Ballina

Autor: Arton Hamiti

  • Përdorimi i inteligjencës artificiale në shpërndarjen e dezinformatave në kohë fushate

    Materiale të rreme që lidhen me partitë, kandidatët për kryeministër dhe deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025 në Kosovë, janë shpërnndarë në rrjetet sociale që nga fillimi i fushatës elektorale.

    Për krijimin dhe shpërndarjen e dezinformatave, për dallim nga fushatat paraprake, tani po përdoret inteligjenca artificiale. Video e fotografi të prodhuara nga inteligjenca artificiale janë prodhuar dhe janë shpërndarë në rrjete sociale, duke përfshirë Facebook-un dhe TikTok-un.

    Më 13.01.2025, faqja në Facebook PDK Nëndega Fshati Oshlan ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherit kryeministrit aktual Albin Kurtit, i veshur si pelegrin.

    “Po bëhem sikur po falna, vetëm sa për t’ua marrë votat atyre që e quajnë veten myslimanë, pastaj e miratoj edhe ligjin për homoseksualët”- është shkruar në fotografi.

    Pas kërkimit me makinën e kërkimit të imazheve Pim Eyes, KALLXO.com kishte gjetur se fytyra e Kurtit është përdorë për të prodhuar këtë fotografi.

    Përmes kërkimit në Google Lens, po ashtu KALLXO.com evidentoi se e njëjta fotografi është publikuar edhe në disa faqe të tjera, të cilat kishin treguar se fotografia është prodhuar nga Inteligjenca Artificiale.

    Gjithashtu, më 05.01.2025, një profil në Facebook (arkiva) ka publikuar disa fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Në fotografi pretendohet se Kryeministri ka veshur uniformë ushtarake. KALLXO.com, përmes aplikacionit për vërtetësinë e fotografive Hive Moderation ka gjetur se imazhet, kanë mundësi 99.9% se janë prodhuar me Inteligjencë Artificiale.

    Kurse, përmes aplikacionit tjetër PimEyes, KALLXO.com vërtetoi se fytyra e Kurtit është shkëputur nga fotografi tjera për t’i prodhuar fotografit e publikuara.

    Përveç fotografive, përmes Inteligjencës Artificiale janë duke u fabrikuar edhe video të ndryshme, teksa politikanëve u mëveshët zëri i dikujt tjetër.

    Më 28.12.2024, një faqe në Facebook (arkiva & arkiva) ka publikuar një video në të cilën shihet kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherit kandidat për kryeministër, Ramush Haradinaj. Faqja pretendon se Haradinaj thotë “O Albin o djali jonë Vetëvendosja qysh po të shkon”.

    Për të verifikuar këtë video, KALLXO.com ka analizuar materialin dhe ka vërejtur se zëri është shkëputur nga një video me përmbajtje satirike nga grupi humoristik Stupcat, me emër “Stupcat – Gëzuar Pavarësia 2006”.

    KALLXO.com ka kontrolluar  vërtetësinë e videos duke gjetur se është përdorë një fotografi e Ramush Haradinaj e publikuar fillimisht në BBC në autorësinë e Reuters, e cila pas përdorimit të AI është kthyer në video material.

    Sipas të dhënave në internet, kjo fotografi është realizuar më 11.06.2017, derisa Haradinaj ishte duke votuar në Zgjedhjet parlamentare të mbajtura atë ditë në Kosovë.

    Video të prodhuara nga inteligjenca artificiale janë publikuar edhe në TikTok, të cilat mund t’i gjeni KËTU, KËTU dhe KËTU.

    Cili është ndikimi i inteligjencës artificiale në fushatë?

    Përdorim më të theksuar të inteligjencës artificiale në shpërndarjen e dezinformatave gjatë kësaj fushate për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat mbahen më 09.02.2025, ka vërejtur edhe profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli.

    Në këtë fakt sipas tij, mund të ketë ndikuar zhvillimi i fundit i teknologjisë në fushën e inteligjencës artificiale.

