Ballina

Autor: Egzon Dahsyla

  • Kosova me ndihmën e ndërkombëtarëve synon që të investojë në izolimin e rreth 400 ndërtesave publike

    Shteti i Kosovës po synon që të investojë në izolimin e rreth 400 ndërtesave publike në gjithë Kosovën, për të rritur efiçiencën e energjsë dhe për të ulur konsumin.

    Projekti që do të kushtojë 86 milionë euro, pritet të fillojë në vitin 2025 dhe të përfundojë në vitin 2031.

    Më 17.01.2025 është nënshkruar marrëveshja në mes të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

    Drejtori i Fondit për Efiçiencë, Driton Hetemi, tha se pasi që të përfundojë projekti, synohet një reduktim i rreth 75 mijë ton të emitimit të dioksidit të karbonit në vit dhe kursim të rreth 5 deri në 7 milionë eurove në vit.

    “50 milionë euro do të sigurohen nga Qeveria e Kosovës përmes një kredie nga BERZH-i; 12.6 milionë euro si bashkëfinancim nga Qeveria e Kosovës; 20 milionë euro të cilat sigurohen nga burime të ndryshme si 7 milionë euro grant nga BE: 3 milionë euro sigurohen nga Fondi Danez për Kosovën; 10 milionë euro do të sigurohen më tutje në pjesën e dytë të programit si grant; dhe 3.4 milionë euro të mbetura të siguruara nga BERZH dhe donatorë të tjerë të dedikuara për asistencë teknike, njësi implementuese dhe studim fizibilitetit” – tha Hetemi më 17.01.2025.

    Ndërsa drejtori i BERZH-it për Kosovë, Sergiy Maslichenko, tha se përmes këtij projekti do të renovohen 1/5-ta e gjitha ndërtesave publike në Kosovë.

    “Ky projekt, siç u përmend, është mbështetje e vërtetë për modernizimin e 400 ndërtesave publike. Është sasi shumë e madhe, nëse e shikoni, llogaritet që në Kosovë ka rreth 2 mijë ndërtesa publike, pra rreth 1/5-ta e gjithë ndërtesave do të renovohen me anë të këtij porgrami” – tha Maslichenko.

    E ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova sot konsumon katër herë më shumë energji për njësi, në krahasim me mesataren e Bashkimit Evropian.

    “Në kuadër të këtij konsumi enorm, stoku i ndërtesave konsumon mbi 40% të totalit të energjisë që konsumohet në vend. Pra kjo e vë në prespektivë se sa e rëndësishme është që ndërtesat tona të jenë të izoluara mirë dhe të kenë masa të efiçiencës, në mënyrë që konsumi i gjithëmbarshëm në vend të ulet dhe ta lehtësojë edhe sistemin tonë elektro-energjetik, mirëpo edhe koston e financimit të këtij konsumi” – tha ministrja Rizvanolli.

    Kurse Hekuran Murati, ministër i Financave, deklaroi se iniciativa të ngjashme Qeveria e Kosovës ka pasur edhe në të kaluarën me komunat si ajo e Prishtinës apo e Prizrenit.

    “Vlen të theksojmë që projekti i sotëm është vetëm pra vetëm një pjesë, apo një fragment i punës disavjeçare të Qeverisë së Kosovës në këtë drejtim. Iniciativa të ngjashme kemi nënshkruar në të kaluarën, nëse iu kujtohet edhe me Komunën e Prishtinës apo edhe Komunën e Prizrenit, pra ku ngjashëm është paraparë investimi në renovimin dhe rritjen e efiçienvës në ndërtesat publike të këtyre komunave, total vlera ka qenë rreth 12 milionë euro” – tha ministri Murati më 17.01.2025.

  • SC Gjilani aranzhon ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut

    Klubi i futbollit SC Gjilani ka njoftuar se gjatë janarit të këtij viti do të zhvillojë një ndeshje miqësore me ekipin kombëtar të Koresë së Veriut.

    Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, në të cilën janë zbuluar kundërshtarët në ndeshjet miqësore, të cilat SC Gjilani do t’i zhvillojë në kuadër të fazës përgatitore në Turqi, para fillimit të stinorit pranveror.

    Sipas njoftimit, SC Gjilani do t’i zhvillojë gjithsej katër ndeshje miqësore.

