Ballina

Autor: Adelina Ahmeti

  • MASHTI njoftoi përurimin e dy objekteve shkollore në Viti, i pari i Komunës thotë se projektet nuk kanë përfunduar

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci sot kishte planifikuar që të merrte pjesë në përurimin e dy objekteve shkollore në Komunën e Vitisë. Përurimi i Shkollës Fillore e të Mesme të Ulët “Halil Alidema”, në fshatin Pozhoran të Vitisë, pritej të bëhej në ora 10:00, ndërsa Çerdhja e fshatit Dobresh në orën 11:00.

    Ky aktivitet i ministres Nagavci u anulua sot, më 08.01.2025, në orën 09:15. Një njoftim i MASHTI-t i dërguar te mediat, më 08.01.2025, tregon për anulimin e aktivitetit pa dhënë ndonjë arsyetim.

    KALLXO.com ka udhëtuar drejtë Vitisë për të marrë sqarime në lidhje me anulimin e këtij aktiviteti të thirrur nga MASHTI.

    Përurimi i Shkollës dhe Çerdhes u anulua pasi që të dyja fillimisht nuk kishin përfunduar: as pranimi teknik, madje kishte ende punë për t’u kryer brenda dhe jashtë objekteve arsimore.

    Çerdhja në fshatin Dobresh ishte e mbyllur dhe ekipi i KALLXO.com nuk pati qasje në të, por që nga jashtë vërehej se ende nuk është funksionalizuar në tërësi objekti, e madje as nuk është rekrutuar stafi.

    Në Shkollën “Halil Alidema” inventari shkollor është parë në klasat e shkollës, hapësira brenda ka përfunduar, ende nuk është bërë pranimi teknik, ndërsa ekipi i KALLXO.com në terren ka parë edhe punëtorët e kompanisë së kontraktuar derisa rregullonin shkallët emergjente të shkollës.

    KALLXO.com ka intervistuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në lidhje me këtë çështje.

    Ai i tha ekipit se kishte pranuar një njoftim me email në lidhje me përurimin e objekteve, ndërsa kishte refuzuar të merrte pjesë në përurim për shkak të mos përfundimit të procedurave për hapjen e këtyre institucioneve shkollore.

    “Unë e kam kuptuar pardje, më 06.01.2024. Me email na është dërguar pak para orës 16:00, edhe pse dje nuk është punu, ka qenë ditë feste. Me u përgatit përurimi i shkollës në Pozhoran dhe Çerdhes në Dobresh.” – tregoi kryetari Haliti.

    Ai shtoi se asnjëri nga këto dy objekte nuk i kanë të përfunduara procedurat ligjore.

    “Te Çerdhja nuk është ende rekrutu stafi, aspekti teknik,… duhet me u hap Konkursi dhe me u funksionalizu Çerdhja që do bëhet shumë shpejt. Por, jo pa u bë pranimi teknik, pranimi i stafit teknik; inventari me u vendos e të gjitha. Dhe, pra nuk ka pasë kushte për përurim.” – shpjegoi Haliti për KALLXO.com.

    Çerdhja në fshatin Dobresh, Viti: Foto:KALLXO.com – më, 08.01.2025

    Për Shkollën në fshatin Pozhoran kryetari Haliti thotë se ndërtimi është financuar nga Ministria e Administratës Publike dhe ka nisur qysh në vitin 2016.

    “Katër Qeveri kanë kaluar nga atëherë. Ndërtimin e ka bërë Ministria, por jo e Arsimit – ajo e Administratës Publike, që tash është në Ministrinë e Brendshme. Pra edhe kjo është çështje në vete, por në aspektin qeveritar nuk kam dashtë m’u marrë a ja huqin ata. Megjithatë, është Ministria. Në rregull jam! Unë jam me bashkëpunu me Qeverinë.” – tha Haliti.

    “Por edhe në kuptimin e pranimit teknik të shkollës, janë organet mbikëqyrëse. Pastaj, janë edhe Komisioni për pranim teknik që duhet të bëhet në bashkëpunim edhe me Komunën përfituese dhe me Ligjin për vetëqeverisje lokale. Është Komuna kompetente që duhet t’i kryjë punët e veta.” – tha Haliti.

    Shkolla në fshatin Pozhoran, Viti: Foto: KALLXO.com – më, 08.01.2025

    Çerdhja në fshatin Dobresh nuk është investim i MASHTI-t. Është i Komunës.

    “Është dashtë me u koordinu dhe nuk i kisha lanë me i bo këto gabime, sepse unë kam kujdes në procedurat ligjore.” – shtoi Haliti.

    Kryetari Haliti e përfoli ngjarjen që lidhet me aspektin politik dhe nisjen e fushatës për Zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në shkurt. Por, ai tha se nuk vepron jashtë procedurave ligjore as në këto raste.

