Ballina

Autor: Arbrita Uka

  • Ferizaj, mbi 800 gjoba për kundërvajtje në komunikacion brenda një jave

    Policia në Ferizaj ka shqiptuar një numër gjobash kundërvajtëse dhe ka trajtuar disa aksidente në komunikacionin rrugor gjatë periudhës: prej 30.12.2024 deri më 05.01.2025.

    Sipas njoftimit të Policisë, në periudhën e përmendur janë shqiptuar 808 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr pesë patentë-shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacionin rrugor.

    Janë raportuar 66 aksidente, prej tyre: një aksident fatal në të cilin ka vdekur një person, 21 aksidente me lëndime në të cilat janë lënduar 34 persona dhe 44 aksidente me dëme materiale.

    Teksa u ka kërkuar kujdes shoferëve në komunikacion, Policia ka kërkuar nga qytetarët që të bashkëpunojnë me ta duke e raportuar secilën kundërvajtje në Stacionin më të afërt të Policisë apo në numrat e telefonit: 192,0290/326-250 & 0290/322-406.

    “Policia Rajonale e Ferizajit do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, si dhe apelojmë te shoferët që të bëjnë kujdes, të respektojnë shenjat dhe rregullat në komunikacion.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 06.01.2025.

  • Merdarë, shkon deri në katër orë pritja për të dalë nga Kosova

    Pikëkalimi kufitar në Merdarë vazhdon të kryesojë me kolona deri në katër orë pritje për të dalur nga Kosova, sipas të dhënave të përditësuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) më 03.01.2025.

    Ka disa minuta që QKMK i ka përditësuar të dhënat dhe në Merdarë janë regjistruar kolona pothuajse 2 kilometra apo deri në 4 orë pritje për dalje nga Kosova.

    Pas Merdares, në pikat e kalimit kufitar – Dheu i Bardhë e Muçibabë ka kolonë deri në 200 metra apo deri në gjysmë orë për të dalur nga Kosova.

    Foto: QKMK/MBP, 03.01.2025

    Në pikat tjera të kalimit kufitar nuk janë shkaktuar kolona dhe kohëzgjatja për hyrje e dalje nga Kosova është deri në 10 minuta.

    Në përditësimin e QKMK-së të orës 17:10 për fluksin në PKK, KALLXO.com raportoi se në Merdarë ishin shkaktuar kolona deri në 1000 metra apo rreth tri orë pritje për të dalur nga Kosova. Pas Merdares, në Jarinjë rreth një orë e gjysmë kishte pasur pritje për të dalur nga Kosova.

    Pritjet në pikat kufitare mund t’i shikoni në kohë reale KËTU.

  • Vdes një 47-vjeçar, dyshohet se ra nga një objekt në Lagjen Dardania në Prishtinë

    Një 47 vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta mbëmjen e sontme më 03.01.2025 rreth orës 20:45 në Lagjen Dardania në Prishtinë.

    Policia e Kosovës ka pranuar një informatë mbrëmjen e sontme, se rreth orës 20:45, se një person ka rënë nga një objekt në Lagjen Dardania në Prishtinë. 

    Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, viktima është 47-vjeç dhe vdekja e tij është konstatuar nga mjekët emergjent.

    “Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”- ka njoftuar Borovci, më 03.01.2025.

  • I plagosuri në Lagjen Arbëria në gjendje të rëndë

    Personi që mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme (03.01.2025) në Lagjen Arbëria të kryqytetit është në rrezik për jetë.

    Kështu ka treguar përmes telefonit, mjeku kujdestar në Emergjencë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Adem Jaha, i cili e ka pranuar të plagosurin.

    Sipas Jahajt, viktima është plagosur në gjoks dhe është duke u operuar.

    “Është hy në sallë operative, gjendja është d.m.th rrezik për jetë, d.m.th gjendja shumë e rëndë është. Veç sa e futëm në sallë operative për intervenim kirurgjik”- ka thënë Jaha, më 03.01.2025.

    KALLXO.com mëson nga burime brenda Policisë se i plagosuri është një person me inicialet F. J. 

    Siç mëson KALLXO.com, dyshohet se një person ka gjuajtur me armë zjarri e më pas është larguar me veturë nga vendi i ngjarjes.

    Sipas burimeve brenda Policisë i dyshuari për këtë rast të plagosjes është një person me inicialet SH. H.

    https://kallxo.com/lajm/plagosje-me-arme-zjarri-ne-lagjen-arberia-ne-prishtine/

  • AGK për ish-kameramanin e RTK-së, Fatmir Bajrami: Ishte mentor dhe udhëheqës për shumë breza kameramanësh

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i ka shprehur ngushëllime familjes, miqëve, kolegëve të ish-kameramanit të RTK-së, Fatmir Bajrami që ka ndërruar jetë të premten, më 03.01.2025.

    Sipas AGK-së, Bajrami që vdiç në moshën 75-vjeçare, përpos kontribues në profesionin e tij prej kameramani në media, dha kontribut edhe në kinematografinë vendore.

    “Ai ishte mentor dhe udhëheqës për shumë breza kameramanësh, në Transmetuesin Pubilk të Kosovës. Kontributi i tij i veçantë gjatë viteve të 90-ta dhe në kohën e luftës, duke sjellë përmes kamerës realitetin nga frontet e luftës dhe kampet e refugjatëve, do të mbetet përgjithmonë në historinë tonë kolektive”- është shprehur AGK në Facebook.

    Menaxhmenti dhe punëtorët e RTK-së i kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së kolegut të tyre shumëvjeçar, i cili ishte si mësues i parë i kamerës për shumë nga kolegët e tyre të rinj dhe me përvojën e tij të gjatë ndikoi në rritjen e cilësisë programore në RTK.

    Fatmir Bajrami lindi më 25 korrik 1949 në Prishtinë, derisa studimet për kamerë filmike i kreu në Paris. Më 1975 pas përfundimit të studimeve ka filluar punën në RTP, deri në masat vendosjen e masave të okupimit, për të vazhduar si punëtor i RTK-së me themelimin e tij e deri në pensionim në vitin 2014.