Ballina

Autor: Adile Agushi

  • Prokuroria ngrit Aktakuzë ndaj dy personave – lidhur me vrasjen në Gjilan më 2024

    Prokuroria e Gjilanit ka ngritur Aktakuzë ndaj dy personave, në lidhje me vrasjen në Gjilan, më 07.11.2024.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë të lëshuar më 23.01.2025, vrasja e S.O. në Gjilan ndodhi pas një konflikti mes palëve të ndodhur para dy vjetëve.

    “I pandehuri V.S., më 7 nëntor 2024, rreth orës 14:00, në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, me dashje, për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy vjetëve, ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që derisa i ndjeri ishte duke hyrë në veturë, i afrohet dhe me armë e gjuan në pjesën e pasme të shpinës, ku pasi rrëzohet në tokë e godet me grusht dhe shqelm dhe më pas së bashku me të pandehurin F.M. janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i ndjeri për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.” – thuhet në njoftim.

    Prokuroria ka njoftuar, më tej, se V.S. akuzohet për “vrasje të rëndë” dhe për “armëmbajtje pa leje”, ndërsa F.M. akuzohet për “dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprave penale”.

    “I pandehuri F.M., që nga data 07 – 12 nëntor 2024, në vende të ndryshme në Gjilan, me dashje ka ndihmuar të pandehurin V.S., në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë.” – theksohet në komunikatë.

    Të pandehurit V.S. dhe F.M. gjenden në masën e paraburgimit, që nga data 12.11.2024.

    Dy tashmë të akuzuarit për vrasjen, që ndodhi në Gjilan më 07.11.2024, ishin dorëzuar në Polici, më 12.11.2024.

    KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë:

    https://kallxo.com/lajm/kerkohet-paraburgim-per-dy-personat-e-dyshuar-per-rastin-e-vrasjes-qe-ndodhi-me-07-nentor-ne-gjilan/

     

     

  • Polici i akuzuar për vrasjen e kolegut në ndejën në Zllatar: Ndihem fajtor që nga pakujdesia dhe padashje kam shkaktuar vdekjen e kolegut

    Fatlum Mehmeti, i akuzuar se vrau me dashje eventuale kolegun e tij polic, L. H., nga një distancë 70-80 cm, në seancën e së mërkurës, 22.01.2025, ka dhënë mbrojtjen e tij.

    I ndjeri L. H., zyrtar policor, 27-vjeçar, kishte mbetur i vrarë – sipas Prokurorisë – nga arma zyrtare e kolegut të tij, Fatlum Mehmeti, në një aheng, më 18.02.2022.

    Dosja e Prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë – duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në një aheng, ku kishin qenë të pranishëm mbi 10 zyrtarë policorë.

    “Ndihem dhe jam plotësisht fajtor, që nga pakujdesia dhe pa asnjë lloj dashje aksidentalisht, kam shkaktuar vdekjen e kolegut dhe shokut tim L. H.” – tha i akuzuari Mehmeti, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij.

    Mehmeti deklaroi se në ditën kritike kishte pasur thirrje nga një koleg i tij i cili e kishte njoftuar për ndejën që po organizohej, por që nuk kishte pasur njohuri se nga kush po organizohej dhe kush do të merrte pjesë në ndejë.

    “Vlen të theksohet fakti se unë nuk kam qenë as organizator e as iniciator i ndejës me kolegë. Për shkak të obligimeve të mia jashtë punës, nuk e kam ditur as kush specifikisht ka me marrë pjesë, veç e kam ditë që kemi me shku me djemtë e ekipës…” – tha i akuzuari Mehmeti.

    I pandehuri Mehmeti tha se parimisht ai asnjëherë nuk e ka marrë armën zyrtare me vete.

    “Unë parimisht asnjëherë nuk e kam marrë armën zyrtare me vete, përjashtimisht rasteve ku në shtëpi nuk gjendeshin njëri nga prindërit e mi. Kjo për arsye për sigurinë e armës, se edhe në qoftë se ndonjëherë potencialisht najkush hin me vjedh ose najsen, ma shumë se gjithçka tjetër për mua ish kanë e rëndë me ma vjedh armën zyrtare të punës.” – tha ai.

    Lidhur me vendin ku po organizohej ndeja, i akuzuari Mehmeti tha se nuk kishte pasur njohuri se ku ishte fshati Zllatar. I njëjti shtoi se nuk ka marrë pjesë as në blerjen e sendeve ushqimore për ndejë.

