nuk kishte dalë në publik për dekada të tëra.

    Deif kishte marrë nën udhëheqje krahun ushtarak të Hamasit më 2002.

    Izraeli gjatë luftës në Gazë ka vrarë edhe naëtarë të tjerë të lartë të grupit radikal palestinez, përfshirë edhe shefin e krahut politik, Ismail Haniyeh.

    Konfirmimi nga Hamasi për vrasjen e Deifit, vjen në kohën kur grupi po vazhdon lirimin e pengjeve, në bazë të marrëveshjes së armëpushimit të arritur më herët gjatë këtij muaji.

    Marrëveshja parasheh lirimin e mijëra palestinezëve të burgosur në Izrael dhe kthimin e palestinezëve në veri të Gazës.

    Lufta në Gazë nisi pasi më 7 tetor 2023, Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 47.000 palestinezë dhe enklava palestineze ka pësuar shkatërrime të mëdha./REL

  • Rënia e Qeverisë – disfatë për Vuçiqin apo blerje kohe?

    Me dorëheqjen e kryeministrit, a e ka pranuar pushteti në Serbi, i udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, humbjen?

    Tre muaj pas vdekjes së 15 personave nga shembja e strehës së rindërtuar të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad dhe më shumë se dy muaj pas fillimit të protestave të studentëve, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe kryetari i Komunës së Novi Sadit, Millan Gjuriq, dhanë dorëheqje.

    Aktualisht, Qeveria serbe është në mandat teknik dhe do të vazhdojë ashtu deri në zgjedhjen e një të reje, ose deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

    Vuçeviq dhe Gjuriq nuk dhanë dorëheqje në ditët pas aksidentit, por një ditë pasi një grup sulmuesish rrahën disa studentë në Novi Sad me shkop bejsbolli.

    Tash për tash, nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se sulmuesit ishin anëtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet – gjë që u spekulua pas deklaratave të Vuçiqit më 28 janar se sulmuesit ishin “djem që dolën nga ambientet e partisë” në Novi Sad.

    Ai shtoi se “është e papranueshme që njerëzit e partisë ta bëjnë këtë, pas thirrjes për dialog”.

    Qendra për Gazetari Hulumtuese (CINS) raportoi se që nga fillimi i protestave, kishte më shumë se 50 sulme ndaj studentëve, përfshirë përplasje nga makinat dhe goditje me shkopinj, grushte e shqelma.

    Në shenjë proteste dhe solidariteti, studentët nisën të enjten një shëtitje dyditore nga Beogradi për në Novi Sad, për të treguar se dorëheqjet nuk janë të mjaftueshme dhe se ata do të vazhdojnë me aksionet e tyre.

    Por, e sigurt është se me dorëheqjen e kryeministrit, ky pushtet në Serbi – tashmë në vitin e trembëdhjetë – ka bërë lëshimin më të madh ndonjëherë.

    Çfarë e pret Vuçiqin dhe qeverisjen e tij?

    Timothy Less, nga Qendra për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai e sheh rënien e Qeverisë serbe si dështim të Vuçiqit.

    “Ai pësoi një goditje politike që është, gjithashtu, një pranim i heshtur i përgjegjësisë. Kjo konfirmon akuzat e protestuesve se tragjedia në Novi Sad është rezultat i korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Nëse ai do të mund të qëndrojë në pushtet pas kësaj, do të varet prej zhvillimeve të ardhshme në Serbi”, thotë Less.

    Dushan Spasojeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se Vuçiq po luan me kartën e fundit që ka.

    “Dorëheqjet e kryeministrit dhe kryebashkiakut nuk janë një gjë e vogël. Janë, sigurisht, pranim i disfatës dhe fitore për studentët protestues. Por, janë edhe përpjekje për ta tërhequr krizën aty ku ia del më së miri – te partitë politike, Parlamenti dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja”, thotë Spasojeviq.

    Less, në anën tjetër, thotë se Vuçiq është duke zbatuar njëkohësisht dy taktika të ndryshme.

    “E para është sakrifikimi i Qeverisë, me ç’gjë blen kohë për të negociuar ndoshta me protestuesit dhe për të arritur ndonjë zgjidhje. Këtë e sugjerojnë edhe thirrjet e tij për dialog. Nëse kjo nuk i ka sukses, ai qartazi do të shpallë zgjedhje të reja”.

    “Pra, luan me dy skenarë. Nëse i pari nuk i funksionon muajin e ardhshëm, llogarit në fitore në zgjedhje dhe, në atë mënyrë, në shuarjen e protestave”, thotë Less.

    A janë zgjidhje zgjedhjet e parakohshme?

    Spasojeviq supozon se Vuçiq do t’i peshojë opsionet në periudhën e ardhshme dhe do të përpiqet ta zgjedhë atë që është më pak e rrezikshme për të.