    “Përdorimi i inteligjencës artificiale, për dallim nga fushatat e tjera është jashtëzakonisht i madh, ndoshta edhe për shkak të zhvillimit të fundit të teknologjisë sa i përket formave që lidhen me chatgpt dhe krijues të tjerë të përmbajtjes me anë të inteligjencës artificiale. Këto aplikacione të inteligjencës artificiale janë duke u shfrytëzuar në tri çështje: në krijim të përmbajtjes, në krijim dhe në mirëmbajtje të profileve të cilat edhe fotografitë edhe videot edhe përmbajtjen tekstuale e kanë të gjeneruar me inteligjencë artificiale” – tha Zeneli.

    Sipas profesorit universitar, inteligjenca artificiale po përdoret nga secila parti politike, me qëllim që mesazhi i tyre politik të shpërndahet në masë. Ai shtoi se ky fenomen ka ndikim negativ, pasi që mesazhi që shpërndahet përmes inteligjencës artificiale është i rremë.

    “Këtu nuk bëjnë përjashtim asnjëra nga partitë politike. Në observimin qe e kam bërë deri tani secila parti politike ose mbështetës virtual të krijuar me inteligjencë artificiale janë profile të ndryshme në media sociale, në Tiktok e Facebook kryesisht me anë të së cilave shpërndahen mesazhet politike të qytetarët” – shtoi mes tjerash Zeneli.

    Sipas tij, ky fenomen ka ndikim negativ sepse krijon përshtypje e rreme që një kandidat ose një parti politike është e përkrahur nga një masë në media sociale.

    “Po në të vërtetë nuk është ashtu sepse të gjitha këto profile që i diskutuam janë të krijuara me inteligjencë artificiale” – tha ai.

    Duke e quajtur risi teknologjike që ka prekur shumicën e fushave, sidomos ato që ndërlidhen me komunikimin online dhe platformat online, profesori universitar Muhamet Jahiri, përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë fushatës zgjedhore e konsideron të rrezikshme.

    Jahiri, njëherit shefi i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se është dashur krijimi i një mekanizmi ligjor për rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale.

    “Përfshirja e kësaj inteligjence në fushatën zgjedhore është diçka e rrezikshme, jo etike dhe manipulative. Institucionet gjegjëse është dashtë që para ciklit zgjedhor t’i paraprijnë me mekanizma ligjor rregullimit mbi përdorimin e saj në kohë zgjedhjesh, ngjashëm siç kanë vepruar vendet perëndimore, përfshirë edhe ShBA’të. Përdorimi i AI-së në një shoqëri që në esencë gjykimin kritik dhe nivelin e arsimit e ka shumë prapa vendeve të zhvilluara, këtë çështje e bënë edhe më serioze” – tha Jahiri.

    Ai theksoi se dezinformimi përmes AI-së është i vështirë për t’u luftuar dhe evidentuar dhe mbi të gjitha e pa diktuar prej shumicës së qytetarëve.

    “Kjo po përdoret jashtëzakonisht shumë nga ato grupet parapolitike që në esencë janë politike për të denigruar kundërshtarët, për të tërhequr qytetarët e pavendosur e lehtë të arritshëm, por edhe për të përfituar terren politik në zgjedhje”- tha Jahiri.

    Qëllimi i shpërndarjes së dezinformatave përmes inteligjencës artificiale sipas profesorit Jahirit, është përfitimi në rezultat të zgjedhjeve.

    “Qëllimi i përdorimit të saj është që të arrihet tek votuesit që janë preh e këtyre përmbajtjeve të cilët vështirë se mund ta dekonstruktojnë mesazhin e tyre, të prekin anën emocionale të tyre, dhe t’i zhvendosin ata nga problemet reale të tyre, duke iu krijuar përmes AI-së mite të rrejshme, zgjedhje të problemeve, dezinformim përmes kontekstit të rremë dhe formave të tjera manipulative. Qëllimi kryesor është përfitimi në rezultat të zgjedhjeve, propaganda që ata janë zgjedhja e vetme më e mira, denigrimi kundërshtarëve politik, denigrimi e gazetarëve dhe opinionbërësve duke u shitur se këta janë viktima të një fushate nga ta, por edhe për t’i zhvendosur nga problemet reale siç janë mos realizimi i shumë projekteve, inflacioni enorm me te cilën ballafaqohen qytetarët, por, edhe fakti se shumica absolute e subjekteve e sidomos subjektit kryesor në mungesë të prezantimit të një programi katër vjeçar të qeverisjes.”- theksoi profesori universitar, Muahmet Jahiri.

