Ballina

Autor: Florinda Kelmendi

  • ‘Polici i Lagjes’ – largohet një Deponi ilegale në Mitrovicë të Veriut

    Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me banorë të lagjes, kanë identifikuar një deponi ilegale që kishte shqetësuar banorët e zonës.

    Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës, më 15.01.2025, ku theksohet se iniciativa për ta larguar është marrë në kuadër të detyrave të përcaktuara për Policët e Lagjes, që përfshijnë identifikimin dhe adresimin e problemeve të komunitetit.

    “Me angazhim dhe me bashkëpunim të ngushtë me komunitetin dhe institucionet relevante është ndërmarrë një aksion për pastrimin e kësaj Deponie. Ky veprim synon përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të sigurt.” – thuhet në njoftim.

    Policia e Komunitetit apelon qytetarët që të raportojnë çdo shqetësim, që ndikon në cilësinë e jetesës në lagjet e tyre.

    Në nëntor, KALLXO.com pati raportuar se secila pjesë në Komunat veriore do ta ketë policin e vet, për të raportuar çdo shqetësim.

    Policia kanë bërë të ditur se në Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq do të ketë policë të Sektorit (që përbën disa lagje), ku banorët e Sektorit përkatës do të kenë mundësi të raportojnë secilin rast te Polici i tyre.

    https://kallxo.com/lajm/polici-i-lagjes-secila-pjese-ne-komunat-veriore-do-ta-kete-policin-e-vet-per-te-raportuar-cdo-shqetesim/

  • Prokuroria e Mitrovicës pret kërkesën e Policisë për bastisjet në rajonin e Mitrovicës

    Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele, të mërkurën, më 15.01.2025.

    Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha për KALLXO.com se për bastisjet në objektet e strukturave paralele në rajonin e Mitrovicës, Prokuroria e Mitrovicës vetëm është informuar nga Policia, teksa kërkesë zyrtare nuk ka pasur.

    Ai shtoi se kërkesa pritet të bëhet ndërkohë.

    “Prokurori kujdestar vetëm është njoftuar nga Policia, por kërkesë nuk ka pasur. Pritet që kërkesa të bëhet e pastaj të vendoset më tutje.” – tha Preteni për KALLXO.com.

    Po ashtu KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

    Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje – jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhërin përmes telefonit.

    Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

    https://kallxo.com/lajm/aksion-i-policise-ne-kater-komuna/

     

  • Kryeministri i ri i Francës: Do rinegociojmë planin për të rritur moshën e pensionit

    Kryeministri i Francës François Bayrou njoftoi të martën se do të rinegociojë planin për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 65 vjeç, një lëvizje që vlerësohet e rëndësishme për të siguruar stabilitet për qeverinë e tij të pakicës.

    Në fjalimin e tij të parë para ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare, Kryeministri Bayrou tha se “ka vendosur ta rihapë këtë çështje”.

    Ai u zotua se do të kërkojë “një rrugë të re për reforma, pa patur ndonjë tabu as kur bëhet fjalë për çështjen e moshës së pensionit”, përderisa financat për ndryshimin janë të garantuara.

    Plani i Presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën për të dalë në pension nxiti protesta masive nga janari deri në qershor të vitit 2023.

    Çfarë po propozon Kryeministri Bayrou?

    Kryeministri duhet ta miratojë me urgjencë buxhetin për vitin 2025. Pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme u miratua një ligj emergjence që t’i mundësonte qeverisë mbledhjen e taksave duke filluar nga 1 janari, pagimin e shpenzimeve bazë për të shmangur mbylljen e qeverisë.

    Megjithatë, vetëm një buxhet i rregullt mund të ndihmojë në zvogëlimin e deficitit buxhetor të Francës dhe të mundësojë shpenzime kyçe si për shembull marrjen e masave mbrojtëse që janë të nevojshme si rezultat i luftës në Ukrainë.

    Kryeministri Bayrou gjithashtu ka nënvizuar nevojën që Franca dhe Bashkimi Evropian të vazhdojnë të mbeten të fuqishme pas komenteve të bëra së fundmi nga Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump.

    “Vetë Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, në mënyrë të paprecedent, ka bërë kërcënime për të aneksuar territore sovrane: Groenlandën, Kanalin e Panamasë si dhe Kanadanë”, tha kryeministri, duke shprehur keqardhje për këto komente.

    Tregjet financiare, agjencitë që vlerësojnë aftësitë kreditore të vendeve dhe Komisioni Evropian po i bëjnë trysni Francës që t’i përmbahet rregullave të bllokut për të kufizuar borxhin dhe për të mos lejuar daljen jashtë kontrollit të kostos së huamarrjes. Kjo do të rrezikonte ekonominë e vendeve të eurozonës.

