Ballina

Autor: Arbrita Uka

  • Fushata e Kurtit në Prizren – kritikon Prokurorinë

    Kandidati për Kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në Zgjedhjet parlamentare ka mbajtur tubim elektoral, në qytetin e Prizrenit, më 17.01.2025.

    Në tubimin në Prizren, Kurti ka folur për rrugën Prizren-Tetovë, punimet për të cilën tha se “kanë filluar dhe po ecin me shpejtësi.”

    Vlera e projektit të ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë është rreth 200 milionë euro – sipas Kurtit.

    “Tuneli pritet të kushtojë rreth 150 milionë euro. Me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi Marrëveshje për Financimin dhe Projektimin e Tunelit. Tuneli do t’i bie mes për mes malit të Vërdopit. Ai do të jetë i gjatë gati 6km e gjysmë dhe do të jetë pra edhe më i gjatë se sa tuneli i Kalimashit, përafërsisht 600 metra.” – ka thënë Kurti.

    Kurti, më 13.08.2024, si Kryeministër i Kosovës, pa nga afër fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë – kyçja në autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.

    Gjatë tubimit të tij elektoral në Prizren, Kurti i ka kritikuar krerët e Prokurorisë dhe ka folur për zgjedhjen e Kryprokurorit të ri.

    “Malli i huaj s’bahet i joti. Shtetin tënd s’bën me vjedh. Ktheni paret, fitoni shërbim e shpagim, ku është Z-mobile sot? Zyrtarisht Z-mobile veç një të punësuar e ka, sepse nuk iu duhen më, meqë e kanë kry plaçkitjen. E krerët e Prokurorisë qartazi kanë vdekë për së gjalli. Na duhet doemos, na nevojitet një Kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm.” – ka thënë Kurti.

    Më 29.12.2024, Kurti në një intervistë në KTV e ka akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn se është “regjisor” i ftesës që i është dërguar Kurtit, për të dëshmuar në Prokurori në rastin e rezervave shtetërore.

    Para Kurtit ka folur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili edhe vjen nga Prizreni.

    Sipas Çekut, janë duke e mbrojtur trashëgiminë e Prizrenit, të cilin tha se po e bëjnë gati për UNESCO dhe po investojnë në sport, sepse Prizreni do të jetë mikpritës i Lojërave Mesdhetare.

    “Po e zhvillojmë kulturën, sepse Prizrenin do ta nominojmë për Kryeqytet kulturor evropian.” – ka thënë Çeku.

    E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se vetëm në arsim në këtë mandat kanë investuar mbi 6 milionë euro në Prizren.

    Sipas Nagavcit janë ndërtuar tashmë tri Çerdhe për 540 fëmijë të Prizrenit. Edhe dy Çerdhe të tjera janë në ndërtim e pritet të përfundojnë sivjet.

    “Në Prizren, brenda një mandati, deri në fund të këtij viti janë ndërtuar pesë Çerdhe për fëmijët e Prizrenit. A e dini se sa Çerdhe janë ndërtuar në Kosovë, në 17 vjetët e fundit? Vetëm 4 Çerdhe në të gjithë Kosovën.” – tha Nagavci.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.

  • Policia gjen granata dore dhe municion në Mitrovicë të Veriut – VIDEO

    Policia e Kosovës ka konfiskuar mjete shpërthyese – granata dore, municion dhe mjete tjera të dyshuara në Mitrovicë të Veriut, më 17.01.2025.

    Për këtë rast, Policia njofton se ka arrestuar të dyshuarin M.B. Fillimisht, Policia ka pranuar informatën se në një lokacion ka mjete të dyshuara.

    Pas informacionit, Policia ka kryer disa kontrolle në një shtëpi dhe në objektet përcjellëse të saj.

    Po ashtu, nga ky aksion, Policia thotë se janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës edhe kartela grafike (RIGAT) për prodhimin e kriptovalutave.

    Policia ka bërë të ditur dëshmitë që janë gjetur dhe konfiskuar, të cilat janë: 4 (katër) mjete shpërthyese (granata dore M79), 8 (tetë) gaz maska me filtër dhe 2 (dy) filtër rezervë, 10 (dhjetë) USB, 1 (një) pajisje optike për snajper “tasco 6×40”, 1 (një) çantë me pajisje optike për armë (Bushnell), 1 (një) pelerin për snajper, 1 (një) krehër me pesë (5) fishekë për armë të gjatë, 1 (një) kuti me pesëmbëdhjetë fishekë për armë të gjatë 7.9mm, 99 (nëntëdhjetë e nëntë) fishekë për armë gjuetie, 2 (dy) fishekë të pistoletës, 2 (dy) telefona, 1 (një) sim kartel, 4 (katër) mbushës (adapter) për radiolidhje (motorolla), 1 (një) bateri dore, 1 (një) maicë e zezë me foto dhe mbishkrim (KOCOBCKИ BИTEZOBИ), 1 (një) shufër metalike, 1 (një) busull ushtarake; pajisje, dritë rotative për veturë, pajisje për pastrim të armëve, 1 (një) palë pranga me fotroll.

