Ballina

Autor: Arjana Berisha

  • Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të martën

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të martën, më 28.01.2025, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë

    1.

    Nga TS 35/10kV Mazgiti do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Breznicë (kodi: 15019009) në dy termine prej orës 10:00 deri 10:15 dhe nga ora 12:15 deri 12:30.

    Vendet: Breznicë, Kozaricë, Barilevë dhe Leban.

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, largimi i siguresave të tensionit të mesëm.

    2.

    TS 35/10kV Mazgiti  do të ndërprehet:

    TS 10/0.4 kV TS Konsumatorët e fshatit Lebanë (kodi:15019009193) prej orës 10:00 deri në ora 14:30

    Vendet: Një pjesë e fshatit Lebanë.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri- ndërrimi i transformatorit.

    3.

    Nga NS 220/35/10[kV] Podujeva do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Sillosi (kodi: 14000006 )  nga ora 10:00 deri 14:30.

    Vendet: Qendra, Letanci dhe Sillosi.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri- punimi i kokave kabllovike 10kV tek Sillos-i.

    4.

    TS 220/35/10(20)[kV] Podujeva

    Nga Dalja 10kV J07 Podujeva 2 do të ndërprehet:

    TS 10/04kV TS Spitali (kodi: 14000002012) nga ora 10:30  deri 15:00

    Vendet: rr.20 Qershori.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, demontim i shtyllës 0,4kV.

    Pejë

    1.

    NS 110/10[kV] Deçani

    Nga Dalja 10[kV] Barani do të ndërprehet

    Në  NS 10/0.4[kV] Stabiliment Baran nga ora 09:30 deri ne ora 11:30 dhe nga ora 15:00 deri 17:00

    1.NS 10/0.4[kV] Qallapeku 1 (kodi:53000002026)

    2.NS 10/0.4[kV] Kamenica( kodi:53000002027)

    3.NS 10/0.4[kV] Qallapek 3 (Varrezat) (kodi:53000002028)

    4.NS 10/0.4[kV] Qallapek 2 (kodi:53000002029)

    5.NS 10/0.4[kV] Buqan  1 (kodi:53000002031)

    6.NS 10/0.4[kV] Kosuriq 1- qendra (kodi:53000002032)

    7.NS 10/0.4[kV] Kosuriq( Varrezat)) (kodi:53000002033)

    8.NS 10/0.4[kV] Kosuriqi 3 (kodi:53000002034)

    9.NS 10/0.4[kV] Kosuriq 2 (kodi:53000002035)

    10.NS 10/0.4[kV] Llugaxhi (kodi:53000002036)

    11.NS 10/0.4[kV] Gjergj S. Velaj (kodi:53000002037)

    12.NS 10/0.4[kV] Gllogjan 1 (kodi:53000002038)

    13.NS 10/0.4[kV] Gllogjan 3-Tamnik (kodi:53000002039)

    14.NS 10/0.4[kV] Gllogjan  4- private (kodi:53000002040)

    15.NS 10/0.4[kV] Gllogjan Pomp benzine (kodi:53000002041)

    16.NS 10/0.4[kV] Nepole l (kodi:53000002042)

    17.NS 10/0.4[kV] Nepole ll (kodi:53000002043)

    18.NS 10/0.4[kV] Buqan -Privat (kodi:53000002046)

    19.NS 10/0.4[kV] Buqan Shkolla (kodi:53000002048)

    20.NS 10/0.4[kV] Kosuriqi i Vjeter (kodi:53000002050)

    21.NS 10/0.4[kV] IdrizSelman Krasniqi (kodi:53000002058)

    Vendet: Qallapek, Kamenicë, Buqan, Kosuriq, Llugagji, Gllogjan dhe Nepole.

    Arsyeja:  Krijimi i kushteve të punës pa tension, largimi i urave të tensionit të mesëm.

    2.

    NS 110/10[kV] Deçani

    Nga Dalja 10[kV] Barani do të ndërprehen këto NS 10/0.4[kV] nga ora 09:30 deri në ora 17:00

    1.NS 10/0.4[kV] TS -Buqan 1    (kodi: 53000002031)

    2.NS 10/0.4[kV] TS-Buqan Privat ( kodi: 53000002046)

    3.NS 10/0.4[kV] TS-Buqan shkolla (kodi: 53000002048)

    Vendet: Një pjesë e Buqanit.

    Arsyeja:  Projekt investiv, implementimi i punëve sipas projektit investiv.

    Gjakovë

    1.

    Nga NS 35/10 [kV] Malisheva  do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Kijeva (kodi: 82082007) prej orës 09:00 deri në ora 18:00

    Vendet: fshatrat: Balincë, Bubavec, Drenoc, Gollubovc, Kijevë, Llazicë, Lubizhdë, Mleqan, Plloçicë, Polluzhë dhe Stapanicë.

    Arsyeja: Projekte investive, ndërrimi i konzollave dhe izolatorëve nën largpërçuesin ekzistues.

    Gjilan

    1.

    Nga NS 35/10 [kV] Kllokoti do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Kllokoti- Skifteraj (kodi: 61065004) nga ora 09:30 deri 15:00

    Vendet: fshatrat: Budrikë e Epërme, Budrikë (një pjesë), Gjylekar, Kllokot (një pjesë), Radivojcë dhe Remnik.

    Arsyeja: Montimi i kabllove të tensionit të mesëm në shtyllë metalike sipas pëlqimit elektro-energjetik.

    2.

    Nga NS 35/10[kV] Kllokoti  do të ndërprehet:

    Dalja 10 [kV] Tërpeza (kodi: 61065012)  nga ora 09:30 deri në ora  15:00

    Vendet: fshatrat: Ballancë, Çifllak (një pjesë), Devajë, Kllokot (një pjesë), Kravaricë, Pozharan, Tërpezë dhe Zhiti.

    Arsyeja: Montimi i kabllove të tensionit ët mesëm në shtyllë metalike sipas pëlqimit elektro-energjetik.

  • Përkujtohet tmerri i Auschwitzit, Osmani: Shqiptarët gjatë Holokaustit hapën dyert dhe zemrat për hebrenjtë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 27.01.2025 ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të Auschwitz-Birkenau në Krakow të Polonisë.

    Ajo ka theksuar kontributin e shqiptarëve gjatë Holokaustit, duke kujtuar se ata hapën dyert dhe zemrat për hebrenjtë, bazuar në vlerat e besës shqiptare – një akt që mbetet dëshmi e fuqisë së humanizmit dhe solidaritetit.

    Osmani tutje theksoi rëndësinë e kujtesës historike për të parandaluar përsëritjen e tmerreve të së kaluarës dhe për t`i promovuar vlerat universale të paqes, barazisë dhe humanizmit.

    Po ashtu, ka folur për përvojën e tmerrshme të Kosovës, e cila e ka përjetuar luftën dhe gjenocidin nga ana e regjimit të Millosheviqit, duke theksuar se kjo përvojë e bën Kosovën një zë të fuqishëm në luftën kundër urrejtjes dhe diskriminimit.

    “Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit na kujton se duhet të qëndrojmë bashkë kundër çdo forme urrejtjeje dhe të sigurohemi që kurrë më të mos përsëriten tmerret e së kaluarës. Kosova, e cila ka kaluar përmes tmerreve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Millosheviqit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe angazhimin për një të ardhme më humane dhe të drejtë”- ka thënë Osmani.

    Sipas Presidencës, kjo është hera e parë që kreu i shtetit merr pjesë në këtë ngjarje përkujtimore, duke dëshmuar përkushtimin e Kosovës për paqen dhe solidaritetin ndërkombëtar.

    Në fillim të ceremonisë, Osmani u prit nga presidenti polak, Andrzej Duda. Ajo shprehu mirënjohje për ftesën dhe potencoi rëndësinë e kujtesës historike për krimet e kryera.

    Kujtimet e disa të mbijetuarve nga kampi Auschwitz-Birkenau sollën rrëfime tronditëse nga kampi i tmerrit me mesazhin e qartë që e shkuara e tyre të mos jetë e ardhmja e fëmijëve tanë.

     

  • Kurti në Drenas: Ju kërkojmë falje që u vonuam sepse në Skenderaj na pritën me fishekzjarre, entuziazëm shtesë për fitoren e 9 shkurtit

    Pas tubimit që u shoqërua me protesta nga disa qytetarë në Skenderaj, Lëvizja Vetëvendosje më 27.01.2025 e ka vazhduar fushatën në Drenas.

    Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, e nisi fjalimin në Drenas duke thënë se në Skenderaj ka pasur pjesëmarrje me të madhe sesa ka pritur.

    “Ne ju kërkojmë falje që u vonuam sonte meqë në Skenderaj pati pjesëmarrje më të madhe në tubim sesa që e kishim menduar. Na pritën edhe me fishekzjarre e me petarda. Entuziazëm shtesë për fitoren e 9 shkurtit”- u shpreh Kurti.