    Deficiti i Francës pritet të arrijë në 6% të prodhimit të brendshëm bruto të vitit 2024. Kryeministri tha të martën se qeveria synon të mbajë deficitin në nivelin 5.4% me qëllim që deri në vitin 2029 ta ulë në 3%, sipas rregullave të BE-së.

    “Do të propozohen shkurtime të mëdha të shpenzimeve”, tha ai pa dhënë detaje konkrete.

    Pse janë bisedimet për reformat e pensionit me rëndësi kyçe?

    Reforma për ligjin e pensionit, që u miratua në prill të vitit 2023, pavarësisht protestave masive, është zbatuar gradualisht.

    Socialistët i kërkuan Kryeministri Bayrou të shpallte “pezullimin” e reformës që rrit moshën e daljes në pension dhe të vendosë masa të posaçme për ata që kanë karriera të gjata dhe disa profesione që vlerësohen si punë të vështira.

    Kryeministri Bayrou nuk e mori këtë vendim të martën, megjithatë propozimi i tij për të rinegociuar duket si një dorë e shtrirë drejt së majtës.

    Kryeministri i ri dëshiron të sigurojë një pakt me socialistët për të shmangur sulmet, në mënyrë që ata të mos mbështesin asnjë lëvizje të ardhshme për të rrëzuar qeverinë e re.

    Ai sugjeroi se mosha 64 vjeçare, që ishte ndryshimi më i kritikuar, mund të ulej në varësi të rezultatit të negociatave.

    “Ne nuk mund ta përkeqësojmë bilancin financiar” të sistemit të pensioneve, këmbënguli Kryeministri Bayrou.

    Në anën tjetër të spektrit politik, konservatorët kanë paralajmëruar kundër pezullimit të ndryshimeve në lidhje me pensionet.

    “Nëse do të anulonim reformën e pensioneve, kostoja do të ishte 3.4 miliardë euro më 2025 dhe pothuajse 16 miliardë më 2032”, tha presidenti i senatit Gérard Larcher, një konservator.

    A mund të rrëzohet sërish qeveria?

    Kabineti i Kryeministri Bayrou mbështetet në një marrëveshje të brishtë midis aleatëve të qendrës së Presidentit Macron dhe konservatorëve të partisë Republikane, të cilët edhe po u bën bashkë nuk kanë shumicë parlamentare.

    Qeveria e mëparshme ishte në pushtet vetëm për tre muaj përpara se të rrëzohej nga ligjvënësit e opozitës si nga e majta ashtu edhe nga e djathta ekstreme mes një mosmarrëveshjeje buxhetore.

    Këtë herë, socialistët thanë se ishin të hapur për bisedime me Kryeministrin Bayrou ndërsa qëndronin në opozitë.

    Kreu i grupit socialist në Asamblenë Kombëtare, Boris Vallaud, tha se partia e tij pranon ofertën për të rihapur negociatat mbi ndryshimet në ligjin për pensionet. Megjithatë, ai paralajmëroi se qëllimi ende ishte tërheqja e reformës dhe për rrjedhojë ulja e moshës së pensionit në 62 vjeç.

    Ndërkohë, mundësia për një tjetër votë mosbesimi është ende një mundësi.

    Partia e fuqishme e majtë ‘Franca e Padorëzuar’ refuzoi të hynte në bisedime me qeverinë dhe njoftoi se do të paraqiste një mocion mosbesimi.

    “Sa më shpejt të largoheni, aq më mirë”, i tha Kryeministrit Bayrou Mathilde Panot, drejtuesja e grupit të ligjvënësve të së majtës “Franca e Padorëzuar”.

    A ka ende fuqi e djathta ekstreme?

    Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, rivalja më e ashpër e Presidentit Macron luajti rol të rëndësishëm në rrëzimin e qeverisë së mëparshme.

    Kryeministri Bayrou u konsultua me të kur formoi qeverinë e re dhe zonja Le Pen mbetet një forcë e fuqishme. Partia e saj “Bashkimi Kombëtar” ka grupin më të madh si subjekt i vetëm politik pa një koalicion në Asamblenë Kombëtare, dhomën e ulët të fuqishme të parlamentit të Francës.

    Ditët e fundit, qeveria e Kryeministri Bayrou u përpoq të mënjanonte zonjën Le Pen duke negociuar në vend të kësaj me socialistët, të gjelbërtit dhe komunistët për çështjet e buxhetit.

    Ligjvënësi i “Bashkimit Kombëtar” Jean-Philippe Tanguy tha se “vijat e kuqe” mbeten të njëjta. Partia tha se do të kundërshtojë çdo buxhet që do të rrisë koston e mjekimeve, do të sigurojë më shumë kujdes shëndetësor për emigrantët që qëndrojnë ilegalisht në vend dhe do të vendosë taksa të reja për bizneset.

