Ballina

Autor: Florinda Kelmendi

  • Mbyllja e institucionit paralel në Veri – Sveçla: Do ta luftojmë çdo paralelizëm kriminal të Serbisë përballë institucioneve tona

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçka ka reaguar në lidhje me mbylljen objektit që ka funksionuar si zyrë tatimore e Serbisë.

    Aktiviteti ilegal i Agjensionit Tatimor të Serbisë, sipas tij, do të hetohet nga të gjithë mekanizmat institucionalë.

    Sveçla ka potencuar se “do të vazhdohet të luftohet çdo paralelizëm kriminal i Serbisë përballë institucioneve të Republikës së Kosovës”.

    “Ky insitucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë e subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë. E në këtë rast, ai zhvillohej nga grupe kriminale lojale ndaj Serbisë agresore dhe figurave si Vladimir Putin.” – ka shkruar Sveçla në llogarinë e tij në Facebook.

    Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si administratë tatimore.

    Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si Zyrë Tatimore nga Serbia.

    “Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si zyrë tatimore, si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – tha ai.

    KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.

  • Mbyllja e institucionit paralel në Mitrovicë të Veriut – Lista Serbe thotë se Kurti po bën fushatë

    Partia Lista Serbe ka reaguar në lidhje me mbylljen e institucionit paralel në Mitrovicën e Veriut.

    Mbylljen e objektit që ka funksionuar si Zyrë Tatimore nga Serbia, këta të fundit e kanë cilësuar si fushatë parazgjedhore të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

    “Me mbylljen ilegale dhe të dhunshme të Administratës Tatimore në Kosovska Mitrovica dhe hedhjen e 80 punëtorëve serbë në rrugë, Albin Kurti vazhdoi fushatën parazgjedhore, të cilën e drejton ekskluzivisht mbi kurrizin e popullit serb, sepse nuk ka çka t’i ofrojë votuesve të tij.” – thuhet në njoftimin e Listës Serbe.

    Për 80 punëtorët e “Administratës Tatimore”, të cilët kanë mbetur pa punë, partia në fjalë thotë se do të diskutojmë me ta për çdo lloj ndihme. Gjithashtu, sipas tyre, do t’ua përcjellin punëtorëve mesazhin se asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa të ardhura.

    “Derisa me forcë Kurti me njësitë e tij policore dhe ministra të bindur si Nenad Rasiq okupon dhe rrëmben objektet serbe, nuk mund të bëjë që populli serb të largohet nga vatrat shekullore dhe as të na pengojë neve dhe shtetin e Serbisë të ndihmojmë popullin tonë.” – thuhet tutje në komunikatën e kësaj partie

    Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si Administratë Tatimore.

    Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si Zyrë Tatimore nga Serbia.

    “Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si Zyrë Tatimore – si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – tha ai.

    KALLXO.com ka raportuar, më 01.11.2024, për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.

     

  • Austri: FPÖ ngarkohet me formimin e Qeverisë

    Në Austri po bëhet gjithnjë e më i mundshëm një koalicion mes popullistëve të djathtë FPÖ dhe konservatorëve të ÖVP. Presidenti Federal ngarkoi udhëheqësin e FPÖ, Kickl për të formuar një koalicion me konservatorët.

    Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen ngarkoi zyrtarisht kreun e partisë populiste të djathtë FPÖ, Herbert Kickl, me formimin e Qeverisë së re. “Kam besim se zoti Kickl do të gjejë zgjidhje të qëndrueshme në kuadër të bisedimeve për krijimin e Qeverisë. Dhe, ai dëshiron ta marrë mbi vete këtë përgjegjësi. Prandaj e ngarkova të fillojë bisedimet me partinë ÖVP për të formuar një Qeveri federale.” – tha presidenti austriak. Van der Bellen tha se udhëheqësi i FPÖ-së do të raportojë vazhdimisht për ecurinë e bisedimeve me ÖVP-në.

    “Nuk e pata të lehtë të hidhja këtë hap dhe do të vazhdoj të mbikqyr që parimet dhe rregullat e Kushtetutës sonë të respektohen dhe të zbatohen në mënyrë korrekte.” – tha presidenti van der Bellen.

    FPÖ doli partia më e fortë në Zgjedhje      

    Partia Austriake e Lirisë (FPÖ) fitoi qartë Zgjedhjet parlamentare tre muaj më parë, por fillimisht u injorua në bisedimet e koalicionit për shkak të mosgatishmërisë së partive të tjera për të bashkëpunuar me populistët e djathtë. Partia konservatore ÖVP (Partia Popullore Austriake), e cila më parë ishte kundër partisë FPÖ, njoftoi pas negociatave të dështuara me partitë e tjera se tani është në dispozicion për bisedime për koalicion me partinë populiste të djathtë FPÖ.

