Ballina

Autor: Agron Halitaj

  • Gjuha e urrejtjes si “artileri” në betejën për pushtet

    Fushata zgjedhore në Kosovë, e nisur zyrtarisht më 11 janar 2025, po përcillet nga një diskurs i vrazhdë mes rivalëve për kryeministër të ardhshëm të vendit dhe mes kandidatëve që pretendojnë të bëhen deputetë të legjislaturës së re e cila pritet të krijohet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Fjalimet e mbushura me gjuhë të urrejtjes, me ironi dhe me ofendime të ndërsjella mes liderëve të pozitës dhe opozitës, po i lënë në plan të dytë ato që do duhej të ishin thelbësore në garën për pushtet- programet zgjedhore. Partia që ka qeverisur në katër vjetët e fundit- Lëvizja Vetëvendosje, në fakt as që e ka ofruar një program të tillë. Megjithatë, për gjuhën dhe veprimet që nuk janë brenda normave të lejuara, secila prej partive është duke u gjobitur në vazhdimësi.

    Lëvizja Vetëvendosje është ndëshkuar me 4 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për gjuhën fyese që ka përdorur lideri i saj, Albin Kurti, gjatë një tubimi në Pejë. “Këtu, qysh e dini edhe ju vet, Ly-Dy-Ky-Hi dhe Py-Dy-Ky-Hi (aludimi në LDK-në dhe PDK-në) janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të kaluarën kur kanë keqqeverisur bashkë, por nuk mund të jenë më ëndërrimtarë që mund të përsëritet kjo”, tha Kurti para simpatizantëve të LVV-së, në qytetin rrëzë Bjeshkëve të Nemuna (shih videon e publikuar në TikTok).

    Por, s’u ndal me kaq! LDK-në, partinë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, rivali i tij për pozitën e kryeministrit, ai e krahasoi me mizën. “Kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të Ly-Dy-Ky-Hit se populli po ka simpati për ta, mua më ngjan me mizën që thoshte se kudo që po shkoj po e presin me duartrokitje”, tha Kurti, duke shtuar më pas se “ato duar që duartrokasin [dihet] se çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize” (Shih videon e publikuar në TikTok).

    Nga krahasimet, megjithatë nuk shpëtoi as ai. Për mënyrën e të folurit dhe gjestikulacionet e tij, kandidatja për deputete nga LDK-ja, Xhenet Syka, shpërndau një video krahasuese me tendencë të përngjasimit me diktatorin nazist, Adolf Hitler. Ky veprim i kushtoi LDK-së, me një gjobë prej 20 mijë euro nga ana e PZAP-së, organit të përhershëm, të pavarur dhe kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.

    Shkaku i gjuhës dhe i veprimeve të aktivistëve nga gjobat nuk ka shpëtuar as Partia Demokratike e Kosovës. Më 8 mijë euro u gjobit kjo parti për shkak se Armend Ahmeti, zyrtar në Komunën e Skenderajt, shpërndau një video në të cilën shihet dhe dëgjohet Sami Lushtaku, kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë duke i quajtur “zagarë” aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. “T’i çojmë mesazh Albin Kurtit dhe zagarëve të tij” – dëgjohet duke thënë Lushtaku. I biri i tij, Mërgimi është në listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë.

    PDK ia pa “sherrin” edhe Sekretarit të Degës në Malishevë, Ruzhdi Kryeziut. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet Kryeziu bashkë me një qytetar që aderon në PDK, me ç’rast ky i fundit e prenë me gërshërë kartelën e anëtarësisë të LVV-së. “Nga sot kthehemi të shtëpia e vjetër, aty ku i kemi rrënjët tona të para dhe nga sot e shkatërrojmë kartelën e populistëve” – thotë i aderuari në PDK. Për këtë gjest, PDK-së iu shqiptua një gjobë prej 2 mijë euro.

    I përmbajtur nga përdorimi i gjuhës fyese nuk është treguar as lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që njëherësh është edhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-Nisma. Që në hapje të fushatës, ai e akuzoi rivalin nga LVV-ja, Albin Kurtin, si “argat të Serbisë dhe Rusisë”. “Nuk dojmë me ba lojna me sigurinë nacionale pas shpinës së aleatëve tonë e në interes të Rusisë e Serbisë nga argati i tyre”, tha ai, duke bërë më pas edhe thirrje: “Shko Albin te prokurori se nuk po dojmë me u vjedh rezervat shtetërore, buka e ushtarit, as te energjia. Shko te prokurori e merri hajnat tjerë se je shef i hajnave”. Kjo gjuhë e Haradinajt i kushtoi AAK-së me gjobë prej 12 mijë euro nga PZAP.