    “Ne u themi francezëve: prisni, ne po arrijmë”, tha zoti Tanguy.

    Por zonja Le Pen do të përballet me probleme të tjera në muajt në vijim pasi një vendim i gjykatës në mars mbi financimin e dyshuar të paligjshëm të partive mund ta ndalojë atë të kandidojë për postin e Presidentit./ VOA

  • Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të mërkurën

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njofton se më 15.01.2025 do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë

    1.

    Nga NS 220/35/10 kV Podujeva do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Bajqinë-Pollatë (kodi: 14000014) nga ora 11:00 deri 13:30

    Vendet: Buzëllap, Doberdol, Kërpymeh, Metehi, Repë, Pollatë, Dvorishtë, Zhiti, Sylevicë, Brecë, Tërnavicë, Marincë, Bradash, Peran, Bajqinë, Murgull, Pakashticë e Poshme dhe rr,Vlora.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri –  punime në NS 10/0.4 kV Bajqinë te shkolla – instalimi i daljeve të reja 0.4 kV.

    Pejë

    1.

    TS 110/10 kV Peja 2 do të ndërprehet:

    TS 10/0.4[kV] Zatrat 1 (kodi: 51000002008) nga ora 10:00 deri 16:00

    Vendet:  Zatra 1.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, rritje e kapaciteteve.

    Mitrovicë

    1.

    Nga TS 110/10 kV Vushtrria 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Ekstra (kodi: 73000006) nga ora 11:00 deri 14:00

    Vendet: rr.Bahri Kuqi, Shote Galica, Azem Bejta, Lutfi Musiqi, Shales, Drenicës, Adnan Shyti, Hoxh Kadri Prishtina, 2Maji, Osman dhe Shaban Bunjaku dhe fshati Begaj.

    Arsyeja:  Ndërprerje per siguri- Vendosja e një shtylle 12/1000 në linjen ekzistuese.

    2.

    Nga TS 110/10(20) kV Skenderaj do të ndërprehet:

    Dalja 20kV H01 Runiku (kodi: 74000005) nga ora 12:00 deri 14:00

    Vendet: Klinë e Epër, Lagjet Mecini, Berani, Qubrel, Kotorr, Vitak, Kastriot, Runik, Banjë, Surigan, Qitakët, Leqinë dhe Terrnovë.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, kontrollimi dhe testimi i sistemit SCADA.

    1.

    Nga NS 110/10[kV] Vushtrria 2 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV  Nadakovc (kodi:73000014) nga ora 10:00 deri 16:00

    Vendet: Btp Petroll, te Përmendorja e Hamdi Feratit, Nadakovc- Gubetini, Nadakovc-Blinda, Naser Imeri, Sfaraqak dhe lagjja Xhafaj.

    Arsyeja:  Projekte investive, ngritja e shtyllave, te reja te betonit dhe energjizimi i pjesshëm për projektin LOT 2 Mitrovica-Nadakofci-22 MV1-02/702.

  • Masa të rrepta sigurie për inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump

    UASHINGTON – Me dyzet e tetë kilometra gardhe të përkohshme, 25,000 oficerë policie dhe postblloqe sigurie të vendosura për të kontrolluar qindra mijëra spektatorë, Uashingtoni është bërë gati për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump javën e ardhshme.

    Ceremonia e betimit në shkallët e Kapitolit dhe parada deri tek Shtëpia e Bardhë do të zhvillohen të hënën, pas një fundjave me protesta nga kundërshtarët e zotit Trump dhe tubime festive të përkrahësve të presidentit republikan.

    Inaugurimi vjen pas një fushate zgjedhore gjatë të cilës ndodhën dy përpjekje për atentat ndaj zotit Trump, përfshirë njërin, kur plumbi i preku shkarazi veshin, duke i shkaktuar një plagë të lehtë, si dhe pas sulmeve të natës së Vitit të Ri në disa qytete. Në një nga këto sulme, 14 persona u vranë dhe dhjetra u plagosën kur një veteran i ushtrisë amerikane goditi me makinë turmën që po festonte për Vitin e Ri në Nju Orlins. Po të njëjtën ditë, një ushtar amerikan hodhi në erë makinën Tesla Cybertruck para hotelit që mban emrin e Trumpit në Las Vegas, duke vrarë veten.

    “Po operojmë në një mjedis me kërcënime të shtuara”, deklaroi të hënën agjenti përgjegjës nga Shërbimi Sekret amerikan.

    Ceremonia e inaugurimit, kur zoti Trump bën zyrtarisht betimin para ligjvënësve të Kongresit, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, zyrtarëve të administratës së re dhe dhjetëra mijëra të pranishmëve, bëhet në shkallët e Kapitolit, përballë Monumentit të Uashingtonit.

