Ballina

Autor: Antigonë Isufi

  • Zotimet e PDK-së: 100 çerdhe, siguri në shkolla dhe investime qindra milionëshe në rajonin e Ferizajt

    Shtimi i numrit të asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara, i inspektorëve të arsimit, ndërtimi i 100 çerdheve për një mandat, punësimi i zyrtarëve të sigurisë në secilën shkollë dhe vënia në funksion e sistemit të ujit të Lepencit me vlerë rreth 500 milionë euro, janë disa nga zotimet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    25 çerdhe për një vit apo gjithsej 100 për një mandat synon t’i ndërtoj PDK-ja nëse rikthehet në qeverisje pas gjashtë viteve në opozitë. Kjo parti në programin e saj qeverisës, në mes tjerash ka paraparë që të koncentrohet në infrastrukturën e objekteve arsimore dhe në investime kapitale në rajonin e Ferizajt.

    Pesë kandidatë për deputetë të PDK-së nga 110 sosh sa janë në listën e kësaj partie shpalosën në “Debat Përnime” një pjesë të programit zgjedhor, duke u zotuar që fillimisht do të nisin të ndërmarrin masa emergjente e pastaj do të orientohen në projekte konkrete.

    Duke fajësuar partinë në pushtet, Vetëvendosjen, ata zotohen se nuk ka premtime që nuk mund t’i realizojnë për katër vjet. Partia të cilës i përkasin edhe më parë ka qenë në pushtet dhe fokusi i saj atëherë ka qenë kah infrastruktura.

    Në zgjedhjet parlamentare, kandidatë për kryeministër janë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Ramush Haradinaj nga Koalicioni AAK-Nisma.

    Çka ka në plan të parë PDK-ja?

    Besianë Musmurati, kandidate për deputete nga radhët e PDK-së, e cila ka qenë drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, tha se kanë paraparë tri masa kryesore: ndërtimin e 100 çerdheve për katër vjet; subvencionimi i familjeve për dërgimin e fëmijëve në kopshte private me nga 100 euro (ato që nuk arrijnë t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike), revidimi i Udhëzimit Administrativ për rekrutimin e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave si dhe digjitalizimi i shkollave.

    Edhe pse vjen nga partia kundërshtare, Musmurati tha se ka pasur shpresë që Lëvizja Vetëvendosje mund të bënte ndryshime në fushën e arsimit.

    “Marr parasysh që Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur 51 për qind, më të vërtetë si qytetarë të Kosovës pikësëpari kemi pritur që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë që të bëjnë reforma të guximshme dhe të mirëfillta”- tha Musmurati në “Debat Përnime”, më 16.01.2025.

    Masën e dytë, ajo e cilësoi si emergjente. Meqenëse ndërtimi i çerdheve publike merr më shumë kohë, PDK, sipas saj, ka paraparë një masë emergjente e që është subvencionimi i familjeve për t’i dërguar fëmijët në çerdhe private.

    Kandidatja për deputete e PDK-së, Besiana Musmurati. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Subvencionimi me 100 euro, sipas saj, do të jetë për çerdhet që janë të licensuara nga Ministria e Arsimit dhe se këtë listë mund ta rishikojnë.

    Ajo tha se do të organizojnë trajnime për të gjithë edukatorët që punojnë në sektorin publik.

    Ndërsa në kuadër të masës të tretë- digjitalizimit, ajo tha se kanë paraparë tri masa kryesore: digjitalizimi fizik (pajisje digjitale në çdo klasë dhe shkollë të Kosovës); softueri digjital kombëtar, ku nxënësit të kenë qasje në përmbajtje digjitale arsimore, video-materiale; dhe e fundit, rritja e numrit të psikologëve në shkolla, kampanja kundër bullizmit dhe punësimi i zyrtarëve të sigurisë në shkolla.

    “Nëse e llogarisim që në Kosovë janë 1 mijë e 46 shkolla dhe në secilën shkollë e kemi një zyrtar të sigurisë, që mesatarisht do të paguhet diku rreth 600 euro në muaj, atëherë e kemi llogarit që diku do të jetë 7.5 milionë euro për vit. Nuk është kosto e papërballueshme për buxhetin” – tha Musmurati.

    Ajo theksoi se kanë paraparë dyfishimin e numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, në mënyrë që një asistent të mund t’i mbuloj dy fëmijë në dy ndërrime të ndryshme të mësimit.

    Po ashtu, Musmurati bëri me dije se kanë në plan që në mandatin e parë të ofrojnë mësim tërëditor në të gjitha shkollat në Kosovë që kanë më pak se 600 nxënës.

    A ka plan PDK- ja t’i testoj mësimdhënësit?

    Kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk dhanë një përgjigje direkte nëse do të testojnë apo rivlerësojnë me ‘test klasik’ mësimdhënësit – temë kjo që është hapur prej kur ka ardhur Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e që ka nxitur polemika në mes pushtetit qendror dhe Sindikatës të Arsimit.

    Kandidati për deputet, Naim Ismajli, që më parë ishte kryetar i Komunës së Shtimes, tha se për t’i vlerësuar mësimdhënësit i kanë paraparë dy masa: vlerësimin e performancës bazuar në indikatorë matës, që e saktëson kualitetin e mësimdhënies dhe paralel me të, një pako të edukimit të mjaftueshëm dhe ngritjen e Qendrës të Trajnimeve.

