Ballina

Autor: Adelina Ahmeti

  • I kishte kërkuar babait ‘hallallin’ përmes telefonit për të luftuar në Siri

    O. K., në javën e parë të muajit nëntor 2024 ishte dorëzuar institucioneve të sigurisë në Kosovë, shumë vite pasi kishte udhëtuar drejtë Sirisë për të marrë pjesë në konfliktin atje.

    Sot më 16.01.2025, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ndaj të njëjtit është ngritur aktakuza në lidhje me organizimin dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

    Prokuroria ka njoftuar se, pas mbledhjes dhe analizimit të provave personale dhe materiale, ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri O. K., që nga janari 2013, i është bashkuar dhe ka marrë pjesë në veprimtarin e grupit terrorist “Al Nusra”, në rrethinën e qytetit të Damaskut, në shtetin e Sirisë.

    Gjithmonë sipas njoftimit, O. K. dyshohet edhe se kishte ndërmarrë veprime konkrete të caktuara nga udhëheqësit e kësaj organizate, andaj, me këto veprime ka kryer veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.

    “Po ashtu, Prokurori i Shtetit, ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas Kodit Penal dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim e këtij rasti penal”- thuhet në njoftimin e PSRK-së.

    KALLXO.com kishte raportuar për rikthimin e O. K., nga udhëtimi i tij drejtë Sirisë përgjatë viteve 2012-2013.

    O. K., ishte në mesin e qindra kosovarëve të cilët i ishin bashkuar zonës së konfliktit në Siri para vitit 2020, ndërsa sot, më 06.11.2024, i njëjti është dorëzuar te autoritetet e Kosovës, ndërsa Prokuroria Speciale i ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë e që më tutje do të vazhdohet edhe me procedurat tjera ligjore.

    Bashkë me O. K., tashmë janë kthyer edhe gruaja e tij dhe dy fëmijë të cilët do t’i nënshtrohen procedurave nga ana e institucioneve të vendit.

    “Siç duket dikush ka punuar më shumë me të”- ishte rrëfimi i babait të O. K., që kishte dhënë tri vite më parë për emisionin Kallxo Pernime.

    Diku mes viteve 2012-2013, 33-vjeçari, O. K., në atë kohë kishte marrë rrugën drejtë Sirisë.

    Në atë kohë, babai i tij, A. K., kishte dëgjuar fjalë nga disa të afërm të tij për shkuarjen e djalit të tij në zonat e konfliktit, por nuk i kishte besuar deri sa kishte pranuar një mesazh në telefonin e tij.

    “Ma ka lyp hallallin me një mesazh”– rrëfente babai i tashmë 36-vjeçarit deri sa shton se menjëherë kishte njoftuar institucionet e sigurisë.

    “Unë vonë kam marrë vesh fatkeqësisht, ai ka shku përmes Shqipërisë edhe pse e kam informu menjëherë policinë për këtë rast që mos me i ndodh edhe dikujt tjetër. Kam degju që ka shku, e kam pasur një mesazh ma ka lyp hallallin dhe 6-7 muaj nuk kam pasur kontakt. Kam qenë i irrituar, djali i vetëm, i mirë i meqëm katër gjuhë i ka ditë, por fatkeqësisht dikush ka punu me të më shumë se unë edhe shteti jem” – rrëfente A. K.

    Ai vazhdon të tregoj se fati i keq ka qenë që nuk kishte parë ndonjë sjellje nga ana e djalit të tij.

    “Fati i keq është që unë nuk kam pa shenja, ndoshta një shenjë e vogël pati nisur mu falë, por për mua ka qenë normale dhe pse vetë nuk jam falë. Në ramazan nuk vijke me hangër buk me ne, pata kërku prej tij i pata thanë mu kthy në rrugë të Zotit, më ka thënë ‘cila është rruga e Zotit’, i kam thanë prindi, më ka thanë a mos me u falë, i kam thënë me u fal po, pastaj krisi kjo çka krisi por nuk kam pas informacione as unë as nëna e tij”, vazhdon rrëfimin babai i tij.

    A.K., për vite me radhë e dinte djalin gjallë por nuk e dinte saktë vendndodhjen e tij.

    Ai kishte kërkuar disa herë nga ana e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë që ta ndihmojnë në kthimin e djalit të tij.

    Madje babai shprehet se djali i tij ishte i gatshëm të përballet me drejtësinë por me një kusht.

    “Sot po kërkoj me i pru fëmijët dhe nusen, e djali vjen vet pastaj. Ai është deklaru që nuk do të ketë problem dhe se do të përballet me drejtësinë, pengesë që nuk është kthyer ai është se gruaja dhe fëmijët nuk kanë dokumentacion. Ai ka shkuar atje që 9 vite por me një fjalë nuk është ai që ka qenë, Ai që ka shku nuk është sot, është djali që ka qenë para se me shku në Siri”- rrëfente babai i O. K.