    Haradinaj, që bashkë me partnerët e koalicionit garojnë në zgjedhje parlamentare me moton “Direkt në NATO”, e ka cilësuar Kurtin edhe si mercenar. “Shko se neve nuk na vjen marre prej UÇK-së se jemi kanë UÇK dhe kemi luftu për liri. Shko se e ke fy dhe poshtëru nderin e luftëtarit të lirisë. Ti je mercenar, s’është UÇK-ja mercenar, s’ka mercenarë në UÇK, ti edhe soji yt jeni mercenarë- shkoni” – ka thirrur ai.

    Një gjuhë ofenduese ndaj opozitës ka përdorur edhe kandidati për deputet nga LVV, Xhelal Sveçla. Aktualisht, ai është ministër i Punëve të Brendshme. Në një tubim në Vushtrri, Sveçla i ka quajtur ‘disa’ anëtarë të ish-qeverive si ‘bërllok’. “Disa bërlloka të partive të vjetra thanë se Policia e Kosovës po sillet si Policia e Millosheviqit në veri. Këta bërlloka a do t’i hedhim në kantën e bërllokut të historisë sonë?” – ka deklaruar Sveçla.

    PZAP ka dënuar me 4,500 euro edhe Koalicionin për Familjen pas një ankese të organizatave CEL Kosova dhe Dylberizëm me pretendimin se anëtarët e këtij koalicioni kanë përdorur gjuhe fyese dhe diskriminuese ndaj komunitetit LGBT+, promovimin e përçarjes dhe frikës ndaj qytetarëve si dhe nxitjen e urrejtjes.

    Fushata negative me ndikim afatgjatë në shoqëri

    Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi thotë se gjuha e urrejtjes është shndërruar në një nga karakteristikat kryesore të fushatës. Më me vend ai e sheh sikur fushata të ishte orientuar kah shpalosja e programeve, e jo të dominohej nga retorika përçarëse.

    “Për fat të keq, gjuha e urrejtjes dhe ajo denigruese nuk është monopol i një partie të vetme. Ajo është përhapur pothuajse nga të gjitha forcat politike, duke u kthyer në një normë të papranueshme të komunikimit publik”, thotë ai.

    Megjithatë, sipas tij, gjuha e urrejtjes aktualisht është më e theksuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Të dy këta liderë kanë përqafuar një diskurs politik agresiv, duke e ndërtuar fushatën e tyre mbi përplasjet dhe konfrontimin e drejtpërdrejtë, në vend që të ofrojnë zgjidhje për sfidat reale të vendit” – thotë Qerimi.

    Profesori universitar shton se kjo sjellje e liderëve politikë reflektohet në rrjetet sociale, meqë militantët e përsërisin këtë gjuhë e madje me raste shkojnë edhe deri te kërcënimet. Andaj, sipas tij, institucionet, mediat dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë për të dënuar dhe penalizuar këtë gjuhë. “Nëse kjo tendencë vazhdon, pasojat mund të jenë të rënda për stabilitetin social dhe për besimin e qytetarëve në procesin demokratik” – shprehet ai.

    Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, negativitetin në fushatë e konsideron si të ‘paparë’. “Mund të themi që fushata nga partia në pushtet ka filluar me një negativitet të pakuptueshëm dhe të paparë duke shpërndarë urrejtje dhe polarizime të panevojshme. Në vend se projekteve elektorale vizionare, aty më shumë është ‘stand up’ komedi në kontekstin negativ dhe një kompeticion ku ministrat këndojnë. Do të duhej të tregoheshin projektet dhe vizioni për vitet 2015 – 2029, por për fat të keq LVV ka ngec në mentalitetin e opozitës” – deklaron Arifi.

    Sipas tij, opozita megjithatë ka më tepër koncentrim te përmbajtja dhe oferta. “Partitë opozitare janë më të koncentruara në përmbajtjen dhe ofertën e tyre. Po vërehet angazhim më i madh edhe në organizimin e tubimeve që ato të jenë sa më shumë elektorale” – shton ai.

