Ballina

Autor: Egzon Dahsyla

  • PSD e dërgon në Prokurorinë Speciale letrën e Maqedoncit për KFOR-in – VIDEO

    Partia Socialdemokrate (PSD), më 27.01.2025, ka dërguar në Prokurorinë Speciale “letërsqarimin” e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoncit, drejtuar Komandantit të KFOR-it – në lidhje me kompetencat për dërgimin e FSK-së në veri të vendit.

    Zgjim Hyseni nga PSD-ja tha se kryeministri Albin Kurti në vitin 2020 e kishte quajtur si tradhëti dhe kundërkushtetues zotimin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi në vitin 2013, që të mos dërgojë FSK-në në Veri – pa një miratim paraprak nga KFOR-i.

    Sipas Hysenit, edhe letra e ministrit Maqedonci në këtë rast duhet të cilësohet si “shkelje”.

    “Ne e kemi dorëzu sot në Prokurorinë Speciale nëse Marrëveshja e vitit 2013 qysh vetë Kurti e ka cilësuar ‘si shkelje të Kushtetutës’, për shkak se ka thënë se është Traktat Ndërkombëtar pa u votu në Kuvend. Nëse ajo ka qenë shkelje, atëherë riafirmimi i saj prej ministrit Maqedonci duhet me u cilësu po ashtu shkelje, me kriteret e vetë Kryeministrit.” – ka thënë Hyseni para gazetarëve.

    “E kemi dërgu pra letrën (në Prokurori), letërkëmbimin në mes të ministrit Maqedonci edhe Komandantit të KFOR-it. Edhe kemi thënë ‘Shikoje, nëse këtu ka shkelje të Kushtetutes’. Nëse ekzistojnë ato shkelje, të cilat i ka pretendu Kryeministri vetë në vitin 2020.” – shtoi ai.

    Ai ka akuzuar Kurtin për standarde të dyfishta për të njëjtën çështje.

    “Vetëm prej nivelit ku vetës ia afirmon, vetës ia njeh një rol historik, një rol që ka me e realizu një domosdoshmëri historike. Vetëm prej asaj perspektive, ti masnej nuk zgjedh mjete, diçka që më herët për dikon ka qenë tradhëti. E vetë e bon, edhe është punë shumë e vogël. Kjo është arsyeja pse kryeministri Kurti nuk është thjesht vetëm një autoritar i zakonshëm, është shumë më keq e më i rrezikshëm se kaq.” – tha Hyseni.

    Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e kishte mohuar se letra e dërguar te KFOR-i në nëntor të vitit 2024 përbënte “rizotim”, pasi që FSK kishte marrë pjesë në një ceremoni mortore në Veri.

    Sipas Maqedoncit, letra ishte vetëm një “sqarim”.

    “Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një Njësie të FSK-së në njërën nga Komunat në veri të vendit, si dhe ta sigurojë atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në Veri të Kosovës ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013 – dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës.” – thuhej ndër të tjera në reagimin e Maqedoncit.

  • Atdhe Nuhiu emërohet Ndihmëstrajner i Ekipit kombëtar të Kosovës në futboll

    Ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës në futboll, Atdhe Nuhiu është emëruar Ndihmëstrajner i Ekipit kombëtar të Kosovës në futboll.

    Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), përmes një komunikate për media – duke thënë se vendimi ka qenë i presidentit Agim Ademi.

    “Atdhe Nuhiu, me karrierë të suksesshme si futbollist, tashmë ka fituar përvojë edhe si trajner në skuadrën austriake SC Rheindorf Altach. Emërimi i tij në stafin e përzgjedhësit Franco Foda pritet të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e tij dhe për sukseset e Kombëtares A.” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa gjatë javës së kaluar, në pozitën e Ndihmëstrajnerit të Kombëtares U21 është emëruar Hekuran Kryeziu, ndërsa i Kombëtares U19, Anel Rashkaj.

  • Sorensen konfirmohet përfundimisht emisar për Dialogun Kosovë-Serbi

    Peter Sorensen ka marrë pëlqimin përfundimtar nga Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian për postin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bllokut për Dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – raporton Radio Evropa e Lirë.