    Sipas tij, me këto dy komponente do të sigurojnë vlerësim të vazhdueshëm.

    “Vlerësimi i performancës kur bëhet me indikatorë matës na nxjerr tipin e nevojës të trajnimit që është e specifikuar, pra nuk është gjenerale. Mbi bazën e saj bëhet moduli i trajnimit. Dhe, nuk ka modul të trajnimit që në fund nuk i jep outputet në bazë të asaj se sa nuk janë përmbush trajnimet dhe sa e kanë arrit efektin e tyre, në mënyrë që në fund të bëhet një test formal që e certifikon trajnimin”- tha Ismajli.

    Kandidatët e PDK-së, Kristina Gashi-Bytyçi dhe Naim Ismajli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Se a do të largohen ata mësimdhënës që nuk e kalojnë këtë test, u përgjigj kandidati tjetër, i cili ka qenë zëvendësministër i Arsimit, Azem Guri. Ai tha se atyre që nuk e kalojnë testin formal duhet t’u jepet mundësi që të ndjekin një trajnim njëvjeçar e atëherë të shihet se si duhet të veprohet.

    “Në qeverisjen e PDK-së çdoherë ka qenë një relacion i mirë me Sindikatën dhe çdoherë është bërë një kompromis”- u përgjigj ai kur u pyet se si do t’i bindin mësimdhënësit të testohen.

    Sipas tij, themelimi i Qendrës të Trajnimit parasheh trajnimin e mësimdhënësve në programe të akredituara dhe trajnimin e drejtorëve për profilin e drejtorëve të shekullit 21.

    Në anën tjetër, Besiana Musmurati tha se Sindikatën e Arsimit do ta bindin me dialog, pasi që sipas saj, në një format që e ka provuar në Prishtinë sa ka qenë drejtoreshë, nuk ka hasur rezistencë nga mësimdhënësit.

    “Çka kemi parë prej rezultateve aty është që qasja në atë test duhet të mos jetë agresive që e cenon lirinë dhe punësimin e mësimdhënësit. Me ta duhet ta kemi një dialog të hapur dhe të krijojmë mekanizma që ata me i avancu në karrierë”- tha ajo.

    Musmurati deklaroi se kjo nuk do të thotë që nuk do të kenë testime dhe që testimet kanë koncept negativ, përkundrazi testimet do t’i shfrytëzojnë që të shohin se “ku janë gabim”.

    Në katër vjet mandat të Qeverisë Kurti ka pasur një përplasje të dukshme mes institucioneve qendrore dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit – lidhur me futjen në testim vlerësues të mësimdhënësve nëpër shkollat e Kosovës. Sindikata në vazhdimësi e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke vlerësuar se kjo ide është ofenduese ndaj mësimdhënësve, pasi ata janë të diplomuar dhe janë vlerësuar gjatë studimeve nga profesorët.

    Kurse për Kontratën Kolektive, Azem Guri, tha se atë duhet ta paguajë Qeveria e jo komunat.

    Kontrata Kolektive që ishte nënshkruar në vitin 2021 dhe u shkëput në nëntor 2022 nga Ministria e Arsimit “për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.

    Për mësimdhënësit më shqetësime shëndetësore, Guri tha se kanë paraparë që të nxjerrin një udhëzim dhe varësisht prej kategorizimit prej shërbimeve mjekësore të dalin në pensionim të parakohshëm.

    Kthimi metodës të vjetër apo subvencionim?

    Kandidatja Eliza Hoxha, e cila njëherësh është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe deputete në Kuvend, tha që do ta kthejnë metodën e vjetër për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit ashtu siç e ka praktikuar PDK-ja kur ishte në pushtet.

    Hoxha akuzoi se parat të cilat kanë shkuar te prindërit përmes subvencionimit, metodë kjo e Qeverisë Kurti, kanë shkuar edhe te shumë familje që nuk jetojnë në Kosovë.

    Arsyeja tjetër, sipas saj, pse duhet të kthehet metoda e vjetër e blerjes së teksteve është se çmimet e librave në treg janë blerë me çmimin e fundit.

    Dhe e treta, sipas saj, është që kompanitë që prodhojnë libra kanë shitur më pak së herëve të tjera.

    Musmurati tha se metoda e Qeverisë Kurti ka qenë një vendim i gabuar sepse është shpenzuar më shumë në blerjen e teksteve shkollore.

    “Kemi pas rritje enorme të çmimeve të librave që mendoj që është bërë edhe keqpërdorim i buxhetit”- tha ajo.

    Në dy vitet e fundit blerja e librave për nxënësit është bërë përmes subvencionimit, pra librat i kanë blerë prindërit me paratë që i janë transferuar nga Qeveria e Kosovës. Një metodë e tillë gjeti edhe përkrahje, por edhe kundërshti. Ekzekutivi i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

    Kandidati i PDK-së Azem Guri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Para kësaj metode, vetë institucionet i kanë siguruar librat për nxënësit, por partia në pushtet e kishte ndryshuar me arsyetimin se paraja e shtetit ishte keqpërdorur dhe se bodrumet  e shkollave kanë qenë të mbushura me tekste shkollore që janë blerë e nuk janë përdorur.

    Kurse, Azem Guri konsideroi që është bërë edhe një shkelje ligjore.

