Ballina

Autor: Florinda Kelmendi

  • Policia Speciale në sheshin e Mitrovicës së Veriut, Arsenijeviq proteston

    Politikani serb i Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, lider i partisë Demokracia Serbe është parë duke protestuar në Mitrovicën e Veriut më 12.01.2025.

    Protesta është mbajtur si shprehje e revoltës pas pretendimeve se një qytetar serb gjatë arrestimit u keqtrajtua nga pjestarë të Policisë së Kosovës.

    KALLXO.com po qëndron në qendër të Mitrovicës së Veriut dhe sjell pamjet nga vendi i ngjarjes ku ndodhej Policia Speciale.

    Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Policinë e Kosovës por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

    Arsenijeviq në një postim gjatë ditës në rrjetin social Facebook ka pretenduar se një qytetar serb është lënduar fizikisht nga Policia e Kosovës në Leposaviq.

    Ai ka kërkuar hetim dhe transparencë të plotë në lidhje me rastin.

    “Kërkojmë nga institucionet relevante, sidomos Eulex, që urgjentisht të reagojnë, të kryejnë hetim të paanshëm, të ofrojnë ndihmë adekuate mjekësore për Vladimir Djordjeviq dhe të mundësohet transparencë e plotë në këtë rast. Gjithashtu apelojmë tek përgjegjësit që të parandalojnë fshehjen e fakteve dhe të sigurojnë drejtësi për të gjithë qytetarët që janë ekspozuar ndaj veprimeve të tilla”- ka shkruar ai në Facebook.

    Ndaj këtyre pretendimeve ka reaguar Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano i cili është shprehur i shqetësuar me rastin.

    “Thellësisht i shqetësuar nga raportet shqetësuese në lidhje me keqtrajtimin e supozuar të një personi të arrestuar në Soqanicë. Edhe pse EULEX-i nuk është më i mandatuar për të kryer hetime, ne jemi të përkushtuar për rolin tonë të fuqishëm monitorues, duke bërë çdo përpjekje për të hedhur dritë mbi rastin”- ka thënë ai.

  • Skenderaj, akuzohet se e rrahu një 6-vjeçar, Gjykata e dënoi me dënim me burg pedagogun

    Gjykata Themelore e Mitrovicës – dega në Skenderaj e ka dënuar me dënim me burg prej 90 ditësh të pandehurin Z.F., i akuzuar se kishte sulmuar një fëmijë të moshës 6-vjeçare, të dëmtuarin A.B.

    Gjyqtar i lëndës ishte Valon Hajdini.

    Siç njofton Gjykata, rasti ka ndodhur më 11.09.2024 rreth orës 17:00 në rrugën “Sala e Hamit Jashari” në Skenderaj, saktësisht pranë kopshtit të fëmijëve “Foleja”.

    I pandehuri, i cili sipas dosjes e ka të përfunduar Fakultetin e Pedagogjisë Sociale, punëtor në kopshtin “Foleja” në Skenderaj, kishte dalë nga objekti dhe e kishte rrahur fëmijën me pretendimet se ky i fundit i ka goditur pandërprerë xhamat e kopshtit.

    “I pandehuri me dashje e përdor forcën ndaj personit tjetër dhe atë e ka sulmuar viktimën e ndjeshme, fëmijën e moshës gjashtëvjeçare – të dëmtuarin A.B. në atë mënyrë që pasi që viktima ka qenë duke drejtuar biçikletën me shokët e tij pranë kopshtit, i pandehuri del nga objekti i kopshtit dhe godet me shuplakë në faqe si dhe dy herë mbrapa në kokë, me pretendimet se viktima i ka goditur pandërprerë xhamat e kopshtit dhe përkundër që i ka tërhequr vërejtjen disa herë”- thuhet në aktgjykim.

    Tutje, Gjykata njofton se me mbështetje dhe pëlqim të të pandehurit dënimi me burg i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën 1,300 euro, të cilin dënim i pandehuri është i obliguar që ta paguajë brenda afatit prej tre muajsh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    “Në rast se i pandehuri dënimin e zëvendësuar me gjobë nuk e paguan brenda afateve të caktuara nga gjykata, atëherë e njëjta do të zëvendësohet me dënim me burgim siç përcaktohet me nenin 43 par.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, duke iu përllogaritur njëzet euro të dënimit me gjobë, ekuivalent me një ditë burgim”- theksohet në aktgjykimin e Gjykatës së Mitrovicës.

    Sipas aktgjykimit të lëshuar më 19.12.2024, i pandehuri Z.F. ka kryer veprën penale – sulm.