    Sociologu Artan Muhaxhiri në anën tjetër thotë se gjuha e urrejtjes si “stil ekstrem” i diskursit publik ka ndikim tek kategoria e votuesve të cenueshëm, të cilët janë kryesisht dogmatikë dhe pa sens të mjaftueshëm kritik e racional të vlerësimit afatgjatë politik. Kjo kategori e votuesve,  sipas tij, shpesh janë edhe të margjinalizuar nga rrjedhat zhvillimore shoqërore.

    “Kjo gjuhë shfrytëzohet me qëllim të ndërtimit të rrëfimit të thjeshtëzuar ndarës: ‘Ne dhe Ata/Ato’, ku ‘Ne’ janë personazhet pozitive, kurse ‘Ata/Ato’ negative. Suksesi i saj varet prej rrethanave sociopolitike që dominojnë në kohën e caktuar, si dhe nga shkalla e kërkesës së votuesve që të udhëhiqen prej një lideri/partie me këtë frymë ideologjike e vepruese” – deklaron Muhaxhiri.

    “Policia Gjuhësore”

    Sociologu Artan Muhaxhiri thotë se duhet të ketë një pajtueshmëri për definicionin e asaj që quhet ‘gjuhë e urrejtjes’. Ndonëse ka disa definicione, sipas tij, kryesisht ‘gjuhë e urrejtjes’ kuptohet kur anëtarët e një kategorie të caktuar shoqërore përçmohen në mënyrë jashtëzakonisht të rëndë identitare, dhe se përbuzja nënçmuese përmban potencial për nxitje të dhunës.

    “Në fushatën aktuale për zgjedhjet e 9 shkurtit nuk është krejtësisht e qartë se cili është precizimi i detajshëm institucional i gjuhës së urrejtjes. Ka disa kritere të gjeneralizuara që mund të nënkuptojnë gjëra të ndryshme, kësisoj duke u hapur mundësi opcioneve subjektive interpretative. S’është identifikuar kthjellët vija e cila i ndan përzgjedhjet e mirëmenduara të strategjive politike prej kritereve të pashmangshme të etikës publike”, shpjegon ai.

    Muhaxhiri thotë se s’bën të krijohet përshtypja e një “Policie Gjuhësore” që i përkufizon kornizat e nuancave të lirisë së shprehjes së politikanëve në një terren skajshmërisht të komplikuar me simbolika, metafora dhe alegori. “Dita e zgjedhjeve do të duhej të ishte vlerësim i votuesve kosovarë ndaj partive dhe liderëve edhe për këtë aspekt të tyre” – thotë ai.

    Për Qerimin, gjuha e urrejtjes e përdorur nga politikanë nuk është e rastësishme. Në fakt, sipas tij, kjo është një strategji e mirëmenduar e partive politike për të manipuluar ndjenjat e qytetarëve dhe për të polarizuar elektoratin. “Kjo gjuhë synon të mobilizojë militantët, duke e paraqitur kundërshtarin politik si një ‘armik’ të vendit dhe të popullit. Kjo strategji, edhe pse mund të sjellë përfitime afatshkurtra për disa parti, në tërësi dëmton rëndë procesin demokratik dhe ndërton një kulturë politike të bazuar në përçarje dhe urrejtje” – shprehet Qerimi.

    “Bullizimi verbal dhe sarkazmi tallës”

    Gjobat e shqiptuara nga PZAP ndaj partive politike, profesor Arifi i sheh me vend, por thotë se një shoqëri normale nuk ndërtohet në këtë formë. “Dënimet janë të mëritura- ka qenë rast i rënd të krahasohet kryeministri me një diktator. Kjo është ajo që nuk duhet të kalohen në urrejtje pavarësisht nga kush bëhen. Edhe në rastin tjetër kur është dënuar opozita për të njëjtat arsye nuk mund të ndërtojmë shoqëri normale nëse elita politike shprehet në ketë formë” – deklaron Arifi.

