Ballina

Autor: Arbrita Uka

  • Gjilan, konfiskohen pajisje të lojërave të fatit dhe arrestohet një i dyshuar

    Për shkak të dyshimit për organizimin e lojërave të fatit në Gjilan, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion kontrolli në një lokal dhe disa objekte përcjellëse të këtij lokali në rrugën “15 Qershori‘’ në këtë qytet.

    Sipas Policisë, kontrollin e kanë realizuar me leje dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, më 17.01.2025, gjatë të cilit kontroll policët kanë gjetur dhe sekuestruar disa dëshmi për gjykatën.

    Dëshmitë që kanë gjetur policët janë: Tre televizorë, dy shtëpiza kompjuteri, dy monitorë, një llaptop, një printer, nëntë tiketa të lojërave të fatit si dhe një shumë e parave të gatshme.

    Policia thotë se e ka arrestuar të dyshuarin, N.G., 54-vjeçar, cili dyshohet se organizonte veprimtarinë e lojërave të fatit.

    “Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’” – thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Punime në rrjet – KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) bën të ditur se të shtunën, më 18.01.2025, do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prizren

    Punime në projekte investive:

    1.

    Nga NS 110/10 [kV] Theranda do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] rr. Reçanit (kodi: 32000005), prej orës 09:00 deri në ora 15:00.

    Vendet: Pjesët periferike të Therandës (rr.Reçani), një pjesë e rr. Brigada 123, Banesat e Benafit, Banesat e Inxhinieringut, Banesat te Viva, lagjja Hoxha I dhe II.

    Arsyeja: Energjizimi i kabllove të reja, punimi i lidhëseve dhe kokave.

    Ferizaj

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit:

    1.

    Nga NS 35/10 [kV] Shtime do të  ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Shtime (kodi: 41046003), prej orës 10:00 deri në ora 12:00.

    Vendet: rrugët: 12 Qershori, 14 Dhjetori, Adem Jashari (një pjesë), Afrim Musliu (një pjesë), Ahmet Kaçiku, Ahmet Shtimja (një pjesë), Anton Çetta, Arben Hyseni (një pjesë), e Prishtinës, e Tiranës, Imer Devetaku, Jetë Hasani, Komandant Kumanova, Lagja e Pajtimit, Milaim Beka, Ymer Prizreni (një pjesë), Rrethrrotullimi për Godanc, Shaqir Tërshana (një pjesë),  Shefket Muhadini, Sheshi i Dëshmorëve, Sheshi i UÇK (një pjesë), Shtime, Smajl Gorani, Sylejman Vokshi (një pjesë), Ymer Prizreni (një pjesë), Godanc i Poshtëm dhe Godanc i Ulët.

    Arsyeja: Ndërprerje për shkaqe sigurie, hapja e vrimës ngritja e shtyllës 12/315 dhe bartja e rrjetit të tensionit të mesëm sipas projektit, shkarkimi i daljeve 0.4kV-TS Jetë Hasani-Shtime.

    Gjakovë

    Punime në projekte investive:

    1.

    Nga NS 35/10 [kV] Malisheva do të ndërprehet:

    Dalja 10[kV] Kijeva (kodi: 82082007) prej orës 09:00 deri në ora 18:00.

    Vendet, fshatrat: Balincë, Bubavec, Drenoc, Gollubovc, Kijevë, Llazicë, Lubizhdë, Mleqan, Plloçicë, Polluzhë dhe Stapanicë.

    Arsyeja: Projekte investive, ndërrimi i konzollave dhe izolatorëve nën largpërçuesin ekzistues.

  • Publikoi video duke shtënë me armë për Krishtlindjet Ortodokse, arrestohet i dyshuari në Leposaviq

    Policia e Kosovës e ka arrestuar të dyshuarin, D.P., 28-vjeçar në Leposaviq, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale: “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Sipas Policisë, i dyshuari në rrjetet sociale kishte publikuar video, duke shtënë me armë zjarri me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, më 07.01.2025. 

    Policia njofton se i dyshuari është ndaluar për 48 orë me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit dhe e ka pranuar se posedon një armë gjysmë automatike, e cila është konfiskuar nga Njësitë Policore.

    “Gjithashtu janë konfiskuar: 26 (njëzet e gjashtë) fishekë gjuetie të kalibrit 12mm, 3 (tre) fishekë të kalibrave të panjohur, 1 (një) rrethatore të belit për 24 fishekë gjuetie dhe 1 (një) rrethatore për pesë fishekë.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 17.01.2025.

  • Han i Elezit – Qytetari i dorëzon në Polici 150 euro që i gjeti në një restorant

    Policia e Kosovës ka njoftuar se qytetari 56-vjeçar, H. Gashi nga Kaçaniku ka dorëzuar në Polici 150 euro, të cilën e ka gjetur në një restorant në Han të Elezit. 

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 17.01.2025, rreth orës 19:00 dhe ka arritur të identifikojë se kujt i takojnë paratë.

    “Rreth një orë më vonë, përmes kamerave të sigurisë policët kanë arritur të identifikojnë personin V. B., të cilit i kanë humbur paratë dhe e kanë ftuar në Stacionin e Policisë. Pas kryerjes së procedurave të verifikimit, paratë, që rezultuan të jenë 150 euro, i janë kthyer personit V.B.” – njofton Policia.

    Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka thënë se e ka falënderuar qytetarin H. Gashi, për gjestin e tij human dhe shembullor – duke treguar një standard të lartë të përgjegjësisë qytetare dhe të bashkëpunimit me Policinë.

  • Presidentja Osmani përkujton deputetin Smajl Hajdaraj në 23-vjetorin e vrasjes së tij

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka përkujtuar deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Smajl Hajdarajn me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së tij.

    Sipas Presidencës së Kosovës, Smajl Hajdaraj, aktivist politik dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), u vra pabesisht në një pritë, më 17.01.2002.

    “Ai nuk u ndal as në luftë, as në paqe – duke qëndruar gjithmonë besnik ndaj idealeve të lirisë dhe të pavarësisë. Por, fatkeqësisht, ai u vra në një kohë kur Kosova kishte nevojë për njerëz si ai për ndërtimin e shtetit dhe forcimin e demokracisë.” – thuhet në njoftimin e Presidencës, më 17.01.2025.

    Tutje, Presidenca shprehet se liria për të cilën Hajdaraj luftoi nuk mund të jetë e plotë pa drejtësi, ndaj është e domosdoshme që autorët të zbulohen dhe të vihen para Drejtësisë.

    “Smajl Hajdaraj do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë si simbol i qëndresës dhe sakrificës. Lavdi jetës dhe veprës së tij!” – ka përfunduar Presidenca.

    Smajl Hajdaraj ishte deputet i LDK-së në përbërjen e parë të Kuvendit të Kosovës pas luftës. Ai u vra në hyrje të banesës së tij në Pejë.