    Asistentët virtualë të krijuar nga inteligjenca artificiale janë bërë shumë të avancuar dhe përdoren në fusha të ndryshme, si shërbimi ndaj klientit, mjekësia, gazetaria dhe edukimi. Disa nga asistentët virtualë që janë zhvilluar dhe po përdoren së fundmi janë ChatGPT (OpenAI); Bard (Google, tani Gemini); Claude (Anthropic); Llama (Meta) dhe DeepSeek i zhvilluar nga kompania kineze DeepSeek AI.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 09.02.2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre

     – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues

     – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Drejtoi veturën me drita rrotative – Policia e dënon me 500 euro dhe i konfiskon patentë-shoferin

    Policia në Ferizaj e ka dënuar një ngasës i cili po e drejtonte automjetin me drita rrotative.

    Policia kishte tentuar fillimisht ta ndalojë automjetin, i cili po lëvizte në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, por ngasësi nuk e kishte ndalur veturën.

    “Më 27.01.2025, rreth orës 18:00, policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë tentuar të ndalojnë një automjet të tipit “Audi Xhip” me targa vendore, i cili po lëvizte në rrugët e fshatit Talinovc i Muhaxherëve, në drejtim të rrugës magjistrale Ferizaj – Prishtinë.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Më pas Policia e kishte identifikuar drejtuesin e automjetit, teksa e dënoi me 500 euro dhe ia konfiskoi patentë-shoferin për 3 muaj.

    “Pas verifikimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, Policia ka arritur ta identifikojë dhe ta ftojë në Stacionin Policor drejtuesin e automjetit, N.RR. (M/K), 40 vjeç. Pas intervistimit, ndaj tij është shqiptuar një gjobë kundërvajtëse prej 500 eurosh, si dhe masa mbrojtëse: heqje e patentë-shoferit për 3 muaj.” – u tha mes të tjerash në komunikatën e Policisë.

  • FSK përfundon me sukses ushtrimin fushor “Shqiponja 1” – Pamje

    Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, konkretisht të Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore, kanë përfunduar me sukses ushtrimin fushor “Shqiponja 1”.

    Ky ushtrim u realizua në kuadër të ngritjes së kapaciteteve operacionale – njofton Ushtria e Kosovës.

    “Në kuadër të ngritjes dhe forcimit të kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kompania B e Regjimentit të Dytë të Forcave Tokësore ka realizuar me sukses ushtrimin fushor ‘Shqiponja 1’.” – thuhet në njoftim të FSK-së.

    Ky ushtrim sipas Forcës së Sigurisë ka pasur për qëllim vlerësimin dhe testimin e aftësive, me synimin që të sigurohet gatishmëria e lartë për përmbushjen e detyrave të planifikuara dhe arritjen e objektivave për vitin 2025.

    “Përmes skenarëve të ndryshëm taktikë, pjesëtarët e FSK-së kanë demonstruar aftësi të avancuara në menaxhimin e situatave sfiduese – duke dëshmuar profesionalizëm dhe përkushtim në realizimin e misionit të tyre.” – u tha mes të tjerash në njoftim.

    Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) u formua më 21.01.2009, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.

    Ndërkaq, më 14.12.2018, Kuvendii  Kosovës me votimin e tri Ligjeve ia zgjeroi mandatin dhe kompetencat për t’u shndërruar në Ushtri – në një proces që pritet të zgjasë deri në 10 vjet.