    Sociologu Muhaxhiri nga këndvështrimi i tij thotë se “qasja e këtillë e instancave që merren me procesin zgjedhor duket se më shumë ka synime parandaluese, për ta minimizuar intensitetin e përdorimit të kësaj retorike në të ardhmen”. “Këtyre ditëve ka pasur raste të bullizimit verbal dhe sarkazmit tallës – për shembull nga Kryeministri Kurti, për ç’gjë edhe është dënuar nga PZAP, që i ka konsideruar ato si ‘gjuhë të urrejtjes’. Kandidatët tjerë për kryeministër nuk janë shquar për fjalë të kësollojta” – thekson Muhaxhiri.

    Qerimi në anën tjetër konsideron se përveç ‘elektrizimit’ të masës nga kjo gjuhë e urrejtjes, mund të jetë edhe efekti tjetër, që disa qytetarë të lodhen nga klima toksike dhe mos të marrin pjesë fare në zgjedhje. “Normalizimi i gjuhës së urrejtjes”, sipas tij, hap rrugën për akte të dhunës verbale apo dhe fizike. E kjo pastaj nëse nuk ndalet në kohë, mund të përshkallëzohet deri në konflikte serioze ndërmjet mbështetësve të partive të ndryshme, paralajmëron Qerimi.

    “Degradimi i kulturës demokratike, ku gjuha e urrejtjes dominon diskursin publik, partitë dhe liderët politikë nuk ndihen më të detyruar të ofrojnë zgjidhje reale për problemet e vendit. Kjo çon në një degradim të skenës politike, ku gara për pushtet bazohet në sulme dhe manipulime, jo në ide dhe projekte konkrete për qytetarët” – thotë ai. Gjuha e urrejtjes, sipas tij, sjell edhe humbjen e besimit në institucione dhe sistemin demokratik në përgjithësi. Rrjedhimisht rritjen e pasigurisë dhe zhgënjimit tek populli.

    Për shkak të thyerjeve të rregullave, në dhjetë ditët e para të fushatës, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa u ka shqiptuar subjekteve politike gjoba në shumën prej 125 mijë euro. Bazuar në vendimet e publikuara nga ky organ, e para për nga shuma e gjobitjes është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri më tani është dënuar me 45 mijë euro për gjashtë raste të ndryshme. Partia Demokratike e Kosovës, brenda të njëjtës periudhë është gjobitur me 44 mijë e 500 euro për 10 raste të ndryshme. Koalicioni AAK- Nisma me 23 mijë e 500 euro për tri raste të ndryshme. Dhe, LVV është gjobitur me 6 mijë e 500 euro për dy deklarata të Kurtit, gjatë tubimeve në Pejë dhe Podujevë.

  • Kuvendi pezullon punën në heshtje

    Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës e ka pezulluar punën krejtësisht në heshtje- pa asnjë njoftim e pa asnjë dekret. Ndryshe nga legjislaturat e mëparshme të konstituara pas shpalljes së Pavarësisë më 2008, të cilat janë shpërndarë për shkak të rrëzimit të qeverive, kjo e tanishmja, për herë të parë e ka përmbyllë mandatin në mënyrë të rregullt.

    Rregullorja e legjislativit e përcakton që “Kuvendi e pezullon punën një ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet e rregullta”. E fushata zgjedhore ka nisur më 11 janar dhe do të zgjas deri më 8 shkurt, një ditë para se të hapen kutitë e votimit. Mandati i kësaj legjislature është deri më 22 mars, pikërisht në datën kur mbushen katër vjet nga konstituimi i saj.

    I vetmi trup i Kuvendit që ruan vijimësinë e punës në periudhën transitore nga legjislatura e tetë në të nëntën është Kryesia. Funksionaliteti i kësaj trupe është i rregulluar me aktin i cili e rregullon punën e Kuvendit. “Në rastin kur Kuvendi e pezullon punën për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore dhe në rastin kur shpërndahet, Kryetari dhe nënkryetarët vazhdojnë punën deri në seancën konstituive, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë administrative të punës së Kuvendit”, thuhet në Rregulloren e Punës së Kuvendit.

    Pezullimi i punës së legjislaturës së tetë ka rastisur të ndodh në kohën kur deputetët janë në pushim, pas përfundimit të sesionit vjeshtor të punës. Në rrethana tjera, ata do të duhej t’ia nisnin sesionit pranveror të punës në javën e tretë të janarit. Në kabinetin e kryetarit të Kuvendit nuk kanë treguar nëse deputetëve do t’u lejohet qasja në zyre apo do t’u mundësohet shfrytëzimi i aseteve të Kuvendit, përgjatë kohës së pezullimit të punës.