    Paraprakisht, më 24 janar ambasadorët e BE-së kishin konfirmuar Sorensenin në këtë post.

    Politikani nga Danimarka u zgjodh nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post.

    Pasi ka marrë pëlqimin nga ambasadorët dhe kryediplomatët, Sorensen do të nisë mandatin më 1 shkurt.

    Emisarit aktual Lajçak i skadon mandati më 31 janar.

    Para nisjes së takimit në Bruksel të kryediplomatëve, ku Sorensen u konfirmua, ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon tha se me zgjedhjen si emisar të diplomatit nga Danimarka po dërgohet mesazhi se Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.

    Kush është Sorensen?

    Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai është aktualisht Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe Shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe Shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

    Më herët Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe Përfaqësues i Posaçëm i Përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

    Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Për postin e lehtësuesit të Dialogut garoi edhe emri i ish-ministrit të Jashtëm të Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

    Për këto rol ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.

    Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët – ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit – duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

    Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa Marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren./REL/

     

    https://kallxo.com/lajm/peter-sorensen-pritet-te-jete-pasardhesi-i-lajcakut-per-dialogun-kosove-serbi/

  • Mbi 3 milionë euro aneks-kontrata të negociuara për punë shtesë për rrugën Prishtinë-Podujevë

    Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar mbi 3 milionë euro aneks-kontrata për punë shtesë për rrugën Prishtinë – Podujevë.

    Tenderi është i ndarë në 5 LOT-e me vlerë totale të kontratave bazë prej 35 milionë eurove, të cilat ishin nënshkruar në qershor 2023. Aneks-kontratat janë nënshkruar përgjatë vitit 2024, për katër nga pesë LOT-et e tenderit bazë.

    Një nga pesë kontratat bazë, ajo në vlerë prej 9.2 milionë euro i ishte dhënë kompanisë “Bageri”, për të cilën zv/ministri Hysen Durmishi kishte thënë se pronarin e kësaj kompanie e ka shok.

    Në nëntor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për të ndarë 6 milionë euro shtesë për këtë rrugë dhe mjetet ishin marrë nga kontigjencat për shpenzime kapitale.

    Në ndërkohë, zëvendësministri Hysen Durmishi është duke u hetuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale në lidhje me këtë tender, kurse ministri Liburn Aliu kishte reaguar duke thënë se ‘Durmishi është i pastër’.

    Aneks-kontratat

    Në aneks-kontratën për LOT-in 0 janë kontraktuar punët si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; muret mbrojtëse; dislokim të ujësjellësit; punë në kanalizim fekal; punë në ura dhe mbikalime. Aneks-kontrata është nënshkruar me 16.07.2024, atë e ka fituar konzorciumi “Pro&Co Group” dhe “Levantina Ingenieria”, ndërsa vlera e saj është 613 mijë e 977 euro. Ky konzorcium e kishte fituar edhe kontratën bazë.

    Aneks-kontrata për LOT-in 1 është nënshkruar me 21.08.2024 dhe fitues i saj është kompania “2A Group”. Vlera e kësaj aneks-kontrate është 728 mijë e 166 euro.

    Në këtë aneks janë kontraktuar punët si:  Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; punët e betonit dhe armaturës; punët e ndriçimit; punë në kanalizim atmosferik dhe fekal; punë në hidroizolim; punë në asfalt; punimi i rrethojave të urës. Kjo kompani kishte fituar edhe kontratën bazë.

    Por në këtë aneks-kontratë Ministria e Infrastrukturës ka harruar që të kontraktojë edhe shtrirjen e ziftit nëpër pozicionet e kontratës. Kjo pasi që në dhjetor të vitit 2024 kanë nënshkruar një tjetër aneks-kontratë vetëm për shtrirjen e ziftit nëpër këtë rrugë.

    Aneks-kontrata e dytë e kishte vlerën e 70 mijë eurove, prapë me të njëjtën kompani.