  • OSHP e vendosi në listë të zezë për falsifikim të vulës dhe nënshkrimit, Prokuroria inicion rast pas interesimit të KALLXO.com

    Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka vendosur në listë të zezë kompaninë “Fortesa SH.P.K” për falsifikim të nënshkrimit dhe vulës së një kompanie tjetër gjatë aplikimit në një tender në Komunën e Gjilanit.

    Edhe përkundër kësaj, as Komuna e Gjilanit e cila ishte inicuese e tenderit e as Organi Shqyrtues i Prokurimit e cila më 08.11.2024 e ka vendosur kompaninë në listë të zezë, nuk e kanë dërguar këtë rast në Prokurorinë e Shtetit.

    Rasti është regjistruar nga Prokuroria e Gjilanit dhe i është ndarë një prokurori vetëm pasi KALLXO.com është interesuar dhe ka dërguar pyetje, gati tre muaj pasi kompania “Fortesa SH.P.K” është vendosur në listë të zezë në lidhje me tenderin e Komunës së Gjilanit për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.

    “Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se ky rast nuk evidentohet në regjistrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, mirëpo ju informojmë se pas kërkesës suaj lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka regjistruar këtë rast, i cili mban shenjën PPN.I.21/2025 dhe është ndarë në punë tek një prokuror nga Departamenti i Krimeve të Rënda”- tha për KALLXO.com, Liridona Xheladini, zëdhënëse e Prokurorisë së Gjilanit, më 30.01.2025.

    Pas kërkesës së Komunës së Gjilanit, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik më 08.11.2024 mori vendim për vendosjen e kompanisë “Fortesa SH.P.K.” për tre muaj në listën e zezë. Në këtë tender, “Fortesa SH.P.K” ishte lidere e Grupit të Operatorëve Ekonomikë, të përbërë nga kompanitë, “AlbaProject” dhe “Auremont”. Por për këta dy të fundit kërkesa e Komunës së Gjilanit për vendosjen në listën e zezë u refuzua nga OSHP.

    Paneli Shqyrtues i Gjykatës së tenderëve konstatoi se kompania “Fortesa SH.P.K.” në tenderin për “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë” i iniciuar nga Komuna e Gjilanit më 20.09.2023, ka mashtruar me dokumentacionin e dorëzuar në këtë aktivitet të prokurimit.

    Sipas vendimit të OSHP-së, Komuna e Gjilanit ka dorëzuar prova të mjaftueshme që dëshmojnë se kompania “Fortesa SH.P.K, në këtë aktivitet të prokurimit ka mashtruar/falsifikuar nënshkrimin dhe vulën e kompanisë “Eing COM” në dokumentin e marrëveshjes për bashkëpunim për dhënie me qira të makinerisë së kërkuar në Dosje të Tenderit.

    KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresën e dy kompanive, “Fortesa SH.P.K”, e cila është vendosur në listën e zezë dhe “Eing COM”, nënshkrimi dhe vula e së cilës pretendohet se është falsifikuar. Përkundër se KALLXO.com i ka kontaktuar përmes telefonit dhe emailit më 28, 29 dhe 30.01.2025, kompanitë nuk janë përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

    Sipas vendimit të OSHP-së për diskualifikim, kompania “Fortesa SH.P.K” nuk ishte përgjigjur ndaj kërkesës së Komunës së Gjilanit, si Autoritet Kontraktues në tenderin “Rregullimin e rrugëve të arave për nevojat e Bujqësisë”.

    “Nuk i është përgjigjur kërkesës së Autoritetit Kontraktues të datës 20.10.2023” – thuhet në vendim, duke shtuar se më pas Komuna e Gjilanit iu ka shkruar veç e veç kompanive, marrëveshjet për marrjen e pajisjeve me qira me të cilat ishin prezantuar nga “Fortesa SH.P.K”.

    Ndërsa në përgjigjen për OSHP-në, kompania “Fortesa SH.P.K” pretendon se nuk ka dorëzuar dokument me përmbajtje të rreme.