    Sa i përket çështjeve që janë proceduar në Kuvend, por që nuk kanë përfunduar deri në mbyllje të sesionit të fundit të kësaj legjislature, ato konsiderohen si të paparashtruara për legjislaturën vijuese, gjithnjë duke u bazuar në Rregulloren  Punës. “Kjo nuk gjen zbatim në rastin e ligjit të miratuar nga Kuvendi e të proceduar për shpallje, në rastin e projektligjit të propozuar nga 10 mijë qytetarë si dhe të peticioneve apo referendumeve dhe të atyre punëve, që nuk kërkojnë të merret një vendim nga Kuvendi”, thuhet në Rregullore.

    Përgjatë afro katër vjetëve, Legjislatura e tetë i ka miratuar 282 ligje, ndërkohë që kanë mbetur në procedurë të shqyrtimit edhe 45 projektligje. Një numër i konsiderueshëm i ligjeve të miratuara përgjatë këtij mandati kanë përfunduar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm në muajin dhjetor të vitit 2024, Grupi parlamentar i PDK-së i ka dërguar 16 ligje në këtë institucion. Në periudha të mëhershme ishin dërguar edhe shtatë të tjera nga partitë opozitare. Kryeministri, Albin Kurti, i cili synon të marrë edhe një mandat si shef qeverie, nuk i ka kursyer kritikat ndaj Kushtetueses me pretendimin se kjo gjykatë po i pengon në veçanti reformat në drejtësi.

    Në mesin e vitit të kaluar, kjo gjykatë i pati shpallur në kundërshtim me Kushtetutën disa nene të Ligjit për Byronë për Konfisikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Për Kurtin, Kushtetuesja me aktgjykimet e saj kishte zgjedhur që “të vonojë ndjekjen e krimit dhe të vonojë reformën. “Të dy këto ligje si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit u konsultuan edhe me Komisionin e Venedikut. Komisioni i aprovoi të dy këto, jo vetëm për shkak të qëllimit që kishin, pra luftimin e korrupsionit por edhe siguronin pavarësi në KPK e dobi publike karshi pasurimit të pabazë kriminal e individual”, pati thënë ai.

    Por, nuk është vetëm opozita dhe Gjykata Kushtetuese që i dolën “pengesë” Kurtit në përmbushjen e agjendës legjislative. Për herë të parë pas afro katër vjetësh mandat në krye të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, më 18.11.2024 i ka kthyer në Kuvend Ligjin për Këshillin e Sigurisë dhe Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, nën arsyetimin se disa nene të tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Me Rregulloren e Punës së Kuvendit, parashihet që në rastet kur Presidentja e kthen një ligj në Kuvend, Kryeparlamentari ia dërgon atë menjëherë Komisionit përgjegjës-raportues, i cili përgatit Raportin për seancë plenare brenda katër javëve nga dita e pranimit të tij. Por, ky afat ka kaluar qysh më 19.12.2024. Rregullorja e specifikon se në rast se Kuvendi nuk e përmbys veton e Presidentes përmes votimit, atëherë konsiderohet se nuk ka ligj.

    Me Kushtetutë parashihet që mandati i Kuvendit mund të vazhdohet vetëm në raste të Gjendjes së Jashtëzakonshme për masa emergjente të mbrojtjes ose në rast të rrezikut ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike të Republikës së Kosovës. Megjithatë, zgjatja e mandatit zgjat vetëm për aq sa zgjat Gjendja e Jashtëzakonshme.

    Seanca për konstituimin e legjislaturës së re, që do të dal nga zgjedhjet e 9 shkurtit, thirret nga kreu i shtetit brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Në rast se presidentja nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, atëherë Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30-të.

  • Mësymja e Kuvendit me “influencerë”

    “S’ka rëndësi sfondi politik e as kualifikimi arsimor- rëndësi ka sesa je i ndjekur nga publiku”. Kjo moto u shkon përshtati partive të mëdha politike të cilat qysh në dhjetëditëshin e dytë të këtij muaji do të nisin zyrtarisht garën për të zënë sa më shumë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Secila prej tyre është përkujdesur që në zgjedhjet të cilat do të mbahen me 9 shkurt 2025, të ofrojë brenda vetës figura që kanë numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale apo që janë figura të njohura mediatike.