    “Nuk e di qëllimin, por e di që këto janë të dëmshme si rrjedhë, procedurë, si përçarje. Në këtë kuptim niveli lokal dhe qendror duhet me u koordinu rreth aspekteve që janë mbi partiake. Pra arsimi, Çerdhja, Shkollat janë mbipartiake, janë mbi politike, nuk janë për fushatë.” – shtoi tutje Haliti.

    Ai theksoi në fund edhe se i është drejtuar personalisht ministres Nagavci me një shkresë, me të cilën e ka njoftuar për situatën e institucioneve shkollore.

    “Si duket nuk ka qenë e informuar Ministrja. Kam bërë mirë që e kam njoftuar me shkrim, që ende nuk janë të përgatitura. Dhe duhet që në aspektin profesional duhet me u kry, në mënyrë që me u funksionalizu tërësisht dhe me u bë edhe pranimi teknik.” – përfundon Haliti.

    KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga MASHTI, në lidhje me këtë çështje.

    Në një përgjigje përmes email-it, MASHTI ka thënë se me Ligjin e ri të Prokurimit, pranim teknik nuk ka më nga ana e investitorit dhe këtë e bën Komuna.

    “Investitori i kësaj Çerdheje (në këtë rast MASHTI) i dorëzon Komunës ose DKA-së së Komunës përkatëse certifikimin e përfundimit të punimeve, me ç’rast përfundojnë obligimet e investitorit. Pikërisht kjo ka ndodhur në Drobesh dhe ajo Çerdhe mund të inaugurohet nga dita e sotme.” – thuhet në përgjigjet e MASHTI-t.

    Ndërsa, sa i përket Shkollës në Pozharan investitor ka qenë MPBAP dhe sipas MASHTI-t kanë pasur informacione që çdo gjë është gati.

    “Në koordinim me Kryetarin e Komunës është vendosur që të anulohen inaugurimet deri në një njoftim të ardhshëm. Sa për sqarim, tash e 6 vjet nxënësit e kësaj Shkolle kanë mësuar me orar të shkurtuar, andaj është shumë e rëndësishme që ky objekt po përfundohet dhe nxënësit nuk do të mbajnë më orën 25 minuta – siç ka ndodhur tash e disa vite.” – përfundon përgjigjja e MASHTI-t.

     

  • Koloneli Nexhmi Krasniqi sfidon Policinë, pasi u pa në tubim politik: Kush ka thënë që s’kam të drejtë?

    Koloneli i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi është njëri prej zyrtarëve të Policisë për të cilin Inspektoriati i Policisë ka rekomanduar suspendimin nga detyra, për shkak se i njëjti mori pjesë në një aktivitet politik.

    Ai u pa në një takim të thirrur nga kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Fotografitë e shpërndara nga kanidati i PDK-së për deputet, Fatbardh Rexha janë shpërndarë në llogarinë e tij në rrejtin social Facebook, më 06.01.2025.

    Burimi i fotos – Fatbardh Rexha – Facebook

    Me të marrë informacionin, Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur një hetim me ç’rast edhe ka kërkuar suspendimin nga detyra të Kolonel Krasniqit.

    Për këtë rast KALLXO.com ka telefonuar Krasniqin për ta pyetur rreth pjesëmarrjes së tij në aktivitetin politik, por i njëjti nuk pranoi të sqarohej.

    “Kush ka thënë që s’kanë të drejtë të marrë pjesë Policia? Janë Rregulloret, po lexoje Ligjin për Policinë dhe gjeje Nenin aty dhe mirupafshim.” – deklaroi Nexhmi Krasniqi për KALLXO.com.

    Krasniqi mban pozitën e Drejtorit në Drejtorinë Rajonale për kufi – Gjakovë.

    Kallxo.com ka provuar të kontaktojë edhe me Isak Ejupin, Major në Policinë e Kosovës, për të cilin Inspektoriati i Policisë inicoi procedurë disiplinore ndaj tij, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefonin e tij.

    Ndaj majorit Ejupi IPK inicioi procedurë disiplinore, pasi i njëjti kishte marrë pjesë në një tubim politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i njëjti shihet në një video të shpërndarë nga LDK gjatë ditës së djeshme.

    Inspektorati Policor i Kosovës, Departamenti i Hetimeve njoftoi sot, më 08.01.2025, se pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara, në të cilat janë përfshirë një gradë e Kolonelit policor dhe një Major.

    IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e Kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike, kurse rastin e Majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës.

    “Duke u bazuar në rëndësinë e jashtëzakonshme të një institucioni policor të pavarur dhe të pandikuar politikisht, IPK bën thirrje publike për të gjithë zyrtarët policorë, që të qëndrojnë të paanshëm dhe larg aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

    https://kallxo.com/lajm/pjesemarrja-ne-tubime-politike-ipk-rekomandon-suspendimin-e-nje-koloneli-dhe-inicion-procedure-disiplinore-ndaj-nje-majori-te-policise/

     

    Shënim: Lajmi është edituar në këtë paragraf: Krasniqi mban pozitën e drejtorit në Drejtorinë Rajonale për kufi – Gjakovë. Në vend të Prizren është përmirësuar në Gjakovë. Koha e editimit: 13:15 – 08.01.2025

  • Vrasja e 33 vjeçarit në Shkodër u krye për motive të dobëta, arrestohen dy vëllezër

    Për motive të dobëta, e dyshime se viktima mund të kishte ndikuar për prishje të marrdhënieve familjare, janë pretendimet që janë thënë sot në një konferencë për media, disa nga pikat që shtynë vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në Shkodër ndaj 33 vjeçarit Ramazan Mataj. 

