Ballina

Autor: Egzon Dahsyla

  • Ministrja Haxhiu: Blerim Isufaj e di se kush nga prokurorët ka shkuar në zyret e ish-kryeministrave

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e di se kush nga prokurorët në të kaluarën ka shkuar në zyret e ish-kryeministrave.

    Deklarata e ministres Haxhiu vjen pas debatit rreth ftesës së Prokurorisë Speciale ndaj kryeministrit Albin Kurti, për t’u intervistuar si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore dhe mosparaqitjes së këtij të fundit dhe këmbënguljes për t’u intervistuar në zyret e Kryeministrisë.

    “Blerim Isufaj e di shumë mirë ndonëse në konferencën për media tha nuk kam informacione. Blerim Isufaj e din shumë mirë  kush nga prokurorët kanë shkuar në zyrëet e ish-kryeministrave, por nuk flet për këtë. Prandaj ju lutem si gazetar që të insistoni që përgjigjet e tilla t’i merrni nga kryeprokurori Blerim Isufaj” – tha Haxhiu para gazetarëve më 10.01.2025.

    “Blerim Isufaj e di, ata prokurorë disa prej tyre janë aty, disa jo, për shkak se janë kërcënuar dhe janë detyuruar që të lëshojnë Kosovën”.

    Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte deklaruar se nuk i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervisim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, pasi sipas tij, qëllimi është që vetë ai të bëhet lajm ndërkombëtar duke hyrë në objektin e Prokurorisë.

    Për këtë kryeministri e akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, të cilin e quajti “regjisor” të asaj pamjeje që Kurti nuk po e pranon ta bëj.

    “Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi” – tha Kurti në një emision në Kohavision më 29.12.2024.

    Kurse kryeprokurori Isufaj, duke mos dashur të japë përgjigje të drejtpërdrejtë rreth këtij pretendimi të kryeministrit Kurti, në një konferencë për media me 30.12.2024, tha se “të gjithë janë të barabarë para ligjit” dhe se “nuk i interesojnë deklarimet e tilla”.

    “Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie dëshmie është një procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e Drejtësisë. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve publike – përfshirë Qeverinë – të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e Drejtësisë”- u shpreh ai.

    Ndonëse nuk ishte paraqitur dy herë për të dhënë dëshminë e tij për ‘rastin e rezervave shtetërore’, kryeministrit të vendit Albin Kurtit i është bërë thirrja për herë të tretë që të paraqitet në objektin e Prokurorisë Speciale – për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit.

    Edhe hera e tretë për Prokurorinë ka rezultuar njëjtë si dy thirrjet paraprake, pasi kryeministri i vendit nuk i është përgjigjur pozitivisht edhe thirrjes së tretë për t’u paraqitur para prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Milot Krasniqi e Valdet Gashi.

    Më 06.01.2025 dhe më 08.01.2025 KALLXO.com ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale, lidhur me ftesën për kryeministrin Kurti, por nuk ka pranuar përgjigje.

    Po ashtu KALLXO i ka dërguar pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit Kurti të mërkurën, më 08.01.2025 dhe më 30 e 31 dhjetor 2024, por nuk kanë kthyer përgjigje.

    Sipas burimeve të KALLXO.com nga Prokuroria, thirrja e tretë i ishte bërë Kurtit rreth një javë para Vitit të Ri.

    Burimet e KALLXO.com kanë konfirmuar se meqenëse tri herë nuk kanë marrë përgjigje pozitive nga dëshmitari, në këtë rast kryeministri Albin Kurti, prokurorët pritet që të procedojnë tutje – duke bërë kërkesë te gjyqtari i procedurës paraprake që i njëjti të sillet me detyrim për të dhënë dëshminë e tij.

    Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, është planifikuar që procedimi për dhënien e dëshmisë së kryeministrit Kurti të bëhet pasi të mbahen Zgjedhjet qendrore, të cilat janë të parapara të mbahen më 09.02.2025, me arsyen që të eliminohen pretendimet se veprimet po merren për qëllime politike.