    Ky është vend i njëjtë ku, më 6 janar të vitit 2021, mijëra përkrahës së zotit Trump thyen xhamat, u përplasën me policinë dhe i detyruan ligjvënësit të kërkojnë strehim, ndërsa synonin të përmbysnin humbjen e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.

    Rivalja e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2024, Nënpresidentja Kamala Harris, e pranoi humbjen në zgjedhet e 5 nëntorit, ndryshe nga zoti Trump, i cili vazhdon të bëjë pretendime të rreme se humbja e tij erdhi si rezultat i mashtrimit.

    Frika nga sulmuesit që veprojnë vetëm

    Zyrtarët e sigurisë thonë se nuk janë të vetëdijshëm për ndonjë kërcënim specifik ndaj ceremonisë së inaugurimit. Ata janë të shqetësuar për sulmuesit që veprojnë vetëm, siç ishte rasti me autorin e sulmit në Nju Orlins, apo në dy incidentet e javës së kaluar. Në njërin incident, një person u arrestua ndërsa u përpoq të hynte në Kapitol me një thikë të madhe. Në incidentin tjetër, një person tjetër u përpoq të ndizte një zjarr në afërsi të Kapitolit, sipas policisë së Kapitolit.

    “Kërcënimi nga autorë që veprojnë të vetëm mbetet arsyeja jonë kryesore për këtë gjendje të shtuar sigurie përgjatë javës së ardhshme”, deklaroi shefi i policisë së Kapitolit, Thomas Manger.

    FBI-ja dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare paralajmëruan policinë në mbarë vendin për rreziqet ndaj sulmeve që përpiqen të kopjojnë incidentin në Nju Orlins.

    Një pjesë e madhe e qendrës së Uashingtonit – që shtrihet rreth 3 kilometra nga Shtëpia e Bardhë deri tek Kapitoli – do të jetë e mbyllur për makinat. Pikat kyçe për të hyrë në këtë zonë do të bllokohen me barrikada çimentoje, kamionë dhe materiale të tjera të rënda.

    Gardhi prej 48 kilometrash, me lartësi 2 metra, i menduar për të penguar ngjitjen mbi të, do të jetë më i gjati i vendosur ndonjëherë në Uashington, sipas zyrtarëve. Rreth 7,800 pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe 4 mijë oficerë policie nga departamente të tjera janë dislokuar në mbarë vendin për të përforcuar sigurinë.

    Ndërkohë disa nga banorët e kryeqytetit, ku 90 për qind e votuesve mbështetën kandidaten demokrate Harris, po bëhen gati ta kalojnë fundjavën tre ditore, e cila përfshin edhe ditën e hënë, që është ditë pushimi në Shtetet e Bashkuara, jashtë qytetit, apo në shtëpi për t’u ikur turmave.

    Rreth 70 për qind e 34,500 dhomave të hoteleve që ka Uashingtoni janë rezervuar për natën para dhe pas inaugurimit, në bazë të të dhënave të javës së kaluar. Për inaugurimin e zotit Trump në vitin 2017, 95 për qind e dhomave të hoteleve ishin rezervuar dhe rreth 78 për qind për inaugurimin për mandatin e dytë të Presidentit Barack Obama në vitin 2013.

    Protestat dhe tubimet

    Ceremonia e inaugurimit e zotit Trump në vitin 2017 u karakterizua me protesta masive dhe kundër protesta.

    Marshi i Grave, një ditë pas ceremonisë, mblodhi qindra mijëra persona në rrugët e Uashingtonit – dhe edhe më shumë, në marshime tjera solidarizuese në mbarë vendin.

    Një turmë shumë më e vogël, me 25 mijë pjesëmarrës, pritet të mblidhet në Marshin e Popullit në Uashington të shtunën, sipas shefes së policisë së kryeqytetit, Pamela Smith.

    Mijëra protestues protet të marrin pjesë në dhjetëra protesta apo tubime të tjera, të cilave u kanë dhënë leje zyrtarët vendorë për t’u zhvilluar në nga e shtuna deri të hënën, përfshirë një tubim në përkrahje të zotit Trump që do të mbahet të dielën në një sallë me kapacitet prej 20 mijë vendesh.

    Profesorja e Harvardit, Juliette Kayyem, e cila shërbeu si zyrtare sigurie gjatë administratës së Presidentit Obama, tha se zyrtarët duket se po ndjekin një praktikë standarde duke bërë plane për të gjitha situatat.

    “Planifikimi bëhet duke patur parasysh skenarin më të keq, por dyshoj që do të ketë diçka të tillë, gjë që është lajm i mirë”, thotë ajo. “Sa i përket planifikimit, gjithmonë është më mirë të bësh më shumë se më pak”./ VOA