Ballina

Autor: Egzon Dahsyla

  • Ministria e Financave me 25 milionë euro kredi nga BERZH-i për impiantin e ujërave të zeza në Podujevë

    Ministria e Financave do të marrë  një kredi të re nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.

    Sipas njoftimit, projekti përfshin ndërtimin e një impianti të madh që do t’i shërbejë një popullate deri në 50 mijë banorë, si dhe ndërtimin e një impianti në shkallë të vogël, për trajtimin e ujërave të zeza dhe përmirësimin e rrjetit lokal të kanalizimeve.

    Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovë, Sergiy Maslichenko ka thënë se është krenar që BERZH po vazhdon mbështetjen e projekteve kyçe të infrastrukturës në Kosovë.

    “Kjo iniciativë shënon një hap tjetër përpara në rritjen e kapaciteteve të vendit, për trajtimin e ujërave të zeza – duke adresuar një nevojë kritike për përmirësimin e higjienës dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Së bashku, jemi të përkushtuar për të krijuar zgjidhje të qëndrueshme që nxisin përparimin afatgjatë dhe një të ardhme më të shëndetshme për të gjithë.” – ka thënë ai.

    Kurse kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se ky projekt do të jetë në përputhje me standardet evropiane.

    “Ndërtimi i këtij impianti jo vetëm që do të sigurojë që trajtimi i ujërave të zeza të jetë në përputhje me standardet evropiane, por gjithashtu do të luajë një rol kyç në uljen e ndotjes së lumenjve dhe ruajtjen e burimeve ujore.” – ka thënë Bulliqi.

    Zbatuese e projektit do të jetë Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ndërsa Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA) është duke e mbështetur këtë Kompani për përgatitjen e projektit, me një grant prej 270 mijë eurosh.

    “BERZH-i do t’i ndihmojë Kompaninë edhe që të sigurojë bashkëpunim teknik shtesë dhe grante investimi, në mënyrë që ta bëjë këtë investim më të realizueshëm dhe të përballueshëm për Qeverinë e Kosovës.” – thuhet në njoftim.

    BERZH është bankë shumëpalëshe që promovon zhvillimin e sektorit privat dhe iniciativat ndërmarrëse në 36 ekonomi në tre kontinente. Banka është në pronësi të 74 shteteve, si dhe të BE-së dhe BEI-së.

    Deri më tani, kjo Bankë ka investuar më shumë se 770 milionë euro në Kosovë, përmes 120 projekteve.

     

  • Ku dhe si do të vendosen kamerat vëzhguese nëpër Qendrat e Votimit në ditën e Zgjedhjeve?

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka blerë 2 mijë e 500 kamera vëzhguese, bashkë me pajisje përcjellëse, për të monitoruar dhe vëzhguar procesin zgjedhor të 9 shkurtit 2025.

    Në total Kontrata ka kushtuar 699 mijë euro dhe atë e ka fituar Kompania “Besa Security”. Kontrata është nënshkruar më 31.10.2024.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se kamerat do të vendosen brenda vendvotimit, por sipas tij do të vendosen në atë mënyrë që do të garantojnë ruajtjen e integritetit të procesit të votimit dhe numërimit.

    “Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit.” – ka thënë Elezi për KALLXO.com.

    Sipas tij, në ditën e Zgjedhjeve KQZ nuk do t’i monitorojë kamerat dhe se regjistrimi nga ana e tyre do të bëhet në mënyrë pasive. Elezi ka thënë se qasja në regjistrimet e kamerave mund të bëhet vetëm me Vendim apo Kërkesë të institucioneve ligjzbatuese.

    “Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet, ku evidentohen parregullsi, me qëllim që t’iu ofrohen institucioneve ligjzbatuese.” – ka bërë të ditur Elezi.

    “Në kuadër të procesit të shkatërrimit të materialit zgjedhor, KQZ, në përputhje me procedurat, do të veprojë edhe me videoregjistrimet. Nga procesi i shkatërrimit, KQZ përjashton vetëm ato materiale zgjedhore që janë pjesë e trajtimit nga institucionet e tjera”.

    Zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se kamerat mund të përdoren edhe për të tjera procese zgjedhore.

    Sipas të dhënave në Dosjen e tenderit, kamerat do të vendosen në secilin vendvotim. Aty thuhet se në Zgjedhjet lokale 2021 numri i vendvotimeve ka qenë 2477 vendvotime dhe për këtë arsye sasia indikative e furnizimeve me kamera është 2 mijë e 500 copë. Por, megjithatë KQZ varësisht nga numri i vendvotimeve mund të porosisë plus/minus 30%.

    Po ashtu, në Dosje të tenderit bëhet e ditur se regjistrimet ruhen në kartelat e memories, të cilat duhet të jenë brenda kamerës, e asambluar me bulona. Rezolucioni i videoregjistrimeve do të jetë 5 megapiksel dhe se kamerat duhet të kenë pavarësi nga energjia elektrike, për të paktën 2 orë.

