Ballina

Autor: Isa Vatovci

  • “Memory Jam” bashkon artistët e rinj të Kosovës dhe Britanisë së Madhe

    Iniciativa për art dhe kulturë “StoryLab” nga Prishtina, në bashkëpunim me Shkollën e Arteve Digjitale (SODA) në Universitetin e Manchester-it, do të organizojnë një sërë punëtorish në kuadër të projektit “Memory Jam”, me ligjërues nga Kosova dhe Britania e Madhe.

    Projekti “Memory Jam” do të mbahet më 8 dhe 20 shkurt, si dhe 4 mars 2025, ndërsa komunikimi në mes të artistëve kosovarë dhe atyre britanikë do të bëhet në mënyrë virtuale.

    “StoryLab” përmes një komunikate ka bërë të ditur se punëtoritë në kuadër të projektit “Memory Jam” do të zbulojnë fuqinë e tregimit multimedial përmes “realitetit të shtuar, fotografisë, filmit dhe shkrimit kreativ”.

    “Ky projekt bashkon studentë dhe profesionistë të rinj krijues nga Britania e Madhe dhe Kosova (e rajoni), për të zhvilluar punë që eksplorojnë identitetin, memorien dhe hapësirën virtuale. ‘Memory Jam’ eksploron memorien duke ‘i mveshur’ objektet fizike me një ‘kujtesë’ të zgjeruar virtuale, si tekst, audio apo video.” – thuhet në komunikatë.

    Po sipas komunikatës pjesëmarrësit e projektit “Memory Jam” do të krijojnë një vepër digjitale, e cila do të ekspozohet online dhe do të publikohet në një revistë.

    Takimet  e krijuesve në kuadër të “Memory Jam” do të bëhen në mënyrë hibride, online dhe fizike.

    Të gjithë pjesëmarrësit nga Kosova do të takohen në “Rezidencën 17” në Prishtinë dhe pjesëmarrësit nga Britania e Madhe do të takohen në SODA, ku të dy palët do të komunikojnë virtualisht.

  • Policia po heton vdekjen e gruas e cila ra nga një ndërtesë në Prishtinë

    Një grua ka vdekur të enjten, më 30.01.2025, pasi dyshohet se ka rënë nga një objekt banesor në Prishtinë.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur në rrugën “Jakov Xoxa”, në Prishtinë.

    “Lidhur me rastin Njësitë relevante policore dhe ekipi  mjekësor kanë dalë në vendin  e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës femër kosovare, me vendim të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.” – thuhet në njoftim.

    Policia thotë se rasti është duke u hetuar.

    KALLXO.com raportoi për rastin të enjten, më 30.01.2025.

     

     

  • I dyshuari duke ikur godet veturën e Policisë në Gjilan, lëndohen katër policë

    Policia e Kosovës e ka arrestuar një person i cili nuk është ndalur në Pikën e Kontrollit Policor dhe në ikje e sipër ka goditur disa herë makinën e Policisë.

    Sipas Policisë, për pasojë janë lënduar katër policë në Gjilan.

    “I dyshuari gjatë ikjes disa herë ka goditur veturën zyrtare të Policisë, e cila ishte në ndjekje të tij, me ç’rast kanë pësuar lëndime trupore katër zyrtarë policorë, të cilët ndodheshin në veturë. Lidhur me rastin personi i dyshuar është ndaluar nga Njësia policore dhe i njëjti është futur nën kontroll.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Po, sipas njoftimit, zyrtarët policorë dhe dy personat që ishin në veturë kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Sipas Policisë, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

     

     

  • Anton Ahmeti emërohet Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave

    Qeveria e Kosovës e ka miratuar propozimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati për emërimin e Anton Ahmetit në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Financave.

    Ministri Murati foli për procesin e këtij emërimi.

    “Procesi ka qenë i stërzgjatur edhe për shkak të Ankesave. Tash, pas Ankesave kemi mundësi të lëvizim tutje për emërimin e Arton Ahmetit Sekretar në Ministri.” – deklaroi Murati.

    Emërimi i Ahmetit Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Financave u mor gjatë mbledhjes së Qeverisë të mbajtur të premten, më 31.01.2025.

     

  • Filharmonia e Kosovës të premten mban koncert në Prishtinë

    Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë të premten, më 31.01.2025, nga ora 19:30, koncert në atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

    Koncerti do të dirigjohet nga mjeshtri italian Dario Salvi, ndërsa pjesë e këtij koncerti do të jetë edhe flautisti italian Andrea Griminelli.

    “Nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, Griminelli do të luajë Koncertin për flaut nr. 1 të Moxartit dhe, më pas, së bashku me flautisten e mirënjohur kosovare Venera Mehmetagaj – Kajtazi, do të interpretojnë kohën e tretë të Koncertit për dy flaute nga Cimarosa”- thuhet në njoftimin e Filharmonisë.

    Në këtë mbrëmje, sipas njoftimit, në shënim të 255-vjetorit të lindjes së Beethovenit, orkestra do të interpretojë “Simfoninë e 8-të” të gjeniut klasik, ndërsa gjithashtu do të interpretohet edhe premiera e veprës ‘Rush Hour 2’ nga kompozitori kosovar Lum Halabaku.

    Me këtë koncert, siaps njoftimit, do të nisë cikli i koncerteve drejt shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës.