Ballina

Autor: Arjana Berisha

  • KQZ-ja akrediton vëzhguesit e Organizatave Ndërkombëtare, Ambasadave dhe OJQ-ve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur më 28.012025 ka akredituar vëzhguesit e disa Organizatave Ndërkombëtare, Ambasadave dhe OJQ-ve për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    KQZ -ja akeditoi grupin e radhës prej 1,680 vëzhguesve për vëzhgimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.

    Prej tyre 13 janë vëzhgues të Trupave të Menaxhimit të Zgjedhjeve nga shtete të ndryshme, 81 vëzhgues të përfaqësive të vendeve të huaja të akredituara në Kosovë, 1,126 vëzhgues nga OJQ-të vendore, 393 vëzhgues nga Organizata të ndryshme Ndërkombëtare dhe 67 vëzhgues nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

    Sipas KQZ-së, Zgjedhjet e 9 shkurtit do të vëzhgohen edhe nga institucione zgjedhore nga shtete të ndryshme, si: Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Bullgaria.

    Më 12.01.2025, KQZ-ja ka akredituar grupin e parë prej 2,274 vëzhguesve të katër partive politike të certifikuara për Zgjedhjet e përgjithshme, që mbahen më 09.02.2025.

    https://kallxo.com/lajm/zgjedhjet-e-9-shkurtit-kqz-ja-akrediton-grupet-e-para-te-vezhguesve-te-kater-subjekteve-politike/

    Për Zgjedhjet e 9 shkurtit janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Fushata e Koalicionit për Familjen takohen me Kryetarin e OVL-UÇK-së

    Më 28.01.2025, drejtuesit e Koalicionit për Familjen janë takuar me kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

    Eman Rrahmani, Selim Pacolli, Ferid Agani dhe Fatmir Smajli janë takuar edhe me ish-pjesëtarin e UÇK-së, Fatmir Sopi.

    Sipas njoftimit, gjatë takimit, u diskutuan çështje të rëndësishme që lidhen me të drejtat dhe sfidat me të cilat përballen veteranët – duke përfshirë përmirësimin e kushteve sociale, shëndetësore, si dhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre.

    Ndërsa thuhet se liderët e Koalicionit theksuan angazhimin e tyre të fortë për mbështetje konkrete dhe intensivimin e Dialogut, me qëllim që të zgjidhen problemet që prekin kategoritë e dala nga lufta.

    “Ata u shprehën të vendosur për të punuar së bashku për të siguruar një mbështetje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për ish-luftëtarët – duke përmirësuar kushtet e jetesës dhe duke ruajtur nderin dhe dinjitetin e tyre.” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa tutje thuhet se ky takim është një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe veteranëve, me qëllim krijimin e mundësive të reja për përmirësimin e jetës së tyre dhe të ardhmes së vendit.

    Koalicioni për Familjen po e vazhdon garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

  • Treni godet një veturë në Pejë, nuk ka të lënduar

    Një veturë është goditur nga treni i linjës Prishtinë-Pejë sot, më 28.01.2025, rreth orës 10:00.

    Aksidenti ka ndodhur në hyrje të qytetit të Pejës.

    Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi.

    Ai ka njoftuar se nuk ka persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 10:00, Policia është njoftuar se treni që qarkullon në relacionin Prishtinë-Pejë, në hyrje të Pejës e ka goditur një veturë. Të lënduar nuk ka, vetëm dëme materiale. Hetuesit e aksidenteve kanë dalë në vend të ngjarjes për të kuptuar si ka ardhur deri tek aksidenti.” – ka thënë ai.

     

  • Mijëra palestinezë nisin të kthehen në veri të Gazës

    Dhjetëra-mijëra palestinezë janë nisur të hënën në rrugën kryesore që çon në veri të Gazës, pasi Hamasi është pajtuar që t’i dorëzojë tri pengje izraelite këtë javë dhe pasi forcat ushtarake izraelite kanë nisur të tërhiqen prej korridorit kryesor të enklavës.

