Ballina

Autor: Arbrita Uka

  • Gjykata ka caktuar masën arrest shtëpiak për pronarin e qenit që sulmoi nxënësit në shkollë në Suharekë

    Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për pronarin e qenit që sulmoi katër nxënës në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Shirokë të Suharekës më 22.01.2025.

    Kështu ka njoftuar për KALLXO.com zëdhënësi i Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekaj, më 27.01.2025.

    Sipas Lekajt, më 24.01.2025 është marrë aktvendim nga Gjykata dhe është refuzuar kërkesa Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

    “Ndaj të pandehurit H.Gj., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par. 3 lidhur me par.1 të KP-së, është caktuar masa e Arrestit Shtëpiak, e cila mund të vlejë deri më datën 22.02.2025” – ka thënë Lekaj.

    Lekaj e ka arsyetuar vendimin e Gjykatës duke thënë se gjyqtari i procedurës paraprake ka ardhur në përfundim se masa e arrestit shtëpiak është masë adekuate për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë hetimore paraprake.

    “Dhe si Gjykatë sipas detyrës zyrtare duhet të ketë parasysh dhe të sigurohet që mos zbatojë masën më të rëndë kur mjafton masa më e butë siç është në rastin konkret arresti shtëpiak” – ka shtuar Lekaj.

    Drejtoresha e Shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi, ka thënë KALLXO.com se nxënësit që u sulmuan nga qeni janë të klasës së parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë.

    Qeni i ka sulmuar katër nxënës: dy prej tyre janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë dhe dy të tjerë në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    Një nxënëse 8-vjeçare është sulmuar nga qeni në kokë dhe u trajtua në Repartin e Infektivës të Spitalit Rajonal të Prizrenit.

    Shefi i Infektivës në Spitalin e Prizrenit, Beram Karanezi, kishte thënë për KALLXO.com më 23.01.2025 se gjendja e saj është më e mirë. 

    Kurse, tre nxënësit të tjerë janë liruar nga trajtimi mjekësor pasi kanë qenë më shumë të shqetësuar nga sulmi i qenit.

    Në anën tjetër, Policia në Suharekë njoftoi më 23.01.2025 se e ka neutralizuar qenin i cili hyri në objektin e Shkollës “17 Shkurti” në Shirokë.

    Më shumë detaje lidhur me këtë rast mund të lexoni në këtë LINK.

  • Therja me thikë në Ferizaj – Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit

    Dy ditë pasi u raportua se një person rreth 23-vjeçar është therur me thikë në Ferizaj, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur Kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve N. D. dhe E. P., për shkak të dyshimit të veprës penale “vrasja në tentativë”.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 25.01.2025, rreth orës 17:05, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, pas një mosmarëveshjeje në komunikacion, të pandehurit për t’u sqaruar hynë në automjetin e të dëmtuarit L. Q.

    Prokuroria thotë se gjatë rrugës brenda veturës, të pandehurit e sulmojnë të dëmtuarin L. Q.

    “Pastaj përleshja vazhdon edhe jashtë veture, ku në një moment i pandehuri N. D. nxjerr një thikë nga xhepi dhe me dashje që ta privojë nga jeta e godet të dëmtuarin disa herë në pjesë abdominale – duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe dy të pandehurit largohen nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i dëmtuari fillimisht dërgohet në Emergjencën e Ferizajt, pastaj dërgohet në QKUK – Prishtinë, ku i nënshtrohet operimit.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë, më 27.01.2025.

    Prokuroria shton se të dyshuarit, N. D. dhe E. P. dyshohet se në bashkëkryerje kryen veprën penale “vrasja në tentativë” nga Neni 172, lidhur me Nenin 28 dhe 31 të KPRK-së.

    “Të pandehurit që nga data 25 janar 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur.” – ka njoftuar Prokuroria e Ferizajt.

    KALLXO.com raportoi për këtë rast, i cili u konfirmua nga Policia në Ferizaj dhe u njoftua se të dyshuarit ishin arrestuar fillimisht për lëndim të rëndë trupor.

    Policia njoftoi po ashtu se ishte sekuestruar arma e ftohtë – thikë, me të cilën dyshohet se është sulmuar i dëmtuari.

  • Vuçiq themelon “lëvizjen për popullin dhe shtetin”

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një tubimi në Jagodinë njoftoi për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”, që tha se do të mbledhë rreth vetes partitë në pushtet dhe mbështetësit e tyre.