    “Kamerat duhet të vendosen në një lartësi prej jo më pak se 210 cm dhe jo më shumë se 280 cm nga dyshemeja. Seti i kamerës me të gjitha pjesët e montuara, maksimalisht duhet të peshojë 13 kg.” – thuhet tutje në Dosje të tenderit.

    Sipas Kontratës së nënshkruar, vetëm një kamerë pa pajisjet përcjellëse ka kushtuar 146 euro.

    Gjatë votimit në prill 2024 “për” ose “kundër” largimit të Kryetarëve në katër Komunat me Shumicë Serbe në Veri në prill: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, për herë të parë në një proces zgjedhor që është organizuar në Kosovë, janë vendosur edhe kamera nëpër vendvotime.

    Kamerat në atë kohë ishin huazuar nga Shqipëria.

    KQZ në atë kohë, njëjtë sikurse tash, vlerësonte se vendosja e kamerave nuk e cenon fshehtësinë e votës – duke marrë shembull se një praktikë e tillë përdoret edhe në Mal të Zi, Estoni, Letoni apo vende të tjera perëndimore.

    Ai ka treguar se mënyra e vendosjes së kabinave dhe kamerave në vendvotime është një praktikë që përdoret në Mal të Zi, Estoni, Letoni dhe vende perëndimore.

    Në ndërkohë Prokuroria e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse dikush ua cenon fshehtësinë e votës ta lajmërojnë në Polici apo Prokurori.

    Në të njëjtën kohë edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga partitë politike mbrojtjen e të dhënave personale, në kohën e fushatës zgjedhore.

    AIP ka kërkuar që subjektet të mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit me qytetarë – siç janë mesazhet e thirrjet telefonike, pa pëlqim paraprak.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-e-shtetit-u-ben-thirrje-qytetareve-qe-nese-dikush-ua-cenon-fshehtesine-e-votes-ta-lajmerojne-ne-polici-apo-prokurori/

  • Raportohen 6 raste të dhunës në familje në Kosovë në 24 orët e fundit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit, më 21.01.2025, ka pranuar 6 raportime për raste të dhunës në familje.

    Sipas njoftimit, në Prishtinë një grua ka raportuar se kishte mosmarrëveshje me një person me të cilin kishte jetuar disa vite me të dhe kishte vendosur që të ndahet e të jetojë me djalin e saj.

    Sipas Policisë, i dyshuari e kishte kërcënuar përmes telefonit dhe i ka shkuar në vendin e saj të punës – duke e penguar. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    Në një rast në Graçanicë dyshohet se djali nën ndikim të alkoolit dhe me probleme psikike e kishte sulmuar dhe e kishte ofenduar nënën e tij. I njëjti është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

    Në një rast tjetër në Prishtinë, një person dyshohet se, më 19.01.2025, ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij – duke e larguar atë nga shtëpia bashkë me fëmijët. I dyshuari, po ashtu, dyshohet se posedonte një armë. Policia gjatë kontrollit ka konfiskuar armën, ndërsa viktima ka kërkuar urdhër mbrojtje. Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është vendosur në stop listë, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetime.

    Në Gjakovë një person është arrestuar më 21.01.2025, pasi që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht një grua – duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Në një tjetër rast të raportuar në Gjakovë dyshohet se, më 21.01.2025, një person nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht gruan e tij. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Në Skenderaj, Policia ka bërë të ditur se, më 20.01.2025, ka arrestuar një person, pasi që pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan e tij. I dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Kurse, në një rast tjetër në Zveçan, Policia ka bërë të ditur se, më 21.01.2025, është vetëdorëzuar në Stacionin Policor një person i dyshuar për “dhunë në familje” dhe “armëmbajtje pa leje”, që nga data 11.02.2024. Me vendim të Prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

     

  • Dëmtohet xhami i dritares së Inspektoratit në Prizren nga një plumb – Policia arreston një të dyshuar

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prizren, pasi dyshohet se më 20.01.2025 ka shtënë me armë zjarri – duke dëmtuar xhamin e dritares së një zyreje të Inspektoratit Komunal në Prizren.

    Sipas Policisë së Kosovës, pas një pune hetimore Njësitë policore në vendin e ngjarjes kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, i cili kishte shtënë me armë.

    Rasti është duke u hetuar dhe është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

  • Policia po heton një rast të shantazhit në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar një rast të shantazhit në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, një person, më 16.01.2025, ka raportuar në Polici, se derisa ishte në një lokal ka pranuar disa mesazhe me tekst.

    Sipas Policisë, i dyshuari i kishte kërkuar shumë të lartë të hollash, me qëllim të shitjes së këtij materiali.

    Me vendim të Prokurorit, rasti është iniciuar, si: “shantazh”.