Ballina

Autor: Florinda Kelmendi

  • Shqipëria dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje në fushën e sigurisë

    Shqipëria dhe Ukraina e kanë nënshkruar një marrëveshje afatgjate në fushën e sigurisë të martën në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.

    Lajmi u bë i ditur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    “Në Davos, me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurisë”, tha Rama në Facebook, duke mos dhënë më shumë hollësi.

    Por, Zelensky tha se Ukraina dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshje “afatgjate për bashkëpunim dhe mbështetje mes dy vendeve tona”.

    “Shqipëria i ka dhënë ndihmë ushtarake dhe humanitare Ukrainës prej se nisi pushtimi i plotë dhe do të vazhdojë ta mbështetë atë gjatë periudhës 10-vjeçare të marrëveshjes. Po ashtu, Shqipëria do të kontribuojë edhe në koalicionin e avionëve luftarakë”, tha Zelensky në X.

    Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, e ka dënuar agresionin rus dhe ka vendosur sanksione kundër Moskës për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës, që nisi në shkurt 2022.

    Po ashtu, Tirana ka ofruar edhe ndihmë tjetër, përfshirë edhe strehimin e shtetasve ukrainas.

    Në fillim të vitit të kaluar, Tirana ishte nikoqire e një samiti për Ukrainën, i bashkoi liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe atë të Moldavisë.

    Në këtë samit, që u mbajt me ftesë të kryeministrit Rama, mori pjesë presidenti Zelensky.

    Shqipëria dhe Ukraina kanë vendosur raporte diplomatike më 1993, dhe ato janë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria veçse ka hapur kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim.

    Në fillim të këtij muaji, Shqipëria e inauguroi objektin e Ambasadës së saj në Kiev të Ukrainës.

    Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, tha se ky objekt nuk do të ishte vetëm një urë bashkëpunimi mes shteteve, por edhe dëshmi për qëndrueshmërinë dhe angazhimin e përbashkët drejt një të ardhmeje në paqe dhe një Evrope “të bashkuar, të fortë dhe të begatë”.

    Ambasada, e hapur në fund të vitit 2024, pësoi dëme materiale disa javë më parë si pasojë e sulmeve me raketa ruse./ REL

  • Prishtinë, arrestohen katër persona, konfiskohen rreth 25 kg drogë

    44-vjeçari me iniciale B.M., 46-vjeçari me iniciale L.K., 46-vjeçari tjetër me iniciale M.K. dhe 34-vjeçari me iniciale F.H. janë arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 25 kg lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në Prishtinë.

    Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar 27 paketime me lëndë narkotike që dyshohet të jetë marihuanë me peshë 25.2 kg, një veturë, dy pushkë, dy revole, shtatë fishekë kalibrash të ndryshëm, gjashtë telefona celularë dhe 350 euro.

    Organet e rendit njoftojnë se operacioni policor i koduar ‘Starti’, i zbatuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Sektori Qendror për Hetimin e Narkotikëve Prishtinë, kanë goditur këtë grup kriminal trafikantësh.

    “‘Starti” ka filluar me trajtimin e informatave, mbledhjen e dëshmive në terren dhe sot në koordinim më Prokurorinë e Krimeve të Rënda, janë realizuar katër kontrolle në lokacione të ndryshme në Prishtinë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Policia bën të ditur se të dyshuarit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet – shitblerje e narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

    “Të dyshuarit, me aktvendim nga prokurori dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”- thuhet në njoftim.

    Foto: Policia e Kosovës

     

    Foto: Policia e Kosovës
  • Kaçanik, arrestohet një 28-vjeçare për vjedhjen e një veture “BMW X5”

    Pas arrestimit të 35-vjeçarit P.L. më 17.01.2025, Policia ka njoftuar se sot, më 21.01.2025, është arrestuar edhe 28-vjeçarja F.L.

    Këta dy persona dyshohen për vjedhje të rëndë në afërsi të Kaçanikut më 23.10.2024.

    Fjala është për vjedhjen e një veture “BMW X5” me targa vendore.