    Në tubimin në Jagodinë morën pjesë mijëra mbështetës të Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe partnerëve të saj të koalicionit.

    “Të gjithë jeni të mirëpritur në lëvizje, në lëvizjen për ndryshimet e mëdha”, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Sipas tij, arsyeja e formimit të kësaj lëvizjeje është se ka gjëra me të cilat ai nuk është i kënaqur.

    Tubimi i mbështetësve të Qeverisë serbe në Jagodinë u mbajtë në kohën kur po vazhdojnë protestat masive në mbarë Serbinë, që janë thirrur nga studentët të cilët po bllokojnë universitetet. Studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave në një aksident në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

    Po të njëjtën ditë është mbajtur edhe një “grevë e përgjithshme”, ku janë bashkuar një numër i biznesmenëve, mësuesve, punëtorëve të arsimit dhe avokatëve që ndërprenë punën në shenjë proteste.

    Akuza ndaj opozitës

    Vuçiq e nisi adresimin e tij duke thënë se Serbia “u sulmua sot”, pa ofruar dëshmi se kush po e sulmonte shtetin.

    “Njerëzit tanë e dinë, Serbia e di, se si po sulmohet sot, se si po sulmohet nga jashtë dhe nga brenda. Njerëzit tanë e dinë se kur është koha të ngrihen në këmbë dhe të mbështesin ata për të cilët mund të thënë shumë gjëra të pakëndshme, por të paktën e dinë se ata e kanë mbrojtur Serbinë dhe kanë luftuar për Serbinë”, tha ai.

    Ai akuzoi partitë që ishin në pushtet pas ndryshimeve politike të 5 tetorit të vitit 2000, e që tani janë në opozitë, se po “plaçkitin Serbinë”.

    “Sot po na mbajnë predikime, duan të kthehen në pushtet dhe po i përdorin fëmijët për t’u kthyer në pushtet”, tha Vuçiq.

    Gjatë fjalimit në Jagodinë, Vuçiq tha se “fëmijët e kanë vendin në shkolla” e jo në protesta, duke iu referuar bllokimit të shkollave në mbarë Serbinë dhe pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme në protestat më 24 janar.

    “Sa u përket stundetëve, pavarësisht sharjeve dhe fjalëve të ashpra, u bëj thirrje që të angazhohen në dialog dhe të tregojnë se cilat kërkesa nuk janë plotësuar. Le të na thonë publikisht kërkesat që nuk janë plotësuar. Kërkesa të tilla nuk ekzistojnë”, tha ai.

    Ai përsëriti qëndrimin se Qeveria ka plotësuar katër kërkesat e studentëve. Vuçiq po ashtu pretendoi se nuk ka pasur raportime në polici për protesta dhe bllokim të rrugëve në mbarë Serbinë.

    “Policia nuk mund t’iu mbrojë kur nuk e di që ka tubime, tubime të paligjshme. Edhe sot, ata nuk kanë raportuar për asnjë tubim asakund”, tha ai.

    Vuçiq tha po ashtu se pas incidentit gjatë protestës në Novi Beograd, ku një studente u lëndua pasi u godit nga një makinë që u përplas me demonstruesit, “policia me rroba civile shpëtoi situatën”.

    Gjatë adresimit, ai tha po ashtu se nuk do të vendosë sanskione ndaj Rusisë “e as ndaj ndonjë miku tjetër”.

    Ai po ashtu tha se do të ketë “raporte miqësore dhe vëllazërore” me Rusinë dhe Kinën dhe do të bisedojë me presidentin rus, Vladimir Putin, në ditët në vijim për të gjetur një zgjidhje lidhur me sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë.

    “Fuqia e Serbisë është në pavarësinë e saj. Në mbrojtjen e rrënjëve tona, por edhe të ardhmes tonë”, tha ai.

    Daçiq mbështet lëvizjen e re

    Tubimi në Jagodinë nisi me këndimin e himnit serb nga mijëra të pranishëm. Në të u bë njoftimi për themelimin e lëvizjes së re.

    Përveç presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të pranishëm në tubim ishin edhe ministra qeveritarë nga SNS-ja dhe partnerët e koalicionit.

    Në tubim përkrah Vuçiqit ishte edhe Ivica Daçiq, ministër për Punë të Brendshme dhe udhëheqës i Partisë Socialiste të Serbisë.

