Ballina

Autor: Arbrita Uka

  • Aksidentohen tri automjete në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë, lëndohet një person

    Një aksident trafiku ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë të martën, më 14.01.2025.

    Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Ahmeti ka thënë se janë informuar për aksidentin rreth orës 16:00 dhe se në të kanë qenë të përfshira tri automjete.

    “Në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete. Si pasojë e aksidentit është lënduar një person. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.” – ka njoftuar Ahmeti.

    Sipas Ahmetit nuk dihet ende nëse të lënduarit i është dhënë ndihma në vendngjarje, apo e kanë dërguar për trajtim mjekësor.

  • Është raportuar e zhdukur që nga nëntori, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen e 25-vjeçares (FOTO)

    Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacion për vendndodhjen e qytetares Arianita Gajtani, e cila është raportuar e zhdukur nga data 20.11.2024.

    Sipas njoftimit të Policisë, Gajtani është banuese në Lipjan dhe që nga koha kur është raportuar “e zhdukur” Policia ka ndërmarrë një varg veprimesh.

    Policia ka bërë intervistime të personave të cilët mund të ndihmojnë në gjetjen e vendndodhjes së Gajtanit, kontrollimin e hyrjeve-daljeve në të gjitha pikat kufitare, kërkime në zona që ajo i kishte frekuentuar zakonisht – ambiente të mbyllura e të hapura, analizimin dhe hetimin e çdo lloj informacioni që lidhet me të.

    “Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit të Shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar. Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni, që ndërlidhet me të, t’i përcjellin ato Policisë përmes numrit 192.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 14.01.2025.

  • Nxënësit e dy shkollave të mesme në Ferizaj ende s’e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë

    Nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe ata të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj ende nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë.

    Të dy shkollat e mesme të larta, sipas drejtorit të Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, kanë funksionuar në objektin e ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi” dhe pritet që të dalin në objektin e ri që është ndërtuar te salla e sporteve “Bill Clinton”.

    I pyetur se pse nuk ka nisur gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave të mesme të larta “Elena Gjika” e “Shaban Hashani”, Llabjani tha se u kanë dalë disa probleme me objektin e ri që është ndërtuar për këto shkolla.

    Llabjani ka thënë se po përpiqen që nxënësit e të dy shkollave ta fillojnë mësimin më 20.01.2025, ndërsa gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2024/2025 ka nisur në Kosovë më 08.01.2025.

    Drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, tha se nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë pasi nuk janë kryer disa detaje të vogla tek objekti i ri i ndërtuar.

    “Do izolime të vogla rreth dritareve që ka ftoftë, këto na kanë pengu edhe bash sot kem me pastru. Karrika e banka i kemi mbushë klasat” – ka thënë Nebihu.

    Nebihu ka treguar se objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” ka filluar të ndërtohet rreth katër vjet e gjysmë më parë.

    Ajo ka shpjeguar se deri më 24.12.2024 kanë mësuar në objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, për të cilin tha se është objekt i vjetër dhe ka pasur kushte “të tmerrshme”  për ta zhvilluar procesin mësimor.

    “Dyert, dritaret s’ka mundësi me u renovu se e shtijnë të ftohtin në tana anët, një erë ato i qet… Tualetet m’i pa, i kemi renovu kur kemi hy, krejt tavanet kanë ra poshtë, pikin n’tana anët… Ajo ka ardhë veç t’u u demolu” – ka treguar Nebihu.

    KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa, tualetet e shkollës në gjendje jo të mirë. 

    Nebihu nuk ka dhënë ndonjë datë se kur pritet nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” ta fillojnë gjysmëvjetorin e dytë.

    “U kam thënë (nxënësve) që duhet me pritë deri në njoftimin e ardhshëm… Ndodhë që në qershor (2025) me vazhdu zëvendësimin e orëve (mësimore)” – ka thënë Nebihu.

    Por kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari, tha se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për gjimnazin.

    “Kanë ardhë karriget me jokualitet edhe janë kthy karriget, për atë arsye kanë mbetë pa karrige edhe nuk është fillu mësimi” – ka thënë Jashari.

    Për objektin e ish-shkollës “Gjon Serreçi”, Jashari tha se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e jo të zhvillohet mësim aty.

    “As s’kanë funksionu nxemjet qysh duhet, as dritare… Aty mund të marrësh sëmundje, d.m.th. nëse shkoni gjatë ditë ti merr sëmundje aty edhe kthehesh në shtëpi i sëmurë” – tha Jashari.

    Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-shkollës “Gjon Serreçi”, për shkak të kushteve të saj.

    Jashari tha se bashkë me Këshillin drejtues të Gjimnazit “Shaban Hashani” janë duke e shqyrtuar mundësinë që të dalin prapë në objektin e ish-shkollës “Gjon Serreçi” nëse nuk dalin në objektin e ri të ndërtuar.

