Ballina

Autor: Arjana Berisha

  • Trump kërkon shtyrjen e shpalljes së dënimit në rastin e blerjes së heshtjes

    Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar një gjykatësi në Nju Jork të hënën që ta shtyjë shqiptimin e dënimit ndaj tij në rastin penal të blerjes së heshtjes, në të cilin ai u shpall fajtor vitin e kaluar.

    Avokatët e Trumpit thanë se synojnë t’i kërkojnë Gjykatës së Apelit ta hedhë poshtë vendimin e javës së kaluar nga gjykatësit Juan Merchan për shqiptimin e dënimit më 10 janar.

    Avokatët Todd Blanche dhe Emil Boce i kërkuan Merchanit të mos e shpallë aktgjykimi ndaj Trumpit derisa ata ta bëjnë ankesën në Gjykatën e Apelit. Nëse kjo ndodh, atëherë gjasat janë që aktgjykimi ndaj Trumpit të mos shpallet para inaugurimit të tij më 20 janar.

    Merchan e caktoi të premten si datë për shpalljen e aktgjykimit, por la të kuptohej se Trumpi nuk do të përballet me ndonjë dënim me burgim apo gjobë.

    Trumpi u shpall fajtor në maj për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.

    Ai ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.

    Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan.

    Trump ka thënë se rrëfimi i saj ishte i rrejshëm dhe i ka mohuar të gjitha akuzat./REL.

  • Osmani nënshkruhet në Librin e Zisë për ish-presidentin Carter: Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mё 06.01.2025, u nënshkrua në Librin e Zisë për ish presidentin Jimmy Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë.

    Ajo u ka shprehur ngushëllime familjes dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të ish-presidentit duke shkruar ndër të tjera “shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë”.

    Sipas Osmanit, angazhimi i përhershëm i Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën.

    “Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Carter dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të Presidentit Jimmy Carter. Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave”- ka shkruar Osmani.

    Ndёrsa ka thёnё se Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet.

    “Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shembëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë”- ka thёnё ajo.

    Jimmy Carter ka vdekur në moshën 100 vjeçare, më 29.12.2024.

    Carter jetoi më gjatë se çdo President tjetër në histori dhe festoi 100-vjetorin e lindjes në tetor 2024.

    Demokrati shërbeu si President i SHBA-së nga viti 1977 deri në 1981 – periudhë e mbushur me kriza ekonomike e diplomatike.

    Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë me një nivel të ulët pëlqyeshmërie, reputacioni i tij u rikthye përmes punës humanitare, që i solli Çmimin Nobel për Paqe.

  • Plagoset njё person nё Haxhaj tё Rugovёs, arrestohet i dyshuari

    Njё plagosje nga arma e zjarrit dyshohet se ka ndodhur mё 06.01.2025, rreth orёs 02:20 nё fshatin Haxhaj nё Rugovё.

    Rasti dyshohet se ka ndodhur pasi tё dyshuarit i ka shkrepur arma aksidentalisht.

    Sipas njoftimit, Policia pasi ka marrё informacionet pёr rastin kanё shkuar nё emergjencёn e Spitalit tё Pejёs, dhe kanё takuar dëshmitarët e rastit tё cilёt kanë deklaruar se derisa ishin nё shtёpine e viktimёs, aksidentalisht ka shkrepur arma nga i dyshuari dhe ёshtё plagosur viktima.

    Nё njoftim thuhet se viktima pas intervenimit në Spitalin Rajonal nё Pejё, ёshtё dёrguar nё Qendrёn Klinike Universitare tё Kosovёs pёr trajtim mjekёsor.

    Ndёrsa, nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, ёshtё arrestuar i dyshuari i kёtij rasti.

    Tutje ёshtё bërё e ditur se nё vendin e ngjarjes janё gjetur dhe sekuestruar: Njё armё pistoletё M57, njё karikator i sё njëjtёs armë, njё fishek kal: 7.62x25mm, tri gёzhoja kal:7.62x25mm, njё armё automatike AK47, njё kariokator i sё njëjtёs armё, tri gёzhoja kal: 7.62×39 mm, gjshtё gёzhoja kal:9mm.

    Në njoftim bëhet e ditur se pas intervistimit nga hetuesit i dyshuari, me vendim tё Prokurorit tё Shtetit dёrgohet nё mbajtje pёr 48- orё.

  • 47-vjeçari shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm arrestohet në Greqi

    Një 47 vjeçar shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar më 03.01.2025, në Athinë.

    Sipas Policisë së Shtetit në Shqipëri, për arrestimin e tij është zhvilluar operacion i përbashkët me Policinë e Greqisë.

    “Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia greke finalizoi operacionin ‘IN TIME’ – duke arrestuar këtë shtetas.” – thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

    Ndërsa, është bërë e ditur se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

     

  • Haradinaj premton funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës për fluturime emergjente

    Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, më 03.01.2025, ka thënë se Kosova duhet ta ketë patjetër një aeroport alternativ për fluturime emergjente.

    Ai ka thënë do ta përshtasin Aeroportin e Gjakovës, për të shërbyer si “pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror.”

    “Kosova patjetër duhet ta ketë një aeroport alternativ për fluturime emergjente, në mënyrë që udhëtarët e saj të mos vijnë në situatë – që në pamundësi për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës – të aterojnë në Beograd dhe Shkup. Për këtë qëllim, ne do ta aftësojmë Aeroportin e Gjakovës, për të shërbyer si pikë strategjike për funksionalitetin e trafikut ajror.” – ka thënë Haradinaj.

    Ndërsa, ka thënë se kjo përshtatje do të arrihet me një investim të përballueshëm për buxhetin.

    “Angazhimi ynë për ta shndërruar këtë aset në një pikë të rëndësishme të infrastrukturës së sigurisë kombëtare është pjesë e vizionit të Kosovës Fituese.” – ka shkruar ai në Facebook.

    Në vitin 2019, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Aeroporti i  Gjakovës ka kaluar nën kompetencat e Ministrisë për nevoja të FSK-së.

    Në ditët e fundit për shkak të mjegullës së dendur, në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” janë anuluar afër 50 fluturime – gjatë dy ditëve të fundit, kurse në disa të tjera ka pasur vonesa.

    Lidhur me këtë zhvillim ka shkruar ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, më 02.01.2025.

    “Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional Sistemin e Avancuar të Aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.” – ka thënë ai.

    Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij Sistemi – sipas tij – kanë aterruar me sukses, ndërsa “fluturimet pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.”