Ballina

Autor: Florinda Kelmendi

  • MPB-ja vazhdon fushatën informuese për Regjistrimin e Fakteve të Gjendjes Civile

    Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar, më 09.01.2025, se po vijon fushatën informuese pas miratimit të Vendimit për Regjistrimin e Fakteve të Gjendjes Civile.

    Sipas tyre, tani u mundësohet të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë regjistruar faktet e gjendjes së tyre civile (lindjen, martesën dhe/apo vdekjen) në strukturat ilegale e paralele serbe, gjatë periudhës nga 10 .06.1999 deri në hyrjen në fuqi të këtij Vendimi, të aplikojnë për regjistrimin e këtyre Fakteve në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Republikës së Kosovës.

    “Procesi i regjistrimit do të kryhet nga Agjencia për Regjistrimin Civil dhe do të jetë i hapur nga data 1 shkurt 2025 deri më 30 prill 2025. Ftojmë qytetarët që nga data 1 shkurt 2025 të aplikojnë sipas nevojës së tyre, duke dorëzuar dokumentacionet përkatëse në bazë të llojit të faktit që synojnë të regjistrojnë.” – theksohet në njoftimin e MPB-së.

    Këta të fundit potencojnë se gjatë ditës së djeshme janë shpërndarë rreth 300 fletushka për qytetarët, në lidhje me këtë çështje.

    Për informata shtesë, MPB-ja udhëzon qytetarët ta vizitojnë këtë link: https://mpb.rks-gov.net/…/Pyetjet-me-te-shpeshta,-ne…

    Vendimi ka hyrë në fuqi, më 29.11.2024.

    https://kallxo.com/lajm/mpb-miraton-vendimin-per-regjistrimin-e-fakteve-te-gjendjes-civile/

  • Sekuestrohen pajisje kompjuterike dhe dokumente në objektin ilegal në Veri

    Në lidhje me mbylljen e Zyrës ku ka funksionuar ilegalisht Sigurimi DUNAV (Osiguranje) në Veri, një person është shoqëruar në Stacion policor.

    Ai dyshohet për veprën penale: “keqpërdorim i autorizimeve ekonomike”.

    Sipas Policisë gjatë bastisjes së këtij objekti janë sekuestruar pajisje kompjuterike dhe dokumente.

    “Në konsultim me Prokurorin është bërë bastisja në një lokacion ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: dy shtëpiza kompjuterike, një laptop, një vulë, dokumente të ndryshme etj. Pas përfundimit të kontrollit një lokal është mbyllur dhe me vendim të Prokurorit pas intervistimit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës, të lëshuar më 09.01.2025.

    Policia e Kosovës ka mbyllur Zyrën ku ka funksionuar Sigurimi DUNAV (Osiguranje), më 08.01.2025. Ky objekt ka funksionuar ilegalisht në Mitrovicën e Veriut.

    Sipas zëvëndësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani është hapur rast në Prokurori për “keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.

    https://kallxo.com/lajm/mbyllet-nje-tjeter-objekt-ilegal-ne-veri-hapet-rast-per-keqperdorim-te-autorizimeve-ekonomike/

     

  • Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

    Katër raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve në Policinë e Kosovës.

    Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Pejë e Gjakovë.

    Në Prishtinë është raportuar se një burrë i ka shkaktuar dhunë psiqike një gruaje pas një mosmarrëveshjeje.

    “Me vendim të Prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në njoftim.

    Në Kryeqytet është raportuar edhe për një rast tjetër, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj një gruaje.

    “Lidhur me rastin janë ndërmarrë veprimet policore për procedurat e mëtejme.” – bën të ditur Policia e Kosovës.

    Ndërsa në Pejë një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje.

    Ndërkohë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se në gjendje të dehur ka tentuar të godasë një burrë tjetër.

    “Lidhur me rastin me vendim të Prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.” – thuhet në Raport.

    Rasti ka ndodhur në Gjakovë.

  • Mbyllja e Zyrës ilegale në Veri, intervistohet një i dyshuar për falsifikim dokumentesh

    Në lidhje me objektin ilegal që funksiononte si ‘Administratë Tatimore’ ilegale në Mitrovicë të Veriut, një person është shoqëruar në Stacionin policor.

    Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes Raportit ditor më 09.01.2025, në të cilin theksohet se pas intervistimit me urdhër të Prokurorit ky person është liruar në procedurë të rregullt.

    “Objekti është mbyllur, ndërsa dokumentet janë sekuestruar deri në një vendim tjetër të Prokurorit.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia e Kosovës ka ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut mëngjesin e së mërkurës, më 08.01.2025. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raporuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si ‘Administratë Tatimore’.

    Partia Lista Serbe ka reaguar në lidhje me mbylljen e institucionit paralel në Mitrovicë të Veriut.

    Mbylljen e objektit që ka funksionuar si ‘Zyrë Tatimore’ nga Serbia, këta të fundit e kanë cilësuar si fushatë parazgjedhore të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura ‘Administrata Tatimore’.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.

  • Mbyllet një tjetër objekt ilegal në Veri, hapet rast për ‘Keqpërdorim të Autorizimeve Ekonomike’

    Policia e Kosovës ka mbyllur zyrën në të cilën ka funksionuar Sigurimi DUNAV (Osiguranje), më 08.01.2025. Ky objekt ka funksionuar ilegalisht në Mitrovicën e Veriut.

    Sipas zëvëndësdrejtorit të Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani është hapur rast në Prokurori për “Keqpërdorim të Autorizimeve Ekonomike”.

    “Sot rreth orës 11:30, Policia e Kosovës ka asistuar zyrtarë të BQK-së në realizimin e një kontrolli, ku ka qenë duke funksionu Sigurimi DUNAV (DUNAV Osiguranje). Pas kontrollit nga ana e tyre, në konsultim me Prokurorin është hapur rasti ‘Keqpërdorim i Autorizimeve Ekonomike’.” – tha Elshani.

    Po në këtë ditë, në mëngjesin e datës 08.01.2025, organet e rendit kanë ndërhyrë në një ndërtesë në Mitrovicë të Veriut. Për këtë objekt KALLXO.com kishte raportuar në nëntor të vitit 2024, se i njëjti funksiononte ilegalisht si administratë tatimore.

    KALLXO.com, më 01.11.2024, ka raportuar për dëshmitë për funksionimin e institucionit paralel ilegal në Mitrovicë të Veriut.

    Ekipi i KALLXO.com verifikoi më 30.10.2024 se në këtë objekt paralel funksiononte e ashtuquajtura “Administrata Tatimore”.

    KALLXO.com hyri brenda këtij objekti paralel, ku kishte punonjës dhe po funksiononte. Për të verifikuar çka po ofrohet konkretisht, gazetarët thanë se “po u duhet certifikata e lindjes që ta nxjerrin letërnjoftimin e Serbisë”.

    “Ky dokument duhet të nxirret në Komunë. Na jena ‘Administrata Tatimore’ këtu zotëri.” – ishte përgjigjja e punonjësve.

    https://kallxo.com/lajm/pas-raportimit-te-kallxo-com-policia-mbyll-institucionin-paralel-ilegal-ne-mitrovice-te-veriut/