Ballina

Autor: Arbrita Uka

  • Provimin për Licensim të Avancuar e kaluan 7 mësimdhënës – Nagavci e quan sukses të jashtëzakonshëm

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur se është e lumtur që e kanë përmbyllur me sukses procesin e avancimit të performancës së mësimdhënësve.

    Ashtu siç deklaroi ministrja Nagavci në Konferencën e fundvitit të datës 30.12.2024, provimit për licensim të avansuar të mësimdhënësve iu nënshtruan 54 mësimdhënës, prej tyre 7 kanë arritur pragun e kërkuar të kalueshmërisë.

    Megjithatë për Nagavcin, ky është një sukses i jashtëzakonshëm.

    “Për herë të parë javën e kaluar e përmbyllëm me sukses provimin për Licensën e avancuar, të cilit iu nënshtruan gjithsej 54 kandidatë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm në fushën e arsimit. Qëllimi i Sistemit të Licensimit është zhvillimi i vazhdueshëm profesional dhe avancimi në karrierë i mësimdhënësve përmes vlerësimit të performancës së tyre.” – ka shkruar Nagavci në Facebook, më 03.01.2025.

    Sipas Nagavcit, Sistemi i Licensimit të Mësimdhënësve ka qenë i planifikuar me legjislacion, por nuk është zbatuar asnjëherë në plotni. 

    Si rezultat i kësaj, Nagavci thotë se gjatë mandatit të tyre kanë ndërmarrë disa veprime për ta funksionalizuar këtë Sistem. 

    “Kemi rishikuar Aktet nënligjore për ta funksionalizuar Sistemin e Licensimit: UA [Udhëzimin Administrativ] për Sistemin e Licensimit, UA për Zhvillim Profesional, UA për Vlerësim të Performancës. Pas më shumë se 10 vjetëve mësimdhënësit në Kosovë mund të marrin licensë të re (përtëritje e Licensës së Karrierës) ose të avancohen (Licensa e Avancuar).” – ka thënë Nagavci.

    Nagavci kishte thënë në Konferencën e datës 30.12.2024 se kanë aplikuar më shumë se 100 mësimdhënës, për t’iu nënshtruar provimit për Licensë të Avancuar në Mësimdhënie.

    E për mënyrën e aplikimit, ajo ka thënë se e kanë zhvilluar në formën online përmes platformës e-Kosova dhe se koha për aplikim deri në marrje të Licensës është shkurtuar nga 2-3 muaj në 2-3 ditë, nga momenti kur mësimdhënësi aplikon.

    “Kemi zhvilluar Udhëzues dhe Formularë përkatës për të ndihmuar Shkollat dhe Komunat në realizim të vlerësimit të brendshëm të performancës së mësimdhënësve. Udhëzuesit e procedurat janë prezantuar dhe sqaruar në më shumë se 20 takime/punëtori regjionale e komunale me më shumë se 1000 pjesëmarrës: drejtorë shkollash, pedagogë, koordinatorë të cilësisë, si dhe zyrtarë arsimi në Komuna.” – ka shtuar Nagavci.

    Tutje, Nagavci mburret me këtë arritje duke përmendur se për herë të parë pas 12 vjetësh, Shkollat dhe Komunat zbatojnë vlerësimin e brendshëm të mësmdhënësve për përtëritjen e Licensës së Karrierës.

    Mësimdhënësit të cilët e kanë kaluar provimin e Licensës së Avancuar për Mësimdhënie, pas një vlerësimi të fundit, do të përfitojnë nga Ministria e Arsimit vlerë monetare 1.2% të vlerës së koeficientit që kanë.

    “Kemi zbatuar Sistemin e Vlerësimit të Performancës për Licensë të Avancuar, për herë të parë nga viti 2012, kur është paraparë me legjislacion; Kemi planifikuar buxhetin për shtesën e performancës për mësimdhënësit. Mësimdhënësit të cilët përfunduan me sukses provimin, pas edhe një vlerësimi nga Inspektorati i arsimit, do të përfitojnë edhe shtesën e performancës në vlerë monetare prej 1.2 të vlerës së koeficientit. Bashkë, çdo ditë për rezultate të synuara e avancim të performancës në arsim!” – ka theksuar Nagavci.

    Nagavci kishte njoftuar se më 27.12.2024 ishte mbajtur provimi i Licensës së Avancuar për Mësimdhënie dhe se këtij provimi i janë nënshtruar mësimdhënës të mësimit klasor të Gjuhës shqipe dhe të Matematikës nga Shkollat e Mesme të Ulëta dhe Shkollat e Mesme të Larta.

    Disa minuta para se të fillonte protesta e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), më 04.12.2024, ministrja Nagavci kishte njoftuar se është hapur aplikimi për mësimdhënësit të cilët janë të interesuar të pajisen me Licensën e Avancuar për Mësimdhënie.

    “Janë gjithsej 7 mësimdhënës të cilët kanë arritur kalueshmërinë mbi 80%, që ishte pragu për të vazhduar tutje. Tashmë, pasi që të kenë edhe vlerësimin nga ana e Inspektoratit të Arsimit do të përfitojnë edhe shtesën e performancës në vlerën monetare prej 1.2% të koeficientit.” – ka deklaruar Nagavci, më 30.12.2024.