    “Sepse Ligji për arsimin parauniversitar, neni 26, e specifikon shumë qartë së Ministria e Arsimit, duhet t’i ndjekë edhe procedurat e prokurimit në mënyrë që t’i sjell tekstet shkollore tek nxënësit e jo t’i subvencionojë prindërit”- tha Guri.

    Kandidatja, Kristina Gashi- Bytyçi, e cila ka qenë kryesuese e Kuvendit Komunal në Ferizaj, tha se do t’i rishikojnë tekstet shkollore dhe ato do të harmonizohen me moshën e fëmijëve, por njëkohësisht edhe me plan-programin aktual.

    Pak premtime për nivelin e mesëm

    Në nivelin e shkollave të mesme profesionale, Azem Guri premtoi se do të bëjnë shndërrimin e shkollave profesionale në qendra të kompetencës; të ndahen bursa për ata nxënës dhe diplomat e tyre të jenë të vlefshme jo vetëm për kompanitë vendore por edhe ato ndërkombëtare.

    Ai tha se do ta bëjnë ngritjen e kapaciteteve në kuadër të Drejtorive të Arsimit dhe shtimin e inspektorëve të arsimit.

    Se si do t’i integrojnë nxënësit serbë që vijojnë mësimin në struktura paralele, Eliza Hoxha tha se nuk kanë debatuar se a duhet t’i integrojnë, por do të veprojnë në varësi të Kushtetutës.

    “Ne duhet të nxisim debat dhe normalizim të relacioneve të brendshme, përkrahje të jashtëzakonshme në aspektin financiar dhe programore dhe besoj që nuk duhet të ketë vija të kuqe për diçka që është e rregulluar në kuptim kushtetues dhe ligjor”- tha ajo.

    Si do të rrisin cilësinë e universiteteve?

    Në këndvështrimin e Eliza Hoxhës, buxheti për arsimin universitar ka shënuar rritje edhe gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, megjithatë ajo e sheh si të pamjaftueshëm atë se çfarë është bërë deri më tani.

    Sipas saj, në Kosovë mungon infrastruktura e nevojshme ligjore që ndërlidhë tregun e punës dhe mundësinë që universitetet të gjenerojnë të hyra vetanake e jo të jenë të varura vetëm nga buxheti.

    Hoxha tha se kolegjet private të regjistruara si biznese kanë arritur të jenë në një vijë me dinamikën e tregut të punës sepse nuk i ndalon ligji me asgjë, ndryshe prej atyre publike që janë shumë rigjide në kuptimin e normave ligjore dhe statuteve.

    Kandidatja e PDK-së Eliza Hoxha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Duhet një rishikim se çka po ndodh në universitetet tona. Po ashtu univeristetet tjera të jenë fakultative në kuptimin tematik që të lidhen me turizmin malor, kulturor dhe të jenë në një zonë përcaktuar, në mënyrë që të kemi pole të reja”- tha Hoxha.

    PDK-ja, sipas saj, parasheh 25 milionë euro bursa për studentët me arritje të larta.

    Kurse për ngacmimet seksuale në institucionet universitare, Hoxha pa treguar se çfarë saktësisht do të bëjnë për ta parandaluar një fenomen të tillë, tha se duhet të vendosen kritere të mirësjelljes për mësimdhënës dhe për studentë.

    “Mendoj që ky është një debat që duhet të zhvillohet nga krejt akterët se brenga kemi pasur gjithë. Si grua mund të them që edhe vetë jam përballur me një çështje të tillë”- tha ajo.

    Universiteti i Prishtinës ka rregullore për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi në UP të datës 11.05.2021.

    Rastet e ngacmimit seksual në UP raportohen te zyrtarja për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimet seksuale, Drita Hyseni dhe pastaj ato raste shqyrtohen nga Këshilli i Etikës i UP-së.

    Hoxha tha se do ta ndërtojnë një Qendër për Kërkim dhe Zhvillim për ta nxitur inovacionin dhe teknologjitë e reja.

    “Kjo qendër mëton të nxisë bashkëpunimin me tregun e punës përmes hulumtimit dhe zhvillimit duke krijuar mundësi edhe për teknologjitë e reja edhe për Inteligjencën Artificiale për të krijuar hapësirë që të rinjtë dhe të rejat e Kosovës që të kenë mundësi të gjenerojnë në tregun e punës”- tha ajo.

    Rajoni 05

    Përgjatë debatit u diskutua edhe për planet e PDK-së për rajonin e Ferizaj. Momentalisht, Ferizajn e qeveris Agim Aliu i PDK-së.

    Naim Ismajli tha se do të vazhdojnë në mënyrë urgjente punën në Spitalin rajonal të Ferizajt.

    “Është një spital që ne tash është dasht t’i marrim shërbimet në të, por kjo ka ngecë. Ka qenë një ndëshkim i Qeverisë në pushtet për qeverisjen lokale”- tha ai.

    Projekt tjetër kapital që përmendi Ismajli është funksionalizimi i sistemit të Lepencit ku parashohin 450-500 milionë euro investime për ta jetësuar atë.

