Ballina

Autor: Arbrita Uka

  • Mot me borë të shtunën e të dielën, gjatë javës së ardhshme temperatura tipike dimërore

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar më 10.01.2025 se gjatë vikendit, më 11.01.2025 dhe 12.01.2025, moti parashihet i vranët dhe me reshje bore.

    Sipas njoftimit të IHMK, të shtunën, më 11.02.2025, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3°C deri -1°C, ndërsa maksimalet e ditës priten të jenë ndërmjet 0°C dhe 2°C.

    “Do të fryjë erë nga veriu dhe veriperëndimi me shpejtësi 1- 11 m/s” – njofton IHMK.

    Kurse, të dielën, më 12.01.2025, IHMK parashikon se në disa zona do të ketë reshje të izoluara bore.

    “Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -5°C dhe -2°C, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet -2°C dhe 0°C. Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi 1-9 m/s” – ka njoftuar IHMK.

    IHMK i ka këshilluar pjesëmarrësit në komunikacion rrugor që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes dhe të përshtasin automjetet me kushtet atmosferike.

    Tutje, Instituti thotë se java e ardhshme parashihet me temperatuara tipike dimërore.

  • Izraeli kryen sulme hakmarrëse ndaj rebelëve Huthi

    Avionët luftarakë izraelitë kanë shënjestruar rebelët Huthi në Jemen më 10 janar, përfshirë një stacion të energjisë dhe portet detare, në përgjigje të sulmeve me dronë dhe raketa të kryera nga rebelët.

    Izraeli po ashtu ka paralajmëruar se do të shënjestrojë udhëheqësit e grupit.

    Që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, kanë gjuajtur dhjetëra raketa dhe dronë drejt Izraelit, për, siç kanë thënë, t’u solidarizuar me palestinezët në Rripin e Gazës.

    Sulmet ajrore izraelite vijnë pasi ushtria e Izraelit rrëzoi dy dronë që besohet se ishin lëshuar nga Jemeni një ditë më parë.

    Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar caqe ushtarake të rebelëve Huthi në zonën bregdetare dhe në pjesë të tjetra të Jemenit.

    Sulmet, sipas Izraelit, ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve kundër këtij shteti.

    Izraeli tha se në këtë sulm morën pjesë mbi 20 avionë luftarakë.

    Më pas, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha përmes një deklarate se rebelët jemenas u ndëshkuan për sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj shtetit të tij.

    “Siç kemi premtuar, rebelët Huthi po paguajnë dhe ata do të vazhdojnë të paguajnë çmim të lartë për agresionin kundër nesh”, tha ai, duke u zotuar se nuk do të tolerojë sulme ndaj Izraelit.

    Pavarësisht dëmeve minimale, për shkak se sistemet izraelite të mbrojtjes kanë rrëzuar shumicën e raketave dhe dronëve të rebelëve, rebelët jemenas kanë penguar në mënyrë të ndjeshme jetën e civilëve në Izrael.

    Ndërkaq, rebelët Huthi thanë se në 48 orët e fundit kanë shënjestruar Jafan, emrin që ata përdorin për t’iu referuar qytetit Tel Aviv të Izraelit.

    Që nga 7 tetori 2023, Izraeli lufton në Gazë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – grup që ka dënuar sulmet e fundit izraelite në Jemen.

    Rebelët Huthi që nga nisja e luftës në Gazë po ashtu kanë shënjestruar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke nxitur sulme hakmarrëse nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania./REL

  • Shkup, interpelancë ndaj një deputeteje dhe katër anëtarëve të qeverisë

    Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e filloi sot seancën lidhur me pesë interpelanca; katër të ngritura nga partitë shqiptare të Frontit Evropian ndaj tre ministrave dhe një zëvendës-ministri dhe një interpelancë ndaj deputetes Ilire Dauti të Frontit Evropian, të ngritur nga partia “E Majta”.

    Parlamenti me shumicë prej 61 votash e shkarkoi ligjvënësen Ilire Dauti nga pozita e drejtueses së Komisionit parlamentar për Çështje sociale, demografi dhe të rinj për shkak se ajo për javë të tëra nuk pranoi ta vërë në rend dite propozimin e Lidhjes Social Demokrate për ngritjen e statusit dhe pagave për ish-pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policore maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe më pas.