    Qëndrim i ashpër ndaj emigracionit, skeptik ndaj BE-së

    Nëse pas bisedimeve arrihet një marrëveshje, hapet rruga për kancelarin e parë të Austrisë nga radhët e FPÖ. 56-vjeçari Kickl, i cili gjatë fushatës zgjedhore u pozicionua si “kancelar i popullit”, njihet ndër të tjera për një politikë jashtëzakonisht të rreptë ndaj emigracionit, e cila përfshin edhe dëbime në shkallë të gjerë, si dhe qëndrim miqësor ndaj Rusisë.

    Po ashtu Herbert Kickl ka, si dhe partia e tij, një orientim skeptik ndaj BE-së. Në të kaluarën ai e quante politikën e BE-së si “të çuditshme dhe të vetëkënaqur”. Programi zgjedhor i FPÖ parashikon një reduktim të kompetencave të institucioneve të BE-së dhe bën thirrje për një “kështjellë Austri” brenda zonës Shengen.

    Sipas politologëve mes FPÖ dhe ÖVP ka përputhje të madhe lidhur me politikën ekonomike, politikën për azilin dhe politikën arsimore. Kurse sa i përket qëndrimit ndaj BE-së, politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë në mes të dy partive ka mospërputhje të forta./ DW

  • Dhjetëra mijëra gjermanë shkojnë për të punuar jashtë vendit

    Ora tetë e mëngjesit. Somaeh Metzger troket në derën e zonjës Pennig-Chaussy dhe hyn brenda. “Mirëmëngjes, si jeni?” – thotë infermierja. “Gudde Moien” – përgjigjet ajo. Marie Josée Pennig-Chaussy është 94 vjeç dhe prej gjashtë vjetësh jeton në shtëpinë e të moshuarve “Op Lamp” në Wasserbillig, Luksemburg. Somaeh Metzger është 50 vjet më e re. Fillon procedura e zakonshme e kujdesit.

    Somaeh Metzger e vesh zonjën Pennig-Chaussy, e ndihmon të ngrihet nga shtrati, e vendos në një karrige me rrota dhe e çon në banjë. Pas dhjetë minutash kthehen në dhomë. Zonja Pennig-Chaussy kujdeset për vendosjen e buzëkuqit, edhe pse kujdestarja e ndihmon duke i mbajtur dorën që i dridhet. Ato diskutojnë për karrierën e mëparshme teatrore të zonjës së moshuar – herë në gjermanisht, herë në gjuhën e Luksemburgut, me plot fraza në frëngjisht.

    Shumë më mirë se në Gjermani

    Pothuajse 20 vjet më parë, Somaeh Metzger vendosi të linte punën e saj në një shtëpi të moshuarish në Gjermani dhe shkoi në Luksemburgun fqinj. Ajo mësoi gjuhën luksemburgase në një kurs të organizuar nga punëdhënësi i saj. Nga shtëpia e saj në Trier të Gjermanisë, ku jeton me familjen e saj, deri në vendin e saj të punës janë vetëm 13 kilometra. “Nuk jam penduar për vendimin tim për asnjë sekondë.” – thotë Metzger.

    Të tillë që shkojnë të punojnë në Luksemburg nga Gjermania ka shumë. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, mbi 52,000 gjermanë punojnë atje – 30% më shumë se një dekadë më parë. Shumica dërrmuese e tyre jetojnë ende në Gjermani dhe shkojnë në punë në Luksemburg. Vetëm në sektorin e Shëndetësisë dhe Kujdesit social janë të regjistruar 6,300 gjermanë – mes tyre të paktën 4000 kujdestarë si Somaeh Metzger.

    Kjo shihet edhe në vendin e saj të punës: mbi 80% e 147 punonjësve në Shtëpinë e të moshuarve “Op Lamp” janë gjermanë që kujdesen për 81 banorët e Shtëpisë së të moshuarve. “Ne nuk po kërkojmë veçanërisht kujdestarë nga Gjermania.” – thotë drejtoresha Mireille Wirtz-Lenertz. Por, në rajonin kufitar u përhap lajmi se kushtet e punës në Luksemburg janë shumë më të mira se në Gjermani. Nuk ka pothuajse asnjë orë më shumë jashtë orarit të punës, punonjësit respektohen, ndërsa paga është pothuajse dyfish më e lartë se në Gjermani. “Unë fitoj më shumë në Luksemburg duke punuar 60% të orarit, sesa në Gjermani kur punoja me orar të plotë.” – thotë Metzger.