    Kandidatët e PDK-së, Kristina Gashi-Bytyçi dhe Naim Ismajli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Ne e dimë që e kemi Ibrin në funksion por asnjëherë nuk është jetësuar Lepenci. Ne e kemi projektin me fizibilitet që e ka kry Banka Botërore. Projekti që kap vlerat mes 450-500 milionë do varet me dy ujëmbledhës. Ky projekt parasheh dy diga të fuqishme: në Firajë dhe në Shtime dhe ujëmbledhësit në Redime dhe Grykën e Jezercit dhe Gaçkës”- shpjegoi ai.

    Sipas tij, ky sistem i ujit i përgjigjet dy kërkesave elementare të qytetarëve të Kosovës: furnizimit me ujë të pijshëm për 500 mijë banorë; mbi 20 mijë hektarë do të ujiten; dhe tri kanale të hapura që njëri do të shkojë për Obiliq për ftohje e termoelektranave, ku njëra vjen në drejtim të Graçanicës- Prishtinës dhe tjetra në drejtim të Ferizajt.

    Dy projekte tjera që i shpalosi Ismajli janë edhe rivitalizimi i hekurudhave që të kenë mundësi të zhvillojnë shpejtësinë 80-100 km në orë dhe autostrada nga Duhla në Shtime në Lipjan që lidhë autostradën “Ibrahim Rugova” me atë “Arbën Xhaferi” dhe e cila pastaj të shkojë në drejtim të Dheut të Bardhë.

    Përvoja e PDK-së në qeverisje

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

    Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

    Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

    PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

    Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”. 

     

  • Planet e LDK-së për arsimin në Kosovë dhe për investime në rajonin e Ferizajt

    Shtrirja e mësimit tërëditor në krejt Kosovën, profilizimi i universiteteve, ndërtimi 80 çerdheve, matja e performancës së mësimdhënësve e jo rivlerësimi i tyre, janë vetëm disa nga zotimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë fushatës për zgjedhje të nivelit qendror.

    Prishtina, një prej komunave që më së shumti është qeverisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka shërbyer si ‘vend eksperimental’ për të provuar një prej reformave në arsim- mësimin tërëditor. Këtë sistem të aplikuar në pesë shkolla të kryeqytetit, tani kjo parti e qendrës së djathtë e ka shndërruar në zotim elektoral për ta shtrirë në nivel vendi.

    Plani i LDK-së është që mësimi të zgjas tetë orë. Ndonëse, ende nuk e ka një projeksion të detajuar për këtë gjë, kjo parti beson që brenda dy mandateve mësimi tërëditor do të mund të jetësohet në të gjitha komunat e Kosovës.

    Ky projekt, që për LDK-në është më i madhi i planifikuar në fushën e arsimit është vetëm një prej atyre që u dha si premtim në “Debat Përnime”, më 15.01.2025, nga kandidatët për deputetë të kësaj partie, nëse subjekti i tyre arrin të qeveris pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

    Ngritja e numrit të çerdheve, matja e performancës së mësimdhënësve, testi kombëtar për mësimdhënësit e rinj, sigurimi i librave shkollorë përmes Ministrisë të Arsimit, profilizimi i universiteteve dhe subvencionimi i atyre që janë më të suksesshme, janë disa nga zotimet që i kanë dhënë në emër të partisë katër kandidatët për deputetë nga LDK-ja.

    Kandidatët e LDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    A do të ketë mësim tërëditor dhe shujta të nxehta për nxënësit e të gjitha komunave?

    Jehona Lushaku- Sadriu, kandidate për deputete njëherësh drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë, duke shpalosur një pjesë të programit për arsim, u zotua që përpos se do të zgjatet orari i mësimit, do t’iu sigurohet një shujtë e nxehtë nxënësve dhe do të shtohen aktivitetet ekstra-kurrikulare.

    “Detyrat e shtëpisë do të përfundohen në klasë nën përkujdesjen e mësueses. Mësueses do t’i hiqen orët e Edukatës Fizike, Arti dhe Muzika. Familjeve do t’u ulet kostoja pasi ata [aktualisht] paguajnë qendra ditore jashtë orës së mësimit”- shpjegoi ajo.

    Ajo tha se kanë evidentuar 13 lloje të aktiviteteve që do të përfshihen në mësimin ekstra-kurrikularë që kanë të bëjnë me të nxënit e mësimit përmes lojës, artit, sportit dhe kulturës.

    “Duke u bazuar edhe në rezultatet e PISA-s dhe nevojën për të ndërhyrë në ciklin 1-5, se duhet t’i forcojmë fëmijët tanë në kuptim, lexim dhe matematikën aplikative, me orarin që e kanë ky cikël, tani me katër orë mësim, nuk mund të arrihet deri aty”- tha Lushaku-Sadriu, e cila vetë kishte nisur mësimin tërëditor në pesë shkollat e Prishtinës e për të cilin thotë se ka kushtuar më pak se dy milionë euro.

    Kandidatja e LDK-së Jehona Lushaku-Sadriu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Lushaku- Sadriu thotë që projektin synojnë që fillimisht ta shtrijnë tërësisht në pesë komuna, kurse në “të gjitha shkollat sa më shpejt që është e mundur”. Sipas saj, shtrirja në krejt Kosovën, është e mundur nëse kanë investime kapitale dhe nëse e rezervojnë buxhetin për shujtë.