    Si Këshill i Prindërve, Jashari tha se janë pro zëvendësimit të mësimit për ditët e humbura.

    Kurse, zëvendësdrejtori i Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, Bardhyl Xheladini, nuk ka pranuar të japë shumë detaje, por ka kërkuar që për këtë çështje të pyetet Drejtoria e Arsimit.

    “Në rregull është ama drejtori i Arsimit e ka përgjegjësinë për me dhanë këtë deklaratë, se prej atij varet” – ka thënë Xheladini.

    Sipas Xheladinit, ata nuk e dinë se kur do ta fillojnë mësimin nxënësit e Shkollës së Mjekësisë në Ferizaj.

    Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha se u kanë dalë telashe me kulm të objektit të ri që është ndërtuar për të dy shkollat e mesme.

    “Ka piku kulmi edhe kena pasë pak problem me, ujë edhe me energji elektrike. Sidomos me ujë, kur e kemi lëshu, ka pasë ngapak do rrjedhje” – ka thënë Llabjani.

    Kur u pyet se si ka pasur problem me kulmin objekti i ri që është ndërtuar, ai ka shpjeguar se problemi ka qenë te ndërtimi i kullueseve të kulmit.

    “Kur kanë fillu m’i ndërtu ulluqet aty, ai operatori që i ka rregullu ulluqet, unë po flas sipas atyre të cilët ma kanë shpjegu… aty pastaj ka lëvizë një llamarinë edhe është dashtë me rregullu, atë e kemi rregullu javën e kalume” – tha Llabjani. 

    Ndërsa, për karriget, Llabjani ka thënë se Ministria e Arsimit ua ka premtuar, mirëpo para tre-katër javësh objekti është furnizuar vetëm me bankat shkollore.

    “Ata janë arsyetu me një mendim se është prishë tenderi apo nuk kanë qenë të kënaqur me cilësinë e karrigeve edhe ne jemi detyruar që gjatë këtyre ditëve d.m.th. sa kemi pritë kaq shumë, jemi detyru që karriget e vjetra m’i çu atje” – ka treguar Llabjani.

    Sipas Llabjanit, ata janë detyruar që t’i bartin karriget e komodinat e mëparshme që i kanë shfrytëzuar të dy shkollat te objekti i ri.

    Llabjani tha se edhe sikur të kishte buxhet Komuna e Ferizajt t’i blejë bankat shkollore dhe karriget nuk ka të drejtë pasi i takon Autoritetit Qendror të Prokurimit përmes Ministrisë së Arsimit.

    Ndërtimi i objektit të ri të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” i ka kushtuar Komunës së Ferizajt rreth një milion e 200 mijë euro, sipas Llabjanit.

    KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit për furnizimin e objektit të ri me banka shkollore e karrige, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.

    Lokacioni ku është ndërtuar objekti i ri, Llabjani ka shpjeguar se ka qenë i AKP-së, e cila për dy vjet ua ka ndalur punimet, e ato kanë filluar në vitin 2019 deri më 2021.

    “Shumicën e kohës na e ka marrë pastaj Agjencioni Kosovar i Privatizimit me ndërrimin e Qeverisë nga Qeveria Hoti në Qeverinë Kurti, d.m.th. Qeveria Kurti ka nxjerrë vendim edhe i ka shfuqizu krejt vendimet e mëparshme, i cili ua ka leju tokat e AKP-së, komunave edhe na i ka marr pronat AKP-ja prapë. Pastaj, është dashtë me ndjek shumë procedura për me na leju fillimin e punimeve. Rifillimi i punimeve ka fillu para 4-5 muajve” – tha Llabjani. 

  • Aksidentohen tri vetura në rrugën Mitrovicë-Prishtinë – dy të lënduar

    Dy persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti, që ka ndodhur në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, më 13.01.2025.

    Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00.

    “Aksident trafiku me lëndime, i shkaktuar sot rreth orës 12:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, segmenti rrugor në Vushtrri. Në aksident janë përfshirë tri vetura, ndërsa lëndime kanë pësuar dy persona.” – tha ai për KALLXO.com.

    Specialisti i Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë, Arbër Demiri ka thënë për KALLXO.com se e kanë pranuar vetëm një të lënduar nga ky aksident në Spitalin e tyre.

    “Me parametra vitalë është stabil, mirëpo kur e kemi bërë një CD ka dalë që ka një frakturë te procesi spinoz. Do të thotë në qafë. Pas CD-së, tash ky udhëzohet ma tepër në Ortopedi.” – ka thënë Demiri.