    Policia tashmë ka njoftuar se për ngjarjen tashmë janë vënë në pranga dy persona, vëllezër që dyshohet se njëri kreu vrasjen e tjetri ndihmoi në këtë vepër penale. 

    “Nga hetimet e policisë rezultoi se shtetasi Arjon Hasaj, 29 vjeç, banues në Dragoç, për motive të dobëta, ka organizuar dhe ka kryer vrasjen e shtetasit Ramazan Mataj”- tha në një konferencë për media, Drejtori i Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshaj.

    Sipas tij,  29-vjeçari, nëpërmjet llogarive të rreme në rrjete sociale, ka komunikuar me shtetasin Ramazan Mataj, për ta nxjerrë në pritë në fshatin Dragoç, ku dhe dyshohet se e ka vrarë.

    Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se shtetasi Ramazan Mataj kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve familjare.

    Dy ditë më parë (05.01.2024) 33 vjeçari Ramazan Mataj është vrarë me armë zjarri ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar se tashmë nga hetimet intenstive që janë zhvilluar janë identifikuar dy persona të dyshuar dhe të njëjtit janë arrestuar. 

    Në një konferencë për media, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë në Shkodër, Fatmir Lleshaj, ka njoftuar se kanë zhvilluar një hetim dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, është bërë edhe zbardhja  e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 05.01.2025, në fshatin Dragoç. 

    Pas ngjarjes që u regjistrua një numër i lartë i personave janë identifikuar dhe janë shoqëruar në polici për tu marrë në pyetje në lidhje me rastin. 

    Si rezultat i një hetimi intensive disaditor, në kuadër të operacionit policor të koduar “Profili i rremë”, grupi hetimor gjeti prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit. Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar dhe me disa pamje filmike ku shfaqej autori, duke ecur në rrugë.

    Vëllai i të dyshuarit si autor i vrasjes, shtetasi Klisman Hasaj, dyshohet se kishte ndihmuar Arjon Hasajn për sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen dhe për të fshehur armën e krimit.

    “Si rezultat i kontrolleve u bë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës”- u tha në konferencën për media. 

    Gjithashtu policia njoftoi se Arjon Hasaj, po dyshohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

    Policia e Shtetit ka njoftuar se kanë dërguar shkresat dhe dosjen në prokurori. 

    “Theksojmë faktin se pas ngjarjes së ndodhur, në adresë të DVP Shkodër kanë ardhur shumë mesazhe nga qytetarët, për bashkëpunim dhe mbështetje, si dhe informacione, të cilat pavarësisht vlefshmërisë, ishin inkurajuese për punën intensive që Policia kreu për të zbardhur këtë ngjarje me impakt publik”- tha drejtori Lleshaj. 

     

  • Pas mosmarrëveshjes në trafik, sulmohet një person

    Policia është vënë në kërkim të një personi i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht një person tjetër në rrugën “Driton M Veliu” në Mitrovicë.

    Deri te uslmi fizik erdhi një mosmarrëveshje në trafik.

    Në raportin ditor të policisë thuhet se ngjarja u regjistrua më 06.01.2025 rreth orës 20:10. Në këtë rast viktima ka pranuar edhe tretman mjekësor pas lëndimeve që kishte marrë.

    Ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe gjendet në arrati.

    Rasti është duke u hetuar si lëndim i rëndë trupor.

  • Arrestohen tre persona, policia u gjeti armë e municion në vetura

    Departamenti i Policisë Kufitare ka njoftuar për tri raste të cilat i kanë regjistruar më 06.01.2025 në disa pika të ndryshme kufitare.

    Në tri raste janë konfiskuar tri pushkë gjuetie dhe një pistoletë.

    Përvec armëve që u konfiskuan, u gjet edhe municion. Policia ka njoftuar se kanë konfiskuar edhe 45 copë fishekë.

    Dy raste janë regjistruar në Blaq të Dragashit dhe janë arrestuar tre persona. Për këto dy raste është njoftuar edhe prokurori kujdestar dhe me urdhër të të njëjtit pas intervistimit të tre të dyshuarve të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti tjetër është regjistruar në Grykë të Rugovës në Pejë. Policia gjatë patrullimit kanë ndaluar automjetin drejtuar nga i dyshuari mashkull  kosovar. Gjatë kontrollit në automjet i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 10 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    Rastet janë iniciuar si armëmbajtje pa leje.