    Zonja Dauti dhe deputetët e Frontit Evropian e cilësuan interpelancën si një nismë kundër barazisë etnike dhe propozim-ligjin si diskriminues.

    Partitë shiqptare të opozitës e mbështetën ligjvënësen Dauti, e cila ngulte këmbë që nëse miratohej një ligj për ish-pejsëtarët e forcave maqedonase, atëherë ligji të ishte i përbashkët dhe të përfshinte edhe ish-pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

    Partite maqedonase e quajtën shkelje të rregullave; rregullores së punës së parlamentit nga zonja Dauti mosvënien për debat të propozim-ligjit në komisionin përkatës.

    Deputetët e Lidhjes Social Demokrate u larguan nga seanca duke thënë se interpelancat kishin të bënin me truqe politike mbi baza etnike dhe ata nuk morën pjesë në debat e as në votim.

    Menjëherë më pas, parlamenti filloi interpelancat ndaj Zëvendës-kryeministrit Izet Mexhiti, Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe zëdvendës-ministrit të Brendshëm Astrit Iseni, si dhe ndaj ministrit për Marrëdhënie ndëretike, Ivan Stoilkoviç.

    Fronti Evropian i akuzon këta pjesëtarë të qeverisë për keqmenaxhimin e situatës me rastin e Ditës së Flamurit shqiptar kur u shkatuan incidente në Shkup dhe qytete të tjera, ose për përpjekjet për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit që avancoi të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, apo në rastin e ministrit Stoilkoviç – për veprimtarinë e tij në shërbim të një shteti fqinj, sipas Frontit Evropain, duke aluduar në dhënien e informatave nga ana e ministrit, shërbimeve serbe dhe ruse të zbulimit.

    Por, Fronti Evropian ka vetëm tetëmbëdhjetë vota në parlamentin prej 120 vendesh dhe interpelancat pritet të dështojnë./VoA

  • Ferizaj, arrestohet një i dyshuar, Policia i gjeti kokainë, armë dhe mbi 19 mijë euro

    Policia në Ferizaj ka arrestuar të dyshuarin Q.T., ndaj të cilit ka iniciuar rast për përfshirje në veprat penale – shitblerje e narkotikëve dhe – armëmbajtje pa leje. 

    Policia njofton se me aktvendim të prokurorit, Q.T. është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Policët në koordinim me Prokurorinë e Ferizajt më 10.01.2025, në orët e pasditës kanë kryer kontrolle në një shtëpi dhe objekte përcjellëse.

    Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit i kanë gjetur substancë që dyshohet se jetë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 842.9 gr.

    “Kjo substancë është gjetur në shtëpi dhe një pjesë e groposur në kopsht. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të shkurta (njëra me leje), katërdhjetë fishekë, një peshore digjitale, 19,288 euro, disa kartela bankare dhe dëshmi tjera që do të përdoren në procedura të mëtejme ligjore” – thuhet në njoftimin e Policisë më 10.01.2025.

    Më tej, Policia thotë se operacioni policor është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik përkrahur nga zyrtarë policorë të Stacioni Policor-Ferizaj.

    Foto: Policia e Kosovës
    Foto: Policia e Kosovës
  • ECPMF i bën thirrje Kurtit ta anulojë vendimin për bojkotim të tri kanaleve televizive gjatë fushatës zgjedhore

    Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) i ka shkruar një letër të hapur liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherazi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në lidhje me vendimin e partisë së tij që t’i bojkotojë tri kanale televizive në vend gjatë fushatës zgjedhore.

    Sipas Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, nuk ka pasur një arsyetim formal rreth kanaleve televizive  T7, TV Dukagjini dhe Klan Kosova për vendimin e LVV-së.

    Në letrën e saj, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që ta anulojë vendimin për bojkotimin e këtyre mediave dhe të sigurohet që Vetëvendosja të sigurojë qasje të barabartë në informacione publike për këto media. 

    “Të gjithë gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht dhe në mënyrë të drejtë për periudhën zgjedhore. Mbrojtja e lirive të medias dhe e drejta e publikut për një proces të informuar dhe demokratik duhet të jetë prioritet” – thuhet në letrën e ECPMF-së për Kurtin.

    ECPMF ka theksuar se duke i bojkotuar kanalet kryesore televizive, minohet e drejta e publikut për informacion dhe roli esencial i gazetarëve në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies.

