Ballina

Autor: Ilirjana Hoti

  • Kërkohej nga Gjykata, arrestohet 29-vjeçari i dënuar me tre vjet burg për lëndim të rëndë trupor

    Policia e Kosovës ka arrestuar një 29-vjeçar në Suharekë, i cili ishte i dënuar me tre vjet burg për “lëndim të rëndë trupor”.

    29-vjeçari, A.B është arrestuar më 14.01.2025, pasi ishte kërkuar me urdhëresë gjyqësore nga Gjykata në Suharekë.

    I njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit, në kohë prej tri vjetësh.

    “Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave ndaj personave, që ende nuk i janë përgjigjur thirrjes së Gjykatave.” – thuhet në njoftimin e datës 15.01.2025.

  • Policia në Vushtrri konfiskon dy armë, në dy raste të ndryshme – FOTO

    Policia e Kosovës ka konfiskuar dy armë në dy raste të ndryshme në Vushtrri, brenda 24 orëve.

    Sipas një komunikate për media, në rastin e parë Policia ka arrestuar një person në gjendje të dehur në rrugën “Ana Lin”, gjatë kontrollit të së cilit organet e rendit i kanë gjetur në posedim një pistoletë me katër fishekë.

    Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

    Në rastin e dytë, Policia thotë se në rrugën “Ahmet Selaci” ka arrestuar një person të dyshuar, pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një armë – pistoletë. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Në komunikatë bëhet e ditur se, ndaj dy të dyshuarve janë iniciuar raste për veprën penale: “mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës”.

  • Lista Serbe nis fushatën zgjedhore në Ranillug

    Partia e serbëve të Kosovës, por që funksionon nën direktivat e Beogradit, Lista Serbe, e ka nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit në Ranillug.

    Kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, ka thënë se situata në Kosovë për serbët është e rëndë, por se zgjedhjet e 9 shkurtit janë mundësi që kjo situatë të ndryshojë.

    Fajtori për gjendjen, sipas tij të rëndë të serbëve në Kosovë, është kryeministrit Albin Kurti i cili “tenton të fitojë poenë të lirë politikë, duke kryer represion ndaj popullit serb”.

    Ellek tha po ashtu se Kurti nuk mundet t’i manipulojë kandidatët e Listës Serbe për deputetë, sepse ata, sipas tij, “asnjëherë nuk do të jenë dorë e zgjatur e tij, si disa serbë tjerë”.

    Ellek tha se Lista Serbe është e vetmja parti serbe të cilën e mbështet Serbia dhe Beogradi./ RTV Dukagjini

  • Stuhi e fuqishme dimërore në jug e lindje të SHBA

    Mes një numri të madh fluturimesh të anuluara, zyrtarët në disa shtete jugore paralajmëruan të shtunën qytetarët të mos udhëtojnë për shkak të rrezikshmërisë që paraqesin rrugët, kryesisht ato të brendshme.

    Stuhia dimërore shoqëruar me rreshje bore e temperatura të ulta po lëviz në shtetet që shtrihen në brigjet lindore të vendit. Në përfundim të ditës pritet që temperaturat të bien edhe më shumë, duke rritur rrezikun për shdërrimin e korridoreve rrugore, në korridore të rrezikshme me akull.

    Sipas Scott Carroll, meteorolog i Shërbimit Kombëtar të Motit në Atlanta rreziqet do të jenë më të mëdha në rrugët dytësore, pasi rrugët kryesore janë kryesisht të pastra.

    Disa aeroporte përfshirë ai në Atlanta të Xhorxhias dhe Charlotte në Karolinën e Veriut, njoftuan sot për ndërprerje të udhëtimeve.

    Disa linja ajrore njoftuan për vonesa disa orëshe.

    Deri në mesditën e së shtunës, më shumë se 300 fluturime brenda dhe jashtë aeroportit ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës u anuluan, ndërsa gati 500 të tjera u shtynë, sipas programit të gjurmimit të fluturimeve ‘FlightAware’.

