Ballina

Autor: Isa Vatovci

  • Udhëheqësi sirian Sharaa premton një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse

    Presidenti i sapoemëruar i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, tha të enjten se do të formojë një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse që do të përfaqësojë komunitete të ndryshme, do të ndërtojë institucione dhe do të drejtojë vendin derisa të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

    Sharaa iu drejtua kombit në fjalimin e tij të parë që kur u emërua president për periudhën kalimtare të mërkurën nga fraksionet e armatosura që rrëzuan ish-presidentin sirian Bashar al-Assad në ofensivën e vitit të kaluar.

    Grupi i armatosur që udhëhoqi ofensivën, Hayat Tahrir al-Sham, që atëherë ka krijuar një qeveri të përkohshme që ka mirëpritur një numër delegacionesh të larta diplomatike perëndimore dhe arabe, që kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në stabilizimin e vendit pas 13 vjetësh lufte civile.

    Sharaa në fjalimin e tij tha se do të formojë një organ të vogël legjislativ për të mbushur hendekun parlamentar deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pasi parlamenti sirian u shpërnda të mërkurën. Ai tha se do të njoftojë gjithashtu në ditët në vijim formimin e një komiteti që do të përgatitet për të mbajtur një konferencë kombëtare të dialogut që do të jetë një platformë për sirianët për të diskutuar programin e ardhshëm politik të kombit.

    Kjo do të pasohej nga një “deklaratë kushtetuese”, tha ai, në një referencë të dukshme ndaj procesit të hartimit të një kushtetute të re siriane.

    Sharaa ka thënë më parë se procesi i hartimit të një kushtetute të re dhe mbajtjes së zgjedhjeve mund të zgjasë deri në katër vjet./VOA

  • Eurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi

    Eurodeputetët i kanë thënë emisarit në largim të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, se qasja e pabalancuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në këtë proces, thanë burimet e Radios Evropa e Lirë në Parlamentin Evropian.

    Lajçak më 30 janar ka zhvilluar një takim lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, me të cilët ka biseduar për mandatin e tij pesëvjeçar si i dërguari i bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se gjatë këtij takimi, të zhvilluar me dyer të mbyllura, shumica e eurodeputetëve kanë qenë kritikë ndaj mënyrës se si BE-ja u është qasur palëve në dialog dhe në përgjithësi në raportet me shtetet.

    Mësohet se gjatë këtij debati, shumica e deputetëve të PE-së janë shprehur se masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur masa ndaj Serbisë, veçmas pas sulmit të armatosur në Banjskë më 2023, kanë ndikuar negativisht në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

    Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen. Kosova kërkon ekstradimin e Millan Radoiçiqit – ish-politikanit dhe biznesmenit nga veriu i Kosovës që ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – nga Serbia, ku besohet se gjendet. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen e tyre që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësi.

    Eurodeputetët, gjatë takimit me Lajçakun, kanë kërkuar edhe një herë heqjen e masave – të vendosura ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe – dhe një qasje të balancuar nga ana e BE-së.

    Zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, disa herë e kishin kritikuar Lajçakun dhe dhe ish-kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, për njëanshmëri në dialog dhe njëkohësisht kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese.

    Sipas burimeve, mësohet se Lajçak është pajtuar me konstatimin e eurodeputetëve se është dashur të hiqen masat ndaj Kosovës dhe ai kishte kërkuar një gjë të tillë menjëherë pas sulmit në Banjskë, por është arsyetuar se heqja e tyre nuk ishte në dorën e tij, por vendim që i përket vendeve anëtare.

    Lajçak përfundon mandatin të premten, më 31 janar, dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.

    Lajçak në takim me eurodeputetët mësohet se është shprehur që BE-ja duhet të mbajë rol kryesor në lehtësimin e dialogut dhe në përgjithësi angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut si ndërmjetës në dialog, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të arritur më 2023.

    Lajçak, siç mëson REL-i, në takimin me eurodeputetët ka pranuar se nuk ka pasur përparim që ai ka pritur sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

    Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Palët janë pajtuar për marrëveshjen, por nuk e kanë nënshkruar atë. Megjithatë, BE-ja thotë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë./REL

  • Punime në rrjetin elektrik, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njofton se më 31.01.2025 do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    NS 220/35/10 kV Podujeva

    Nga Dalja 10kV J14 Bajqinë-Pollatë do të ndërprehet:

    TS 10/0.4 kV TS Zakutë 1 (kodi: 14000014166) nga ora 10:30  deri 15:30

    Vendet: Zakuta 1.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri – shkarkimi i daljes së tensionit të ulët.

    2.

    NS 110/20(10) kV Prishtina 2

    Nga Dalja 20[kV] J15 Normalja -Radial do të ndërprehen këta trafostacoione nga ora 10:00 deri 12:00

    1.TS 20(10)/0.4 kV Bazeni – Gërmi (kodi: 11000081047)

    1. TS 20(10)/0.4 kV Villa Gërmia (kodi: 11000081048)

    3.TS 20(10)/0.4 kV Restorani Gërmi (freskia,lira) (kodi: 11000081049)

    4.TS 20(10)/0.4 kV Ndriçimi Gërmi (kodi: 11000081050)

    Vendet: rr.Nazim  Gafurri në Gërmi, Normalja-Gjin Gazulli, TSB Bazeni, Sofali, Normalja 2 AUK.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, instalimi i analizatorit në anë 0.4 kV.