    “Nuk mund ta nisim reformën për krejt shkollat sepse kufizimet edhe buxhetore nuk e lejojnë atë. Nëse e nisim, unë jam e bindur që për tetë vite do të bëhet për krejt Kosovën”- tha ajo, duke shtuar se një projekt i tillë kontribuon në punësimin e grave.

    Si Qeveri, Lushaku- Sadriu thotë se do ta ndajnë një grant të veçantë për shujtat të cilat do të bëhen menjëherë, ndërsa për objektet që iu duhen, ajo tha se disa prej tyre mund të rinovohen.

    Në shkollat “Model-Qamil Batalli”, “Shkolla e Gjelbër”, “Xhemail Mustafa”, “Faik Konica” e “Nazim Gafurri”, mësimi tërëditor ka nisur nga shtatori 2024. Mësimi fillon rreth orës 08:20 dhe mbaron rreth orës 15:20, ndërsa vlen për nxënësit e klasave 1 – 5. Nxënësit e klasave 6 – 9 të shkollave në Prishtinë ku ka mësim tërëditor u është dashur të zhvendosen në shkolla tjera të afërta.

    Lushaku – Sadriu u zotua se në nivelin fillor do të bëjnë një riorganizim të përgjithshëm të shkollave fillore duke i ndarë ato në cikle; shkollat fillore deri në të pestën në objekte të veçanta; cikli i mesëm i ulët në klasa 6-9 në objekte tjera të veçanta.

    Kurse për reformën në digjitalizim, ajo tha se do të nisë që nga struktura e klasës e cila do të ketë një strukturë për banka dhe karrige e dollapë tjerë, por edhe tabela digjitale.

    Në këtë formë, ajo tha se digjitalizimi nuk do të jetë vetëm një tabelë digjitale, por edhe një softuer për menaxhimin e  të dhënave të shkollave që është mundësi e mirë për ta lidhur prindin, mësimdhënësin dhe menaxherin e shkollës për shkaqe sigurie në mënyrë që të marrin informata për gjendjen, vërejtjet dhe notat e nxënësit.

    Test jo, matje të performancës po

    Në emër të LDK-së, Jehona Lushaku- Sadriu, doli kundër testimit të mësimdhënësve të tanishëm nëpër shkollat e Kosovës – temë kjo që ka nxitur debate të ashpra që nga inicimi i kësaj ideje nga partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

    Ajo tha se për mësimdhënësit që janë në sistem parashohin matje të performancës e jo test klasik. Sipas saj, do të ketë simulim dhe motivim të mësimdhënësve për të punuar dhe për të dhënë maksimumin për ngritje të cilësisë.

    “Matja e performancës fillon nga prindi, nga nxënësi, nga evaluimet e brendshme, nga cilësia e orës së mësimit, dhe kështu kurorëzohet përshtypja që ka menaxhmenti për mësimdhënësin. Pastaj kalon në nivelin e trajnimit dhe matet se trajnime ka përfunduar mësimdhënësi. Duhet të jetë proces që shkon në bashkërendim me nivelin komuna- shkolla- Ministria e Arsimit”- shpjegoi ajo.

    E nëse mësimdhënësi nuk i përmbush kriteret, ajo nuk u shpreh shumë e qartë se kush do ta jap ‘dritën e gjelbër’, vetëm shtoi se edhe pse kontratat dhe punësimet i bën niveli komunal, komponenta dhe matja bëhet nga të gjithë faktorët dhe pastaj nuk është shumë e rëndësishme se kush e shkëput kontratën.

    Kandidatja tjetër, Fatlume Jaha, e cila ka qenë edhe këshilltare politike në Ministri, tha se nën qeverisjen e tyre, shteti do ta ketë një sistem të trajnimeve për mësimdhënësit.

    “Askush nuk mund t’i di të gjitha gjërat, për ata ekzistojnë trajnimet që mbi bazën e tyre pastaj të plotësohen ato mangësi që janë”- tha ajo.

    Përveç saj, Lushaku- Sadriu tha se do ta realizojnë një provim kombëtar për mësimdhënësit e rinj, që teston të gjithë ata që hyjnë në sistem pas diplomimit.

    Sipas saj, ky provim kombëtar rangon në nivel vendi suksesin dhe kandidatët me rezultate më të mira, në mënyrë që t’u jepet mundësia komunave që të punësojnë kandidatët më së suksesshëm.

    Në katër vjet mandat të Qeverisë Kurti ka pasur një përplasje të dukshme mes institucioneve qendrore dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit – lidhur me futjen në testim vlerësues të mësimdhënësve nëpër shkollat e Kosovës. Sindikata në vazhdimësi e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke vlerësuar se kjo ide është ofenduese ndaj mësimdhënësve, pasi ata janë të diplomuar dhe janë vlerësuar gjatë studimeve nga profesorët.

    Ndërsa për Kontratën Kolektive, ajo nuk u përgjigj direkt nëse do ta vazhdojnë ose jo, por tha se do t’ia bëjnë një studim të kujdesshëm.

    ”Të drejtat e punëtorëve do të respektohen në plotni. Si qeveri duhet të zotohemi t’i marrim përsipër të gjitha kostot që i kanë pasur. Shumë shpesh komunave iu ka marr buxheti për shkak se nuk e kanë planifikuar në mënyrën e duhur. Për vazhdimin e kontratës duhet të ketë analiza, dhe të gjithë termat do të analizohen”- tha ajo.

