Ballina

Autor: Emirjeta Vllahiu

  • Detaje rreth letrës që Biden ia la Trumpit në Zyrë

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar të martën se ish-presidenti, Joe Biden ia ka lënë një letër brenda tavolinës së punës në Shtëpinë e Bardhë – duke vazhduar një traditë të Ditës së Inaugurimit – bën të ditur të enjten, më 23.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Trump ka njoftuar se e ka hapur letrën të hënën mbrëma dhe se po mendonte që ta publikonte. Ai ka thënë se Biden e ka këshilluar që ta shijojë mandatin dhe se ka spikatur rëndësinë e detyrës.

    “Në të thuhet ‘Numrit 47’” – ka bërë të ditur Trump. “Ishte një letër shumë e këndshme… thjesht një letër e tipit frymëzues. Shijoje! Bëj punë të mirë! E rëndësishme, shumë e rëndësishme, është detyra.”.

    Ndërkaq, Trump ka ndarë ekskluzivisht për median Fox News të mërkurën përmbajtjen e letrës, që Biden ia la pas largimit nga Zyra Ovale në fillim të kësaj jave.

    Letra të cilën Trump e gjeti në tavolinën e punës në Zyrën Ovale me ndihmën e korrespondentit të lartë të Fox News në Shtëpinë e Bardhë, Peter Doocy, i drejtohet me “I dashur President Trump” dhe vijon, si më poshtë:

    “Ndërsa largohem nga kjo Zyrë e shenjtë, ju uroj ju dhe familjes suaj më të mirat në katër vjetët e ardhshme. Populli amerikan dhe njerëzit në mbarë botën shikojnë nga kjo shtëpi qëndrueshmëri në stuhitë e pashmangshme të historisë dhe lutem se katër vjetët e ardhshme do të jenë një kohë prosperiteti, paqeje dhe hirësie për kombin tonë.” – ka raportuar Fox News.

    “Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë ashtu siç e ka bekuar dhe udhëzuar vendin tonë të dashur, që nga themelimi.” – shkruan, ndër të tjera, në letrën që e ka publikuar Fox News.

    Kurse, Biden ka thënë se Trump i ka lënë një “letër shumë bujare”, por deri më tani ka refuzuar të ndajë përmbajtjen e asaj që shkroi Trump – duke e konsideruar atë si private.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • ‘House of Kosovo’ hapet në Forumin Ekonomik Botëror në Davos

    Në Forumin Ekonomik Botëror, dy biznesmenë shqiptarë, Esat Lika dhe Ertion Axha, i japin shije Kosove rezortit luksoz zviceran.

    Natën e vonshme të 19 janarit, përballë maleve me borë, flamuri i Kosovës u ngrit krahas atij zviceran në Davos në përgatitje për Forumin Ekonomik Botëror (FEK), që nis më 20 janar në një rezort luksoz skijimi.

    Prej 20 deri më 24 janar 2024, derisa konferenca e Davosit mbledh lojtarët kryesorë ekonomikë dhe përfaqësuesit qeveritarë, Kosova po hap hapësirën e saj “House of Kosovo” kryesisht fal dy zhvilluesve të suksesshëm të patundshmërive, Esat Lika nga fshati Carrabreg në Kosovë dhe Ertion Axha nga Durrësi në Shqipëri.

    Këta dy merren me biznesin e patundshmërive dhe ia kanë dalë të sigurojnë një shesh prej 11.500 metrash katrorë të një ish-sanatoriumi, që ndodhet rreth 800 metra larg prej Sallës së Kongresit të FEK-ut, me synim ta kthejë në një resort luksoz.

    “Për ta kthyer këtë hapësirë në kontekst, vetëm 25 vende në botë ia kanë dalë të kenë ‘Shtëpinë’ e tyre dhe shumica prej tyre nuk e kanë këtë hapësirë. Kemi punuar fort gjatë dhjetë ditëve të kaluara duke rinovuar rreth dy mijë metra katrorë të “House of Kosovo” për të shfaqur vendin tonë në dritën më të mirë të mundshme kur kompanitë kryesore të botës ta vizitojnë Forumin”, ka thënë Axha, anëtar bordi i “Neue House AG”.

    Sanatoriumi “The Queen Alexandra”, ku sot janë vendosur flamujt e Kosovës dhe Zvicrës krah njëri-tjetrit, kishte shërbyer si frymëzim për romanin “Mali magjik” të Thomas Mannit të botuar më 1924.

    Një shekull më vonë, po josh imagjinatën e njerëzve përsëri dhe më 9 janar televizioni publik zviceran emetoi një storie prej 5 minutash për investimin e ri prej 150 milionë eurosh që “Neue House” do ta bëjë në këtë ndërtesë dhe në rrethinën e saj.