    Më 11.12.2024 ishte bërë e ditur që kryeministri Kurti ishte ftuar për të dëshmuar, më 16.12.2024, nga Prokuroria Speciale.

    Ndonëse ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

    Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para mediave kishte thënë se është informuar nga Kabineti i Kurtit se Kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.

    “Sot nga Kabineti i Kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër.” – kishte thënë Kozmaqi.

    KALLXO.com kishte raportuar më 20.12.2024 se Prokuroria Speciale kishte dërguar një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në ‘rastin e rezervave shtetërore’, por Kryeministri ka ritheksuar gatishmërinë që Prokurorët t’i presë në zyrën e tij.

    Rasti i rezervave shtetërore

    Të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi. Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

    Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

    Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.

    Si e dyshuar lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore është intervistuar edhe ministrja aktuale e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari më 15.04.2024.

    Çfarë thotë Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

    Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica e Hafiz Gara i ka ndihmuar ata – duke i krijuar kushtet, propozuar e siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.

    Prokuroria ka thënë në Dosje se janë propozuar O. E. “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer. E më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica e Hafiz Gara me O. E.  ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të Kontratave.

    Prokuroria: Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit

    Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në Dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv/sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

    Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

    Në Dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit, si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. E më pas, duke u bazuar në një Vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë Vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e Prokurimit publik.

    Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për Negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

    Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit

    Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, Dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

    Në Dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

    Gjithnjë, sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e Prokurimit publik. E më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni, i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O. E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar Kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për Furnizim.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-speciale-planifikon-ti-drejtohet-gjykates-per-kryeministrin-albin-kurti/

    https://kallxo.com/lajm/kurti-kembengul-qe-te-intervistohet-nga-prokuroria-speciale-ne-kryeministri/

  • Avni Kastrati emërohet Drejtor i Agjencisë së Statistikave të Kosovës

    Me vendim të Qeverisë në mbledhjen e mbajtur sot, më 10.01.2025, Avni Kastrati është emëruar Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

    Kryeministri Albin Kurti tha se Komisioni ad-hoc përkatës i ka kryer procedurat e rekurtimit dhe ka propozuar për emërim për këtë pozitë Avni Kastratin dhe Sami Durakun.

    Me propozimin e kryeministrit Kurti dhe me votimin e Ministrave të Qeverisë Kastrati është emëruar Drejtor i ASK-së.

    Kastrati ka qenë, deri më tani, ushtrues detyre i Drejtorit të ASK-së.

    Në këtë mbledhje të Qeverisë, po ashtu, është emëruar Lyra Osmani në pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

    Kryeministri Kurti tha se Komisioni përkatës ka propozuar Lyra Osmanin dhe Bujar Mustafën për këtë pozitë, pas zhvillimit të procedurave të rekrutimit, ndërsa Osmani u emërua me propozimin e Kurtit dhe miratimin e Ministrave.

    Gjithashtu, në këtë mbledhje u aprovua Propozim-vendimi, përmes së cilit përditësohet Lista Shtetërore për Mallra me Përdorim të Dyfishtë.

    Këto mallra janë ato që vihen nën kontroll, për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme, sigurisë publike ose për arsye të të drejtave të njeriut.

     

    Po në këtë mbledhje, Qeveria aprovoi rritjen e përfitimit dhe pensioneve për dëshmorët, invalidët, veteranët, pjesëtarët e UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre.

    “20% është rritja e përfitimit të pensioneve dhe përfitimit të këtyre kategorive të dala nga lufta.” – u shpreh kryeministri Kurti.