    “Nëse vlerëson se blerja e kohës do t’i sjellë dobi, atëherë do të shkojë në një lloj ristrukturimi të Qeverisë. Nëse e sheh se kjo nuk i mjafton, atëherë mund të përpiqet të shpallë zgjedhje, por, në atë rast, do të hyjmë në një krizë të thellë”, vlerëson Spasojeviq.

    Kur Kuvendi i Serbisë konfirmon dorëheqjen e kryeministrit, fillon edhe periudha 30-ditore për zgjedhjen e qeverisë së re.

    Nëse nuk zgjidhet, shpallen zgjedhjet e reja.

    Duke u thirrur në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas, opozita në Serbi pretendon se nuk ka kushte për zgjedhje të ndershme.

    Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, në dhjetor të vitit 2023, Misioni vëzhgues i Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) raportoi se fushatën e dominoi pjesëmarrja e presidentit të shtetit, i cili, duke i dhënë mbështetje Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, krijoi kushte të padrejta.

    “Mekanizma efektivë për të parandaluar frikësimin dhe presionin ndaj votuesve nuk u zbatuan”, vlerësoi ODIHR-i.

    Misioni dha, gjithashtu, 25 rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë rishikimin e listave të zgjedhësve dhe parandalimin e abuzimit me burime shtetërore dhe institucione publike.

    Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që t’i zbatojë këto rekomandime në raportin e tij të fundit për progresin e këtij vendi.

    Shumica e partive opozitare, nga të cilat studentët distancohen, janë kundër zgjedhjeve të reja, pasi, sipas tyre, nuk ka kushte të drejta për mbajtjen e tyre.

    Pushteti, në anën tjetër, thotë se kushtet për zgjedhje janë demokratike, ndërsa Vuçiq përsërit vazhdimisht se “pushteti fitohet ekskluzivisht me zgjedhje”.

    “Unë nuk do t’i shmang konsultimet. Vuçeviq tashmë ka nisur bisedimet me Partinë Socialiste të Serbisë dhe Ivica Daçiqin, i cili ka thënë se nuk është pro zgjedhjeve. Ne do t’i vazhdojmë bisedimet me të tjerët”, tha Vuçiq më 28 janar.

    Zgjedhje apo qeveri kalimtare

    Pas rënies së Qeverisë së Serbisë, seanca e Kuvendit në të cilën do të mbahej votëbesimi për ekzekutivin, u shty deri në një njoftim të dytë.

    Partia Përparimtare Serbe, e udhëhequr nga ish-kryeministri Vuçeviq, ka 112 nga 250 deputetët e Kuvendit të Serbisë, ndërsa partneri më i madh i koalicionit, Partia Socialiste e Serbisë, ka 13.

    Koalicioni qeverisës përfshin edhe parti të tjera më të vogla.

    Majin e kaluar, 152 deputetë votuan pro zgjedhjes së qeverisë, ndërsa 61 votuan kundër.

    Spasojeviq beson se qeveria kalimtare është e vetmja rrugëdalje e mundshme nga kriza aktuale. Ai thekson se kjo qeveri me mandat të kufizuar do t’i kishte dy detyra.

    “Një, përmbushja e kërkesave, dhe dy, përgatitja e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thotë Spasojeviq.

    Qeveria serbe, e cila tani është në dorëheqje, u formua më 2 maj të vitit 2024, me zgjedhjen e Millosh Vuçeviqit kryeministër.

    Më 18 janar, Vuçiq i përsëriti opozitës se nuk do qeveri kalimtare.

    “Nuk ka qeveri të re pa zgjedhje”, tha Vuçiq.

    Zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2023 ishin të 14-tat në Serbi që nga hyrja e sistemit shumëpartiak.

    Zgjedhjet e vitit 2012, të cilat sollën në pushtet Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, ishin zgjedhjet e para të rregullta në 15 vjet.

    Çfarë mund të pritet?

    Gjykata e Lartë e Novi Sadit ngriti aktakuzë kundër 13 të dyshuarve për vdekjen e 15 personave dhe plagosjen rëndë të dy të tjerëve në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor.

    Kërkesat e studentëve për ndalimin e protestave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin.

    Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

    Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

    Less beson se Vuçiq do të përpiqet të negociojë me studentët.

    “Ai do të përpiqet të bëjë disa lëshime. Nëse nuk arrin, do të dalë në zgjedhje”, sipas tij.

    Vuçiq tha më 27 janar se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur dhe u bëri thirrje atyre që të angazhohen në dialog.

