Ballina

Autor: Florinda Kelmendi

  • Leposaviq, arrestohet 19-vjeçari i dyshuar për vjedhjen e një veture

    19-vjeçari me inicialet N.K. është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka vjedhur një veturë.

    Siç njoftojnë organet e rendit, rasti është raportuar në stacionin policor në Leposaviq të dielën më 19.01.2025 rreth orës 03:10.

    Me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti pas përfundimit të procedurave policore i kthehet pronarit.

    “Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari e ka pranuar kryerjen e veprës penale së bashku me një person tjetër, i cili është identifikuar dhe aktualisht është në kërkim policor. Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit  për 48 orë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e të gjithë personave që kryejnë apo tentojnë kryerjen e veprave penale.

  • Hamasi liron tri pengje pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gazë

    Tri pengje që po mbaheshin nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – janë liruar dhe kanë arritur në Izrael njoftuan autoritetet.

    Më vonë gjatë 19 janarit, Izraeli pritet të lirojë afër 90 të burgosur palestinezë.

    Ky është hapi i parë i marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit që hyri të dielën në fuqi.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se “armët në Gazë kanë pushuar” në bazë të marrëveshjes që ai ideoi në majin e vitit të kaluar.

    Presidenti në largim, teksa mori pjesë në një ngjarje në Karolinën e Jugut, tha se ndihmat humanitare veçse kanë nisur të shkojnë në Gazë.

    Sipas tij, armëpushimi në Gazë ka “transformuar në mënyrë fundamentale” rajonin e Lindjes së Mesme.

    I pyetur nga gazetarët nëse është i shqetësuar për rigrupimin e Hamasit, udhëheqësi amerikan tha se nuk është i shqetësuar.

    Nisja e armëpushimit erdhi pasi Hamasi publikoi emrat e tri pengjeve gra – sipas marrëveshjes së armëpushimit – që u liruan më 19 janar.

    Një zyrtar izraelit konfirmoi se Romi Gonen, 24-vjeçare, Emily Damari, 28 vjeçe dhe Doron Steinbrecher, 31-vjeçare janë personat e parë që lirohen përmes marrëveshjes së armëpushimit. Gonen ishte rrëmbyer nga festivali i muzikës, Nova, ndërkaq dy gratë e tjera ishin rrëmbyer nga vendbanimi Kfar Aza. Damari është shtetase izraelite dhe britanike.

    Mosdërgimi i emrave të pengjeve bëri që hyrja në fuqi e armëpushimit të vonohen për më shumë se dy orë, teksa Izraeli tha më herët se do të vazhdojë luftimet derisa emrat të dorëzoheshin, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen e arritur më herët gjatë javës. Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se si pasojë e sulmeve izraelite, të paktën tetë persona u vranë mëngjesin e 19 janarit.

    Hamasi tha më herët gjatë së dielës se për “arsye teknike në terren” nuk arriti që me kohë të dorëzojë emrat. Përmes një deklarate, grupi radikal palestinez tha se është i përkushtuar për marrëveshjen e armëpushimit.

    Në mbarë enklavën palestineze pati festime të dielën dhe disa palestinezë nisën të ktheheshin në shtëpitë e tyre edhe pse vonesat në hyrjen në fuqi të armëpushimit vunë në pah brishtësinë e marrëveshjes.

    Kombet e Bashkuara njoftuan se kamionë me ndihmë humanitare kanë nisur të hyjnë në Gazë, pas nisjes së armëpushimit.

    “Kamionët e parë me ndihma kanë nisur të hyjnë” në Gazë pak minuta pasi hyri në fuqi marrëveshja, tha zyrtari për ndihmë i OKB-së, Jonathan Whittall, njëkohësisht ushtrues i detyrës të agjencisë për ndihmë në territoret palestineze, OCHA.

    Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve, që u morën gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor 2023.

    Ndërkaq, Izraeli njoftoi se ka arritur të tërheqë trupin e Oron Shaul, një ushtar që ishte vrarë në luftën Izrael-Hamas më 2014. Trupat e Shaulit dhe ushtarit tjetër, Hadar Goldin, kishin qenë në Gazë edhe pas përfundimit të luftës më 2014.

    Armëpushimi, që u arrit pas një viti të ndërmjetësimit intensiv nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, është hapi i parë në një proces të gjatë e të brishtë që synon t’i japë fund luftës 15-mujore.

    Në fazën e parë 42-ditore të armëpushimit është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael. Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.

    Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin pauzuar luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.

    Negociatat për fazën e dytë, që konsiderohet më e vështirë, është paraparë të nisin dy javë më vonë. Megjithatë, ka shumë pikëpyetje për këtë çështje, përfshirë edhe atë nëse lufta do të rinisë pas fazës së parë gjashtëjavore dhe si do të lirohen pjesa tjetër e pengjeve.

    Lufta në Gazë ka shkaktuar viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë.

