Ballina

Autor: Ardita Zeqiri

  • I dërgoi mesazh kërcënues gruas me të cilën është në proces gjyqësor, arrestohet

    Policia ka arrestuar një burrë në Klinë, pasi dyshohet se i kishte dërguar mesazh me përmbajtje kërcënuese një gruaje, me të cilën është në procedurë gjyqësore.

    Sipas Policisë, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti po trajtohet si ‘frikësim gjatë procedurës penale’ – njoftoi Policia në Raportin 24-orësh, më 16.01.2025.

     

  • Aeroporti i Prishtinës -Dy persona tentojnë të udhëtojnë për në Vjenë me lejeqëndrim që dyshohet të jetë i falsifikuar

    Një burrë dhe një grua dyshohen se tentuan të udhëtojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” për në Vjenë, me lejeqëndrim të një shteti tjetër, që dyshohet të jetë i falsifikuar.

    Policia e Kosovës bën të ditur se burri është dërguar në mbajtje, derisa gruaja së bashku më një fëmijë është dërguar në Qendrën për Punë Sociale.

    Rasti ka ndodhur më 15.01.2025.

    “Raportohet se të dyshuarit: një mashkull dhe një femër me shtetësi të huaj kanë tentuar që të fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës për në Vjenë – duke prezentuar lejeqëndrim të një shteti tjetër, që dyshohet të jetë i falsifikuar. Me vendim të Prokurorit, i dyshuari mashkull është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara femër së bashku me fëmijë në Qendrën për Punë Sociale.” – thuhet në Raportin policor.

    Rasti po trajtohet si “falsifikim i dokumentit”.

  • KQZ merr vendim për numrin e fletëvotimeve në Zgjedhjet e 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme, më 15.01.2025, mori vendim për numrin e fletëvotimeve dhe broshurave që do të shtypen në Zgjedhjet parlamentare që do mbahen më 9 shkurt 2025.

    Sipas vendimit të KQZ-së do të shtypen 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 për votimin në vendvotime të rregullta; 28,450 për votimin me kusht; 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; si dhe, 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike.

    Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,075,868 votues, prej të cilëve 1,970,944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104,924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

    https://kallxo.com/lajm/kqz-shtyn-afatin-per-akreditimin-e-vezhguesve-te-subjekteve-politike/

  • Delegacioni i Asamblesë së Këshillit të Europës me vizitë parazgjedhore në Kosovë

    Një delegacion prej tre anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE), i udhëhequr nga Petra Bayr, do të bëjë një vizitë parazgjedhore në Kosovë më 16-17 janar, për të vlerësuar fushatën zgjedhore dhe klimën politike, para Zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

    Në një komunikatë për media bëhet e ditur se, në Prishtinë, delegacioni pritet të takohet me Presidenten e Kosovës, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, si dhe me liderët dhe përfaqësuesit e grupeve kryesore politike të Kuvendit.

    “Gjithashtu janë planifikuar takime me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në PACE, Kryetaren dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Shefin e Misionit të BE-së për vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe anëtarët e komunitetit ndërkombëtar, si dhe me përfaqësues të trupit diplomatik, shoqërisë civile dhe medias.” – thuhet në komunikatë.

    Delegacioni më pas do të dalë me deklaratë në përfundim të vizitës.

    Tutje, potencohet se një delegacion prej 20 anëtarësh do të udhëtojë në Kosovë për të vëzhguar Zgjedhjet më 9 shkurt.

    https://kallxo.com/lajm/numrat-e-partive-politike-per-zgjedhjet-e-9-shkurtit/

  • Policia harton plan operativ për mbarëvajtje të procesit zgjedhor më 9 shkurt

    Policia e Kosovës ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen me datën 09.02.2025.

    Policia ka bërë të ditur se me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor “është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin  njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 10.01.2025.

    Më tej, organet e rendit njoftojnë se ky plan operativ ka paraparë katër faza:

    1. Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese;

    2. Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore;

    3.  Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve dita (Z);

    4.  Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

    “Faza e parë  tani veçse është realizuar, përderisa tani jemi në fillim të zbatimit të fazës së dytë, për të vazhduar sipas planit me fazat e tjera, deri në përfundim të procesit zgjedhor”- njofton më tej policia.

    Sipas planifikimeve policore, qëllimi i këtij urdhri operativ për këtë proces zgjedhor është:

    • Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.
    • Sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.
    • Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
    • Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

    “Policia e Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, ka caktuar zyrtarë/hetues në të gjitha drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit”- theksohet në njoftim.

    Po ashtu, sipas njoftimit, janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

    Për fund, policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.

    Sipas vendimit të fundit të KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet në 17 Ambasada dhe 15 Konsullata, në 19 shtete të ndryshme të botës.

    https://kallxo.com/lajm/numrat-e-partive-politike-per-zgjedhjet-e-9-shkurtit/