    Partia që në zgjedhjet e vitit 2021 ka dalë e para në vend- Lëvizja Vetëvendosje i hapi derën këngëtares Edona Llalloshi, jo sa për “sy e faqe”, por duke e nderuar me një pozitë brenda njëzetëshes në listën prej 110 kandidatëve që synojnë të bëhen deputetë në “Zgjedhjet 2025”. Këngëtarja që merrte pjesë në fushatat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në kohën kur ishte gjallë Ibrahim Rugova, zgjodhi të futet në një parti me orientim krejt të kundërt me LDK-në. Përqafoi politikën e majtë!

    Disa muaj para se t’i futet karrierës politike, në një emision televiziv ajo e ka thënë haptas se ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, e konsideron si politikanin më të madh shqiptar. “Unë e kam një person shumë të veçantë që kam pas fatin ta njoh për së afërmi. Është i vetmi politikan që unë e kam përcjell gjatë gjithë fushatave të tij. Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova. Kemi qenë disa herë në takim, në rezidencën e tij, me ftesën e tij dhe herën e fundit kur e kam taku më kujtohet çka me ka thënë ‘ju jeni artistë dhe mos iu ndani kurrë artit’” – qe shprehur në emisionin “Oksigjen”, këngëtarja e hitit “Simpatia”, e kënduar me kryetarin aktual të PDK-së, Memli Krasniqi.

    Për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vlerësimi i Llalloshit për Rugovën nuk dihet nëse ka quar peshë, por ajo që dihet është se ai ka shfaqur pretendimin se me këtë këngëtare do të garojnë “për fitoren e madhe”. “Me Edonën do të jemi edhe më të përkushtuar ndaj artit e kulturës”, ka thënë Kurti, një fjali të përngjashme me atë të Rugovës, megjithëse mesazhi i këtij të fundit, mbase mund të kuptohet se “artistët duhet t’i qëndrojnë besnik artit, jo të përfshihen në politikë”.

    Rekrutimet e LVV-së nuk përfunduan me Edona Llalloshin. Kjo parti i bëri vend në listë të kandidatëve edhe një figure nga sporti: Bylbyl Sokolit. “Profesori universitar, trajneri i futbollit me licencë nga UEFA, ish futbollisti i njohur Bylbyl Sokoli u bë pjesë e listës së fitores … Përvoja dhe dija profesionale është vlerë e shtuar për qeverisjen tonë të ardhshme që edhe më tej do ta ketë sportin prioritet shtetëror”, ka thënë Kurti kur e ka prezantuar atë që njihet edhe si “profa i futbollit”. Në parafushatë, lideri i LVV-së e nxori në publik edhe një foto me ish-futbollistin, Lorik Cana. Në postimin e tij mes tjerash tha se me Canën ka folur për “punët e mira që po bëjmë në sport”.

    “Mos ja bo vetes rrafsh!”

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndjekur pothuajse të njëjtën qasje në aspektin e përfshirjes së “influencerëve” në fushatë parazgjedhore. 

    Lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, “befasoi” kur e paraqiti krah vetës Lumbardh Salihun, një figurë që u bë e njohur për publikun kosovarë me pjesëmarrjen në “Big Brother”, një show televiziv që organizohet në njërin prej mediumeve vendëse. Abdixhiku shkruante për të më 24.10.2024 se një vit pasi Salihu ‘ia fitoi zemrën Kosovës’ përmes këtij show tani i bashkohet LDK-së ‘për të ardhmen e vendit që e do aq shumë’. Ndryshe nga Llalloshi që dikur ka marrë pjesë në fushatat e LDK-së e tani i është bashkuar LVV-së, Salihu është i biri i një politikani që ka qenë pjesë e LVV-së, kurse vet i është bashkuar LDK-së.

    Abdixhiku e mori në ekip edhe Lulzimin, të atin e futbollistit të njohur, Edon Zhegrova. Për të rritur ndikimin në publik, në videon e njoftimit të Lulzimit si kandidat për deputet, kandidati për kryeministër nga LDK-ja, shfaqet duke e thirrur në telefon Edonin, i cili gjatë bisedës  e uron babanë e tij për aderimin në LDK.