    Por zor se dikush e di se ky ish-spital do të përfaqësojë “House of Kosovo” gjatë konferencës së Davosit, dhe krejt kjo për shkak se zhvilluesit e patundshmërive janë nga Kosova dhe Shqipëria.

    Pas heqjes së një pajisjeve mjekësore, muret e njërit krah të ndërtesës janë dekoruar me piktura dhe fotografi të artistëve nga Kosova. Hapësirë do të jetë vend ku do të mbahen një seri diskutimesh, që përfshijnë folës, si dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ekspertë të tjerë ekonomie.

    Nuk është hera e parë që zyrtarët e Kosovës marrin pjesë në këtë forum, por është e para herë që Kosova do ta ketë hapësirën e saj.

    Vendosja e flamurit të Kosovës pranë flamurit të Zvicrës përballë Shtëpisë së Kosovës në Davos. Foto: Prishtina Insight

    Axha dhe Lika ishin takuar gjatë studimeve në Universitetin Amerikan në Bullgari, dhe bashkë ia dolën ta ngrehnin një biznes prej 350 punëtorësh, duke zhvilluar prona në mbarë Zvicrën, përfshirë hotele me pesë yje dhe ndërtesa banimi.

    Lika e nisi i vetëm një biznes skelash më 2012 pasi kishte diplomuar për Master në Marketing Ndërkombëtar në Mbretërinë e Bashkuar.

    Më 2014, pati një aksident serioz pasi kishte rënë nga skelat dhe përvoja pothuajse vdekjeprurëse ia mbushi mendjen të hiqte dorë prej kësaj pune dhe të hapte një kompani patundshmërish duke bërë emër në treg me blerjen e pronës në rajone të thella, ku zhvilluesit e patundshmërive në Zvicër rrallëherë do të shihnin interes.

    Axha, në anën tjetër, kreu studimet Master në Inxhinieri Elektronike në Universitetin e Londrës Lindore.

    Babai i Likës ishte tregtar drunjsh në Deçan në perëndim të Kosovës. Babai i Axhës ishte inxhinier në hekurudhat shqiptare. Me sfond e tyre familjar prej zanatlinjve, Lika dhe Axha shihnin mundësi aty ku të tjerët shihnin vetëm rrezik. Ata nuk dinin fare gjermanisht kur erdhën në Zvicër, por kjo nuk ua ndali hovin që të krijonin një biznes me seli afër Cyrihut, që tani zhvillon projekte patundshmërive në 15 kantone zvicerane.

    Axha shpalos se krahas punës me zhvillimin e ish-sanatoriumit në një hotel me pesë yje dhe ndërtimit të vilave të reja luksoze në rrethinën e tij, planifikojnë t’u ofrojnë dy vendeve të prejardhjes, Kosovës dhe Shqipërisë, një shtëpi të përhershme në këtë pronë, me qëllim që këto dy vende të mund të paraqesin gjithnjë projektet e tyre ekonomike, por edhe ato kulturore, në Forumin Ekonomik Botëror.

    “Kosova dhe Shqipëria kanë diasporë të jashtëzakonshme këtu (në Zvicër). Të dy qeveritë duhet të mësojnë si të përdorin këtë diasporë për të ngritur profilin e ekonomisë së Kosovës dhe të Shqipërisë në rajon dhe botërisht – ne e kemi bërë këtë projekt për të treguar se vendet tona mund të jenë në hap me shumicën e lojtarëve seriozë në këtë forum”, ka thënë Axha.

    Ai spikat se kompania e tyre mund t’ia ofrojë këtë ndihmë Kosovës për shkak se Zvicra është treguar jashtëzakonisht mikpritëse me ta.

    “Sistemi zviceran na ka bërë këta që jemi sot  dhe ne jemi të integruar mirë këtu, ne jemi krenarë që e kemi bërë këtë vend shtëpinë tonë të dytë. Por pastaj, nëse mundemi, duhet të bëjmë diçka për vendlindjen tonë, e jo vetëm të presin që të bëjë diçka për ne”, ka shtuar ai.

    Lika dhe Axha besojnë se të huajt, veçmas imigrantët, rrallëherë mund të depërtojnë në strukturat e vjetra financiare të vendeve të kamura, si puna e Davosit.

    “Kjo është arsyeja pse depërtimin në këtë treg pronash, që rrallëherë ndodh me njerëzit jashtë kantonit, e lëre më me të huajt, ne duhet ta përdorim këtë mundësi për të ndarë fuqinë tonë me vendet tona të lindjes”, ka shtuar Axha.