    Në vitin 2024, Sindikata e Arsimit protestoi para Ministrisë të Arsimit dhe Qeverisë që të nënshkruhet kontrata kolektive, të kenë rritje dinjitoze të pagave, përmirësim të kushteve të punës në institucione arsimore dhe të mos u mohohet kontributi i viteve të ‘90-ta.

    Kontrata Kolektive që ishte nënshkruar në vitin 2021 dhe u shkëput në nëntor 2022 nga Ministria e Arsimit “për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.

    Subvencionim i teksteve shkollore apo të blihen nga Ministria?

    Fatlume Jaha premtoi se nëse qeverisin në katër vjetët e ardhshme, tekstet shkollore do t’i sigurojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të gjithë nxënësit, në mënyrë që “mos të shkaktohet hutia te mësimdhënësit dhe te nxënësit”.

    Kurse, kandidati Paris Guri tha se me këtë metodë, e cila në fakt ka ekzistuar para se të vije Qeveria Kurti në pushtet, përveç që çmimet do të jenë më të ulëta, do të lehtësohet edhe jeta e prindërve.

    “Kjo ka me lehtësu blerjen e librave sepse kemi parë prindër që presin me orë të tëra për më i siguru librat. Ka qenë një maltretim dhe padrejtësi ndaj prindërve”- tha ai.

    Më thellësisht këtë çështje e shpjegoi Jehona Lushaku- Sadriu, e cila tha se do t’i sigurojnë librat vetë, sepse “kostoja ka qenë jashtëzakonisht e madhe me metodën aktuale”.

    “Nuk është njëjtë si t’i subvencionosh qindra mijëra prindër vetë, dhe në anën tjetër t’u thoni bleni librat me çmimin e tregut në librari. Por, ti si institucion kur shkon dhe negocion për shumicën e librave, normal që çmimi i librave do të jetë më i ulët”- tha ajo.

    Në dy vitet e fundit blerja e librave për nxënësit është bërë përmes subvencionimit, pra librat i kanë blerë prindërit me paratë që i janë transferuar nga Qeveria e Kosovës. Një metodë e tillë gjeti edhe përkrahje, por edhe kundërshti. Ekzekutivi i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

    Para kësaj metode, vetë institucionet i kanë siguruar librat për nxënësit, por partia në pushtet e kishte ndryshuar me arsyetimin se paraja e shtetit ishte keqpërdorur dhe se bodrumet  e shkollave kanë qenë të mbushura me tekste shkollore që janë blerë e nuk janë përdorur.

    60 milionë euro për 80 çerdhe

    Kandidatja Fatlume Jaha tha se nën qeverisjen e LDK-së do të rritet numri i çerdheve publike, më saktësisht në 80 sosh.

    Sipas saj, ndërtimi i çerdheve të reja do të kap buxhet prej 60 milionë eurosh.

    “Synojmë të rrisim buxhetin çdo vit për nga 15 milionë euro dhe do të ndërtojmë nga 20 çerdhe (për vit)”- tha ajo.

    Jaha tha se aktualisht vetëm 6.9% e fëmijëve të moshës nën 5 vjeçare janë të përfshirë në sistemin parashkollor, e që sipas saj është përqindja ma e ulët në Europë.

    Ajo tha se  në shkollimin e hershëm  të moshave 3-6 vjeç, synojnë që për dy mandate qeverisëse, pjesëmarrjen e kësaj grupmoshe në sistemin parashkollor ta rrisin deri në 95 për qind.

    Kandidatja e LDK-së Fatlume Jaha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.

    Jaha u zotua se do t’i bëjnë klasat me 20 nxënës.

    Kurse, Jehona Lushaku-Sadriu tha se secila shkollë që mbetet e zbrazët mund të adoptohet në kopsht, pasi që sipas saj nuk ka logjikë që 13 fshatra mos të kenë asnjë kopsht e t’i sjellin fëmijët p.sh në Prishtinë, “e aty të na rrinë shkolla me nga 12/13 nxënës”.

    “Ju garantoj që asnjë mësimdhënës nuk do mbetet pa punë. Kjo është vetëm një lloj riorganzimi që sjellë cilësi”- tha ajo, duke u zotuar që secilën komunë do ta bëjnë me çerdhe.

    E, për fëmijët e kategorive të veçanta që nuk do të arrijnë të regjistrohen në çerdhet publike, ajo tha se do t’i subvencionojnë në mënyrë që të regjistrohen në ato private.

    “Subvencionimi do të bëhet në bazë se sa kushton kopshti. Shuma përcaktohet nga ana e autoritetit komunal. Nuk shkakton inflacion se bëhet në varësi me buxhetin e komunave”- u përgjigj ajo në pyetjen se çka nëse kopshti privat e ngrit çmimin.

    Reforma në shkollimin e mesëm dhe atë universitar

    Kandidatja  Fatbardha Istrefi- Avdiu e cila njëherësh është profesoreshë në shkollën e mjekësisë në Mitrovicë të Jugut, premtoi se do të formojnë qendrat profesionale të cilat do ta lidhin shkollën me biznesin dhe do ta menaxhojnë praktikën.

    Sipas saj, qendra do të krijojë mundësi që shkollat profesionale të ofrojnë shërbime dhe të krijojnë mjete vetanake, duke bashkëpunuar edhe me odat, siç është Oda Ekonomike dhe Zejtare dhe shoqatat profesionale të cilat ofrojnë mundësi.