    Më 18.01.2025 do të luajë kundër FC Kaysar dhe më 22.01.2025 do të luajë kundër FC Elimai, të dy këto ekipe nga superliga e Kazakistanit.

    Më pas, më 25.01.2025 do të luajë kundër FC Krumovgrad nga Bulgaria.

    Dhe më 28.01.2025 do të luajë kundër Kombëtares A të Koresë së Veriut.

    Në një përgjigje për KALLXO.com, Drlion Sylejmani, zëdhënës i SC Gjilanit, ka thënë se miqësorja me ekipin e Koresë së Veriut është aranzhuar përmes një agjencie.

    “Zakonisht në fazë përgatitore kur të vijmë, merret një kompani, një agjenci që na gjen kundërshtarët për ndeshjet miqësore” – ka thënë Sylejmani përmes telefonit.

    Ai ka thënë se edhe në të kaluarën ekipi i Gjilanit ka zhvilluar ndeshje miqësore me ekipet, shtetet e të cilave nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

    Aktualisht SC Gjilani gjendet në vendin e gjashtë të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll, me 21 pikë të tubuara pas 18 ndeshjeve.

    Lider i Superligës është ekipi tjetër nga Gjilani, KF Drita me 40 pikë, 7 më shumë se vendi i dytë, KF Ballkani.

  • Kurti merr pjesë në inaugurimin e Bankës në veri, në të cilën ka aksione edhe Behgjet Pacolli

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se Banka Ekonomike sot, më 16.01.2025, ka hapur Degën e saj në Leposaviq.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se kjo Degë e Bankës ka aktualisht pesë punëtorë, tre serbë e dy shqiptarë.

    “Mbi 300 biznese janë hapur dhe afër 500 qytetarë nga komuniteti serb janë punësuar në Veri të Kosovës, gjatë vitit 2024. Sot, Banka Ekonomike e hapi Degën e 33-të të saj në Kosovë, kësaj radhe në Leposaviq – duke ofruar shërbime moderne për biznese dhe qytetarë, e të cilat i ofron edhe në secilën pikë tjetër në Kosovë. Vetëm se këtu tash me pajisje të reja të teknologjisë së fundit.” – ka shkruar Kurti në Facebook.

    Sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), në Bankën Ekonomike ka aksione edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

    Pacolli, sipas këtyre të dhënave, mban 34.82% të aksioneve të kësaj Banke komerciale, që është aksionari me përqindjen më të madhe të aksioneve.

    Gjithashtu, edhe sipas të dhënave të publikuara të Bankës Ekonomike në ueb-faqen e saj zyrtare, figuron që Behgjet Pacolli është aksionari më i madh në këtë Bankë.

    Kujtojmë që në tetor të vitit 2019, Pacollit i ishte publikuar një fotografi me Millan Radoiçiqin – fotografi që pretendohej se ishte shkrepur në vitin 2017.

    Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese në Serbi – KRIK kishte publikuar një foto në të cilën shihen bashkë kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, Goran Rakiq dhe Millan Radoiçiq.

    Pacolli e kishte komentuar fotografinë me Millan Radoiçiq në Kallxo Përnime.

    “Unë kurrë s’e kam njohur kush është Millan Radoiçiqi. As emrin nuk ia kam dëgju. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madhi prej tyre. Derisa është lidh jahti im, aty është parkuar një jaht tjetër.” – kishte thënë Pacolli.

    “Unë kurrë s’e kam njohur kush është Millan Radoiçiqi. As emrin nuk ia kam dëgju. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madhi prej tyre. Derisa është lidh jahti im aty, është parkuar një jaht tjetër.” – thoshte Pacolli.

    “Është përgatitur sofra për me ngrenë darkë me fëmijët e mi, në atë tavernën aty. Në anën tjetër unë po i shoh deputetët e Republikës së Kosovës, nuk ua kam ditë emrat, por e kam njohur Goran Rakiqin. E kam kryer darkën dhe kemi dalë prej aty. Del Rakiqi prej aty, edhe vjen tek unë edhe thotë ‘A Behgjet, sa mirë që po të shoh?’. I kam thanë: ‘Prit, se e kam një befasi për ty, edhe e kam thirrë Agim Bahtirin, sepse ata janë shokë dhe takohen. Bile Agim Bahtiri m’u ka idhnu, se ka mendu që e kemi planifiku me u taku e s’e kam ftuar.” – vazhdon rrëfimi i Pacollit.