    Ai tha se është duke u bërë publikimi i mëtejmë i dokumentacionit për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit dhe kjo, sipas tij, do të thotë se shteti “ka dhënë gjithçka që ka”./REL

  • Hamasi liron tetë pengje të tjera si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë

    Ushtria izraelite njoftoi se tetë pengje, përfshirë tre izraelitë dhe pesë shtetas tajlandezë, u liruan të enjten si pjesë e këmbimit të pengjeve dhe të burgosurve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit të parashikuar me marrëveshjen e armëpushimit për t’i dhënë fund luftës 15 mujore në Gazë.

    Ushtarja izraelite Agam Berger iu dorëzua Kryqit të Kuq në kampin e refugjatëve Xhabalia në pjesën veriore të Gazës, prej nga shkoi në Izrael, ku u bashkua me prindërit e saj.

    “Falenderojmë Zotin për këtë moment dhe që heroina jonë Agam u kthye tek ne pas 482 ditëve në duart e armikut”, tha familja e ushtares Berger përmes një deklarate. “Tani Agami dhe familja jonë do të fillojmë procesin e shërimit, por shërimi nuk do të jetë i plotë pa kthimin e të gjitha pengjeve në shtëpi”.

    Pas disa orësh, autokolona e Kryqit të Kuq kaloi përmes një turme njerëzish dhe një skene kaotike në qytetin jugor Khan Younis ndërsa i i dorëzoi ushtrisë izraelite edhe dy pengje të tjera izraelite, si dhe shtetasit tajlandezë.

    Lirimi i tyre u vonua pasi militantët e armatosur patën vështirësi për të përmbajtur turmat e palestinezëve që kishin rrethuar makinat e Kryqit të Kuq. Më pas pengjet arritën të kalonin përmes turmës, të rrethuar nga persona të armatosur.

    “Po i shoh me ankth pamjet shokuese gjatë lirimit të pengjeve tona”, deklaroi Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përmes një kumtese të lëshuar nga zyra e tij pak pas përfundimit të këmbimit. Ai tha se po “kërkon nga ndërmjetësit të sigurohen që skena të tilla të tmerrshme të mos ndodhin sërish dhe që siguria e pengjeve të garantohet”.

    Ushtria izraelite konfirmoi se grupi i pengjeve kishte kaluar në territorin izraelit. Pengjet e liruara u identifikuan si Arbel Yehoud dhe Gadi Moses dhe shtetasit tajlandezë si Thenna Pongsak, Sathian Suwannakhan, Sriaoun Watchara, Seathao Bannawat dhe Rumnao Surasak.

    Ushtria njoftoi se izraelitët do të bashkoheshin me familjarët e tyre, ndërsa zyrtarët qeveritarë tajlandezë do të takoheshin me shtetasit e tyre.

    Gjatë ditës, sipas marrëveshjes së armëpushimit, Izraeli pritet të lirojë 110 të burgosur palestinezë, përfshirë 30 të dënuar me burgim të përjetshëm për sulme të përgjakshme ndaj izraelitëve.

    Në bazë të marrëveshjes së armëpushimit, mbi 423,000 palestinezë janë kthyer në pjesën veriore të Gazës gjatë tre ditëve të fundit. Ata ishin në mesin e të zhvendosurve nën urdhrat e ushtrisë izraelite në fillim të luftës, në tetor të vitit 2023. Megjithatë, kthimi i tyre u përcoll me ndjenja të përziera meqë pothuajse se secili prej tyre ka të afërm apo miq që janë vrarë gjatë luftës dhe shumë prej lagjeve në këtë pjesë të Gazës janë shkatërruar gjatë luftimeve.

    Deri më tani shtatë pengje që po mbaheshin nga militantët në Gazë janë liruar në shkëmbim me 300 të burgosur palestinezë që po mbaheshin nga Izraeli.

    Hamasi pritet të lirojë edhe tre pengje të tjera të shtunën, ndërsa Izraeli dhjetëra të burgosur të tjerë palestinezë.

    Faza e parë e armëpushimit zgjat 42 ditë dhe një e katërta e saj tashmë ka kaluar. Gjatë kësaj faze parashihet lirimi i 33 pengjeve që po mbahen në Gazë, si dhe mbajtja e negociatave për të diskutuar detajet e fazës së dytë, që përfshin lirimin e pengjeve të tjera, përfundimin e konfliktit dhe tërheqjen e forcave izraelite.

    Këto negociata pritet të fillojnë javën e ardhshme.

    I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff u takua të mërkurën me Kryeministrin Netanyahu për të nënvizuar përkrahjen amerikane për armëpushimin.

    Witkoff, i cili luajti një rol kyç në arritjen e marrëveshjes për armëpushimin gjashtë javor, po ashtu vizitoi korridorin Netzarim, një pjesë territori me gjërësi prej 6 kilometrash që ndan Rripin e Gazës në dysh, ku kontraktorë amerikanë të sigurisë ndihmojnë në mbikëqyrjen e kthimit të palestinezëve të zhvendosur.