    “Njoftojmë Panelin Shqyrtues se duke pasur provat tona, konfirmojmë se nuk kemi paraqitur asnjë dokument me përmbajtje të rreme apo të falsifikuar ashtu siç pretendon Autoriteti Kontraktues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit” – thuhet në përgjigjen e kompanisë “Fortesa SH.P.K”, e cila citohet në vendimin e OSHP-së. Këtë përgjigje ata e kishin dhënë pasi e kanë pranuar njoftimin e OSHP-së të datës 09.02.2024, në lidhje me kërkesën për diskualifikim.

    Kurse kompania “Eing COM” i ishte përgjigjur Komunës së Gjilanit duke konfirmuar se i njëjti dokument nuk është nënshkruar dhe as vulosur nga ta. Kjo përgjigje është përfshirë edhe në vendimin e OSHP-së për diskualifikim të kompanisë “Fortesa SH.P.K”.

    “Marrëveshja e prezantuar nga Grupi i Operatorëve Ekonomikë “Fortesa SHPK” & “N.P Auromont” në aktivitetin e prokurimit të lartshënuar nuk është lidhur, vulosur dhe nënshkruar nga ana e personit të autorizuar të kompanisë “EING COM” dhe si e tillë kjo marrëveshje është inekzistente dhe nuk ka vlefshmëri të marrëdhënies juridike për kompaninë “EING COM”” – thuhet në përgjigjen e datës 24.10.2023 për Komunën e Gjilanit si Autoritet Kontraktues.

    A kanë bashkëpunim Gjykata e tenderëve me Prokurorin e Shtetit?

    Organi Shqyrtuesi i Prokurimit dhe Prokurori i Shtetit nuk kanë bashkëpunim në dërgimin dhe trajtimin e rasteve në të cilat konstatohet se ka falsifikim të dokumenteve.

    Në lidhje me kompanitë e vendosur në listën e zezë dhe bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit, KALLXO.com ka kontaktuar me Agim Sheqirin, ushtrues detyre i kryesuesit të Sekretariatit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Ai e ka konfirmuar se nuk kanë marrëveshje më prokuroritë përkatëse, teksa adresimin e rasteve ku dyshohet për vepra penale, Sheqiri tha se u takon autoriteteve kontraktuese.

    “Ajo çka di është se autoritetet kontraktuese janë njoftuar që çështjen me e dërgu në Prokurori, është obligim i tyre se në fakt ato e kanë njëfarë obligimi, jo vetëm ata por edhe na. Pra nëse konstaton që ka mashtrim duhet të iniciohet rasti në organet e drejtësisë. Autoriteti Kontraktues e ka obligim, nëse ka mashtru ka falsifiku ai me e paraqitë sepse falsifikimi është bërë aty, po supozoj nëse u ba, jo te na. Me Prokurorinë nuk e di që kemi ndonjë bashkëpunim”- theksoi Sheqiri.

    Edhe pse nga OSHP kanë thënë se edhe autoritetet kontraktuese e kanë obligim të dërgojnë rastet e tilla në organet e drejtësisë, Komuna e Gjilanit, e cila e ka dërguar në OSHP kërkesën për vendosjen e kompanisë në listën e zezë për mashtrim, nuk e ka dërguar rastin në prokurori.

    Zyrtari përgjegjës i prokurorimit në Komunën e Gjilanit, Kujtim Bajrami, e ka konfirmuar për KALLXO.com se nuk e kanë njoftuar Prokurorinë për këtë rast, duke shtuar se vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit është publik dhe i qasshëm edhe për organet e drejtësisë.

    “Ne si Autoritet Kontraktues, kemi zhvilluar procedurën dhe gjate procedurës kemi paraqitur kërkesë për Organin Shqyrtues të Prokurimit në harmoni me dispozitat e ligjit të Prokurimit Publik dhe për të njëjtën me datë 08.11.2024 është publikuar vendimi i OSHP-së, lidhur me diskualifikimin e OE në fjalë. Pasi që vendimi është publik dhe i qasshëm për te gjitha palët, përfshi këtu edhe Prokurorinë, ne konsiderojmë se një vendim publik mund të merret nga të gjitha palët dhe institucionet kompetente. Andaj edhe ne nuk kemi vepruar tutje”- tha Bajrami më 28.01.2025 për KALLXO.com.