    Ai tutje ka folur për të arriturat e Qeverisë së drejtuar prej tij, duke thënë se janë duke i eliminuar politikanët himni i të cilëve “nuk është rreth flamurit të përbashkuar, por rreth korrupsionit të përbashkuar”.

    Sipas Kurtit, opozitarët po i ndan paraja.

    “Rritjen ekonomike që reflektohet në 50 për qind bruto produkt vendor. Rekord të investimeve kapitale ka pasur vitin e kaluar. Mbështetja jonë është reflektuar edhe në Drenas. I kemi izoluar dy ndërtesa shumëbanesore sociale, ndërsa i kemi rinovuar nëntë shkolla. Rreth 2,500 nëna lehona kanë fituar shtesa. Pensionistët e Drenasit kanë përfituar 20% rritje nga janari”- ka thënë ai.

    Lëvizja Vetëvendosje ka nisur sot, më 27.01.2025, në ora 18:00, një tubim zgjedhor në Skenderaj.

    Disa qytetarë janë mbledhur në qendër të Skenderajt dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së dhe pranisë së kryeministrit Albin Kurti.

    Ata kanë thirrur “Thaçi, Thaçi”, “PDK, PDK”, “Sami Lushtaku”, si dhe kanë hedhur mjete piroteknike drejt vendit ku po mbahej tubimi zgjedhor i LVV-së.

    Përmes një postimi në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se “në tokën e heroizmit e të krenarisë, aty ku shumëçka flet për luftën dhe sakrificën, mbështetës si asnjëherë më parë u mblodhën për ta pritur Kryeministrin Albin Kurti”.

     

  • Vuçiq thotë se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve dhe zotohet për falje

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pretenduar se janë plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, nisur nga publikimi i gjithë dokumentacionit rreth rindërtimit të stacionit hekurudhor në Novi Sad, e deri te falja e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave.

    Në një adresim publik më 27 janar, ai ka thënë se do të publikohen edhe dokumentet tjera, dhe kështu shteti do të ofrojë “gjithçka që ka”.

    “Nuk ka më dokumentacion që ka të bëjë me rindërtimin e stacionit hekurudhor”, ka thënë Vuçiq.

    Ai, gjithashtu, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë faljen e të gjithë studentëve dhe profesorëve, ndaj të cilëve janë nisur procedura penale, pas arrestimit të tyre në protesta.

    Protestat kanë nisur pas shembjes së një cope të madhe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor, duke lënë të vrarë 15 persona dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë.

    Duke folur për kërkesat e studentëve për ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmet ndaj studentëve, profesorëve dhe qytetarëve tjerë në marshe dhe protesta, Vuçiq ka thënë se janë iniciuar raste kundër 37 individëve.

    Sa i përket përfshirjes së zyrtarëve qeveritarë në sulme, Vuçiq ka thënë se “ekziston vetëm një rast në Beogradin e ri” dhe që beson se “tashmë është zgjidhur”.

    Kur ka folur për kërkesën për rritje të buxhetit për 20 për qind për edukimin e lartë, presidenti serb ka thënë se studentët e kanë ndryshuar kërkesën për të përfshirë rritje të pagave të profesorëve dhe zvogëlim për 50 për qind të tarifave studentore, dhe që shteti tashmë ka vendosur të plotësojë edhe këtë kusht.

    Sipas tij, kjo do t’i kushtojë shtetit rreth 73 miliardë dinarë.

    “Pyetja është nëse të gjitha këto që kemi përmbushur do të jenë mjaftueshëm që dikush të thotë se ‘të gjitha kërkesat janë përmbushur’. Nuk jam i sigurt, por shpresoj të jetë ashtu. Por, jam i sigurt që kjo do të nisë një dialog në shoqëri, dhe që dikush prej rektorëve dhe dekanëve, dhe të gjithë të tjerët të nisin të flasin, të niset dialogu dhe kështu të nisë shërimi i shoqërisë sonë”, ka thënë Vuçiq.

    Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë në konferencë të përbashkët me Vuçiqin se i ka ftuar të gjithë rektorët, dekanët, profesorët dhe studentët e universiteteve dhe fakulteteve në Serbi që të shkojnë në Qeveri dhe të diskutojnë për kërkesat e studentëve, që sipas tij, janë plotësuar në tërësi.