    Se si do bëhen shkollat me kompetenca përderisa drejtorët janë politikë, Istrefi-Avdiu tha se drejtorët do të zgjidhen në bazë të performancës së tyre.

    “Sa i përket harmonizimit të plan-programeve, veç duhet një rishikim i profileve. Duhet të shtohen lëndët për shkollat me profil të caktuar dhe në bazë të qendrave dhe agjencive, të harmonizohen me praktikën profesionale- siç është mësimi dual”- tha ajo.

    Kandidatja e LDK-së Fatbardha Istrefi-Avdiu. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.

    Ajo tha se kurrikulat nuk ndërrohen përveç se mund t’ia ndihmojnë shkollave profesionale me digjitalizimin e librave. Kurse, në nivelin e shkollave profesionale, ajo tha se do t’i rishikojnë kurrikulat, t’i përshtatin ato me nevojat e tregut dhe t’i përafrojnë me atë se çfarë është kërkesë e bizneseve dhe tregut të Kosovës.

    Kurse, Lushaku- Sadriu tha se në nivelin e arsimit të lartë do të fokusohen në nivelin e cilësisë, në profilizimin e universiteteve, në rangimin e universiteteve dhe subvencionimin e atyre që janë më të sukseshme me qëllim që të rritet konkurrrenca dhe cilësia edhe në universitetet publike.

    “Dëshirojmë që t’i ndërlidhim drejtimet e studimeve me nevojave të tregut në mënyrë që të modernizohen universitetet publike, për atë që jemi shumë kritike nuk ka ka ndodhur në katër vitet e fundit”- tha ajo.

    Ajo premtoi se do të investojnë maksimalisht në universitetet publike për ta kthyer cilësinë dhe për ta ngritur mundësinë e tyre për t’u bërë më bashkëkohor. Kjo, sipas saj, do të bëhet me investime në digjitalizim dhe në hulumtime shkencore.

    “Nuk shkon që universitetet publike mos të kenë të hyra të tjera përveçse të shtetit. Ne dëshirojmë që ato të mbesin autonome dhe si të tilla të gjenerojnë të hyra”- tha ajo.

    Diçka për rajonin 05

    Kandidati tjetër, Paris Guri, i cili ka qenë pjesë e shoqërisë civile para se të bëhej pjesë e Rinisë së LDK-së, e tashmë edhe kandidat për deputet, tha se partia e tij i ka ndare 80 milionë euro për trajnimin e të rinjve në sektorin e ICT-së (Teknologji e Komunikimit dhe Informacionit).

    Për rajonin e Ferizajt, Guri tha se kanë paraparë impiantin për ujëra të ndotura; ndërtimin e kinemasë dhe renovimin e tërësishëm të palestrës sportive.

    Kandidati i LDK-së Paris Guri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.

    Ai tha se 80 milionë euro janë të ndara sa i përket Brezovicës, ku sipas tij, do të investohet në teleferik të ri dhe në ndërtimin e një qendre e cila do të jetë atraktive edhe për shtetet fqinje.

    “Për Brezovicën, 20 për qind të investimit i takon shtetit të Kosovës, ndërsa pjesën tjetër e marrin kompanitë private”- tha ai.

    Përvoja e LDK-së në pushtet

    Lidhja Demokratike e Kosovës më së shpeshti e ka pasur fatin që të jetë në pushtet.

    Pas mbarimit të luftës dhe ardhjes së administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara (UNMIK), u mbajtën zgjedhjet e para në Kosovë, në vitin 2001.

    LDK fitoi shumicën e votave dhe përfaqësoi shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës më 04.03. 2002, dhe LDK-ja formoi qeverinë e parë pas luftës.

    Kjo parti fitoi përsëri zgjedhjet e vitit 2004 në krye me Ibrahim Rugovën, i cili ishte president deri në vitin 2006.

    Ndërsa, në zgjedhjet e vitit 2014, LDK arriti të krijonte një koalicion qeverisës me partinë e Hashim Thaçit, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe të formonte një qeveri të re në krye me Isa Mustafën.

    Në zgjedhjet e vitit 2019, LDK humbi mundësinë për të formuar një qeveri, pasi LVV fitoi më shumë vota. LVV, bëri koalicion me LDK-në, por marrëveshja u prish pas disa muajsh kur Qeveria e Kurtit u rrëzua në Kuvend në mars 2020 përmes një Mocioni Mosbesimi.

    Në këtë situatë, LDK-ja, nën udhëheqjen e Avdullah Hotit, arriti të formonte një koalicion me PDK-në dhe partitë e tjera të vogla.  Në 22.03.2020, Hoti u zgjodh kryeministër i Kosovës.

    Qeveria Hoti u rrëzua pas një Mocioni të dytë Mosbesimi në Kuvendin e Kosovës.

    Kjo u pasua me zgjedhje të parakohshme të shkurtit të vitit 2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje doli fituese.

    Në zgjedhjet e fundit në vitin 2021, LDK-ja fitoi 12.64 % duke u renditur si partia e tretë për nga numri i votave.

  • BE thotë se Qeveria mbylli strukturat ilegale në mes të fushatës, ia përmend edhe masat

    Bashkimi Europian (BE) ka deklaruar se veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj Bashkimit Europian në kuadër të procesit të normalizimit. 