    Përmbajtja që do të paraqitet në këtë hapësirë është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës. Sipas dokumentit që mund të gjendet në ueb-faqen e “House of Kosovo” në Davos, Qeveria do t’u kërkojë investitorëve të huaj t’u hedhin një sy “shtatë sektorëve strategjikë… me avantazhe  të fuqishme konkurrence”, si tekstili, veshmbathja dhe moda, ICT-ja, agrikultura, minierat dhe energjia e ripërtërishme.

    “The House of Kosovo” është e hapur deri më 24 janar, kur edhe mbaron Forumi Ekonomik Botëror.

    Artikulli fillimisht është publikuar në Prishtina Insight. 

    Nga anglishtja: Rexhep Maloku

  • Pse SHBA-ja, nën Trumpin, duhet të nënshkruajë një marrëveshje sigurie me Kosovën

    Një marrëveshje sigurie ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës do të përbënte fitore të dyfishtë për të dy shtetet  – dhe do t’i shkonte për shtat qasjes transkasionale të Donald Trumpit ndaj politikës së jashtme.

    Shtetet e Bashkuara dhe Kosova duhet të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe të sigurisë që të fuqizojnë nivelet aktuale të bashkëpunimit të sigurisë, jo vetëm si simbol miqësie, por si pjesë e një strategjie për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, për të lartësuar shtetësinë e Kosovës dhe avancuar lidershipin amerikan në Ballkanin Perëndimor. Dhe Donald Trumpi është në vendin e duhur për ta jetësuar këtë.

    Shtetet e Bashkuara kanë demonstruar zotimin e tyre për mbrojtjen e Kosovës, dhe krejt së fundmi me autorizimin në Kongres të trajnimeve ushtarake, sipas Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare më 2024 dhe me aprovimin e blerjes nga Kosova të 246 raketave anti-tank “Javelin”, në vlerë prej 75 milionë dollarësh, për të fuqizuar deterencën (mbrojtjen parandaluese, shënim i përkthyesit).

    Një marrëveshje dypalëshe sigurie do të ndërtonte një zinxhir furnizimi të sigurisë që do të garantonte qasjen e Kosovës në asetet amerikane, njëherësh duke fuqizuar edhe lidershipin amerikan në rajon. Do ta ndihmonte njashtu rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, aleanca kryesore e sigurisë në botë.

    Zhvillimi i vazhdueshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpërmjet konsultimeve të rregullta në nisma shkollimi ushtarak, manovra të përbashkëta, reagime krizash dhe misione ndërkombëtare paqeruajtëse do ta lidhin Kosovën me standardet operacionale të NATO-s.

    Për më tepër, ngritja e mbështetjes amerikane nëpërmjet Ekipit Ndërlidhës dhe Këshillimor të NATO-s do të ndihmonte Kosovën me trajnime në logjistikë, prokurim dhe lidership. Formalizimi i partneritetit të sigurisë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, sipas doracakëve të NATO-s, do të fuqizonte stabilitetin rajonal dhe do t’u kundërvihej operacioneve maline të Rusisë në rajon.

    Kosova duhet të marrë gjithashtu trajnime dhe mbështetje në kapacitete kibernetike, sidomos në inteligjencë të kërcënimit kibernetik, mbrojtje të infrastrukturës kritike dhe ndarje teknologjie dhe prokurim.

    Një marrëveshje dypalëshe duhet të qendërsohet në avancimin e shkathtësive të personelit, avancimin e kornizave të qeverisjes, përmirësimin e reagimit ndaj incidenteve dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s. Përderisa Kosova kualifikohet për bashkëpunim dhe trajnim të sigurisë kibernetike sipas Aktit amerikan të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, një marrëveshje dypalëshe zyrtare sigurie do të garantonte mbështetje në planin afatgjatë.

    Megjithatë, Kosova duhet të punojë në përditësimin e Strategjisë së saj të Sigurisë Kibernetike dhe pocizionimin e Agjencisë së saj të Sigurisë Kibernetike për t’iu kundërvënë operacioneve maline dhe agresioneve kibernetike.

    Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike e Kosovës duhet të jetë partnere me institucione akademike për të zhvilluar një radhë profesionistësh të kibernetikës për t’u kyçur në sektorin publik. Kosova duhet të ketë gjithashtu qasje në platformat e ndarjes së informacioneve dhe të zgjerojë bashkëpunimin brenda shkëmbimeve rajonale, si forumi i Bashkëpunimit i Sigurisë në Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit.