    Më tej, ECPMF i ka cituar në letër dy prej udhëheqësve të kanaleve televizive se si janë njoftuar për vendimin e bojkotimit të kanaleve të tyre nga LVV.

    “Zyrtarët nga Vetëvendosja më informuan se nuk do të marrin pjesë në programet e televizionit T7 gjatë fushatës zgjedhore. Ata nuk ofruan ndonjë arsyetim bindës për këtë vendim që më la të besoj se është një përpjekje për t’iu shmangur llogaridhënies publike” – ka shpjeguar drejtori i kanalit televiziv T7, Leonard Kerquki. 

    “Zyrtarët nga Vetëvendosja më informuan se nuk do të marrin pjesë në TV Dukagjini gjatë fushatës zgjedhore. Arsyetimi i tyre për këtë vendim gjatë takimit nuk ishte i qartë dhe ne kemi kërkuar sqarime të mëtejshme. Për ne, kjo reflekton frikën e partisë në pushtet për t’u ballafaquar me pyetjet e gazetarëve dhe komentatorët politikë në studio” – ka shtuar Ermal Panduri nga TV Dukagjini.

    Tutje, ECPMF ka përmendur edhe shembuj të tjerë që vlerëson se tregojnë një shembull shqetësues të rënies së lirisë së medias në Kosovë.

    ECPMF thotë se gjatë katër viteve të kaluara, derisa Reagimi i Shpejtë i Lirisë së Medias (MFRR) nga afër ka monitoruar zhvillimet në lirinë e medias, kanë qenë dëshmitarë të një rënie shqetësuese të lirisë së mediave në Kosovë. 

    “Në vitin 2022, partnerët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Europës vizituan Kosovën për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve në vend. Derisa pak progres është vërejtur, misioni konstatoi se “retorikë toksike dhe fushatat e shpifjeve kundër medias, financimi i pamjaftueshëm i transmetuesit publik dhe mungesa e transparencës rrezikojnë të minojnë progresin” – ka thënë ECPMF.

    Më tej, ECPMF bazohet edhe në të dhënat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, të cilat thotë se janë dyfishuar.

    “Shumica e këtyre sulmeve përfshijnë sulme verbale nga anëtarë të partisë suaj, të cilët i kanë etiketuar gazetarët si “spiunë serbë” ose bashkëpuntorë dhe i kanë akuzuar që kanë lidhje me interesat serbe” – i ka adresuar ECPMF Kurtit.

    Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias ia ka përmendur Kurtit edhe miratimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) në Kuvendin e Kosovës më 12.07.2024.

    Sipas Qendrës, ky ligj i ri për median dështoi të përfshijë rekomandimet kritike të Këshillit të Europës, Komisionit Europian dhe shoqërisë civile.

    “Ky ligj tashmë është në pritje të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese. Zhvillime tjera alaramante përfshijnë një rënie në transparencë, mohimin e shpeshtë të qasjes në informacion dhe rritjen e ndërhyrjes politike në politikat editoriale të transmetuesve publikë. Këto veprime kanë kontribuar në rënien e Kosovës me 19 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij dhe kanë tërhequr kritika të gjera nga organet ndërkombëtare, duke përfshirë Raportin Vjetor të Komisionit Evropian 2024 që pretendon përpjekjet e qeverisë për të kontrolluar median” – ka thënë Qendra Evropiane.

    “Kosova urgjentisht ka nevojë të marrë masa për të mbrojtur lirinë e medias, të promovojë transparencë dhe të sigurojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë. Publiku, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore ka të drejtën themelore të qaset në informacione të ndryshme, të shqyrtojë me kujdes premtimet politike dhe t’i mbajë politikanët llogaridhënës” – ka potencuar ECPMF.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kishte reaguar pas miratimit të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

    Sipas AGK-së, votimi i Projektligjit për KPM është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje i ka bërë kundër lirisë së medias në Kosovë. Po ashtu sipas tyre ky është tentim për disiplinim e kontroll të mediave.

    “Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile e mediave dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Europës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet europiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Europës ku Kosova synon anëtarësimin. Një gjë e tillë, u theksua para votimit edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca”- thuhet në reagimin e AGK-së.

    Pas miratimit të këtij Projektligji ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.

    “Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit. Nuk janë marrë parasysh as rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore”- thuhet në deklaratën e OSBE-së, të lëshuar më 11.07.2024.