    Sipas BE-së, statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashikohet të zgjidhet përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    “Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me detyrimet e saj në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të saj të fundit ndaj tij.” – shkruan në reagim.

    Ndër të tjera janë përmendur edhe masat ndaj Kosovës, duke shtuar se këto veprime të Kosovës janë të pafavorshme për t’ia hequr masat.

    “Siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të vitit 2024 për zgjerimin, BE-ja gradualisht do të heqë masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të depërshkallëzuar tensionet në Veri. Këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim.” – shkruan në reagim.

    Shtetet e Bashkimit Europian ende nuk e kanë një qëndrim unik rreth heqjes së tyre. Masat ndëshkuese u aplikuan në qershor të vitit 2023, pas tensioneve në Veri të vendit, e shpresat që ato të hiqeshin vitin e kaluar ishin të mëdha.

    Në muajin qershor 2024, kryediplomati i Bashkimit Europian, Josep Borrell ua kishte dorëzuar vendeve anëtare të BE-së Raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës. Në Raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në Veri të vendit, në maj dhe në qershor të vitit 2023.

    Edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar duke vlerësuar se veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia “dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”

    Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele, të mërkurën më 15.01.2025.

    Ambasada në disa përgjigjje për KALLXO.com ka thënë se këto veprime mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik dhe ndikojnë negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-e-prishtines-refuzoi-bastisjet-ne-objektet-e-strukturave-paralele/

  • Lajçak flet shkurt për takimin trepalësh, që nuk u mbajt në Bruksel

    Emisari i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak ka deklaruar se është takuar veçmas në Bruksel me delegacionin e Kosovës dhe të Serbisë. Ndërsa, takimi i përbashkët nuk ka ndodhur.

    Më 15.01.2025, në Bruksel ishte planifikuar të mbahej mbledhja e parë e Komisionit të Përbashkët për Persona të Zhdukur në nivel deputetësh.

    Lajçak tha se Kosova prezantoi prioritetet e saj, ndërsa Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët, për shkak të zhvillimeve në Kosovë.

    “Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët, për shkak të zhvillimeve në Kosovë.” – ka shkruar Lajçak në “X”.

    Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukuturave paralele, të mërkurën më 15.01.2025.

    Në takim delegacioni i Kosovës udhëhiqej nga Halil Cenaj, bëri të ditur kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se kryenegociatori i Serbisë, Petar Pektoviq ka qenë në Bruksel, edhe pse takimi ka qenë i paraparë vetëm për çështjen e të pagjeturve dhe formati, sipas Hotit, ka qenë me zëvendësues të Komisioneve përkatëse të të dyja shteteve.

    “Prania e z. Petkoviq në Bruksel është dëshmia më e qartë se pikërisht ai orkestroi dhe garantoi dështimin e takimit të paraparë – duke e kthyer një proces teknik jetik në një mjet të turpshëm të politizimit dhe obstruksionit.” – ka shkruar Hoti.

    Sipas tij, arsyetimi i Serbisë për mospjesëmarrje është banal dhe i dëmshëm për procesin e zbardhjes së fatit të të pagjetuve dhe se nuk ka të bëjë asgjë me temën për të cilën janë thirrur në Bruksel.

    “Kjo demonstron për të satën herë mungesën e gatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar në këtë çështje të rëndësishme. Kjo tregon edhe njëherë politizimin e tejskajshëm të Serbisë, në raport me çështjen e personave të zhdukur.” – ka thënë Hoti.

    Në ndërkohë, Hoti ka bërë të ditur se delegacioni i Kosovës ka mbajtur takime me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ka paraqitur kërkesat e palës kosovare.

    “… për këtë kemi marrë njoftimin nga z. Lajçak, që do të raportohet konstruktiviteti ynë dhe kërkesat tona te vendet anëtare të BE-së.” – ka shkruar në fund Andin Hoti.

    Televizioni serb RTS ka raportuar se shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq është larguar nga takimi, për shkak të zhvillimeve lidhur me aksionin policor kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë.

    “Kryenegociatori i Beogradit, Petar Petkoviq i ndërpreu dhe u largua nga bisedimet në Bruksel, për shkak të terrorit të paparë e dhunës institucionale të Prishtinës dhe Albin Kurtit ndaj serbëve e mbylljes së institucioneve të shumta serbe në Kosovë.” – ka thënë delegacioni i Beogradit, më 15.01.2025.

    Në dhjetor të vitit 2024, Kosova dhe Serbia përmes përfaqësuesve të tyre në Dialog janë pajtuar për zbatim të plotë të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Europian.

  • Mbyllja e strukturave ilegale – Ambasada Amerikane thotë se këto veprime e dobësojnë besimin

    Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar duke vlerësuar se veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia “dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”

    Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele, të mërkurën, më 15.01.2025.

    Ambasada, në disa përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se këto veprime mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik dhe ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera.

    “Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme, për të gjithë njerëzit e saj.” – shkruan në përgjigje.

    Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën – u përgjigj Ambasada.

    Por KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesen për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

    Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje, por jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhërin përmes telefonit.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore, në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

    Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-e-prishtines-refuzoi-bastisjet-ne-objektet-e-strukturave-paralele/