    Mundësitë dhe rreziqet

    Një marrëveshje dypalëshe do të bazohej në marrëveshjet ekzistuese ndërmjet SHBA-së dhe partnerëve të tjerë. Në vazhdën e invazionit të Rusisë në Ukrainë, SHBA-ja ka nënshkruar, ndaras, marrëveshje sigurie me aleatët e NATO-s, Finlandën, Danimarkën dhe Suedinë, dhe një marrëveshje tjetër të detyrueshme dhjetëvjeçare me Ukrainën.

    Bazuar në Traktatin e Mbrojtjes së Përbashkët, të vitit 1951 ndërmjet SHBA-së dhe Filipineve, në nëntorin e vitit 2024 SHBA-ja dhe Filipinet nënshkruan Marrëveshjen e Përgjithshme Ushtarake për të zgjeruar ndarjen e informacioneve dhe të dhënave të inteligjencës ushtarake, dhe teknologjive të mbrojtjes si kundërvënie ndaj agresionit të Kinës.

    Marrëveshjet e tilla reflektojnë preferencat amerikane për përfshirje të partnerëve dhe aleatëve mbi baza dypalëshe bashkëpunimi. Një marrëveshje sigurie SHBA-Kosovë do të sinjalizonte zotimin amerikan për bashkëpunim ndërshtetëror me Kosovën, partnere pro-amerikane.

    Por Kosova gjithashtu duhet ta kryejë hisen e saj të punës, duke dyfishuar trupën e saj diplomatike, të aftë për t’i bindur shtetet anëtare të NATO-s dhe pesë vendet e Bashkimit Europian, të cilat nuk ia njohin pavarësinë, që ta ndryshojnë krejtësisht kursin dhe t’ia njohin shtetësinë.

    Përderisa SHBA-ja është e përkushtuar që të lartësojë sovranitetin e Kosovës kundrejt përpjekjeve të vazhdueshme delegjitimuese, një marrëveshje dypalëshe sigurie do të formalizonte atë zotim, duke e bërë Kosovën njëherësh përgjegjëse si ofruese e sigurisë.

    Në mungesë të një marrëveshjeje dypalëshe sigurie, armiqtë do ta bëjnë të veten. Rusia kaherë ka zbatuar një strategji të luftës hibride që kombinonin narrativat kulturore strategjike dhe dezinformimin, gënjeshtrat dhe sulmet kibernetike. Kremlini do të vazhdojë të cenojë sovranitetin e Kosovës, të ashpërsojë tensionet etnike në rajonet me shumicë serbe dhe do të minojë integrimin euroatlantik.

    Gjithashtu, është qenësore që SHBA-së të rifuqizojë partneritetet në rajon, në kohën kur investimet strategjike të Kinës në ekonomi dhe infrastrukturë do të mund të shërbenin, nëse kalojnë pa rënë në sy, si alternativë edhe për Shtetet e Bashkuara, edhe për Bashkimin Europian. Kompleksitetet e përfshira në njohjen e Kosovës, të ndërthurura me kontestet gjeopolitike, nënkuptojnë se tashmë është vonuar hapja e një shtegu të ri.

    Përfshirja e drejtpërdrejtë me administratën e Trumpit

    Zgjedhja e Donald Trumpit më 2024 do ta ndërrojë diskursin e politikës së jashtme amerikane që të reflektojë prirjet e tij që për të bërë marrëveshje dypalëshe në vend të marrëveshjeve shumëpalëshe. Por sfidat që janë paraqitur prej boshtit në ngritje ndërmjet Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë Veriore nënkuptojnë se SHBA-së do t’i duhen aleatët në rajonet e kontestuara gjeopolitikisht, si Ballkani Perëndimor.

    Nëse merret për doracak administrata e parë e Trumpit, atëherë ne mund të presim se e dyta e tija do të ndjekë një politikë të jashtme ndërvepruese. Një marrëveshje dypalëshe ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës i shkon fiks për shtat asaj qasjeje.

    Përpjekjet e administratës së parë të Trumpit për të lehtësuar normalizimin ekonomik me Marrëveshjen e Uashingtonit më 2020 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sinjalizoi lidershipin amerikan dhe rrugën përpara.

    Marrëveshja përfshiu 16 pika të fushës ekonomike, solli njohjen diplomatike izraelite të Kosovës, vendosi një moratorium njëvjeçar të qasjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën mosnjohëse të Serbisë, dhe u bëri thirrje të dy vendeve që të lokalizojnë personat ende të pagjetur prej luftës së vitit 1999.

    Megjithëse Marrëveshja e Uashingtonit hasi në pengesa të zbatimit të dobët, administrata e dytë e Trumpit mund të marrë masa të ngjashme si pretekst për normalizim.