    Pejë

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga NS 110/35/10 kV Peja 1 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Agrokosova (kodi: 50000007) nga ora 09:00 deri 16:00

    Vendet: Fabrika e bukës, Rruga e Hekurudhes, Agrokosova, Elkosi Te Ceket, Motohia Remont, Deminerët, Kristali, Pularia, Kolonia e Sheqeranës, Elkosi te ETC, Buquku, Gacaferi dhe Tyrbeja

    Arsyeja:  Punët që duhet të kryhen sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar vendosja e konzollës dhe përçuesit në shtyllën ekzistuese).

    Gjakovë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10 kV Malisheva  do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J03 Mirusha (kodi: 82082002) nga ora 11:00 deri 13:00

    Vendet: rrugët: 603 Adem Jashari (1 konsumator), Imer Krasniqi (7 konsumatorë), 605 Hamdi Berisha (1 konsumator), 606 Pavarësia (1 konsumator). Fshatrat: Bubël, Burim, Carallukë (3 konsumatorë), Damanek, Gurbardhë, Llapçevë, Lubizhdë, Lubizhdë e Malishevës, Lumnishtë, Mirushë, Mrasor, Panorc (një pjesë) dhe Turjakë.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, montimi i transformatorëve matës rrymor të djegur dhe grupeve matëse – rregullimi i matjeve në TS- Mirusha VII dhe Burimi II.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, përforcimi i urave në shtylla

    * * *

    Punime në projekte investive

    1.

    Nga NS 35/10[kV] Malisheva  do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Kijeva (kodi: 82082007) nga ora 09:00 deri 18:00

    Vendet: fshatrat: Balincë, Bubavec, Drenoc, Gollubovc, Kijevë, Llazicë, Lubizhdë, Mleqan, Plloçicë, Polluzhë dhe Stapanicë.

    Arsyeja: Projekte investive, ndërrimi i konzollave dhe izolatorëve nën LP ekzistues dhe energjizimi i kthinave të reja.

  • “Democracy plus” i kërkon Ministrisë së Arsimit anulimin e dy aktiviteteve të prokurimit

    Organizata “Democracy Plus” (D+) i ka bërë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Inovacionit (MASHTI) dhe Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) në kuadër të MASHTI-t që të anulojë dy aktivitete të prokurimit për shërbime konsulente sepse, sipas saj, bien në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren nr. 002/2024 për prokurim publik.

    “D+” ka bërë të ditur përmes një njoftimi se MASHTI në dhjetor 2024 ka iniciuar tender për angazhimin e një (1) kontraktori në Divizionin e burimeve njerëzore me vlerë të parashikuar 14,400 euro me kohëzgjatje 10 muaj. Ndërsa, AAAPARr, po ashtu në dhjetor 2024, ka iniciuar tender për angazhimin e tetë konsulentëve të jashtëm për nevoja të saj me vlerë të parashikuar 33,600 euro me kohëzgjatje 12 muaj.

    Rregullorja e Prokurimit Publik, shton me tej ‘D +”, përcakton që angazhimi i konsulentëve bëhet vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

    “Vlen të ceket se institucionet janë duke rekrutuar staf të rregullt përmes procedurave të jashtme ashtu siç kërkon Ligji për zyrtarët publikë dhe kjo mund të vërtetohet përmes Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ)”- thuhet në reagimin  e “Democracy Plus”.

    Rregullorja për Prokurimin Publik përcakton që kontraktimi i konsulentëve duhet të bëhet për nevoja specifike që stafi ekzistues i institucionit nuk mund t’i mbulojë.

    “Megjithatë, MAShTI dhe AAAPARr kanë zgjedhur të angazhojnë konsulentë për shërbime të përditshme administrative. Këto përfshijnë, ndër të tjera, këshilla për zbatimin e legjislacionit dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në MAShTI, si dhe zbatimin e programeve mësimore dhe metodologjive të reja në përputhje me standardet dhe ligjet për arsimin në AAAPARr”- thuhet më tej në reagim.

    Po sipas, “D +”, MASHTI dhe AAAPARr duhet të anulojnë këto dy aktivitete të prokurimit dhe të nisin procedura të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe jo përmes legjislacionit të prokurimit publik.

    “D +” thotë se shpenzimi i rreth 50,000 eurove në angazhimin e nëntë personave për një periudhë 10 dhe 12-mujore është keqmenaxhim i parasë publike dhe nuk ofron qëndrueshmëri në angazhim të personelit për kryerjen e punëve në Ministri dhe Agjenci.

  • Prishtinë, vdes një grua që ra nga një ndërtesë

    Një person i gjinisë femërore ka vdekur të enjten, më 30.01.2025, pasi ka rënë nga një ndërtesë.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë.

    Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës.

    “Sot rreth 19:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë. Viktimë në këtë rast është një person (femër), vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje” – ka thënë zëdhënësja Ahmeti për KALLXO.com.

    Ahmeti ka thënë se hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.