    I akuzuari Mehmeti deklaroi se pasi kishin shkuar në villë ishin takuar me pjesën tjetër të kolegëve, të cilët kishin mbërri paraprakisht dhe pastaj kishte hyrë brenda në villë.

    “Kena shku te villa, ora saktë s’e di, mbas 19:00 diçka u kanë. Edhe jam taku me pjesën tjetër të kolegëve, të cilët kishin mbërri paraprakisht. Jam hi mrena edhe jam ul në kauçin e mesit në mes të sallonit. Në njërin krah e kam pasë Valdetin, një njërin krah e kam pas L. H.” – tha i akuzuari Mehmeti, gjatë deklarimit të tij.

    Paraprakisht në këtë seancë është dëgjuar eksperti i mjekësisë ligjore, Valon Hyseni.

    I njëjti pohoi se është përpilues i Raportit të autopsisë të trupit të pajetë të tani të ndjerit L. H.

    Eksperti Hyseni deklaroi se në gjetjet e autopsisë vdekja e të ndjerit L. H. ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive.

    “Bazuar në gjetjet e autopsisë, të cilat i gjeni në eksperitimin mjekoligjor – vdekja e tani të ndjerit ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes masive të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e shqyerjes së lobit të sipërm të dy mushkërive dhe pjesës torakale të aortës.” – tha eksperti mjekoligjor.

    Tutje, eksperti mjekoligjor tha se dëmtimet e lartcekura janë të shkaktuara nga veprimi dinamik i predhës të hedhur nga arma e zjarrit.

    Eksperti mjekoligjor tha se vrima hyrëse është gjetur në krahun e djathtë të të ndjerit, ndërsa gjatë kryerjes se autopsisë nuk është gjetur vrimë dalëse,  kurse predha është gjetur në krahun e majtë menjëherë nën lëkurë.

    Në pyetjen e prokurorit Arben Hoti, se a mund të tregojë cili ka qenë pozicioni i viktimës në momentin kritik në raport me kryesin. Lidhur me këtë, eksperti mjekoligjor tha se kjo nuk mund të përcaktohet me saktësi – duke shtuar se në rastin konkret e ka të pamundur të deklarohet rreth pozicionit.

    Tutje, i njëjti tha se rinkonsturimi i vendit të ngjarjes do ta ndihmonte në përcaktimin e pozicionit.

    Lidhur me distancën e qitjes, përkatësisht distancës së tytës së armës dhe viktimës në momentin kritik, eksperti mjekoligjor tha se në këtë rast nuk janë evidentuar faktorët plotësues të qitjes dhe tha se me besueshmëri mund të thuhet se qitja është në distancë më shumë se një metër.

    Tutje, seanca ka vazhduar me administrimin e provave materiale dhe pas administrimit të provave prokurori i rastit, Arben Hoti propozoi që të ftohet në cilësi të dëshmitarit eksperti i armëve, Rrahim Fazliu me arsyetimin se i njëjti do t’i sqarojë rrethanat dhe do të argumentojë në aspektin profesional njohuritë e përgjithshme mbi armët e zjarrit dhe fazat nëpër të cilat kalojnë zyrtarët policorë, që nga pranimi i tyre si kadet e deri në përfundimin me sukses të kësaj Akademie.

    Tutje, prokurori Hoti propozoi që në rastin konkret të bëhet edhe rikonstruimi i vendit të ngjarjes në prezencën e ekspertit mjekoligjor – duke shtuar se e konsiderojnë të nevojshme rikonstruimin e vendit të ngjarjes, me qëllim të sqarimit të rrethanave.

    Këto propozime të prokurorit Hoti i kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Labinot Buzuku. I njëjti tha se në tërësi i kundërshtojnë këto propozime, me arsyetimin se nuk ka nevojë që të dëgjojnë një ligjëratë se si kadetët përgatiten.

    Tutje, Buzuku tha se dëgjimi i këtij dëshmitari nuk e ndihmon procesin përveçse e zvarrit dhe i propozoi Gjykatës që të refuzojë propozimin për dëgjimin e këtij dëshmitari.