    Më shumë se 200 fluturime si brenda dhe jashtë qytetit Charlotte u anuluan, dhe pothuajse 200 të tjera, u shtynë./ VOA

  • Mijëra njerëz protestojnë kundër konventës së partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani

    Mijëra njerëz kanë protestuar kundër një konvente të partisë ekstremit të djathtë – Alternativa për Gjermaninë (AfD) – të shtunën, duke i bllokuar disa rrugë dhe duke e vonuar fillimin e takimit, ku kjo parti e nisi fushatën për zgjedhjet e shkurtit.

    Një prani e madhe policore u pa të shtunën në Riesa – në landin lindor Saksoni – i cili është bastion i AfD-së. Policia i largoi disa prej protestuesve nga rrugët.

    Megjithatë, konventa dyditore nisi rreth dy orë me vonesë, pasi shumë prej delegatëve nuk mbërritën me kohë për shkak të bllokadave.

    AfD-ja e ka nominuar zyrtarisht bashkëkryetaren, Alice Weidel, si kandidate për kancelare të Gjermanisë. Weidel i falënderoi delegatët për “sfidimin e turmës së majtë për të mbërritur këtu”.

    Sondazhet tregojnë se AfD-ja është në vendin e dytë në prag të zgjedhjeve të 23 shkurtit, me një mbështetje prej rreth 20 për qind.

    Megjithatë, Weidel – e cila këtë javë e zhvilloi një bisedë drejtpërdrejt në X me miliarderin e teknologjisë Elon Musk, i cili ka mbështetur partinë e saj – nuk ka asnjë gjasë reale për t’u bërë lidere e Gjermanisë, pasi partitë e tjera nuk pranojnë të bashkëpunojnë me AfD-në.

    Është partia kryesore opozitare, blloku i Unionit, e cila kryeson në sondazhe me rreth 30 për qind dhe kandidati i saj, Friedrich Merz, është favoriti për t’u bërë kancelari i ardhshëm.

    Unioni po fokusohet në ringjalljen e ekonomisë së ngecur të Gjermanisë dhe në kufizimin e imigracionit të parregullt.

    Të shtunën, Weidel e kritikoi atë si një “parti mashtruesish”, duke i bërë thirrje njerëzve të “votojnë për të mirëfilltën” dhe ta forcojnë partinë e saj.

    Weidel bëri thirrje për mbylljen e kufijve të Gjermanisë për imigrantët e paautorizuar dhe për dëbimin e azilkërkuesve.

    Ajo premtoi rikthimin në punë të gazsjellësit Nord Stream, i cili u dëmtua në shpërthimet e vitit 2022, menjëherë pasi Rusia e ndërpreu furnizimin e Gjermanisë me gaz. Weidel u prit me duartrokitje të mëdha kur tha se AfD-ja do t’i rrëzojnë të gjitha turbinat e erës – të cilat i përshkroi si “mulli ere të turpit” – nëse vjen në pushtet.

    Në një konferencë për shtyp në Hamburg, Merz u përqendrua te oferta e partisë së tij për “ndryshime të thella” pasi koalicioni i paqëndrueshëm dhe kontestuar i qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz u prish.

    Scholz shpreson në fitore befasuese, por sondazhet tregojnë se mbështetja për Socialdemokratët e tij është mes 14-17 për qind.

    Qeveria e tij ra në nëntor, kur ai e shkarkoi ministrin e Financave pas një mosmarrëveshjeje për mënyrën e ringjalljes së ekonomisë, duke e çuar Gjermaninë në zgjedhje të parakohshme.

    Scholz pranoi të shtunën se ishin bërë gabime dhe tha se “ndoshta duhet ta kisha prishur koalicionin më herët.”

    Por, ai tha se është koha të shohim përpara. “Le të luftojmë”, tha ai për delegatët në një kongres partie në Berlin, ku ai u konfirmua zyrtarisht si kandidat për kancelar.

    Ai akuzoi Unionin e Merzit për mungesë të planeve serioze për t’u marrë me problemet e Gjermanisë./ REL