    Witkoff është zyrtari më i lartë amerikan që vizitoi Gazën pas shumë vitesh. Zyrtarët amerikanë i janë shmangur vizitave në Gazë, një pjesë territori përgjatë Detit Mesdhe, për shkak të sigurisë dhe politikës së Uashingtonit që ndalon kontaktet me Hamasin, grupin militant që qeveria amerikane e ka shpallur organizatë terroriste.

    Netanyahu do të udhëtojë për vizitë në Uashington gjatë kësaj jave. Presidenti amerikan Donald Trump e ka ftuar atë për bisedime në Shtëpinë e Bardhë të martën. Ky do të jetë edhe takimi i parë i zotit Trump me një udhëheqës të huaj në këtë mandat të dytë presidencial.

    Ndërkohë, gjatë armëpushimit në Gazë, Izraeli ka shtuar operacionet ushtarake në Bregun e pushtuar Perëndimor. Ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha gjatë një vizite në Xhenin të mërkurën se Izraeli i ka “shpallur luftë terrorizmit palestinez” në Bregun Perëndimor.

    “Kampi i refugjatëve në Xhenin nuk do të kthehet kurrë në gjendjen e mëparshme”, deklaroi ai. “Pas përfundimit të operacionit, ushtria izraelite do të mbetet këtu për t’u siguruar që terrorizmi të mos kthehet”.

    Lufta në Gazë filloi me sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023 ndaj Izraelit, që shkaktoi vdekjen e 1,200 personave dhe rrëmbimin e 250 pengjeve.

    Kundërofensiva e Izraelit në Gazë shkaktoi vdekjen e të paktën 47,400 personave, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës. Ministria izraelite thotë se kjo shifër përfshin 17,000 militantë./VOA

  • QKK emëron jurinë për vlerësimin e projekteve filmike që kanë aplikuar për subvencionim

    Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka emëruar jurinë vlerësuese për projektet filmike të metrazhit të gjatë, të cilat kanë aplikuar në konkursin e shpallur në dhjetor të vitit 2024.

    Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi, janë emëruar anëtarë të jurisë vlerësues për projektet filmike të cilat kërkojnë mbështetje financiare nga fondet publike.

    Më 12.12.2024, QKK-ja ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik, por jo edhe për zhanret e  tjera të filmit siç kishte vepruar në vitet paraprake.

    Ndërsa konkursi u zgjat më 13.01.2025 për 24 orë për shkak të problemeve teknike që kanë hasur aplikuesit gjatë aplikimit në platformën online të QKK-së gjatë datës 12.01.2025.

  • Shkolla “Prenk Jakova” shfaqi premierën e baletit “Transformim”

    Dega e baletit e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ka shfaqur të mërkurën, më 29.01.2025, premierën e baletit “Transformim”.

    Kjo premierë është shfaqur në Teatrin “Oda” në Prishtinë.

    Koreografia e shfaqjes është realizuar nga Driton Saqipi, profesor i baletit në këtë shkollë, ndërsa interpretuan nxënësit e kësaj shkolle.

    Kjo shfaqje e zhanrit kontemporan është përcjellë me muzikë të emrave të njohur botërore, si: Edith Piaf, Bill Haley, Pan Sonic e Rona Castrioti.

    Koreografi Driton Saqipi tha për KALLXO.com se shfaqja “Transformim” është krijuar duke u bazuar në transformimet që po ndodhin në shoqëri në përgjithësi, që nga lojërat e fëmijëve deri tek ato politike.

    “Për realizmin e shfaqjes ‘Transformim’ jam inspiruar nga transformimet që po ndodhin çdo ditë në përditshmërinë tonë, si po transformohet dansi, lojërat e fëmijëve deri te transformimet politike.  Dansi kontemporan të mundëson të kapësh tema të cilat mund t‘i kapësh dhe përjtosh çdo ditë”- ka thënë Saqipi.

    Sipas tij, për vitin e pestë me radhë, kjo shkollë është fokusuar në realizimin e 4 shfaqjeve premierë në vit të zhanrit kontemporan dhe klasik.

    Saqipi thotë se me shfaqjen e këtyre premierave nxënësit e shkollës e kanë më të lehtë përballjen me publikun në të ardhmen.

    Me shfaqjen “Transformimi” Shkolla “Prenk Jakova” ka shënuar edhe 75 -vjetorin e saj. Në kuadër të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” që nga 2001 funksionon edhe Dega e Baletit.

    Pamje nga shfaqja e baletit ‘Transformim’. Foto: KALLXO.com.
    Pamje nga shfaqja e baletit ‘Transformim’. Foto: KALLXO.com.