    Hamasi – grup palestinez që udhëheq Gazën – është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Një turmë e madhe njerëzish, disa duke mbajtur foshnje apo gjësende të domosdoshme nëpër duar, janë nisur në këmbë drejt veriut të Gazës.

    “Më duket sikur të kem lindur sërish dhe të jemi fitimtarë sërish.” – ka thënë një nënë palestineze për Agjencinë e lajmeve Reuters.

    Dëshmitarët kanë thënë se banorët e parë kanë mbërritur në qytetin e Gazës herët në mëngjes.

    Më vonë janë hapur edhe tri pikëkalime tjera, duke mundësuar edhe qarkullimin e makinave.

    “Zemra po më rrah fort. Kam menduar që nuk do të kthehem më kurrë.” – ka thënë Osama, 50 vjeç, shërbyes publik dhe baba i pesë fëmijëve, teksa ka arritur në qytetin e Gazës.

    “Pavarësisht se a do të ketë sukses armëpushimi, ne nuk do të largohemi më kurrë nga qyteti i Gazës dhe veriu, edhe nëse Izraeli sjell tanke për secilin prej nesh, nuk do të ketë më zhvendosje”.

    Duke pasur parasysh faktin se banorët e Gazës janë shpërngulur disa herë përgjatë 15 muajve të luftës, turma njerëzish janë larguar me gëzim prej tendave dhe kampeve kur kanë marrë vesh lajmin që pikëkalimet do të hapen.

    “Nuk kam fjetur, i kam bërë gati të gjitha gjërat për t’u nisur qysh në agim.” – ka thënë Ghada, nënë e pesë fëmijëve.

    “Të paktën jemi duke shkuar në shtëpi, tani mund të them se lufta ka përfunduar dhe shpresoj të jetë gjithçka qetë.” – ka thënë ajo për Reuters.

    Sipas Marrëveshjes për armëpushim, banorët e veriut të Gazës do të duhej të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre në fundjavë.

    Mirëpo Izraeli ka thënë se Hamasi e ka prishur Marrëveshjen, meqë nuk e ka liruar gruan e marrë peng, Arbel Yehud.

    Të dielën vonë ndërmjetësuesit e Katarit e kanë zgjidhur këtë mosmarrëveshje dhe Hamasi është pajtuar që ta lirojë Yehudin bashkë me ushtaren Agam Berger dhe një peng tjetër të enjten – dy ditë para lirimit të tri pengjeve të tjera.

    Izraeli më pas e ka dhënë dritën e gjelbër, që banorët e veriut të Gazës të mund të kthehen në vendbanimet e tyre prej të hënës.

    Rreth 650.000 njerëz janë zhvendosur nga veriu i Gazës përgjatë luftës, e cila është nxitur nga sulmet e Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor 2023 – duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.

    Më shumë se 47.000 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gazë – sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

    Një pjesë e mirë e Gazës është shkatërruar nga luftimet dhe autoritetet nën dirigjim të Hamasit. Kanë thënë se banorët e kthyer në veri të Gazës do të kenë nevojë për mijëra tenda dhe qendra strehimi – teksa tentojnë t’i rikthehen normalitetit.

    Sipas Marrëveshjes së armëpushimit, vetëm personat e paarmatosur do të mund të kthehen në zonën veriore. Makinat do të kontrollohen në hollësi, nëse kanë ndonjë armë apo lëndë shpërthyese./REL.

  • Komandanti i KFOR-it u takua me përfaqësuesin e UNDP-së, thekson përkushtimin për siguri në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, më 27.01.2025 u takua me përfaqësuesin e UNDP-së (Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) në Kosovë, Nuno Queiros, në Shtabin e KFOR-it, në Prishtinë.

    Sipas një njoftimi nga KFOR-i, Barduani theksoi përkushtimin e palëkundur të forcës që komandon për të mbështetur të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.

    Sipas njoftimit, vizita ishte pjesë e shkëmbimeve të rregullta të komandantit të KFOR-it me homologët e tij kryesorë në Kosovë.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.