    Zëvendëskryeprokurorja e Prokurorisë së Prishtinës, Elza Bajrami, ka thënë për KALLXO.com se nuk ka ndonjë rast për të cilin dyshohet se ka elemente të veprës penale e që Organi Shqyrtues i Prokurimit i ka njoftuar.

    “Prokuroria dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk është se kanë ndonjë komunikim te drejtpërdrejtë sa i përket trajtimit te rasteve ku mund të konsumojnë vepër penale dhe të cilat mund të jenë zbuluar apo të krijohet dyshimi i arsyeshëm gjatë procedurave para OSHP-së. Zakonisht në Prokurori, informacionet qe i referohen veprave te mashtrimit ne prokurimin publik vijnë prej Policisë së Kosovës. Kryesisht kjo më tepër është një punë e Autoriteteve Kontraktuese për shkak se edhe vendimet e OSHP-së janë të tilla që ua lënë në dorë Autoriteteve Kontraktuese qe të njëjtat ti njoftojnë organet e rendit gjegjësisht organet e drejtësisë – Policinë, Prokurorinë, nëse ka dyshime për veprime te tilla, falsifikimet e dokumenteve apo mashtrime, tentime te mashtrimit ne prokurim publik. Deri me tani nuk kemi pasur raste te cilat janë paraqitur direkt nga ana e OSHP-së”- tha Bajrami më 28.01.2025 për KALLXO.com.

    Sipas nenit 79 të Kodit të Procedurës Penale, “të gjitha organet publike detyrohen t’i paraqesin veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare për të cilat janë informuar ose për të cilat kanë marrë dijeni në ndonjë mënyrë tjetër”.

    Kallëzimi penal i paraqitet prokurorit kompetent të shtetit me shkrim, me mjete teknike të komunikimit ose gojarisht.

    Një rast i bashkëpunimit të një institucioni me Prokurorin e Shtetit për dërgimin e rasteve të dyshuara për vepra penale dhe ndarjen e informacioneve të tjera është Zyra Kombëtare e Auditimit.

    ZKA që nga viti 2018 ka dërguar 143 raste të dyshimta për vepra penale në Prokurorinë e Shtetit. Prej tyre, vetëm në tri raste janë ngritur aktakuza.

  • Raporti i Policisë së Prishtinës: rënie e veprave penale, shtim i rasteve të dhunës në familje gjatë vitit 2024

    Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës, më 30.01.2025, ka publikuar Raportin vjetor për vitin 2024. Sipas Raportit në vitin 2024 janë raportuar 19 mijë e 874 raste, duke pësuar një ulje prej -4.60% – krahasuar me vitin 2023, kur ishin raportuar 20 mijë e 831 raste.

    Nga këto raportime 10 mijë e 908 raste janë iniciuar si vepra penale, duke pësuar rënie për -3.40% nga viti 2023, ku si vepra penale ishin iniciuar 11 mijë e 290 raste.

    Kurse, nga 10 mijë e 908 raste të veprave penale, janë zbuluar 6669 raste, apo 118 raste më shumë sesa në vitin 2023.

    Rënie për -4.50% kanë pësuar edhe incidentet. Në vitin 2023 ishin raportuar 10 mijë e 158 incidente, kurse në vitin 2024 u raportuan 96 mijë e 99 incidente.

    Veprat penale kundër rendit kushtetues – sipas Raportit – kanë shënuar një rritje për 233.3%. Në vitin 2023 si vepra penale kundër rendit kushtetues ishin raportuar 3 raste, kurse në vitin 2024 – 10 raste. Pra, 7  më shumë.

