Ballina

Autor: Egzon Dahsyla

  • Arrestohet një shtetase ruse në Merdarë, tentoi të korruptonte policin me 50 euro për të hyrë pa vizë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje me 17.01.2025 ka rrestuar një shtetase ruse në pikën kufitare Merdarë.

    Sipas Policisë, e dyshuara i kishte ofruar 50 euro ryshfet zyrtarit policor që të ia mundësonte hyrjen në Kosovë pa vizë.

    Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

  • Ceremonia e betimit të Trumpit do të mbahet brenda, për shkak të motit acar

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se inaugurimi i tij të hënën do të zhvillohet brenda ndërtesës së Kongresit amerikan në Uashington, për shkak të motit acar.

    Kjo do të jetë hera e parë në 40 vjetët e fundit që një president amerikan e bën betimin brenda dhe jo jashtë ndërtesës.

    “Një i ftohtë i Arktikut ka kapluar vendin. Nuk dua që njerëzit të dëmtohen, apo lëndohen në çfarëdo mënyre”, tha Trump të premten në rrjetin e tij social, Truth Social.

    Hera e fundit kur inaugurimi i zhvillua brenda ndërtesës për shkak të ftohtit të madh, ishte betimi i ish-presidentit republikan, Ronald Reagan, për mandatin e dytë presidenciale më 1985.

    Shërbimi Kombëtar i Motit ka parashikuar se temperatura do të jetë rreth -6 gradë celsius gjatë mesditës së hënë kur do ta bëjë betimin Trumpi. Gjatë inaugurimit të dytë të Reaganit, temperatura kishte rënë -14 gradë celsius.

    Trump tha se mbështetësit mund ta shikojnë ceremoninë në ekrane brenda Capital One Arena, një arenë sportive në qendër të Uashingtonit që ka kapacitet prej 20.000 ulësesh.

    Ai gjithashtu tha se parada e tij presidenciale, e cila ishte planifikuar të përfshinte bende muzikore dhe grupe të tjera që do të kalonin nëpër “Pennsylvania Avenue” pranë Shtëpisë së Bardhë, do të zhvendoset brenda Capital One Arena. Nuk është e qartë se si do të zhvillohet një paradë brenda arenës sportive.

    Trump tha se do t’i bashkohet turmës në arenën sportive pasi ta bëjë betimin.

    I ftohti acar ka ndikuar në disa inaugurime të të kaluarën.

    William Henry Harrison, presidenti i nëntë i SHBA-së, mbajti fjalimin më të gjatë të inaugurimit më 4 mars të vitit 1841, në kushte të lagështa dhe të ftohta, pa kapelë ose pallto.

    Ajo ngjarje dhe ai fjalim mendohet të kenë ndikuar në vdekjen e tij nga pneumonia. Ai vdiq një muaj pas marrjes së detyrës, duke e bërë presidencën e tij më jetëshkurtrën në historinë amerikane.

    Gjatë ceremonisë së dytë të betimit për presidentin, Ulysses S. Grant, më 4 mars 1873, disa kadetë dhe nënoficerë që qëndronin jashtë pa pallto, kolapsuan, ndërsa erërat e forta bënë që fjalimi i Grantit të mos dëgjohej as nga ata që ishin pranë tij në platformë, sipas një historie të botuar nga Shërbimi Kombëtar i Motit.

    Temperatura e ulët e mëngjesit prej -15 gradë celsius atë ditë mbetet dita më e ftohtë e marsit në e regjistruar ndonjëherë në Uashington/REL/.

  • Kabineti izraelit i Sigurisë miraton marrëveshjen me Hamasin

    Pasi miratimit nga Kabineti i Sigurisë pritet që edhe qeveria izraelite ta konfirmojë marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës. Kjo marrëveshje pritet të hyjë në fuqi të dielën.

    Kabineti izraelit i Sigurisë rekomandoi miratimin e marrëveshjes së armëpushimit me me organizatën terroriste Hamas e cila dhe përfshin edhe kthimin e pengjeve.

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se pasi kabineti ta ratifikojë marrëveshjen, ajo do të hyjë në fuqi të dielën.

    Armëpushimi me organizatën terroriste Hamas është planifikuar të hyjë në fuqi të dielën në orën 11:15 (ora e Evropës Qendrore). Zyra e Netanyahut njoftoi gjithashtu se pritet që pengjet e parë izraelitë – tri gra – të lirohen nga Hamasi të dielën.

    Presidenti Isaac Herzog e përshëndeti miratimin e marrëveshjes së armëpushimit nga ana e kabinetit të sigurisë dhe tha: “Pres që qeveria të bëjë të njëjtën gjë së shpejti”.

    Sipas njoftimeve të “Times of Israel” Herzogu u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm për përmbushjen e detyrimeve bazë që një shtet ka ndaj qytetarëve të tij/DW/.

  • Moti për sot

    Sot mbi vendin tonë është parashikuar mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në mëngjes dhe gjatë natës do të ketë ngrica dhe kushte për mjegull.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -7°C deri -4°C ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 0°C dhe 3°C. Do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s” – thuhet në njoftimin e IHMK-së.

    Gjithashtu, IHMK ka rekomanduar pjesëmarrësit në komunikacion për kujdes të shtuar për shkak të dukshmërisë dhe ngricave.

    “Qytetarët rekomandohet të kufizojnë daljet e panevojshme, sidomos gjatë periudhave të ndotjes së lartë, si dhe të përdorin maska mbrojtëse kur është e nevojshme” – thuhet në njoftimin e IHMK-së.

  • KRU Mitrovica nënshkruan marrëveshje me tri komunat në veri për inkasim dhe faturim të ujit

    Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka nënshkruar marrëveshje me kryetarët e tri komunave me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok, për inkasimin dhe faturimin e faturave të ujit të banorëve të këtyre komunave.

    Kryeshefi i KRU Mitrovica, Bashkim Kurti, citohet të ketë thënë se do të ketë një periudhë tranzitore deri në fund të këtij viti, për evidentimin e konsumatorëve dhe vendosjen e ujëmatësve nëpër këto komuna.

    “Do të bëhet evindentimi i konsumatorëve, vendosja e ujëmatësve si dhe faturimi e inkasimi. Për këtë periudhë tranzitore, e kemi caktuar një afat kohor, datën 31.12.2025. Duhet të gjejmë zgjidhje edhe për organin paralel” –  ka thënë ai më 17.01.2025.

    Ndërsa ministrja Artane Rizvanolli citohet të ketë thënë se marrëveshja është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët e këtyre komunave.

    “Deri më sot KRU “Mitrovica” ka qenë e kufizuar në tri komuna, Skenderaj, Vushtrri dhe Mitrovicë e Jugut, edhe pse ne të gjithë e dimë se kjo nuk është rajoni i plotë i Mitrovicës dhe kjo nuk e reflekton integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Nga sot, KRU ‘Mitrovica’ po i jep kuptim të plotë emrit të vet duke lidhur marrëveshje të shërbimit edhe me tri komuna veriore, së shpejti besoj të katërtat” – citohet të ketë thënë Rizvanolli.