    “Nuk duhet të lejojmë që armiku të krijojë përçarje mes nesh, qytetarëve të Serbisë. Ne nuk duam luftë civile, ne duam paqe dhe zhvillim”, tha Daçiq.

    Siç u tha në fillim të tubimit, “lëvizja për popullin dhe shtetin” do të bëjë bashkë njerëzit që kanë “mendime të ndryshme politike, qëndrime të ndryshme, përvoja të ndryshme, që janë në parti të ndryshme politike, por edhe ata që kurrë nuk kanë qenë pjesë e ndonjë partie dhe nuk kanë pasur interesim për politikën”.

    “Por, njerëz që kanë një qëllim të përbashkët. Ky qëllim është një Serbi e qëndrueshme, e fortë dhe fituese. Një shtet me institucione të forta. Një shtet që u garanton të gjithë qytetarëve të drejta të njëjta, një shoqëri që nuk përçan njerëzit”, u tha në fillim të tubimit.

    Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë që janë në terren në Jagodinë, qindra autobusë me tabela nga qytete të tjera u panë duke iu afruar qytetit, duke transportuar mbështetësit e Aleksandar Vuçiqit.

    Sipas gazetarëve të REL-it, flamuj të Serbisë dhe ushqime u janë dhënë mbështetësve të mbledhur të partive në pushtet.

    Teksa mijëra mbështetës të Qeverisë serbe u mblodhën në Jagodinë, disa prej tyre ishin edhe në një tubim partiak afër Novi Sadit.

    Kryeministri serb, njëherësh kryetari i SNS-së, Millosh Vuçeviq, tha në tubimin partiak se nuk do të ketë “ndryshim të pushtetit me dhunë e as qeveri tranzitore”.

    “Ka pasur kohë të vështira dhe gjithçka ka kaluara, edhe kjo do të kalojë dhe nuk do të ketë revolucion”, tha Vuçeviq.

    “Ne kurrë nuk iu kemi ikur zgjedhjeve. Mos u zhgënjeni sërish, sepse kur shikoni fotografi nga tubimet, është një gjë, e është tjerët gjë kur njerëzit shkojnë të votojnë”, shtoi ai./REL

  • UEFA refuzon ankesat e Federatës së Futbollit të Serbisë ndaj dy dënimeve në lidhje me ndeshjet me Zvicrën dhe Danimarkën

    Shtëpia e futbollit europian, UEFA, e kishte dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë (FFS) me 172,750 euro për ndeshjet e futbollit që kishte zhvilluar vitin e kaluar ndaj Zvicrës e Danimarkës në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kombeve 2025.

    Për ndeshjen e Serbisë me kombëtaren e Zvicrës, më 15.11.2024, UEFA e kishte dënuar Federatën e Futbollit të Serbisë me 119,750 euro.

    Kurse, për ndeshjen e zhvilluar ndaj Danimarkës, Federata e Futbollit të Serbisë ishte dënuar me 53,000 euro.

    Ndaj këtyre vendimeve Federata e Futbollit të Serbisë kishte parashtruar ankesë.

    Të dy këto ankesa janë refuzuar nga Organi i Apelit të UEFA-s dhe janë konfirmuar vendimet e dënimit ndaj kësaj Federate të marra më 11.12.2024 nga Trupa e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s (CEDB).

    “Refuzohet ankesa e Federatës së Futbollit të Serbisë. Për rrjedhojë, konfirmohet vendimi i Trupës së Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s, i datës 11 dhjetor 2024” – thuhet në vendimin e Organit të Apelit në UEFA më 24.01.2025.

    Sipas vendimit të CEDB të datës 11.12.2024, në raport me ekipin e kombëtares së Zvicrës, Federata Serbe ishte dënuar:

    – Për ndezje të fishekzjarreve: 8,250 euro; 

    Gjuajte të gjësendeve: 31,500 euro;

    Akte të dëmtimit të shkaktuara ndaj stadiumit dhe instalimeve të tij: 5,000 euro dhe të kontaktohet Federat e Futbollit të Zvicrës për zgjidhjen e dëmtimeve të shkaktuara nga tifozët;

    Vonim i topit në lojë: Vërejtje;

    – Vonim i topit në lojë (nga trajneri Dragan Stojkovic): Vërejtje;

    – Sjellje raciste dhe diskriminuese: Ndalohet shitja e biletave për tifozët e jashtëm për dy ndeshjet e ardhshme që luan si ekip mysafir dhe 50,000 euro dënim;

    – Transmetimi i një mesazhi që nuk është i përshtatshëm një ngjarje sportive: 25,000 euro;

    – Udhëtimi i tifozëve vizitorë: Vërejtje.