    Sipas Policisë, nga hetimet rezulton se vetura ishte nxjerrë jashtë kufirit të Kosovës dhe ishte shitur.

    “Pas intervistimit dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, e dyshuara është ndaluar për 48 orë”- thuhet në njoftim.

    https://kallxo.com/lajm/kapet-i-dyshuari-per-vjedhjen-e-vetures-ne-kacanik-bmw-x-5-ishte-shitur-jashte-vendit/

     

     

  • Operacioni në Shqipëri e Itali, goditet një grup i trafikut të kokainës

    Një hetim i përbashkët i Prokurorisë së Brescia-s në Itali dhe Prokurorisë së Posaçme shqiptare, çoi në goditjen e një grupi që merrej me trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut në Itali dhe shtete të tjera të Europës qendrore. Operacioni për ekzekutimin e 12 urdhërave të arrestit dhe 8 masava të tjera të sigurisë u realizua gjatë të martës nga policitë e të dy vendeve. Në Shqipëri u arrestuan 5 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim. Një tjetër arrestim u realizua nga policia spanjolle.

    Në krye të grupit ishin dy vëllezër shqiptarë, të cilat konsiderohen pjesë e organizatës kriminale së drejtuar nga vëllezërit Çela, personazhe të njohur të botës së krimit, nga Elbasani. Ata mendohet se drejtonin të gjitha operacionet që nga importi i kokainës, te shpërndarja e saj dhe mbledhja e të ardhurave të cilat përfundonin më pas në Shqipëri.

    Hetimet, mësohet të kenë nisur, në gjysmën e dytë të vitit 2020, pasi u zbulua një rrjet i shpërndarjes së kokainës, në disa lokale të zonës Lago di Garda në Itali. Ato u zhvilluan nën kujdesin e EUROJUST, në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore mes Prokurorisë së Brescia-s dhe SPAK-ut.

    Sipas Prokurorisë së Posaçme “pas identifikimit të furnizuesve të kokainës, mbi bazën e hetimeve, është rindërtuar organigrama e organizatës italo-shqiptare që merrej me importin e sasive të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut. Dy vëllezërit shqiptarë, jepnin udhëzime një grupi të besuar në zonën e Brescia-s dhe provinca të tjera të Italisë së Veriut, ku kryenin nje veprimtari të shtrirë të importit dhe shitjes të lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë”. Sipas Prokurorisë shqiptare “kjo organizatë ka mundësuar të gjitha fazat e trafikut, nga magazinimi, shpërndarja dhe mbledhja e përfitimeve, të cilat më pas i dorëzoheshin drejtuesve të organizatës në Shqipëri, përmes një sistemi të kolauduar, duke shfrytëzuar shoferët e autobuzëve të linjës Brescia – Elbasan”.

    Anëtarët e organizatës kanë përdorur telefona të “kriptuar”. Ka qenë analiza e bisedave mes tyre që ka zbuluar përfshirjen e tyre në trafikun e qindra kilogramëve lëndë narkotike, kryesisht kokainë. “Hetimet kanë konfirmuar faktin se drejtuesit e kësaj organizate, për të realizuar marrëveshjet me furnizuesit kanë udhëtuar sistematikisht në Kolumbi, Ekuador dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, ku ndodhen disa prej trafikantëve shqiptarë”, bën të ditur Prokuroria e Posaçme./ VOA

  • Policia jep detaje për aksidentin në rrugën Gjakovë-Prizren, 4 të lënduar

    Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot, më 21.01.2025, në rrugën Gjakovë-Prizren.

    Policia rastin po e trajton si vetaksident.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha se rasti ka ndodhur në zonën e njohur si “fshati slloven” në rrugën Gjakovë- Prizren rreth orës 8:35.

    Sipas Elezajt dyshohet se shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin.

    “Rreth orës 08:35, në zonën e njohur si “fshati Slloven” në rrugën Gjakovë-Prizren, shoferi i një veture ka humbur kontrollin mbi të dhe është vet-aksidentuar. Përveç dëmeve materiale, është raportuar edhe për katër persona të lënduar. Rasti do të trajtohet nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor”- tha Elezaj.