Ballina

Autor: Florinda Kelmendi

  • ‘Vuçiqi në burg’ – thirrja e protestuesve serbë në Mitrovicë të Veriut

    Qytetarë serbë janë mbledhur pranë Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut, më 24.01.2025. Ata protestuan në shenjë proteste për viktimat në Novi Sad.

    Pas 15 minutash heshtje, protestuesit brohoritën “Vuçiqi në burg”.

    Të pranishëm ishin ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radimiroviq dhe lideri i partisë “Demokracia Serbe”, Aleksandër Arsenijeviq.

    Në vendin e ngjarjes u panë Policia e Kosovës, të cilët e përcollën ngjarjen me dron.

    Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani tha se protesta kaloi e qetë.

    “Protesta qëllim e ka përkrahjen e studentëve në shtetin e Serbisë. Ne nuk kemi pasë diçka kundër kësaj proteste. Çdo gjë është në rregull për arsye, se tubimet janë të parapara me ligjet e Kosovës.” – tha Elshani.

    Për brohoritjen kundër Vuçiqit, ai tha se nuk kanë hapur rastin për “nxitje të urrejtjes”.

    “Për neve nuk ka pasë ndonjë rast ose thirrje për me hap rast të nxitjes së urrejtjes ose diçka e tillë. Për neve është me rëndësi, se kjo ka kalu e qetë.” – përfundoi ai.

  • Prokuroria Speciale po heton mënyrën e ndarjes së banesave sociale në Zubin Potok

    Banesave sociale në Zubin Potok u është vendosur shiriti nga Policia e Kosovës dhe rasti po vazhdon të hetohet nga Prokuroria Speciale, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

    Organet e rendit konfirmojnë se në këto banesa janë hasur “dallavere”, me prona e me ndërtim. Ndërsa organet komunale bëjnë të ditur se në mënyrë ilegale është bërë shpërndarja e çelësave.

    Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani i cili tha se rasti po hetohet nga Prokuroria Speciale, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” nga ish-Kryetari i kësaj Komune.

    “E kemi njoftu Prokurorin. Tani kemi nis me hetu rastin. Kemi ardhë në përfundim. Më 15 dhjetor (2024) ia kemi qit shiritat. Tash e ka këtë rast duke e hetu Prokuroria Speciale, bashkë me krimet ekonomike me dyshimin ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’.” – tha Elshani.

    Ai shtoi se hetimet për këtë rast kanë filluar që nga nëntori i vitit të kaluar, për problemet që kishin serbët me ndarjen e këtyre banesave.

    “Ka qenë një hetim, duke u zhvillu në nëntor të vitit të kaluar për ndarjen e banesave. Kanë pasë disa probleme serbët mes vete: ‘Jo e ka nda mirë, jo s’e ke nda mirë’. Qaty ia kemi nis hetimeve për punë të problemeve, qysh e tek. I kemi marrë si anëtarë Komisioni. I kemi marrë në pyetje. E prej aty e kemi pa, që është e dyshimtë krejt ajo me prona, me ndërtim e me krejt.” – përfundoi Elshani.

    Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri tha se banorët e këtyre banesave kanë shpërndarë çelësat në mënyrë ilegale. Gjjithashtu, tashmë qarkullimi në këto objekte është ndaluar.

    “Iu kanë qit disa shirita, se i kanë nda disa çelësa në mënyrën ilegale. Nuk e di kush. Kjo ka ndodhë rreth 26, 27 nëntor dhe çelësat janë shpërndarë diku natën nga kufijtë. Unë kam dëgju të nesërmen, menjëherë. Mirëpo, ishte festa kombëtare, natyrisht 28 Nëntori dhe ishte pushim. Unë kam pasë menjëherë ankesa të qytetarëve. Kërkesa për banim të qytetarëve dhe informacionet se kush e ka ba. I kanë marrë natën. Janë dalë aty nga kufini, aty përtej kufinit, çka po di unë.” – tha i pari i Zubin Potokut, për KALLXO.com.