    Ndërsa, sa i përket propozimit për rikonstruimin e vendit të ngjarjes, avokati Buzuku deklaroi se si palë nuk janë kundër – duke shtuar se kjo çështje të mbetet në diskrecion të Gjykatës, nëse e sheh të nevojshme apo jo rikonstruimin e vendit të ngjarjes.

    Ndërsa, i akuzuari Mehmeti tha se nuk e kundërshton asnjë deklaratë të asnjë dëshmitari në çfarëdo cilësie dhe tha se dëshmia e dëshmitarit të propozuar nga Prokuroria, në këtë rast nuk kontribuon në zbardhjen e rrethanave në të cilin ka ndodhur ky rast.

    Ndërkaq, Trupi Gjykues mori Aktvendim duke refuzuar propozimin e prokurorit Hoti për dëgjimin e dëshmitarit Rrahim Fazliu, me arsyetimin se i njëjti nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe gjithashtu nuk është ekspert i licensuar.

    Tutje, Trupi Gjykues refuzoi edhe propozimin e prokurorit Hoti, për rikonstruimin e vendit të ngjarjes me arsyetimin që nuk është kontestuese gjendja faktike, mirëpo kontestuese është se a është kryer vepra penale me dashje apo nga pakujdesia.

    Pas refuzimit të këtyre dy propozimeve, familjarët e të ndjerit L. H. lëshuan sallën.

    “E lëshojmë sallën. Nuk kemi fjalë sinqerisht për këto rrethana, qysh është t’u u zhvillu rasti. Nuk mundemi me vazhdu.” – tha njëra nga familjaret e të ndjerit L. H. – duke lëshuar Sallën e gjykimit.

    Seanca e radhës, për këtë rast, është caktuar për në muajin shkurt 2025, në të cilën pritet të vazhdojë mbrojtjen i akuzuari, Fatlum Mehmeti.

    Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga Trupi Gjykues, i përbërë nga Ertan Sejfulla, kryetar i Trupit Gjykues dhe dy anëtarët, Sulltane Hoti e Naser Foniqi.

    Ndërsa, Aktakuza në këtë çështje penale po përfaqësohet nga prokurori, Arben Hoti.

    Çka thuhet në Aktakuzë?

    Sipas Dosjes së siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare.

    I akuzuari, Fatlum Mehmeti ngarkohet me veprën penale: “vrasje me dashje eventuale”.

    Çka nënkupton “dashja eventuale” sipas Kodit Penal?

    “Personi vepron me dashje eventuale, kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj.” – thuhet në Kodin Penal.

    Dënimi sipas Kodit Penal për kryerjen e kësaj vepre penale është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

    Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë, ndërsa të tjerët që ishin prezentë në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

    Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve, të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.

    Lidhur me këtë rast është ngritur edhe një Aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë, të cilët kishin qenë prezentë në momentin kur kishte ndodhur ngjarja e 18 shkurtit 2022, në fshatin Zllatar të Komunës së Prishtinës.

    Sipas Aktakuzës, të pandehurit F. A., E. I., B. M., E. Th. dhe G. T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një vilë në këtë fshat, ku kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e Policisë dhe përdorimin e armës, të parapara në Ligjin për Policinë.

    Sipas Aktakuzës, të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zyrtare, duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e vilës ku zhvillohej ahengu.

    Me këtë, secili prej tyre individualisht – sipas Prokurorisë – e kanë kryer veprat penale: “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Ndërsa, të pandehurit A. B., Xh. B., A. M., A. A., A. Z., I. S., Rr. A., V. Rr. dhe A. M. nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre. Të pandehurit gjatë ahengut kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë ata akuzohen se kanë kryer veprën penale: “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

    Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së Aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas Ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.

    Të gjitha raportimet, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë: LINK.

     

     

  • Aktakuzë ndaj një personi për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan

    Prokuroria Speciale e Kosovës, më 22.01.2025, ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj të pandehurit M. D., për shkak të kryerjes së veprave penale “sulmi ndaj personit zyrtar” dhe për veprën penale “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

    Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se pas analizimit të provave personale dhe materiale është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri M. D., më 29 maj 2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia kanë sulmuar e kanë kanosur ushtarët paqeruajtës të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

    “Pas sigurimit dhe analizimit të provave personale dhe materiale është vërtetuar, përtej dyshimit të bazuar mirë, se i pandehuri M. D., më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës – duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

    Prokurori nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor – duke e dënuar sipas Ligjit, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.

