Ballina

Autor: Arjana Berisha

  • Suspendohen tre zyrtarët policorë që u panë në tubime politike

    Një kolonel, një major dhe një rreshter policor janë suspenduar nga puna, më 08.01.2025.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa njëri zyrtar policor është suspenduar nga IPK-ja.

    Suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike.

    “Suspendimi ka ndodhur duke u bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës, i cili përcakton konfliktin e interesave, Udhëzimin Administrativ për Shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, si dhe Rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.” – thuhet në njoftim.

    Në njoftim thuhet se Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të Ligjit, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese – si institucioni kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.

    “Policia e Kosovës, me gjithë zyrtarët e saj, kanë detyrë primare garantimin e rendit e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe çdo përfshirje e zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e krijuar ndër vite ndaj Policisë së Kosovës.” – thuhet në njoftim.

    Koloneli i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi është njëri prej zyrtarëve të Policisë për të cilin Inspektoriati i Policisë kërkoi suspendimin nga detyra, për shkak se i njëjti mori pjesë në një aktivitet politik.

    https://kallxo.com/lajm/koloneli-nexhmi-krasniqi-sfidon-policine-pasi-u-pa-ne-tubim-politik-kush-ka-thene-qe-skam-te-drejte/

    Ai u pa në një takim të thirrur nga kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Fotografitë e shpërndara nga kanidati i PDK-së për deputet, Fatbardh Rexha, janë shpërndarë në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, më 06.01.2025.

    Për këtë rast KALLXO.com ka telefonuar Krasniqin për ta pyetur rreth pjesëmarrjes së tij në aktivitetin politik, por i njëjti nuk pranoi të sqarohej.

    “Kush ka thënë që s’kanë të drejtë të marrë pjesë Policia? Janë Rregulloret, po lexoje Ligjin për Policinë dhe gjeje Nenin aty dhe mirupafshim.” – deklaroi Nexhmi Krasniqi për KALLXO.com.

    Krasniqi mban pozitën e drejtorit në Drejtorinë Rajonale për kufi – Gjakovë.

    Kallxo.com ka provuar të kontaktojë edhe me Isak Ejupin, Major në Policinë e Kosovës, për të cilin Inspektoriati i Policisë inicoi procedurë disiplinore ndaj tij, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.

    Ndaj majorit Ejupi IPK inicioi procedurë disiplinore, pasi i njëjti kishte marrë pjesë në një tubim politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i njëjti shihet në një viedo të shpërndarë nga LDK gjatë ditës së djeshme.

  • Pjesëmarrja në tubime politike – IPK rekomandon suspendimin e një Koloneli dhe inicion procedurë disiplinore ndaj një Majori të Policisë

    Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar më 08.01.2025 se sipas detyrës zyrtare ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara, ku janë përfshirë një gradë e Kolonelit policor dhe një Major.

    Sipas njoftimit, vendimi ka ardhur pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike.

    “IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e Kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike, kurse rastin e Majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës.” – thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore.

    “Roli i Policisë është kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim dhe çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund të dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion jetik.” – thuhet në njoftim.

    Ndërsa është berë e ditur se IPK vazhdon të mbetet e përkushtuar në mbështetjen e një Policie, ku puna edhe angazhimi i saj bazohet nga vlerat e integritetit, neutralitetit dhe shërbimit të drejtë ndaj të gjithë qytetarëve.

  • I lënduari nga fishekzjarret në Prizren dërgohet për trajtim në Turqi

    Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në bashkëpunim me Ambasadën turke në Prishtinë kanë mundësuar që personi i lënduar si pasojë e shpërthimit të fishekzjarrëve në një pikë shitjesh të mjeteve piroteknike në Prizren më 31.12.2024, të dërgohet për trajtim me aeroplan special në Turqi.

    BIK-u mё 06.01.2025, njoftoi se trajtimi i tij, do të realizohet në qendrën hulumtuese spitale për djegie të thella në Stamboll.

    “Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, kanë siguruar trajtimin mjekësor dhe transportin emergjent me aeroplan special të Abdurrahman Memajt, i cili ditë më parë u lëndua rëndë nga shpërthimi i fishekzjarrëve në Prizren.

    Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës falënderon Ambasadën e Republikës së Turqisë dhe Qeverinë turke për mundësinë e trajtimit mjekësor në Qendrën Hulumtuese Spitalore për diegie të thella në Stamboll të Turqisë, duke bërë apel kështu për kujdes edhe më të shtuar”- thuhet nё njoftim.

    Mё 01.01.2025, 25-vjeçari i lënduar si pasojë e shpërthimit të fishekzjarreve në një pikë shitjesh të mjeteve piroteknike në Prizren ka qenë në gjendje kritike shëndetësore.

    Ai ishte duke u trajtuar në Klinikën Intensive të QKUK-së.

  • Tërmet në zonën Prizren-Kukës, Sizmologu Mustafa jep detaje

    Një tërmet me magnitudë 2.9 sipas shkallës Rihter, ka goditur territorin e Kosovës dhe Shqipërisë më 06.01.2025 nё ora 20:22.

    Kёshtu ka njoftuar Shemsi Mustafa nga Rrjeti Sizmologjik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës.