     

  • Dyshohet se vodhi pajisje kompjuterike, arrestohet i mituri në Mitrovicë

    Një person i mitur është arrestuar, më 22.01.2025, nën dyshimin për “vjedhje të rëndë” dhe “hyrje në sistemet kompjuterike”, në Mitrovicë të Jugut.

    Sipas organeve të rendit, arrestimi i tij është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara se më 17.01.2025, në rrugën Nexhip Dragaj” në Mitrovicë, ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” dhe se cak i kësaj vjedhjeje ishte një lokal nga ku kishte vjedhur pajisje teknologjike.

    “Ndërsa, pas intervistimit, me Aktvendim të Prokurorit, të dyshuarit  i është caktuar masa e ndalimit policor për 24 orë.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

  • Policia e Rajonit Mitrovicë-Jugu: Shënohet rënie e rasteve të vrasjeve, grabitjeve e vjedhjeve në krahasim me vitin 2023

    Drejtoria Rajonale Mitrovicë-Jugu e Policisë së Kosovës më 22.01.2025 ka prezantuar punën, angazhimet dhe aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2024.

    Të pranishëm ishin drejtoresha Afërdita Mikullovci, drejtori i Departamentit të Rendit Publik, Arbnesh Ajvazi, si dhe mysafirë nga institucionet e tjera.

    Në njoftimin e Drejtorisë theksohet se janë ndërmarrë një mori aktivitetesh parandaluese duke përfshirë realizimin e projekteve, fushatave, dhe ligjëratave me tema të ndryshme që prekin interesin dhe sigurinë e qytetarit, me mbi 50% në krahasim me vitin 2023.

    Gjithashtu drejtoresha Mikullovci thotë se ka pasur rënie të numrit të përgjithshëm të rasteve për 7.6% si dhe të veprave penale për 9.8% në krahasim me vitin 2023.

    “Po ashtu gjatë vitit 2024 rezultate pozitive janë shënuar në zbulueshmerinë e rasteve prej 80.0% si dhe rënie të veprave penale si ato të rasteve: vrasje -75.0%, grabitje -75.0%, vjedhje  -43.2%, zvogëlimi i numrit të aksidenteve në trafik -3.0%, ngritje e numrit të konfiskimit të armëve pa leje me +22.9% ne krahasim me vitin paraprak”- thuhet në njoftim.

    Në fund të prezantimit, për zyrtarët meritorë gjatë vitit 2024 janë shpërndanë mirënjohje.

    “Rezultatet janë të përbashkëta që kanë rezultuar në parandalimin e këtyre veprave, ku përveç përkushtimit të policisë, esenciale mbetet përkrahja dhe bashkëpunimi me qytetarët si dhe me institucionet përkatëse”- shprehet falënderuese Mikullovci.

     

  • Mitrovicë e Veriut – Policia gjen armë e pajisje për prodhimin e kriptovalutave

    Policia e Kosovës ka gjetur, më 22.01.2025, armë, pajisje për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të tjera të dyshimta në rrugën “Kollashini”, në Mitrovicë të Veriut.

    “Një armë e gjatë (pushkë ajrore), pesë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave me pajisje përcjellëse, dyzet e dy minera për prodhim të kriptovalutave me pajisje përcjellëse, një shtëpizë e kompjuterit, një karikator i revoles, katërmbëdhjetë fishekë të revoles kalibri 9 mm, një radiolidhje, një  kamerë vëzhgimi; divijar, vulë metalike dhe letërnjoftim.” – këto janë gjetur sipas njoftimit të PK-së.

    Sipas Policisë, aparatet për prodhimin e kriptovalutave do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës. Ndonëse të arrestuar nuk ka ende, organet e rendit njoftojnë se është identifikuar një person.

    “Në vendin e ngjarjes nuk është hasur ndonjë person i dyshuar, mirëpo është identifikuar një person dhe i cili është me interes për Policinë që të intervistohet. Në lidhje me rastin, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit ‘’mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.” – thuhet në njoftim.

    Policia përfundon se vazhdon të mbetet e përkushtuar për ofrim të shërbimeve, ndaj të gjithë komunitetit pa dallim.