    Shqetësime ka edhe në Luksemburg

    Luksemburgu me 670 mijë banorë së fundmi ka rritur sërish pagat e punonjësve në Kujdesin e të moshuarve dhe të sëmurëve. Me dhjetë vjet shërbim, një kujdestare në një shtëpi për të moshuar fiton rreth 65,000 euro në vit – plus bonuse. Ndërsa, një infermiere mund të marrë rreth 100,000 euro.

    Luksemburgu me sa duket është gati t’i paguajë kujdestarët edhe më mirë, sepse popullsia po plaket edhe atje. Sipas vlerësimit të Shoqatës së kujdestarëve “Copas”, në pesë vjetët e ardhshme do të jetë e nevojshme të plotësohen 4000 vende pune shtesë në sektorin e Përkujdesit: kujdestarë, infermierë, fizioterapistë e deri tek asistentët e kuzhinës. Por në Luksemburg, vetëm pak më shumë se 100 kujdestarë përfundojnë trajnimin e tyre çdo vit. Tashmë rreth 50% e infermierëve vijnë nga vendet fqinje. Wirtz-Lenertz ka frikë se do të bëhet më e vështirë për të gjetur kujdestarë nga Gjermania në vitet e ardhshme.”Pagat po rriten edhe atje.” – thotë ajo. Por, ajo është e sigurt për kushte më të mira pune, taksa më të ulëta dhe sigurisht pensione më të mira në Luksemburg.

    Gjendja në Gjermani

    Në të njëjtën kohë është një fatkeqësi për Shtëpitë e të moshuarve dhe Spitalet në anën gjermane të kufirit. Vetëm nga Spitali “Barmherzige Brüder” në Trier, 25 deri në 30 infermierë nisen për në Luksemburg çdo vit – thotë Jörg Mogendorf, drejtor i Departamentit të Infermierisë së Spitalit. “Tendenca po rritet.” – shpjegon ai. Edhe Dhoma e Punëtorëve të Kujdesit të shtetit të Rheinland-Pfalz dëshmon se situata “nuk është përmirësuar aspak. Përkundrazi: është përkeqësuar.” Presidenti Markus Mai mendon se mund të bëhet pak kundër pagave të shkëlqyera në vendet fqinje: “E vetmja gjë që mund të bëhet është rritja e përgjithshme e numrit të punonjësve në rajonet e prekura. Por, Dhoma jonë ka pak ndikim ose mundësi për të ndryshuar gjendjen”.

    Nuk kthehem!

    Somaeh Metzger nuk do të kthehet në Gjermani: “Në Gjermani kam qenë përgjegjëse për nëntë ose dhjetë të moshuar në një turn, kam punuar shpesh 15 ditë pa pushim. Në Luksemburg kam pesë persona për të cilët kujdesem.” Ajo nuk beson se gjërat do të ndryshojnë. Në Luksemburg punëdhënësi respekton dëshirat e saj kur organizon orarin. Somaeh Metzger është jashtëzakonisht e kënaqur: “Unë mund të balancoj punën dhe jetën time private pa vështirësi.” Në Gjermani ka gjithnjë e më shumë që mendojnë si Metzger dhe largohen, jo vetëm në sektorin e Kujdesit./ DW

  • Pas raportimit të KALLXO.com, Policia mbyll institucionin paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut

    Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raporuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si administratë tatimore.

     

    Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    Ai ka thënë se objekti ka funksionuar si zyrë tatimore nga Serbia.

    “Rreth orës 09:00 kemi hyrë në këtë ndërtesë, e cila sipas informacioneve tona ka funksionuar si zyrë tatimore – si Degë e Ministrisë së Financave të Serbisë.” – tha ai.

    Elshani shtoi se kanë gjetur edhe prova.

    “Në këtë vend kemi hasë në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe pas konsultimit me Prokurorin, njerëzit që janë hasë aty janë larguar nga ai vend dhe ajo ndërtesë është mbyllur deri në verifikim të plotë të fakteve.” – theksoi ai.

    Zyrtari i PK-së shtoi se rasti është hapur dhe po hetohet si “falsifikim i dokumenteve”, ndërsa nuk ka persona të arrestuar.

    KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka konkretisht po ofrohet, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.