    Një nga shembujt e përdorimit të influencerëve në fushatë nga kjo parti është edhe seria e videove: “Mos ja bo vetes rrafsh!”.

    Deri tani, LDK ka publikuar disa episode me tema nga arsimi, shëndetësia, infrastruktura, sporti e papunësi, ku rolin e luan aktori, Lulzim Bucolli.

    Pothuajse e njëjta situatë, veçse me akterë të tjerë është shfaqur në Partinë Demokratike të Kosovës.

    Influenca e tërthortë

    Kandidati për kryeministër nga partia që në zgjedhjet e fundit është renditur e dyta, Bedri Hamza, më 24.11.2024 u takua me futbollistin Granit Xhaka. Në postimin e tij, ai foli për Xhakën si një djalë punëtor, modest e kampion. Duke e përdor në video lojtarin e kombëtares së Zvicrës, përkatësisht “yllin e Bayer Leverkusen-it”, Hamza premtoi se do të punoj që çdo i ri të mund ta realizoj potencialin e tij. Si simbolikë në garën zgjedhore, numri të cilin Xhaka e mban në fanellë i është lënë babait të tij, Ragipit, në listën e kandidatëve për deputetë.

    Pa futbollistë në listë të kandidatëve për deputetë nuk ka mbetur as Koalicioni për Familjen. Atyre u është bashkuar Mërgim Mavraj, dikur lojtar i kombëtarës së Shqipërisë. “Ai [Mërgimi] si një luftëtar i pashoq në fushën e gjelbër, mbrojti me nder ngjyrat kuq e zi në kampionatin evropian, në vitin 2016, kur Shqipëria për herë të parë arriti të kualifikohej në një turne të madh ndërkombëtar, duke e blinduar mbrojtjen e kombëtares”, u mburrë Koalicioni për Familjen me rastin e aderimit të Mavrajt në grupimin e tyre politik. Për të u tha se pavarësisht se është në mërgim, “mbrojtjen e familjes e sheh si pjesë të pandashme të indentitetit dhe vlerave me të cilat është rritur dhe brumosur”.

    Partitë politike u hapen edhe për figura nga shoqëria civile dhe për figura janë bërë të njohura nga debatet televizive. Derisa AAK-ja e futi në listë Arton Demhasajn, LVV-ja i bëri vend Gazmir Racit.

    Futja e influencerëve në lista zgjedhore megjithatë nuk është ndonjë risi në politikën kosovare.

    Sefte e kishte bërë PDK-ja në zgjedhjet e para të organizuara pas luftës në Kosovë, duke e futur në listë këngëtarin Sabri Fejzullahu. Ndonëse zëri në Kuvend nuk i shkoi siç i shkon në të kënduar, në historinë parlamentare ai mbetet si deputet i legjislaturës së parë të Kuvendit (2001-2004).

    Më pas, vet kryetari i tanishëm i PDK-së, Memli Krasniqi, nga muzika kaloi në politikë. Para se ta bënte këtë kapërcim, ishte reper. Me aktivizmin politik ai ka arritur të siguroj disa herë ulëse në Kuvendin e Kosovës, sikundër që kishte arritur ta marr besimin e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, për të drejtuar Ministrin e Kulturës, nga shkurti 2011 deri në dhjetorin e vitit 2014. Në kabinetin e tij, Krasniqi e kishte angazhuar edhe këngëtarin e “Etno Engjujve”, Genc Prelvukaj, si këshilltar. Tash, të dy, janë bashkë në listën e kandidatëve të PDK-së, për zgjedhjet parlamentare 2025.

    Nga karriera e këngëtarit në atë të politikanit kishte kaluar edhe Labinot Tahiri. Ai ia doli të bëhet deputet në kuadër të Aleancës Kosova e Re në vitet 2017-2019. Ngjashëm, edhe Adriana Matoshi, si aktore e njohur kosovare, në vitin 2021 arriti të bëhet deputete e LVV-së. Derisa po e përmbyll mandatin në legjislaturën e tanishme, ajo synon ta rimarr mandatin edhe në legjislaturën e re. Nga aktrimi, politikës i ishte kthyer edhe Adem Mikullovci, i cili u nda nga jeta më 15 shtator 2020. Mikullovci që mori besimin e qytetarëve për t’i përfaqësuar në Kuvend, ishte edhe delegat në kohën e shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut, më 1990, me anë të së cilës Kosova definohej si Republikë. E njohur si këngëtare, edhe Eliza Hoxha, prej vitesh është përcaktuar të angazhohet në politikë. Ajo është deputete e PDK-së qe disa mandate dhe sërish pretendon të mbetet pjesë e Kuvendit pas “Zgjedhjeve 2025”.