    93 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar. Disa prej tyre rëndë, pasi u sulmuan në Zveçan në maj të 2023-tës gjatë protestës së dhunshme të qytetarëve serbë, të cilët nuk pranonin që Kryetarët shqiptarë të Komunave të vendoseshin në objektet komunale.

    Në lidhje me protestën e dhunshme në Zveçan, më 11.06.2024, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur Aktakuzë ndaj të pandehurit N. O.

    Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq janë shpallur fajtorë, më 27.02.2024, për pjesëmarrjen në turma në të njëjtën protestë.

    Radosh Petroviq u dënua me 6 muaj burgim, por me pëlqimin e të njëjtit ky dënim do t’i kthehet në gjobë, në shumën 6 mijë euro.

    Ndërkaq, i akuzuari Dushan Obrenoviq u dënua me 6 muaj burgim, por që në këtë dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Nën masën e tillë, Obrenoviq kishte qëndruar për mbi 5 muaj.

    Tensionet në Veri të vendit në maj të 2023-tës pasuan me sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2024, nga grupi i armatosur serb, në krye me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

    Gjatë sulmit mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë Hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.

    Për këtë sulm, më 11.09.2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzë ndaj 45 personave, mbi të cilët rëndojnë veprat penale: “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”.

    Pas zhvillimeve në Veri, KFOR-i ka shtuar edhe numrin e trupave në Kosovë.

     

  • Tre gjyqtarë të Supremes dhe tri zyrtare bllokohen për 40 minuta në ashensor

    Tre gjyqtarë të Supremes dhe tri zyrtare të kësaj Gjykate janë bllokuar për 40 minuta në ashensor, gjatë ditës së sotme, më 22.01.2025.

    Përmes një reagimi për media Gjykata Supreme ka njoftuar se sot, më 22.01.2025, për 40 minuta tre gjyqtarë e tri zyrtare të Gjykatës janë bllokuar brenda ashensorit dhe gjatë kësaj kohe ashensori ka pasur lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse.

    Në reagimin e Gjykatës Supreme thuhet se gjyqtarët e stafi janë trajtuar nga stafi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë dhe për këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

    Reagimi i plotë i Gjykatës Supreme – lidhur me këtë rast

    Gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe stafi mbështetës tash e një vit janë duke punuar në kushte të pasigurta pune, si pasojë e ashensorëve të cilët bllokohen dhe lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, e të cilët janë nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Sot, për rreth 40 minuta janë bllokuar brenda ashensorit tre gjyqtarë e tri zyrtare të Gjykatës dhe gjatë kësaj kohe ashensori ka pasur lëvizje të pakontrolluara dhe tronditëse. Gjyqtarët dhe stafi janë trajtuar nga stafi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë dhe për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

    Rastet e ngjashme të vitit të kaluar dhe rasti i sotëm shton nevojën që kjo çështje të mos neglizhohet më tutje, por të trajtohet me seriozitet dhe institucionet kompetente ta marrin seriozisht situatën, e të krijojnë kushtet e punës – duke siguruar se jeta e gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës është e sigurt.

    Raportime për problemin me ashensorët në Pallatin e Drejtësisë: LINK.

     

  • Eksperti financiar dëshmon në gjykimin ndaj 18 të akuzuarve për krim të organizuar

    Në gjykimin ndaj Agron Zymberit dhe 17 të akuzuarve të tjerë për krim të organizuar, në seancën e martës, 21.01.2025, është dëgjuar eksperti financiar Naser Rusinovci.

    Agron Zymberi dhe të tjerët po akuzohen nga Prokuroria për krim të organizuar, shmangie nga tarifat doganore, kontrabandim me mallra dhe vepra të tjera të ngjashme.

    Eksperti Naser Rusinovci deklaroi se ekspertizën e tij e ka mbëshetur në të thënat e tij dhe se i ka ftuar të pranishmit të sjellin dokumentacionet e tyre.

    “Ekspertizën unë e kam mbështetur në të thënat e mia, ku janë specifikuar dokumentacionet që janë marrë për bazë, e po ashtu i kam ftuar të gjithë të pranishmit që të sjellin dokumentacionet e tyre dhe po ashtu të japin komentet mbi çështjen. Krejt ky grumbull  i dokumenatacioneve ka çuar në përpilimin e kësaj ekspertize”- tha eksperti financiar.