    “Rakiqi më thotë, eja te ne, te jahti ynë për pije. Pa asnjë paragjykim, unë hyj aty. Të betohem dhe ta japë fjalën e nderit. E kam pi një pije. S’e kam ditë jahta e kujt ka qenë. Sa kemi qenë aty, ka ardhur një person tjetër dhe është ul. Askush s’e ka prezantuar si Millan Radoiçiq. Unë jam dal, i kam marrë fëmijët e mi dhe jam dal në qytet. Unë i kam njohur veç 3 njerëz aty: Rakiqin dhe dy deputetë.” – kishte thënë Pacolli.

    Sipas tij, takimi kishte zgjatur vetëm 10 minuta dhe nuk e ka pasur ndonjë kërkesë ndaj tij.

     

  • Nis përballja KB Prishtina – KB Trepça për gjysëmfinalen e Kupës së Kosovës

    Sonte (15.01.2025) është duke u zhvilluar përballja e parë ndërmjet KB Prishtina dhe KB Trepça në kuadër të gjysëmfinales së Kupës së Kosovës në basketboll. 

    Gjysmëfinalet zhvillohen me sistemin vajtje-ardhje dhe cila skuadër është më e  mirë në dy takimet kualifikohet në finalen e madhe.

    Në të njëjtën kohë në Gjakovë po zhvillohet gjysëmfinalja tjetër ndërmjet KB Vëllaznimi dhe KB Bashkimi.

    KALLXO.com publikoi një video, e cila tregon se një grup i tifozëve të KB Prishtina nuk e respektoi himnin e Kosovës, i cili u intonua para fillimit të ndeshjes.

     

  • Murati: Sot janë procesuar pensionet me rritje për kategoritë e dala nga lufta

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se sot, më 15.01.2025, janë procesuar pagesat për pensionet me rritje për kategoritë e dala nga lufta.

    Ministri Murati ka thënë se të gjithë pensionmarrësit e kategorive të luftës kanë marrë pensionin me 20% rritje e disa prej kategorive, sipas tij, me rritje edhe më të lartë.

    “E veçanta është se të gjithë pensionmarrësit e skemave të kategorive të luftës sot e kanë marrë pensionin me rritje prej 20%, e për disa prej kategorive siç janë familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së apo familjet e të vrarëve dhe të zhdukurve civilë rritja është edhe më e lartë.” – ka shkruar Murati në Facebook, më 15.01.2025.

    Më 10.01.2025, Qeveria e Kosovës ka miratuar Vendimin për rritjen për 20% të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ndau detaje se sa para do të marrin këto kategori. Murati tha se për familjet që kanë pasur një dëshmor, pensioni ka qenë 448 euro dhe do të rritet në 537 euro; për familjet që kanë dhënë dy dëshmorë, pensioni ka qenë 537 euro, derisa do të rritet në 806 euro; familjet me tre dëshmorë do të marrin 1,075 euro; familjet me katër dëshmorë kanë marrë 627 euro dhe pas rritjes do të marrin 1,344 euro, ndërsa familjet me më shumë se katër dëshmorë do të marrin 1,613 euro. Për kategoritë e invalidëve të luftës, pensioni ka qenë 448 euro, për invalidin me dëmtim trupor prej 80%, ndërsa pas rritjes do të bëhet 537 euro.

    Në po të njëjtën ditë, Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK (OVL UÇK), Faton Klinaku kishte reaguar duke thënë se rritja e pensioneve për 20% për veteranët e UÇK-së do të jetë 34 euro.

    Në postim ai kishte përmendur se si kjo Qeveri ka hequr nga paga minimale veteranët e UÇK-së dhe si rrjedhojë rritja për ta do të jetë vetëm 34 euro.

    “Meqenëse ky pushtet i ka hequr veteranët e luftës së UÇK-së nga paga minimale në Kosovë (350€), nga 170€ sa i kanë marrë, do të thotë se me këtë ka pasur zbritje prej 180€. E tash, Vendimi prej 20% rritje në kohë fushate është 34€. Pra, në vend se veteranët t’i merrnin 350€, tash do t’i marrin 204€.” – ka shkruar ai në Facebook, më 10.01.2025.

    https://kallxo.com/lajm/klinaku-rritja-per-veteranet-do-te-jete-34-euro-nese-votuesi-mashtrohet-perseri-kjo-eshte-ceshtje-e-tij/