    Vuçiq ka thënë të hënën se do t’i dërgojë një kërkesë Qeverisë serbe “për ristrukturimin më urgjent dhe më masiv të mundshëm”.

    “Sepse në këto kohë të vështira politike, është bërë e qartë se kush është i gatshëm të punojë dhe të luftojë, kush jo, dhe duke pasur këtë parasysh, pres që më shumë se 50 për qind e ministrave të shkarkohen dhe zëvendësohen në një ristrukturim shumë, shumë urgjent”, ka thënë Vuçiq më 27 janar.

    Ai ka thënë se në tre muajt e fundit, pas aksidentit në stacionin hekurudhor në Novi Sad – në të cilin kanë vdekur 15 persona – është krijuar një atmosferë që nuk është në të mirë të askujt.

    “Në këta tre muaj, ne kemi dëgjuar shumë akuza kundër trupave shtetërore, thirrje për përmbysje të shtetit, kemi dëgjuar deklarata shumë të papërgjegjshme, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ne në pushtet”, ka thënë ai.

    Presidenti serb ka thënë se ka biseduar me përfaqësues qeveritarë dhe që ata “kanë deklaruar se kanë dëshirë të dëgjojnë palën tjetër” [studentët që po protestojnë] dhe që dëshirojnë dialog dhe bisedë.

    Studentët vazhdojnë bllokadën 24-orëshe

    Vuçiq, kryeministri serb, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiq, i janë adresuar publikut në ditën kur studentët kanë organizuar bllokadë 24-orëshe në njërën prej pikave kryesore të trafikut në Beograd.

    Bllokada 24-orëshe është organizuar tri ditë pasi mijëra njerëz i janë bashkuar thirrjes për grevë të përgjithshme.

    Studentët, që janë bllokuar punën e më shumë se 60 fakulteteve për më shumë se dy muaj, janë duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për 15 vdekjet e shkaktuara nga incidenti në Novi Sad.

    Përfaqësuesit qeveritarë kanë thënë paraprakisht se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar.

    Akademikët, në anën tjetër, kanë thënë se kërkesat e tyre janë plotësuar pjesërisht dhe që pezullimi i punës do të vazhdojë deri në njoftimin e radhës.

    Më shumë se 5.000 profesorë universitarë në Serbi kanë mbështetur bllokadën e studentëve.

    Përmes një peticioni ata dënojnë tentimet e Qeverisë për t’i frikësuar studentët – duke i bërë publike të dhënat e tyre personale, apo edhe duke dërguar agjentë të agjencive qeveritare në shtëpitë e tyre apo të prindërve të tyre.

    Zyra e Prokurorit të Lartë në Novi Sad ka paditur 13 njerëz lidhur me incidentin e nëntorit.

    Në mesin e tyre janë edhe ish-ministri për Ndërtim, Transport dhe Infrastrukturë, Goran Vesiq, asistentja e tij Anita Dimoski, si dhe ish-drejtorja e kompanisë publike infrastrukturore, Jelena Tanaskoviq.

    Dhjetë prej të paditurve janë në mbajtje, Vesiq është në arrati, ndërsa Tanaskoviq dhe Dimoski janë në arrest shtëpiak./REL.

  • Hamza premton mbështetje për bizneset inovative dhe digjitale

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, më 27.01.2025 ka premtuar mbështetje për bizneset inovative dhe digjitale në Kosovë.

    Hamza ka thënë se në programin e tij përveç lehtësirave fiskale, uljes së normave tatimore, për bizneset ka mbështetje dhe lehtësim të qasjes në financa.

    “Fondi për Garantimin e Kredive do të rritet. Kapitali do të rritet, do të zgjerohet fushëveprimtaria e këtij fondi. Për shkak se vajzat edhe djemtë e rinj mund të kenë ide të mira, ide inovative, kualifikime të duhura, mirëpo u mungon historiku në banka apo u mungon kolaterali, bankat nuk i financojnë. Ne e shohim këtë (fushën e IT-së) si diçka tepër pozitive, tepër të nevojshme dhe kemi me i përkrah edhe përmes granteve, edhe përmes lehtësirave të ndryshme, në mënyrë që ne të kemi sa më shumë njerëz që merren me këtë fushë”- ka thënë Hamza.

    Ai ka thënë se ky sektor ka nevojë për përkrahje, sepse krijon vende të shumta të punës dhe ka potencial të madh eksportues.

    Hamza kështu ka deklaruar gjatë një vizite që e ka zhvilluar sot në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK).

    Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

    Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.