    Sipas tij, epiqendra e këtij tërmeti ishte 18.5 km në Jugperëndim të Prizrenit dhe 11.5 km në Verilindje të Kukësit, në fshatin Rapçë

    Ai ka thёnё se tërmeti në fjalë është ndier dukshëm nga qytetarët e zonës Jugperëndim të Kosovës.

    “Ky sizmicitet nuk e kishte potencialin të rrezikon qytetarët apo ndonjë dëm material për shkak të forcës se ulët, njëherësh këto termete dëshmojnë për zonën sizmogjene të Prizrenit që është zonë aktive e cila në të ardhmen mund të gjeneron tërmete me magnitudë më të madhe, ashtu sipas llogaritjeve dhe studimeve të paraqitura me Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovë”- ka thёnё Mustafa.

    Një tërmet me 2.6 shkallë të Rihterit ka goditur Kosovën në orët e pasditёs të së hёnёs, më 06.01.2024.

    Qendra Sizmologjike Europiane e Mesdheut (EMSC) ka njoftuar se tërmeti është ndjerë në afërsi të kufirit mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Thellësia e tërmetit ishte 8 km.

  • Kongresi amerikan e certifikon fitoren e Trumpit në zgjedhje

    Kongresi amerikan e ka certifikuar edhe formalisht fitoren e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër kandidates demokrate, nënpresidentes Kamala Harris, duke i hapur rrugën atij për t’u betuar si president më 20 janar.

    Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të hënën në 50 shtete dhe në Distriktin e Kolumbias u bë në një ceremoni formale dhe të shpejtë gjatë një seance të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Seanca u udhëhoq nga Harris në rolin e presidentes së Senatit.

    Ceremonia e së hënës kaloi plotësisht ndryshe krahasuar me atë të para katër vjetëve, kur një grup i mbështetësve të Trumpit e vërshuan Kongresin një përpjekje të dështuar për ta parandaluar certifikimin e fitores së presidentit Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020, në të cilat ai e mposhti Trumpin.

    Trumpi vazhdon të pretendojë rrejshëm se i humbi zgjedhjet e vitit 2020 si pasojë e manipulimit të gjerë.

    “Kongresi e certifikoi fitoren tonë të madhe sot – ky është një moment i madh në histori. MAGA!” shkroi të hënën Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.

    Certifikimi përfundimtar konfirmon rezultatin preliminar se Trumpi i fitoi 312 vota elektorale, ndërsa Harrisi 226.

    Republikanët kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin

    Republikanët gjithashtu siguruan shumicën në Senatin amerikan dhe ruajtën shumicën e ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, gjë që do t’i japë Trumpit mbështetjen partiake që i nevojitet për ta zbatuar agjendën e tij të planifikuar, duke përfshirë uljen e taksave dhe dëbimin e imigrantëve që jetojnë në mënyrë të paligjshme në vend.

    Demokratët nuk tentuan të bllokonin certifikimin e fitores së Trumpit të hënën.

    “Ne duhet ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për mbrojtjen e demokracisë amerikane”, tha Katherine Clark, demokratja numër 2 në Dhomën e Përfaqësuesve. “Si liderë të zgjedhur, besnikëria jonë duhet të jetë ndaj Kushtetutës, së pari dhe gjithmonë. Jemi këtu për ta respektuar vullnetin e popullit dhe sundimin e ligjit”.

    Masat e sigurisë brenda dhe jashtë Kongresit u shtuan në përgatitje për certifikimin dhe pritet të mbeten në fuqi deri në betimin e Trumpit.

    Hapësira përreth Kongresit u rrethua nga gardhe metalike, qindra metra larg ndërtesës, dhe hyrja lejohej vetëm përmes pikave të kontrollit të ruajtura nga oficerë policie.

    Brenda ndërtesës, ekipe shtesë të policisë kontrollonin dokumentet e identitetit në pikat e hyrjes, përfshirë dyert dhe tunelet nëntokësore që çonin në dhomat e Dhomës dhe Senatit.

    Trump ka thënë se synon t’i falë disa nga mbi 1500 personat e akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e 6 janarit 2021 në Kongres, kur një turmë u përlesh me policinë, duke hyrë me forcë përmes dritareve dhe dyerve dhe duke thirrur, “Vareni Mike Pence”, duke iu referuar zëvendëspresidentit të atëhershëm të Trumpit, në një përpjekje të dështuar për të ndaluar Kongresin nga certifikimi i fitores së Bidenit.

    Gjatë trazirave të 2021 në Kongres, protestuesit kaluan barrikadat e policisë, sulmuan rreth 140 oficerë dhe shkaktuan më shumë se 2.8 milionë dollarë dëme. Disa oficerë policie që u përleshën me protestuesit vdiqën javët që pasuan, disa prej tyre për shkak të vetëvrasjes.

    Si rezultat i dhunës së asaj dite, Kongresi miratoi legjislacion në fund të vitit 2022 për të forcuar mbrojtjet ligjore dhe për të siguruar që procesi i certifikimit të administrohet në mënyrë të ligjshme.

    Shumë nga këto ndryshime ishin përgjigje direkte ndaj veprimeve të Trumpit para dhe gjatë 6 janarit 2021. Për shembull, ligji i ri përcakton se roli i zëvendëspresidentit është kryesisht ceremonial./REL.