Ballina

Autor: Egzon Dahsyla

  • Hoti thotë se Serbia refuzoi të takohej në Bruksel me Komisionin e Përbashkët për të Pagjeturit

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti ka thënë se pala serbe ka refuzuar që të marrë pjesë në takimin e parë të Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të Pagjeturit, që ishte planifikuar të mbahej sot më 15.01.2025, në Bruksel.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se kryenegociatori i Serbisë, Petar Pektoviq ka qenë në Bruksel, edhe pse takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e të pagjeturve dhe formati, sipas Hotit, ka qenë me zëvendësues të Komisioneve përkatëse të të dyja shteteve.

    “Prania e z. Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë, duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit.” – ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje është banal e i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të të pagjetuve dhe se nuk ka të bëjë asgjë me temën për të cilën janë thirrur në Bruksel.

    “Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë, në raport me çështjen e personve të zhdukur.” – ka thënë Hoti.

    Në ndërkohë, Hoti ka bërë të ditur se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ka paraqitur kërkesat e palës kosovare.

    “…për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak, që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona te vendet anëtare të BE-së.” – ka shkruar në fund Andin Hoti.

    Televizioni serb RTS ka raportuar se shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq është larguar nga takimi, për shkak të zhvillimeve lidhur me aksionin policor kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë.

    “Kryenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviq i ndërpreu e u largua nga bisedimet në Bruksel për shkak të terrorit të paparë e dhunës institucionale të Prishtinës e Albin Kurtit ndaj serbëve dhe mbylljes së institucioneve të shumta serbe në Kosovë.” – ka thënë delegacioni i Beogradit, më 15.01.2025.

    Me 13.01.2025, i dërguari i veçantë i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak kishte thënë se gjatë kësaj jave në Bruksel fokusi kryesor është te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

    Së fundmi, në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.

    https://kallxo.com/lajm/lajcak-thote-se-fokusi-i-javes-ne-bruksel-eshte-tek-takimi-i-pare-i-komisionit-te-perbashket-per-personat-e-zhdukur/

  • E ekspozoi armën në ballkon, i dyshuari në Pejë u drejtohet policëve: “Nëse afroheni, do t’ju gjuaj…”

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje, më 14.01.2025, ka arrestuar një person në Pejë për “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim të armës”.

    Sipas Policisë, i dyshuari gjatë arrestimit ka rezistuar – duke iu thënë policëve se “nëse afroheni, do t’ju gjuaj ose do ta vrasë veten.”

    Policia kishte marrë fillimisht informatën se në rrugën “Ali Bajraktari” në Pejë ka të shtëna me armë.

    Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku fillimisht i dyshuari është vërejtur me armë – duke e ekspozuar në ballkonin e banesës.

    I njëjti më pas – sipas Policisë – ka refuzuar të dorëzohet, duke iu drejtuar zyrtarëve policorë se nëse afroheni do t’i gjuante ose do ta vriste veten.

    Pas një kohe negocimi me të dyshuarin, i njëjti është qetësuar dhe më pas edhe arrestuar.

    Nё banesën e tё dyshuarit janё gjetur dhe sekuestruar: 1 pushkё automatike dhe 1 karikator i sё njëjtёs armё; 1 armё pistoletё Zoraki; 36 fishekё kal: 7.63×39; 35 fishekё kal:32; 3 gёzhoja kal: 7.63×39; 2 gёzhoja kal: 32 auto; 1 thikё.

    Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit i dyshuari ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё.

  • Arrestohet një person në Gjakovë për prishje të rendit dhe qetësisë publike

    Një person është arrestuar në Gjakovë, nën dyshimin për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

    Më 14.01.2025, gjatë patrullimit Policia ka takuar të dyshuarin, i cili me veturën e tij ishte ndalur në zonën e përcaktuar për autobus.

    Sipas Policisë, i njëjti në mënyrë konstante nuk ka respektuar urdhërat e zyrtarëve policorë, për të liruar zonën dhe po ashtu ka refuzuar që të prezantojë dokumentet personale.

    Sipas njoftimit të datës 15.01.2025, i dyshuari më pas është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

  • Një shtetas i Shqipërisë raporton se pasi kaloi kufirin në Kosovë u sulmua me armë zjarri

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje, më 14.01.2025, një shtetas i Shqipërisë ka kërkuar trajtim mjekësor.

    Sipas PK-së, i njëjti ka deklaruar se pasi ka kaluar me veturën e tij kufirin Shqipëri-Kosovë, në pikën kufitare në Morinë, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij – duke e qëlluar.

    Sipas Policisë, të njëjtit i është bërë matje me alkook test dhe ka rezultuar pozitiv.

    Në konsultim me Prokurorin është iniciuar rasti si “vrasje në tentativë” dhe mbetet në hetime.

     

  • Ekstradohet nga Shqipëria një person i dyshuar për dhunim

    Policia e Kosovës ka njoftuar se, më 14.01.2025, është ekstraduar një person i dyshuar nga Shqipëria për një rast të dhunimit në Kosovë.

    Sipas Policisë, ekstradimi ka ndodhur pas një pune hetimore në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë.

    I dyshuari me urdhër të Gjykatës përkatëse është dërguar në mbajtje.