    Me mbështetjen e vazhdueshme për institucionet qeverisëse dhe reformat politike të Kosovës, SHBA-ja mund ta ndihmojë Kosovën të shërbejë si një forcë demokracie dhe stabiliteti politik, që është thelbësore për zhvillimin e një ndikimi sigurie.

    Kjo do të inkurajojë investime të reja amerikane në sektorin e mbrojtjes dhe infrastrukturës kritike të Kosovës, do t’u jepte shtytje blerjeve të pajisjeve dhe teknologjive mbrojtëse amerikane nga Kosova dhe manovra të përbashkëta ushtarake.

    Administrata e dytë e Trumpit duhet të përfshijë edhe aleatët tjerë në rajon, veçmas Shqipërinë, dhe aleatë si Britania, që të fuqizohet stabiliteti dhe mbështetja për një front të bashkuar kundër kërcënimeve të përbashkëta.

    Përfshirja e drejtpërdrejtë amerikane dhe angazhimi me aleatët dhe partnerët në rajon dhe gjetiu do të mund të ndihmonin nisjen e proceseve që stagnuan gjatë administratës së Bidenit.

    Përgjatë vitit 2024, Trumpi bëri fushatën për president në emër të realpolitikës “Paqe Nëpërmjet Forcës”, një shprehje latine që shihet në platformat e Partisë Republikane dhe që do të shprehej bujshëm prej ish-presidentit Ronald Reagan, i cili e kishte huazuar prej perandorit romak, Adrian.

    Vënia e theksit te deterenca nga Trumpi dhe preferenca e tij për nisma dypalëshe u shërben interesave amerikane të sigurisë dhe shtetit më pro-amerikan në botë, Republikës së Kosovës. Një Kosovë e pavarur, sovrane, e sigurt dhe stabile do të garantonte pozitën e saj si ofruese sigurie dhe do të fuqizonte rastin e saj për anëtarësim në NATO.

    Nevoja për qasje pragmatike ndaj dialogut që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konsistente me qëllimin e politikës së jashtme të Trumpit për përfitime të prekshme sigurie në vend të diskutimeve të pafundme e idealiste, të shfrytëzuara nga Rusia.

    Një marrëveshje zyrtare sigurie ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do t’i sillte stabilitet Ballkanit Perëndimor, duke promovuar demokracinë, zhvillimin, reformën në sektorin e sigurisë dhe bashkëpunimin e sigurisë. Gjithashtu, do të shërbente si kundërmasë e fuqishme ndaj forcave armiqësore që kërcënojnë të minojnë rajonin dhe t’ia prenë udhën SHBA-së.

    Administrata e dytë e Trumpit do të pozicionet për të lidhur marrëveshje dypalëshe sigurie, duke përdorur si levë kornizat ekzistuese dhe duke zgjeruar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe të sigurisë. Dhe bash tani është momenti për aksion vendimtar.

    Avancimi i partneritetit SHBA-Kosovë nuk është thjesht një opsion; më fort është domosdoshmëri për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe për të siguruar vendin e drejtë të Kosovës në rendin euroatlantik.

    (Dr. Chris Dolan, doktor shkence, është profesor asistent në Shkollën e Çështjeve Publike në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. Hulumtimi i tij shkencor qendërsohet në NATO-n, bashkëpunimin e mbrojtjes dhe të sigurisë, mbrojtjen kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kombëtare amerikane dhe sigurinë e brendshme. Ai dy herë ishte përfitues i programit amerikan studimor, Fulbright (në Maqedoninë e Veriut më 2022; në Kosovë më 2019-2020. Më 2024, Dolan, mbështetur nga programi studimor i Departamentit të Shtetit, Fulbright, punoi si specialist në mbrojtjen kibernetike dhe infrastrukturën kritike me Qendrën Kosovare për Studime Sigurie (KCSS) në Kosovë. Më 2023, ai botoi dy libra: “NATO, the U.S., and Cold War 2.0” dhe “The Politicis of U.S. Foreign Policy and NATO”.

    Dr. Arben Hajrullahu është rektor i Universitetit të Prishtinës dhe profesor i Shkencave Politike. Në kuadër të programit Fulbright Hubert Humphrey ka shërbyer në Universitetin e Karolinës Veriore në Chapel Hill dhe si ligjërues mysafir në Qendrën Ndërkombëtare për Studiues, “Woodrow Wilson”, në Uashington DC.)

    Opinionet e shprehur janë të autorëve dhe jodomosdsoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e BIRN-it.

    Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight.

    Nga anglishtja: Rexhep Maloku