     

    Ndikimi i rrjeteve sociale në përcaktimin e votës

    Rekrutimi i “influencerëve” nga partitë politike bëhet për shkakun se ata janë aktivë në platformat e rrjeteve sociale: Facebook, Instagram, YouTube e TikTok, të cilat janë kanale të fuqishme për shpërndarjen e mesazheve te audienca e gjerë.

    Eksperti i rrjeteve sociale, Dardan Hasku, tërheq vëmendjen se përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale në Kosovë është shumë i madh. Në një periudhë, siç thotë ai, ky përdorim ka qenë më i shtrirë tek të rinjtë, ndërsa tani pothuajse nuk ka dallim. Madje, sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e masës “edhe informacionin e parë tashmë e merr në rrjetet sociale”.

    “Kjo ndikon padyshim që partitë të investojnë në këtë drejtim, si me prezencë, reklama me pagesë, por padyshim edhe me kandidatë që ato vlerësojnë se mund të kenë prezencë e ndikim në këto platforma”, thotë ai për Kallxo.com.

    Duke qenë se gara mes kandidatëve është “shumë e ngushtë dhe e ashpër”, Hasku thekson se çdo detaj padyshim që ndikon në marrjen e votave- duke përfshirë edhe vet rrjetet sociale.

    “Kemi rastin e Rumanisë ku një kandidat i panjohur më herët, vetëm me prezencë në TikTok doli i pari në zgjedhjet presidenciale, ose rastin e Trumpit në 2016, fitorja e të cilit ndikoi që platformat e rrjeteve sociale të shtrëngojnë politikat karshi prezencës së partive e politikanëve në to”, shpjegon Hasku.

    “Pra, jetojmë në një kohë ku rrjetet sociale janë ndoshta prej gjërave që e kanë ndikimin më të madh në vendimmarrjen e njerëzve në shumë sfera, duke përfshirë edhe zgjedhjet”, shprehet ai.

    Por, profesori i shkencave politike në UBT, Dritëro Arifi, thotë se krijimi i listave për deputetë me figura nga arti,  muzika, sporti, tregon më shumë një politikë të improvizuar, kinse për të treguar se “ja lista jonë u pasurua me emra” të njohur, por askush nuk flet për përmbajtjen, se cila është politika që i përbashkon këto figura brenda një partie dhe çfarë qëllimi synojnë të arrijnë për shkak të “kësaj apo asaj politike”.

    “Prandaj, kjo tregon se nuk ka të bëjë aspak me cilësinë e as analizën e listave, gjë që do duhej të merrte një kohë më të gjatë, por më shumë ka të bëjë me sasinë se sa figura mund t’i ketë një parti në listë. Ky improvizim nuk do të prodhojë asnjë politikë pozitive”, thotë ai.

    Pavarësisht sesa mund të kenë ndikim kandidatët në rrjetet sociale, sipas tij, kjo nuk do të thotë që votuesit i besojnë atij ose asaj kandidateje, “sepse në fund të ditës, votuesit tradicional nuk janë ndjekës të mëdhenj të rrjeteve sociale, por ata votojnë në bazë të perceptimit për një kandidat apo për një parti”.

    “Sipas të gjitha matjeve vetëm 20 për qind të grup moshave nga 18 deri në 25 vjeç janë më të fokusuar në rrjetet sociale. Kështu që vetëm te ky 20 përqindësh mund të kenë ndikim figurat e tilla”, thotë politologu Arifi.

    Bazuar në të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, rezulton se në vitin 2023 rreth 98,6% të ekonomive familjare kanë pasur qasje në internet nga shtëpia apo banesa. Të dhënat tregojnë se përdorimi i internetit nga femrat dominon me 51,7%, krahasuar me meshkujt me 48,3%.

    Në listën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të regjistruar 2,047,148 votues – shtetas të Kosovës. Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë më 9 shkurt 2025 është 209,878.