    Për LOT-in 2 të tenderit është nënshkruar një aneks-kontratë tjetër, në të cilën janë parashikuar të kryhen punë si Projektim i rrugës; Punët e gërmimeve dhe transportit dhe të ngjashme; punët ndërtimore në seksionin e rrugës; punët e betonit dhe armaturës; punë në kanalizim atmosferik dhe fekal; punët e ndërtimit dhe sinjalistikës.

    Këtë aneks-kontratë e ka fituar kompania “Bageri” dhe vlera e saj është 853 mijë e 619 euro. Kontrata është nënshkruar me 16.07.2024.  Edhe në këtë rast, kjo kompani kishte fituar kontratën bazë.

    Kurse për LOT-in 3 të tenderit, janë nënshkruar dy aneks-kontrata për punë shtesë. Në aneksin e parë është kontraktuar për të kryer punë si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; pune mbikalimit urë; ndërtimi i mbikalimit për këmbësorë; punë në kanalizimin atmosferik; punët në ndriçim.

    Aneks-kontratën e ka fituar konzorciumi “Agbes Construksion”; “Arbotec”; “Geo Construction”; “Minera” dhe “BM Group”. Vlera e saj ka qenë 575 mijë e 972 euro dhe është nënshkruar me 14.06.2025.

    Ndërsa aneks-kontratën tjetër për këtë LOT, po ashtu e ka fituar i njëjti konzorcium, në vlerë 288 mijë e 418 euro. Kontrata është nënshkruar me 29.11.2024. Po ashtu, i njëjti konzorcium kishte fituar kontratën bazë.

    Në këtë aneks ka qenë e parashikuar të kryhen punët si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; punë përgatitore; punë demoluese; punë tokësore; punë montuese; punët e betonit dhe armaturës.

    Kurse aneks-kontrata e e fundit ka qenë për LOT-in 5 të tenderit. Në këtë aneks është kontraktuar të kryhen punë si Ndërtimi i rrugës; sinjalizimi vertikal; punët projektuese. Kontrata është fituar nga “Beni-Com” dhe e ka vlerën e 32 mijë e 404 eurove. Sikurse në aneks-kontratat tjera, edhe te ky LOT, kontratën bazë e kishte fituar e njëjta kompani.

    Në total janë nënshkruar shtatë aneks-kontrata, me vlerë totale prej 3 milionë e 162 mijë e 556 euro.

    Raportimet për rrugën

    Në fillim të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se si Ministria e Infrastrukturës është detyruar që të nënshkruajë dy aneks-kontrata për “lot”-in 1 të tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë, për shkak se kishte harruar që në pozicionet e aneks-kontratës së parë të vendosë edhe shtrirjen e ziftit për rrugën në fjalë.

    Kurse në gusht të vitit 2023, KALLXO.com kishte zbuluar se kompanitë që kanë fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës për të ndërtuar rrugën Prishtinë – Podujevë, rezultojnë se në të kaluarën kanë pasur gjoba të shqiptuara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për nxjerrje ilegale të mineraleve.

    Të dhënat e siguruara nga KPMM tregonin se kompanitë ndër vite janë gjobitur për nxjerrje ilegale të zhavorrit, gurit të fortë, rërës apo të reshpes.

    Në anën tjetër, në maj të vitit 2024, zëvendësministri Hysen Durmishi ishte intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pikërisht për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

    Ai para gazetarëve, pas intervistimit, kishte thënë se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.

    “… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë  ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi para gazetarëve.

    Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

  • Aktakuzë për “krime lufte” ndaj një boshnjaku, dyshohet për pjesëmarrje në vrasjen e tre shqiptarëve në Gjakovë

    Prokuroria Speciale e Kosovës të premten, më 24.01.2025, ka ngritur Aktakuzë për “krime lufte” ndaj personit me inicialet J. Sh., i nacionalitetit boshnjak, pasi që dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e tre personave civilë shqiptar, në Gjakovë.

    Sipas njoftimit J. Sh. dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve, që ka ndodhur në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë, si dhe dyshohet se ka marrë pjesë në dëbimin e kësaj familje dhe shkatërrimin e pasurisë së tyre.

    “Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme. I pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit, sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, deri në një vendim të ri nga ana e Gjykatës.” – thuhet në njoftim.

    J. Sh. po akuzohet për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.