    Rusinovci tha se gjetjet e tij dhe konstatimet e tij në ekspertizë janë prej faqes 22.

    Eksperti financiar tha se rasti ka qenë kompleks, duke shtuar se deri në faqen 22 nuk është prodhim i tij, ndërsa prej faqes 22 të ekspertziës ka filluar t’i vërtetojë pretendimet e shprehura në aktakuzë, duke shtuar se një ekspertizë financiare bazohet vetëm në dokumente autentike.

    Rusinovci tha se rasti ka të bëjë me një mall që është sjellë nga Serbia dhe se nuk ka dokumentacion, duke shtuar se personat që e kanë sjellë këtë mall janë të ndarë nga kjo aktakuzë dhe rasti është përqendruar te personat që e kanë shpërndarë dhe blerësit e tyre.

    Fillmisht në seancë kryetari i trupit gjykues Ngadhnjim Arrni njoftoi se nga mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Qollaku, ka pranuar një parashtresë përmes të cilës e ka njoftuar për gjendjen shëndetësore të të mbrojturit të tij dhe përmes kësaj parashtrese ka kërkuar që ndaj të njëjtit të veçohet procedura penale, pasi që i njëjti për shkak të gjendjes shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seanca.

    Ky propozim nuk e kundërshtua nga Prokuroria, as nga mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë.

    Ndërkaq trupi gjykues mori aktvendim duke veçuar procedurën ndaj të akuzuarit Fadil Qollaku si dhe lënda e të pandehurit Qollaku do të bashkohet me lëndën e këtij rasti me të pandehurit e tjerë që për momentin janë të paarritshëm për gjykatën.

    Kujtojmë se ky rast ka filluar rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues.

    Ky rast më parë gjykohej në Gjykatën e Mitrovicës, mirëpo i njëjti është deleguar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

    Kjo çështje penale po trajtohet në Gjykatën e Prishtinës në Departamentin Special nga trupi gjykues në përbërje të Ngadhnjim Arrni – kryetar i trupit gjykues, dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Kushtrim Shyti.

    Dosja e Prokurorisë Speciale

    Sipas dosjes së Prokurorisë, në këtë rast të akuzuar janë: Agron Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Besnik Istrefi, Azem Islami, Xhevat Spahija, Shkelqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazrek, Demë Lokaj, Alban Nikqi, Albion Lokaj, Gentrit Zymeri, Fadil Qollaku.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Ismet Zeqiri së bashku me të pandehurit Millan Radisavleviq dhe Aleksandar Rakiçeviq (gjenden në arrati sipas aktakuzës) kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

    Prokuroria i akuzon të lartcekurit se në mënyrë të vazhdueshme dhe të kundërligjshme nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale dhe në vazhdimësi mallrat e kontrabanduara.

    Periudha kohore për të cilën Prokuroria i akuzon te lartcekurit theksohet të jetë nga data 11.06.2014 deri më datë 10.12.2014.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, të gjithë pjesëtarët e grupit kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës (nga 12,000 litra ), 2 ngarkesa me vaj hidrol (nga 10,000 litra) dhe 3 ngarkesa me nitrotretës (me nga 7,000 litra).

    Mallrat e lartcekura, sipas organit akuzues, ky grup kriminal më pastaj i shpërndan nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, në dyqane të ndryshme dhe depo, krejt kjo me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i mundësojnë shmangien nga pagesa e tarifave tatimore doganore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në vlerë prej 30,000 euro.

    Sipas Prokurorisë këto mallra të kontrabanduara të sjella në Kosovë janë deponuar në lokacione të caktuara për t’u bërë më vonë shpërndarja e këtyre mallrave në tërë Kosovën.

    Tutje sipas aktakuzës dorëzimin e mallrave e kanë bërë vartësit e të pandehurve Besim Zeqiri dhe Ismet Zeqiri, Liridon Hyseni, Ali Musliukaj, Ridvan Avdiu, Canabeg Hyseni, Dukagjin Latifi dhe Gentrit Zymeri.

    Me këtë Prokuroria për këto veprime të pandehurve i akuzon Besim Zeqiri, Ismet Zeqiri, Millan Radisavleviq dhe Aleksdanar Radisavleviq (dy të fundit gjenden në arrati) kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore, ndërsa të pandehurit Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Musliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami, kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprat penale kontrabandimi i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.