    Mbi 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur. Kombet e Bashkuara kanë thënë se sistemi i shëndetësisë, rrjeti rrugor dhe infrastruktura vitale janë dëmtuar rëndë. Rindërtimi – nëse armëpushimi arrin në fazën e tij finale – do të merrte kohë disa vite. Po ashtu, çështje e pazgjidhur mbetet edhe se si do të udhëhiqet Gaza pas konfliktit./ REL

  • Gjirokastër, 17 të arrestuar për shitje të narkotikëve

    Në Gjirokastër 17 persona janë arrestuar nën dyshimin për shitje të lëndëve narkotike.

    Sipas Policisë, për dhjetë prej tyre është caktuar masa e arrestit në burg ndërsa dy të tjerëve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

    Arrestimi i të dyshuarve, sipas Policisë, është faza e tretë e operacionit antidrogë të koduar me emrin “Andromeda”.

    “Operacioni, si rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda proaktive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

  • Grabitje e armatosur në një pompë të derivateve në Mitrovicë, policia jep detaje

    Dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës dyshohet se kanë grabitur një shumë të parave dhe më pas kanë ikur.

    Rasti ka ndodhur më 17.01.2025 rreth orës 04:15 në një pompë derivatesh në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, konfirmon zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

    “Bazuar në informatat dhe hetimet  fillestare, dyshohet se dy persona të maskuar nën kërcënimin e armës kanë grabitur një shumë të parave dhe kanë ikur në drejtim të panjohur”- tha Zahiti për KALLXO.com.

    Ai potencoi se njësitet përkatëse policore janë duke ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të identifikimit të personave të dyshuar dhe mbledhjen e provave relevante në lidhje me këtë rast.

  • KRU “Mitrovica” nënshkruan marrëveshje për shërbim, inkasim dhe faturim me 4 komunat e veriut

    Faturat e ujit të banorëve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq do të inkasohen dhe faturohen nga Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.

    Kështu parasheh marrëveshja e nënshkruar mes KRU “Mitrovica” dhe kryetarëve të katër komunave veriore më 16.01.2025.

    Të pranishëm në ceremoni ishin ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Artane Rizvanolli, zëvendësministri Getoar Mjeku, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, dhe kryetarët e katër komunave.

    Ministrja Rizvanolli tha se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët e këtyre komunave.

    “Deri më sot KRU “Mitrovica” ka qenë e kufizuar në tre rajone, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj. Nga sot kjo po ndryshon duke lidhur marrëveshje me katër komuna. Çështja e mospagesës në veri është diçka që e ka rënduar KRU Mitrovicën ndër vite. Ftoj komunat dhe ndërmarrjen të bashkëpunojnë ngushtë sepse do të jetë një proces kompleks i identifikimit të pranimit teknik ”- tha Rizvanolli.

    Ndërsa kryeshefi i Ujësjellësit bëri të ditur se këto komuna do të marrin shërbime nga KRU “Mitrovica”. Gjithashtu, sipas tij, do të bëhet edhe inkasimi e faturimi.

    “Nga sot do të marrim në shërbim katër komunat veriore. Do të bëhet evindentimi i konsumatorëve, vendosja e ujëmatësve si dhe faturimi e inkasimi. Për këtë periudhë transitore, e kemi caktuar një afat kohor, datën 31.12.2025. Duhet të gjejmë zgjidhje edhe për organin paralel”- tha Kurti.

    Nënshkruhet marrëveshja mes KRU “Mitrovica” dhe katër komunave veriore, 16.01.2025,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
    Nënshkruhet marrëveshja mes KRU “Mitrovica” dhe katër komunave veriore, 16.01.2025,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
    Nënshkruhet marrëveshja mes KRU “Mitrovica” dhe katër komunave veriore, 16.01.2025,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
    Nënshkruhet marrëveshja mes KRU “Mitrovica” dhe katër komunave veriore, 16.01.2025,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
    Nënshkruhet marrëveshja mes KRU “Mitrovica” dhe katër komunave veriore, 16.01.2025,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

    Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se ujësjellësi në këtë komunë funksionon ende me sistem paralel.

    Gjatë debatit në “Jeta në Komunë”, Atiq tha se ujësjellësi ende menaxhohet nga ndërmarrja “Vodovod” i Serbisë.

    “Ujësjellësi i Komunës së Veriut ende është me sistem paralel, nuk është hy në sistem të Kosovës. Normal mu më kish konvenu me marr prej ditës së parë nën kontroll, nën udhëheqje mirëpo për shkak të gjendjes politike jena ku jena. As nuk paguhet uji e as nuk e kemi në menaxhim ndërmarrjen. Ndërmarrja që e menaxhon ujësjellësin quhet “Vodovod”- kishte thënë kryetari.

    https://kallxo.com/kallxopernime/ujesjellesi-ne-mitrovicen-e-veriut-ende-nen-menaxhimin-e-ndermarrjes-serbe/