  • Gati një e katërta e specieve në ujërat e ëmbla rrezikohen të zhduken

    24% e specieve të ujërave të ëmbla janë në rrezik të zhduken, si rezultat i faktorëve njerëzorë si ndotja, ndërtimi i digave, nxjerrja e ujit dhe gjithashtu nga ndryshimet klimatike, thuhet në një studim të botuar në revistën “Natyra”. Mjediset e ujërave të ëmbla përbëjnë vetëm 1% të sipërfaqes së planetit, por mbështesin 10% të të gjitha specieve shtazore dhe shumica e këtij biodiversiteti të çmuar është tashmë në rrezik të madh zhdukjeje.

    Mjediset me ujë të ëmbël si lumenjtë, liqenet dhe përrenjtë janë hapësira të bukura, që shijohen dhe përdoren nga njerëzit.

    Pothuajse të gjithë lumenjtë e mëdhenj në Amerikën e Veriut dhe Evropë janë modifikuar shumë nga njeriu – përfshirë me ngritjen e digave të mëdha për hidrocentralet dhe rezervuarët.

    Studiuesit kanë zbuluar se nga 23,500 speciet e studiuara në një material për revistën “Natyra”, gati një e katërta janë në rrezik zhdukjeje – të klasifikuara si të pambrojtura, të rrezikuara, ose tepër të rrezikuara.

    Kjo është hera e parë që studiuesit kanë shqyrtuar speciet e ujërave të ëmbla dhe studimet e mëparshme janë fokusuar në grupet e kafshëve e tokës, përfshirë zogjtë, gjitarët dhe zvarranikët.

    “E kemi ditur prej kohësh se speciet e ujërave të ëmbla janë më shumë të rrezikuara se speciet detare dhe tokësore, për shkak të shtrirjes së rreziqeve dhe për shkak të faktit se këto kërcënime janë të transferueshme, lart dhe poshtë rrjedhave të lumenjve”, thotë Ian Harrison bashkëkryetar i Komitetit të Ruajtjes së Ujërave të Ëmbla dhe bashkëautor i studimit.

    Ekosistemet e ujërave të ëmbla janë veçanërisht të prekshme për shkak të afërsisë së tyre me njerëzit – në dallim nga pafundësia e oqeaneve.

    Ndërlidhja e sistemeve të ujërave të ëmbla është një tjetër faktor kryesor – për shembull, ndotja në pjesën e lartme të rrjedhës së një lumi mund të përhapet me shpejtësi përgjatë gjatësisë së tij.

    Ujërat e ëmbla nxirren gjithashtu për t’u përdorur për bujqësinë, ndërsa uji i pijshëm për njerëzit.

    Ndotja është një tjetër çështje kryesore për 23,500 speciet, që varen nga ekosistemet e ujërave të ëmbla.

    Por gjendja e vërtetë mund të jetë edhe më e rëndë sesa sugjeron studimi, thotë eksperti Harrison.

    Projektet për ndryshimin e territorit mund të kenë gjithashtu një efekt shkatërrimtar për speciet vendase të ujërave të ëmbla, duke kufizuar qasjen tek vendet e shumimit dhe duke ndarë grupet, gjë që kufizon mundësitë e shumimit.

    “Kur vendosni një digë, gjëja më e dukshme është se jeni duke e fragmentuar rrjedhën. Pra, kjo do të thotë se çdo gjë që lëviz lart, ose poshtë lumit, nuk mundet ta bëjë më këtë. Dhe kështu do të thotë që speciet migratore nuk mund të arrijnë më në vendet e tyre të shumimit. Do të thotë gjithashtu se po i copëzon këto popullata, kështu që popullatat në rrjedhën e sipërme nuk po përzihen më me popullsinë e poshtme”, thotë zoti Harrison.

    Ndryshimet klimatike gjithashtu po ndikojnë në ekosistemet e ujërave të ëmbla dhe zjarret dhe shpyllëzimi kanë shkaktuar shkatërrim të përqëndruar në vende të ndryshme si Amazona dhe Australia.

    Studimi raporton se më shumë se gjysma e specieve të rrezikuara që ka shqyrtuar, konsiderohen të prekura nga ndotja, 39% nga digat dhe nxjerrja e ujit, 37% nga ndryshimi i përdorimit të tokës dhe efektet e lidhura me bujqësinë, dhe 28% nga speciet e reja dhe sëmundjet.

    Zoti Harrison është marrë prej dy dekadash me studime në këtë drejtim dhe megjithë seriozitetin e situatës thotë se nuk duhet humbur shpresa.

    “Është sigurisht shumë brengosëse. Por, mendoj se nuk duhet të nxjerrim nga ky studim vetëm konkluzionin se nuk ka më shpresë. Nuk mendoj se është e pashpresë situata. Është shumë sfidë e madhe, por nuk është e pashpresë”, thotë zoti Harrison.

    Këto rezultate theksojnë nevojën urgjente për t’u përballur me këto kërcënime, për të parandaluar rënien dhe humbjen e mëtejshme të specieve./VoA