  • Irani e qorton ambasadoren italiane në lidhje me arrestimin e një iraniani të kërkuar nga SHBA-ja

    Ministria e Jashtme e Iranit e ka thirrur në një takim ambasadoren italiane në Teheran të premten, për të protestuar në lidhje me ndalimin e një shtetasi iranian të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara për rolin e tij të dyshuar në sulmin vdekjeprurës me dronë kundër forcave amerikane, raporton Reuters.

    Të enjten, Italia veproi ngjashëm duke e thirrur në takim protestues ambasadorin iranian në Romë, në lidhje me arrestimin e gazetares italiane Cecilia Sala, e cila u ndalua në Teheran më 19 dhjetor derisa po punonte me vizë gazetareske.

    Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit “i bëri thirrje Italisë të mos e përdor politiken amerikane pengmarrëse – e cila është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, posaçërisht me të drejtat e njeriut – dhe ta lirojë sa më parë [Mohammad] Abedinin dhe ta parandalojë dëmtimin e marrëdhënieve dypalëshe”, raportuan mediat shtetërore në Iran.

    Të enjten, Ambasada iraniane në Romë tha se autoritetet iraniane janë duke ia ofruar Salas të gjithë kujdesin e nevojshëm humanitar, dhe për herë të parë, e lidhën rastin e saj me atë të Abedinit.

    Irani tha të hënën se Sala u arrestua për “shkeljen e ligjeve të Republikës Islamike”, duke mos dhënë hollësi shtesë.

    Sala u arrestua tri ditë pas Abedinit, biznesmenit iranian që u arrestua në aeroportin Malpensa të Milanos në bazë të një fletarrestimi të SHBA-së, pasi dyshohet se i kishte furnizuar me pjesë dronët që Uashingtoni thotë se u përdorën në sulmin e vitit 2023, ku u vranë tre ushtarë amerikanë në Jordani.

    Irani i ka mohuar përfshirjen në sulm.

    Abedini po mbahet në paraburgim dhe gjykata do të vendosë këtë muaj nëse do t’i vendoset në arrest shtëpiak, derisa gjyqtarët ta shqyrtojnë kërkesën e SHBA-së për ekstradim.

    Në vitet e fundit, forcat e sigurisë të Iranit kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe njerëz me shtetësi të dyfishtë, kryesisht për akuza që lidhen me spiunazhin dhe sigurinë. Grupet për të drejtat e njeriut e ka akuzuar Iranin se po përpiqet të nxjerrë koncesione nga shtetet e tjera përmes këtyre arresteve.

    Irani e mohon këtë./REL

  • Vdes ish-kameramani i RTK-së, Fatmir Bajrami

    Ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare ish-kameramani i RTP-së, kameramani i luftës në Kosovë dhe kameramani i RTK-së deri në pensionim, Fatmir Bajrami.

    Menaxhmenti dhe punëtorët e RTK-së i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes së kolegut tonë shumëvjeçar, i cili ishte si mësues i parë i kamerës për shumë nga kolegët tanë të rinj dhe me përvojën e tij të gjatë ndikoi në rritjen e cilësisë programore në RTK.

    Fatmir Bajrami lindi më 25 korrik 1949 në Prishtinë, derisa studimet për kamerë filmike i kreu në Paris. Më 1975 pas përfundimit të studimeve ka filluar punën në RTP, deri në masat vendosjen e masave të okupimit, për të vazhduar si punëtor i RTK-së me themelimin e tij e deri në pensionim në vitin 2014.

    Ka qenë ndër xhiruesit e parë filmik në Kosovë, me disa projekte të realizuara duke përfshire: Dashnija  e Bjeshkëve të Nemuna, Buka e Hidhur, Burgu i Mërgimit. Gjatë viteve të 90’ta ka qenë aktivisht i përfshirë në realizimin e projekteve të ndryshme muzikore dhe artistike si dhe të aktiviteteve politike.

    Gjatë kohës së luftës ka punuar vullnetarisht, por edhe si korrespodent me ekipin e televizionit France 2 dhe përmes kamerës së tij ka sjellë pamje nga fronti i luftës dhe kampet e refugjateve./RTK

  • Merdarë, deri në tri orë pritje për të dalur nga Kosova

    Në ditën e tretë të vitit 2025 vazhdojnë kolonat në pikat e kalimit kufitar të Kosovës, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në Merdarë janë shkaktuar kolona deri në 1000 metra apo rreth tri orë pritje për të dalur nga Kosova.

    Pas Merdares, në Jarinjë rreth një orë e gjysmë ka pritje për të dalur nga Kosova.

    1000 metra kolonë janë edhe në Bërnjak, ndonëse atje janë regjistruar rreth 10 min pritje dalje nga Kosova.

    Kurse, tek pikë kalimi kufitar Dheu i Bardhë janë 40min hyrje në Kosovë apo 400 metra kolona, dhe 30 min dalje apo 600 metra kolonë.

    Dhe në Muçibabë, është regjistruar rreth një orë për të dalur nga Kosova apo 130 metra kolonë. Në pikat e kalimit kufitar të tjera kryesisht ka 3 deri në 5 minuta pritje për të hyrë e për të dalë nga Kosova.

    Foto: QKMK/MBP, 03.01.2025

    Pritjet në pikat kufitare mund t’i shikoni në kohë reale KËTU.