    Në ndeshjen mes Zvicrës e Serbisë u raportua se kishte pasur slogane dhe thirrje nxitëse të tifozëve serbë kundër shqiptarëve. Ndërsa, loja ka përfunduar me rezultat 1:1.

    Kurse, lidhur me ndeshjen me kombëtaren e Danimarkës, më 18.11.2024, e cila kishte përfunduar me rezultat 0:0, CEDB kishte marrë vendim që Serbia të dënohet:

    – Për sjellje raciste dhe diskriminuese: 40,000 euro dhe të urdhërojë zbatimin e masës disiplinore të pezulluar nga Organi i Apelit të UEFA-s në vendimin e tij më 30.10.2023 për sjellje diskriminuese të tifozëve të saj p.sh. të urdhërojë mbylljen e pjesshme të stadiumit gjatë një ndeshjeje të ardhshme të UEFA-s në të cilën luan si Federatë nikoqire;

    Mbyllje e pjesshme e stadiumit për një ndeshje shtesë të UEFA-s në të cilën luan si Federatë nikoqire: pushtim i fushës së lojës – 10,000 euro dhe ndezje të fishekzjarreve – 3,000 euro.

    Edhe në këtë rast, Organi i Apelit i UEFA-s ka vendosur që t’ia refuzojë Federatës së Futbollit të Serbisë ankesën, por e ka konfirmuar vendimin e CEDB të marrë më 11.12.2024. 

  • ZKA filloi auditimin e performancës mbi efikasitetin e institucioneve për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar procesin e auditimit të performancës mbi efikasitetin e institucioneve për mbrojtjen, zhvillimin dhe ripërtëritjen e hapësirave pyjore në Kosovë.

    Ky proces, sipas njoftimit nga ZKA, është pjesë e Planit Vjetor të Auditimit për periudhën 2024/2025.

    “Ky auditim synon të vlerësojë masat dhe veprimet e institucioneve për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pasurive pyjore, të cilat përfaqësojnë një nga burimet më të vlefshme natyrore të vendit” – thuhet në njoftimin e ZKA-së më 24.01.2025.

    ZKA njofton se në fushëveprimin e këtij auditimi janë të përfshira dy ministri dhe dy agjenci: Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Pyjore e Kosovës, e cila vepron në kuadër të kësaj Ministrie si dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës si dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës.

    Sipas ZKA-së, pyjet luajnë një rol jetik në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik, zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe sigurimin e kushteve më të mira për mjedisin dhe shoqërinë.

    Zyra Kombëtare e Auditimit konsideron se sfida si shpyllëzimi i paligjshëm, degradimi i tokës, mungesa e monitorimit dhe koordinimi i dobët institucional vazhdojnë të dëmtojnë këto burime të vlefshme natyrore.

    “Auditimi do të fokusohet në vlerësimin e masave për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet ilegale dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm i burimeve pyjore, efikasitetin e institucioneve në zbatimin e programeve të rikultivimit dhe ripërtëritjes së pyjeve, dhe përcaktimin e mënyrave për bashkëpunim efektiv midis institucioneve për menaxhimin e pyjeve shtetërore dhe atyre brenda parqeve kombëtare” – ka shtuar ZKA.

    Tutje, ZKA e vlerëson ruajtjen dhe menaxhimin efektiv të pyjeve si thelbësor për mjedisin, shëndetin e popullsisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

    “Raportet e ndryshme tregojnë se veprimet ilegale dhe mungesa e planifikimit strategjik kanë shkaktuar dëmtime serioze në ekosistemet pyjore. Përmes këtij auditimi, ZKA synon të ndihmojë në identifikimin e masave që mund të ndërmerren për të përmirësuar menaxhimin e pyjeve, në mënyrë që të sigurohet ruajtja dhe përdorimi i tyre i qëndrueshëm për brezat e ardhshëm” – njofton ZKA.

    Në fund të njoftimit të saj, ZKA thekson se vazhdon të jetë e përkushtuar për të siguruar që pasuritë natyrore të Kosovës të menaxhohen në mënyrë transparente dhe efektive.