    Çka thuhet në aktakuzën e Prokurorisë?

    Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë më 04.10.2024 pranë Gjykatës së Mitrovicës – dega Skënderaj ndaj të pandehurit Z.F. për shkak të veprës penale – sulmi.

    Si rrodhi procedura penale?

    Më 20.11.2024 Gjykata ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar. Të pranishëm ishin prokurori Shaqir Sedolli, i pandehuri Z.F., mbrojtësi i tij, Liman Tahiraj, përfaqësuesi ligjor – prindi i të dëmtuarit A.B., A.B. dhe zyrtarja nga Qendra për Punë Sociale, Mirjeta Veliu.

    I pandehuri Z.F. është deklaruar se e pranon në tërësi fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

    I pandehuri shtoi se pranimin e fajësisë e bën në mënyrë vullnetare, pa imponim, sinqerisht i kërkon falje palës së dëmtuar dhe përfaqësuesit ligjor të tij – prindit A.B., duke i premtuar Gjykatës se në të ardhmen do jetë më i kujdesshëm dhe nuk do të përsërisë veprime të tilla.

    Arsyeja e goditjes, sipas tij, ka qenë se paraprakisht i ka tërhequr vërejtjen fëmijës mirëpo nuk ka dëgjuar dhe po të thyhej ai xham do të kushtonte 500 euro dhe në qoftë se i kishte goditur fëmijët xhami i thyer, pasojat do të ishin më të rënda.

    Prokurori Shaqir Sedolli i propozoi Gjykatës që pranimi i fajësisë të përdoret si masë lehtësuese për të pandehurin ndërsa si rrethanë rënduese të merret se ky i fundit me profesion është pedagog dhe përkundër këtij fakti ka kryer vepër penale ndaj 6-vjeçarit.

    “I propozoj Gjykatës që të aprovojë këtë pranim fajësie, kërkoj nga Gjykata që të njëjtit t’i shqiptojë një sanksion penal me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit, ndërsa me rastin e caktimit dhe llojit të dënimit si rrethanë lehtësuese të marrë për bazë pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, kërkim faljen e shprehur ndaj palës së dëmtuar dhe prindit të tij në seancën e shqyrtimit fillestar, kurse si rrethana rënduese të marrë parasysh se i njëjti me profesion është pedagog dhe punon me fëmijë edhe përkundër këtij fakti ka kryer vepër penale ndaj fëmijës, viktimë e ndjeshme e moshës 6-vjeçare”- ka thënë Sedolli.

    Përfaqësuesi ligjor-prindi i palës së dëmtuar A.B. ka deklaruar se pajtohet me deklarimin e prokurorit të shtetit, teksa nuk pranoi kërkim faljen nga i pandehuri.

    “Pasi që i njëjti fëmijën tim nuk e ka rrahur para kamerave, por e ka qitë prapa banesave. Kur ka ardhur fëmija im në shtëpi ka qenë i traumatizuar dhe të dy nevojat fiziologjike i ka pasur të kryera, andaj këto janë arsyet që nuk pranoj kërkim faljen nga i pandehuri”- tha ai në seancën fillestare.

    Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Liman Tahiri, ka thënë se si masë lehtësuese duhet të merret pendimi i thellë i klientit të tij e gjithashtu fakti se ai nuk ka qenë më i parë i dënuar.

    “I pandehuri pas konsultimit të mjaftueshëm me mua si mbrojtës i tij ka kuptuar pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë, pranimin e fajësisë e bëri në mënyrë vullnetare andaj Gjykatës i propozoj që ta aprovojë këtë pranim të fajësie kurse si rrethana lehtësuese të merren pendimi i thellë i tij, po ashtu faktin se i njëjti më parë nuk ka qenë i dënuar e po ashtu kërkim faljen ndaj palës së dëmtuar”- tha ai.

    Gjykata njofton se ka shqyrtuar pranimin e fajësisë të cilin e ka deklaruar i pandehuri Z.F. e në mbështetje të nenit 242 par.6 të KPP-së vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për pranimin e fajësisë nga i pandehuri Z.F.

    Tutje Gjykata ka bërë të ditur se i kishte tërhequr vërejtjen të pandehurit se pas pranimit të fajësisë nuk mund të shfrytëzojë të drejtën në ankesë për shkak të konstatimit të gabuar të gjendjes faktike. I njëjti është njoftuar se nëse e pranon fajësinë e humb mundësinë e kundërshtimit të provave në aktakuzë dhe mundësinë për paraqitjen e provave të tjera si dhe për faktin se pranimi i fajësisë, sipas ligjit, është rrethanë lehtësuese që me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit, Gjykata mund të marrë si rrethanë lehtësuese.