    Ministri i Financave Hekuran Murati, në detajet që dha në mbledhje, bëri të ditur se familjet me më shumë se një dëshmor: të zhdukur, viktima civile – rritja është më e madhe.

    https://kallxo.com/lajm/nje-dite-para-fillimit-te-fushates-zgjedhore-qeveria-rrit-pensionet-per-kategorite-e-dala-nga-lufta/

  • Si e “harroi” Ministria e Infrastrukturës shtrimin e ziftit në një pjesë të rrugës Prishtinë-Podujevë?

    Ministria e Infrastrukturës është detyruar që të nënshkruajë dy aneks-kontrata për “lot”-in 1 të tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë, për shkak se kishte harruar që në pozicionet e aneks-kontratës së parë të vendosë edhe shtrirjen e ziftit për rrugën në fjalë.

    Fillimisht kontrata për “lot”-in 1 të këtij tenderi është nënshkruar në qershor të vitit 2023.

    Në këtë kontratë parashihej që të kryheshin punë si: Incizime dhe punët paraprake në terren, dhe aty përfshihej demolimi dhe pastrimi nga objektet ekzistuese në dy anët e rrugës; Gërmimet, ku përfshihej gërmimi i sipërfaqes së aksit kryesor apo rrethrrotullimeve; Ndërtimi i tre mbikalimeve; si dhe ndërtimi i mureve mbrojtëse përgjatë rrugës.

    Vlera e kësaj kontrate ka qenë 8 milionë e 447 mijë e 447 euro dhe e kishte fituar kompania “2A”, në konsorcium me kompaninë “Vega”.

    Më pas, Ministria ka nënshkruar një aneks-kontratë për këtë “lot”, si punë shtesë.

    aneks-kontratën e parë parashikohej të kryheshin punë si: Projekti i rrugës; Punë ndërtimore në seksionin e rrugës; Kanalizimi atmosferik; Kanalizimi fekal; Ndriçimi; Ujësjellësi; Si dhe një nënkalim të automjeteve. Aneks-kontrata ishte nënshkruar në gusht të vitit 2024 dhe e ka vlerën e 728 mijë eurove, me të njëjtën kompani.

    Por në këtë aneks-kontratë Ministria e Infrastrukturës ka harruar që të kontraktojë edhe shtrirjen e ziftit nëpër pozicionet e kontratës. Kjo pasi që në dhjetor të vitit 2024 kanë nënshkruar një tjetër aneks-kontratë vetëm për shtrirjen e ziftit nëpër këtë rrugë.

    Aneks-kontrata e dytë e kishte vlerën e 70 mijë eurove, prapë me të njëjtën kompani.

    KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit me zëvendësministrin Hysen Durmishi, por i njëjti ka kërkuar që të dërgohen pyetjet me shkrim. Pyetjeve me shkrim nuk i është përgjigjur as Durmishi, as Ministria.

    Po ashtu, edhe Kushtrim Krivaqa nga kompania “2A” ka kërkuar që t’i dërgohen pyetjet me shkrim, por e njëjta kompani nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj storje.

    Në anën tjetër, në maj të vitit 2024, zëvendësministri Hysen Durmishi ishte intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pikërisht për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë.

    Ai para gazetarëve, pas intervistimit, kishte thënë se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.

    “… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë  ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dimanikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi para gazetarëve.

    Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

  • Ukraina raportohet të ketë nisur ofensivë të re në Kursk të Rusisë

    Ushtria ukrainase ka nisur ofensivë të re në rajonin rus Kursk, sipas deklaratave preliminare të zyrtarëve ukrainas dhe raportimeve në disa kanale pro-ruse në platformën Telegram.

    Ofensiva e papritur është bërë e ditur nga Andriy Kovalenko, udhëheqës i Qendrës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës kundër Dezinformimit, përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Tëitter.

    Ai ka thënë se forcat ruse në Kursk janë “sulmuar në disa drejtime, në mënyrë të befasishme”.

    Edhe shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përmendur sulmin në mënyrë indirekte në Telegram.

    “Rajoni Kursk, lajme të mira, Rusia po fiton atë që e meriton”, ka thënë ai.