    Ndërkohë, veprat penale si: “vrasje” dhe “vrasje e rëndë” kanë pësuar rënie për -20%. Derisa gjatë vitit 2023 u iniciuan 10 raste, në vitin 2024 – sipas Raportit – u iniciuan 8 raste.

    Rastet e dhunës në familje kanë shënuar ngritje për 5.5%, teksa në vitin 2023 u evidentuan 799 raste, gjatë vitit 2024 u evidentuan 843 raste.

    Gjatë vitit 2024 Policia e Rajonit të Prishtinës ka realizuar mbi 800 plane operative dhe ka arrestuar 2718 persona, apo 3% më tepër se në vitin 2023.

    Drejtori i Policisë së Rajonit të Prishtinës, nënkoloneli Basri Shabani tha se si prioritet ka qenë rritja e sigurisë publike. Ai vlerësoi se siguria në territorin e Prishtinës është e qetë.

    “Mbështetur në analizat e gjendjes së sigurisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, konstatoj para juve se rendi dhe siguria publike në territorin e Rajonit të Prishtinës, nga të gjithë parametrat, vlerësohet e qetë. Njëkohësisht, ne zotohemi që do të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm, profesional dhe të përkushtuar gjatë gjithë kohës, me qëllim të përmbushjes së misionit fisnik të Policisë së Kosovës.” – theksoi Shabani, duke shtuar se rënia e numrit të veprave penale kundrejt jetës dhe trupit, si dhe veprave penale kundër pasurisë është rezultat i një Policie moderne e parandaluese.

    Ai shtoi se gjatë vitit 2024 ka pasur shtim të aktiviteteve vetëdijësuese për siguri në trafik.

    “Kemi arritur uljen e numrit të aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me fatalitet për -34%. Gjithashtu vëmendje i është kushtuar edhe punës, lidhur me sigurinë në shkolla, me ç’rast janë marrë masa parandaluese, janë hartuar Plane operative dhe Programe të veçanta, janë realizuar shumë ligjërata dhe është bashkëpunuar ngushtë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Drejtorët e Shkollave përkatëse, si në aspektin vetëdijesus edhe në atë të sigurisë – duke realizuar projekte të përbashkëta.” – tha nënkoloneli Shabani.

    Sipas Raportit vjetor, në vitin 2023, në Rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 10 mijë e 125 aksidente, kurse në vitin 2024 ka pasur rënie të aksidenteve për -4.10%, pasi që janë raportuar 9712 aksidente.

    Teksa në vitin paraprak numri i aksidenteve me fatalitet ka qenë 29, gjatë vitit 2024 u regjistruan 19 aksidente me fatalitet apo -34%.

    Kurse, numri i tiketave të shqiptuara ka shënuar ngritje për 14.90%. Gjatë vitit 2024 në Rajonin e Prishtinës janë shqiptuar 212 mijë e 931 tiketa, kurse në vitin 2023 – 185 mijë 356 tiketa.

    Derisa, koha e reagimit nga 14 minuta u shkurtua në 11 minuta sipas Raportit, informacionet inteligjente janë në rritje.

    Gjatë vitit 2024, 29 policë ishin suspenduar përkohësisht, kurse 2 u larguan nga puna.

    Policia e Rajonit të Prishtinës prezantoi edhe objektivat për vitin 2025, duke u nisur nga: parandalimi dhe lufta kundër kriminalitetit, funksionimi i Drejtorisë së Kryeqytetit, hapja e dy Nënstacioneve Policore në Hajvali dhe Komoran, siguria në dhe përreth shkollave, parandalimi i aksidenteve të trafikut, forcimi i bashkëpunimit me institucione të tjera të sigurisë etj.

    I pranishëm gjatë prezantimit të Raportit ishte edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Ai tha se ndihmesë për Policinë e Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve do të jetë instalimi i qytetit inteligjent, me fokus instalimin e kamerave që do të monitorohen nga Policia.

    Policia e Rajonit të Prishtinës mbulon territorin e shtatë Komunave: Prishtinë, Podujevë, Drenas, Lipjan, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Graçanicë.