  • Kanosja ndaj kryeministrit Kurti, Policia konfirmon arrestimin e një personi

    Një person me iniciale M.R. është arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për veprën penale – kanosje.

    Këtë e konfirmoi për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    “E konfirmojmë arrestimin e M.R. (i lindur më 2004) për rast kanosje. Arrestimi është kryer për interesa të Krimeve të Rënda në Prishtinë”- tha Elshani.

    I pyetur nga KALLXO.com se a është i njëjti rast ku një qytetar serb është ndaluar për 48 orë pasi përmes rrjetit social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti, Elshani tha se nuk e di nëse është për kryeministrin.

    KALLXO.com raportoi për kërcënimin ndaj kryeministrit Kurti dhe se për këtë rast është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb në veri të vendit.

    https://kallxo.com/lajm/kercenohet-kryeministri-albin-kurti-arrestohet-nje-qytetar-serb-ne-veri/

     

  • Kërcënohet kryeministri Albin Kurti, arrestohet një qytetar serb në veri

    21:24

    Kanosja ndaj kryeministrit Kurti, Policia konfirmon arrestimin e një personi

    Një person me iniciale M.R. është arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për veprën penale – kanosje.

    Këtë e konfirmoi për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

    “E konfirmojmë arrestimin e M.R. (i lindur më 2004) për rast kanosje. Arrestimi është kryer për interesa të Krimeve të Rënda në Prishtinë”- tha Elshani.

    I pyetur nga KALLXO.com se a është i njëjti rast ku një qytetar serb është ndaluar për 48 orë pasi përmes rrjetit social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti, Elshani tha se nuk e di nëse është për kryeministrin.

    KALLXO.com raportoi për kërcënimin ndaj kryeministrit Kurti dhe se për këtë rast është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb në veri të vendit.

    19:26

    Kërcënohet kryeministri Albin Kurti, arrestohet një qytetar serb në veri

    Burime brenda Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kanë konfirmuar se një qytetar serb është ndaluar për 48 orë pasi i njëjti përmes rrjetit social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti.

    Siç mëson KALLXO.com, i riu serb, që dyshohet nga Prokuroria, në profilin e tij në “Instagram” ka bërë një postim kërcënues ndaj Kurtit.

    Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes.

    Kjo nuk është hera e parë që kryeministri përballet me kërcënime.

    KALLXO.com kishte raportuar më 2021 se për shkak të një kërcënimi serioz ishin shtuar masat e sigurisë për sigurinë e kryeministrit Kurti.

    Atëherë, afër shtëpisë ku banonte Kurti ishte dërguar Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

    https://kallxo.com/lajm/kercenohet-albin-kurti-njesia-speciale-e-ruan-shtepine-e-tij-foto/

    www.kallxo.com

  • PAMJE- Vendoset pllaka e Komunës së Mitrovicës së Veriut e largohet dokumentacioni nga ish objekti ilegal

    Më 10.01.2025 është vendosur pllaka e Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe është larguar dokumentacioni nga ish-objekti ilegal që funksiononte në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, në Mitrovicë të Veriut.

    Policia e Kosovës mbylli këtë objekt më 26.12.2024, pasi aty dyshohej se bëhej “falsifikim i dokumenteve”.

    Organet e rendit patën njoftuar se kanë gjetur e sekuestruar dokumente dhe shtëpiza kompjuteri, të cilat do të përdoren si “dëshmi”, në procedurën hetimore.

    KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes, kur po largohej dokumentacioni që ishte brenda këtij objekti ilegal. Gjithashtu në afësi të tij po shihen edhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës, më 10.01.2025.

    Vendoset pllaka e Komunës së Mitrovicës së Veriut në ish-objektin paralel te “Tre Rrokaqiejt”, më 10.01.2025
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

     

    Vendoset pllaka e Komunës së Mitrovicës së Veriut në ish-objektin paralel te “Tre Rrokaqiejt”, më 10.01.2025
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

     

    Vendoset pllaka e Komunës së Mitrovicës së Veriut në ish-objektin paralel te “Tre Rrokaqiejt”, më 10.01.2025
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

     

    Largohet dokumentacioni nga ish-objekti ilegal te “Tre Rrokaqiejt”, më 01.10.2025
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

     

    Policia e Kosovës te “Tre Rrokaqiejt”, më 10.01.2025
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

     

    Policia e Kosovës te “Tre Rrokaqiejt”, më 10.01.2025,
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

     

    Policia e Kosovës te “Tre Rrokaqiejt”, më 10.01.2025
    Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com