    Ofensiva është raportuar të jetë nisur nga qendra Sudzha, e cila ka qenë nën kontrollin ukrainas prej gushtit të vitit 2024, dhe ka vazhduar në drejtim të Bolshoje Soldatskojes, rreth 70 kilometra larg qytetit Kursk.

    Ushtria ukrainase nuk i ka komentuar ende raportimet për sulme, mirëpo Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë përmes agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se “rreth orës 9:00, forcat e armatosura ukrainase kanë nisur kundërsulm për të bllokuar avancimin e trupave ruse në drejtim të Kurskut”.

    Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur zhvillimet e reja në Kursk.

    Sipas llogarive ruse në Telegram që vëzhgojnë nga afër zhvillimet në fushëbetejë, sulmet janë duke u kryer me makina të armatosura, pajisje për pastrim minash, sisteme elektrike të luftës, dhe armë tjera që po luftojnë me sukses dronët rusë.

    Trupat ukrainase patën kryer edhe në gusht ofensivë të befasishme në Kursk.

    Pothuajse gjysma e tokës së kapur nga ukrainasit është rikthyer prapë nën kontrollin rus, mirëpo Kievi e ka nën kontroll Sudazhn, dhe rreth 500 kilometra katrorë të territorit rus.

    Në ditët e fundit në Telegram ka pasur raportime për ofensive të re të Ukrainës, teksa kanë mbetur edhe pak ditë deri te inaugurimi i Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara.

    Përgjatë fushatës zgjedhore, ai është zotuar se në rast të fitores do t’i japë fund luftës së Moskës në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre/RadioEvropaeLirë/.

  • Kancelari austriak do të japë dorëheqje pasi dështoi të formojë qeveri të re

    Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se do të japë dorëheqje në ditët në vijim si kancelar dhe si lider i partisë, pas dështimit të bisedimeve për të formuar një koalicion qeveritar.

    Kancelari ka thënë se partia e tij, Partia Popullore konservative – dhe Social Demokratët, nuk janë pajtuar për çështjet kryesore.

    Neoliberalët, një tjetër parti e përfshirë në bisedime, është tërhequr po ashtu të premten.

    Në shtator, Partia e Lirisë – e së djathtës ekstreme – ka shënuar fitore të pashembullt në zgjedhjet e përgjithshme të Austrisë, mirëpo partitë tjera patën thënë se nuk formojnë koalicion me liderin e këtij subjekti politik, Herbert Kickl.

    Kolapsimi i bisedimeve mund të rezultojë me nisjen e bisedimeve të konservatorëve me të djathtën ekstreme, apo edhe me organizim të zgjedhjeve të reja, vlerësojnë analistë.

    Partia e Lirisë – miqësore me Rusinë – ka qenë më parë në pushtet. Ajo duket se do t’i mirëpriste zgjedhjet e reja, pasi sondazhet e opinionit publik sugjerojnë për rritjen e mëtejme të saj edhe pas shtatorit.

    Kjo parti e ka kritikuar presidentin e shtetit, Alexander Van der Bellen për “kaosin e krijuar dhe kohën e humbur”.

    Dalja në zgjedhjet e shtatorit ka qenë 77.3 për qind, ndërsa temat kryesore kanë qenë ato të migrimit, azilit dhe ekonomisë në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë.

    Kickl pati premtuar se do të rikthente sigurinë për austriakët.

    Partia që udhëheq ai është e ashpër për çështjet e migrimit dhe e promovon idenë e rimigrimit, që përfshin dërgimin e azilkërkuesve në shtetet e origjinës.

    Partia e Lirisë është themeluar nga ish-nazistët në vitet ’50.

    Dy ditë para zgjedhjeve të shtatorit, disa kandidatë janë zënë duke kënduar në një funeral këngë të nazistëve, ndonëse partia më vonë ka mohuar gjithçka/RadioEvropaeLirë/.