    Sipas Policisë, i dyshuari M.B. në prezencën e avokatit mbrojtës është mbrojtur në heshtje.

    “Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të rastit me Aktvendim,  të cilit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit  për 48 orë. Ky operacion pasqyron përkushtimin dhe përpjekjet tona për të garantuar sigurinë publike, për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve. Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë.” – ka thënë Policia.

    Ky nuk është aksioni i vetëm që Policia e Kosovës ka konfiskuar mjete shpërthyese e kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave.

  • Mungesa e rrymës në Impiantin e ujit në Shipol – Ujësjellësi me rekomandim për përdorimin e ujit

    Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar se të premten, më 17.01.2025, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, për më shumë se dy orë kanë pasur ndërprerje të procesit të trajtimit të ujit në Impiantin e Ujit në Shipol.

    Sipas njoftimit të KRU “Mitrovica”, nga ora 15:14 deri 17:45 nuk kanë pasur energji elektrike.

    Mirëpo, KRU “Mitrovica” njofton se tani impianti në Shipol është duke funksionuar normal dhe së shpejti pritet normalizimi i furnizimit me ujë të pijes për Komunat: Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan.

    Si rezultat i kësaj, KRU “Mitrovica” ka rekomanduar qytetarët që ujin që vjen nga Impianti i Ujit në Shipol ta lënë të rrjedhë për disa çaste derisa të kthjellet.

    “Duke pasur parashysh se me rastin e ndërprerjes së ujit, gypat e ujit mbesin pa ujë dhe me rikthimin e ujit, uji mund të vie ngapak i trubullt, prandaj rekomandojmë që ujin nga rubineta juaj ta lini të rrjedhë disa çaste derisa të kthjellet.” – ka thënë KRU “Mitrovica”, më 17.01.2025.

  • Kapet i dyshuari për vjedhjen e veturës në Kaçanik, ‘BMW X-5’ ishte shitur jashtë vendit

    Policia në Kaçanik ka arrestuar 35-vjeçarin, P.L., i cili dyshohet se kishte kryer vjedhje të rëndë në afërsi të Kaçanikut vitin e kaluar.

    Sipas njoftimit të Policisë, më 23.10.2024, rreth orës 21:10 është raportuar një rast i vjedhjes së një veture BMW X-5 me targa vendore.

    “Vetura ishte parkuar në rrugën magjistrale Kaçanik-Ferizaj, në afërsi të Kaçanikut. Pas një pune të gjatë hetimore dhe grumbullimit të informacioneve në terren, është identifikuar i dyshuari… Nga hetimet rezulton se vetura ishte kaluar jashtë kufirit të Kosovës dhe ishte shitur.” – njofton Policia, më 17.01.2025.

    Pasi është intervistuar nga hetuesit policorë, Policia thotë se P.L. është ndaluar për 48 orë. 

    “Në lidhje me rastin, në cilësinë e dëshmitarëve, janë intervistuar edhe dy persona të tjerë, shtetas të huaj.” – ka thënë Policia.

  • Moti gjatë fundjavës në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka rekomanduar pjesëmarrësit në komunikacion që të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve të reduktuara të dukshmërisë dhe ngricave.

    IHMK-ja thotë se qytetarët rekomandohet të kufizojnë daljet e panevojshme, sidomos gjatë periudhave të ndotjes së lartë, si dhe të përdorin maska mbrojtëse kur është e nevojshme.

    Ndërkaq, për parashikimin e motit gjatë fundjavës, Instituti thotë se të shtunën parashikohet mot i vranët dhe me intervale me diell.

    “Në mëngjes dhe gjatë natës do të ketë ngrica dhe kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -7°C deri -4°C, ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 0°C dhe 3°C.” – thuhet në njoftim.

    IHMK-ja thekson se do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1-3 m/s.

    Ndërsa, të dielën parashihet mot me vranësira të shpërndara dhe me intervale me diell.

    Instituti thekson se në mëngjes dhe gjatë natës parashihet ngrica dhe kushte për mjegull.

    “Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -8°C dhe -°5, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet -2°C dhe 3°C. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-2m/s.”