Ballina

Autor: Egzon Dahsyla

  • Rusia ndal furnizimet me gaz në Evropë përmes Ukrainës

    Gjiganti shtetëror i Rusisë, Gazprom, ka thënë se e ka pezulluar furnizimin e Evropës me gaz përmes gazsjellësit që kalon nëpër Ukrainë, pasi Kievi ka refuzuar të nënshkruajë vazhdimin e kontratës që ka skaduar në fund të vitit 2024, dhe e cila është arritur para se të niste lufta e Moskës kundër Ukrainës.

    Ky vendim i Gazpromit, i bërë publik më 1 janar përmes një postimi në Telegram, nuk pritet të shkaktojë probleme të mëdha te konsumatorët evropianë, për shkak të përpjekjeve të tyre afatgjata që t’i shmangen varësisë nga gazi rus.

    Sllovakia, Hungaria, Austria, dhe disa vende të Ballkanit kanë vazhduar të blejnë gazin rus përmes Ukrainës – ndonëse të sasi të zvogëluara – edhe pas nisjes së luftës, në shkurt të vitit 2022.

    Megjithatë, Moldavia rrezikohet, meqë një central i madh i saj funksionon me gazin rus. Zyrtarët moldavianë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme muajin e kaluar, pasi është kuptuar se marrëveshja mes Moskës dhe Kievit nuk do të vazhdohet.

    Centrali në rajonin e shkëputur, Transdnjestër, e ka ndalur punën më 1 janar, dhe operatori i tij ka bërë të ditur se është detyruar të ndalë ngrohjen dhe furnizimet me ujë të ngrohtë për të gjitha shtëpitë dhe ndërtesat administrative të rajonit, duke përjashtuar spitalet.

    “E kemi ndalur trasitin e gazit rus. Është zhvillim historik”, ka thënë Ministria ukrainase e Energjisë përmes një deklarate.

    “Rusia është duke humbur tregje, do të përballet me humbje financiare”.

    Gazsjellësi i kohës sovjetike, ka bartur gaz nga Siberia në Sudzha të Ukrainës, dhe ka qenë i vetmi funksional, pas dëmit të gazsjellësit Rrjedha Veriore në fund të vitit 2022.

    Puna në një tjetër gazsjellës, që ka bartur gazin nga Rusia në Poloni, përmes Bjellorusisë, është pezulluar, po ashtu, për shkak të nisjes së luftës.

    Rusia e ka furnizuar dikur gjysmën e vendeve të Bashkimit Evropian me gaz natyror, mirëpo blloku i ka zvogëluar importet në mënyrë drastike, pas nisjes së luftës në Ukrainë.

    Shumë vende evropiane u janë kthyer burimeve alternative, duke përfshirë blerjen e gazit të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Norvegjia.

    Ministria e Energjisë e Austrisë ka thënë se furnizimet e saj janë të garantuara, falë blerjeve që i ka bërë për rrjedhje të gazit përmes Italisë dhe Gjermanisë.

    Sllovakia, kryeministri i së cilës, Robert Fico, e ka bërë një vizitë të pazakonshme në Moskë muajin e kaluar, pritet të mos përballet me ndonjë mungesë, ndonëse zyrtarët sllovakë kanë thënë se furnizimet alternative do të kushtojë 184 milionë dollarë më shumë.

    Fico ka thënë se ky hap do të ketë ndikim “drastik” në BE, por jo në Rusi.

    Hungaria dhe vendet tjera vazhdojnë të pranojnë gazin rus përmes një gazsjellësi tjetër, TurkStrem, që shtrihet në Detin e Zi.

    Vendimi i marrë nga Kievi nënkupton që Ukraina do të humbë rreth 800 milionë dollarë në vit, që i siguronte nga taksat e transitit.

    Gazpromi, në anën tjetër, do të humbë rreth 5 miliardë dollarë nga zvogëlimi i shitjes.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre/RadioEvropaeLirë/.

     

  • Ferizaj, një grua raporton në Polici se vetura iu dëmtua nga një plumb qorr

    Një grua në Ferizaj ka raportuar se mëngjesin e sotëm me 01.01.2025, pak pas orës 00:00, se nga një plumb qorr i është dëmtuar vetura.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ku kanë gjetur dhe konfiskuar një plumb.

    Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori.

  • Edi Rama uron vitin 2025 me Ismail Qemailin në një video të krijuar nga intelegjenca artificiale

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar Vitin e Ri 2025 në mënyrë të pazakontë.

    Ai ka publikar një video në të cilën shihet ai bashkë me Ismail Qemailin, video e cila është krijuar nga intelegjenca artificiale.

    “Mirëmëngjes nga Ismail Beu dhe unë, e me urimin që 2025-a të ketë ardhur e mbarë për të gjithë ju, ju urojmë kudo jeni një ditë sa më të qetë” – ka shkruar Rama në Facebook.

  • Prishtinë, një vajzë raportohet e zhdukur që nga 28 dhjetori

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person në Prishtinë ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia nga data 28.12.2024 dhe nuk është kthyer më.

    Policia ka iniciuar rast si “Person i zhdukur” dhe rasti sipas tyre, vazhdon të jetë nën hetime.

  • Dyshohet se kanosi drejtorin e Spitalit në Gjakovë, arrestohet një person

    Një person është arrestuar dje me 31.12.2024 në Gjakovë, pasi që dyshohet se ka kanosur drejtorin e Spitalit Rajonal të Gjakovës, Hilmi Shalën.

    Sipas Policisë së Kosovës, në veturën e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 14 fishekë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.