    Përgjatë një komunikimi me ekipin e KALLXO.com, vetë O. K., pranonte se ishte i gatshëm të përballej me drejtësinë për shkuarjen e tij në Siri por se nga institucionet kërkonte garancion se do t’i pranonin gruan dhe dy fëmijët e tyre.

    Pas shkuarjes në Siri O. K., kishte thënë se kishte arritur qe të dilte nga zona e konfliktit përmes rrugëve ilegale dhe tani ka ardhur në Kosovë.

    Institucionet e Kosovës siç mëson KALLXO.com kishin konsideruar se i njëjti nuk paraqet rrezik dhe se i njëjti pas dorëzimit te autoritetet do të nisin proceset ndaj të njëjtit.

    Fillimisht ai do të nis të procedohet penalisht për vepra penale të cilat i vihen në barrë për pjesëmarrje në luftëra të huaja.

    Aktualisht Departamenti për Siguri, Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe Prokuroria Speciale janë duke u marrë me rastin. I njëjti pritet qe të hyjë edhe në proceset e riintegrimit sikurse edhe të tjerët që janë rikthyer nga zonat e luftës.

    KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me procesin e riintegrimit dhe rehabilitimit të personave të cilët janë rikthyer nga Siria në Kosovë përmes operacioneve të institucioneve të vendit.

    Kujtojmë se në vitin 2019, 110 kosovarë prej tyre 34 gra, 4 burra dhe të tjerët fëmijë ishin rikthyer në Kosovë.

    Gratë e fëmijët u trajtuan me programe rehabilituese dhe riintegruese duke ju ofruar të njëjtëve shkollim e trajnime për t’i bërë pjesë të shoqërisë.

  • Aktakuza: Naim Murseli e mbajti për krahu Liridona Ademajn, që të mos i shmangej plumbit

    ‘E kishte mbajtur për krahu në mënyrë që të mos iu shmangte plumbit.’ – kështu e përshkruan ngjarjen prokurorja e rastit të vrasjes së Liridona Ademajt, derisa tregon veprimet e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të viktimës, në natën kritike kur u krye krimi në një fshat të Prishtinës.

    Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla e Tom Dodaj janë katër persona, të cilët tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për organizimin dhe vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje që u regjistrua më 29.11.2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

    KALLXO.com ka arritur që të sigurojë Aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurorja, Javorka Prlinçeviq. Kjo e fundit madje në një Konferencë që u thirr nga kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se vonesa e Aktakuzës është si shkak i disa dokumenteve dhe kërkesave që ka kërkuar nga Suedia, për të zbardhur motivin që qëndroi mbrapa vrasjes.

    Prokurorja e rastit ka përshkruar se Naim Murseli planifikoi vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore. Prej këtyre problemeve, siç përshkruhet edhe në Aktakuzë, kishte lindur edhe dëshira për hakmarrje nga ana e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij.

    Gjithmonë sipas Aktakuzës, pas datës 25.06.2022, kur ishte paguar një polisë e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes Murseli të përfitojë dobi financiare.

    Këtë plan Dosja e përshkruan se Naim Murseli e ndau me djalin e tezës së tij Kushtrim Kokallën dhe se ky i fundit kishte refuzuar që të kryejë vrasjen, por tutje ka gjetur personin e tretë, Granit Plavën me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin.

    Gjithmonë sipas Dosjes, më 29.11.2023, në orët e mesditës, Naim Murseli bashkë me Granit Plavën blejnë një armë të tipit ‘Zastava” me ngjyrë të zezë, nga Tom Dodaj, në vlerë 280 euro.

    E në të njëjtën ditë, Dosja shpjegon se në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në vendin me të cilin paraprakisht ishte dakorduar Naim Murseli me Granit Plavën – plan të dakorduar të cilin e kanë inskenuar që të duket si grabitje e armatosur – është kryer edhe vrasja.

    Në Dosje shkruhet se Naim Murseli e kishte lajmëruar fillimisht Granit Plavën me drita të veturës, më pas e kishte kapur për dore Liridona Ademajn, që të mos i shpëtojë plumbit, pasi u shkrep nga Plava. E, që tutje Naimi ka dalë nga vetura me fëmijët dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Me të gjitha këto veprime që ka kryer Naim Murseli, Prokuroria e ka ngarkuar atë me veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.

    I pandehuri i dytë është Granit Plava, i cili sipas Prokurorisë në ditën kritike në intervalin kohor: 20:11-20:18 minuta, në fshatin Bërnicë, pas marrëveshjes paraprake që kishte bërë me Naim Muselin, Dosja përshkruan se kreu vrasjen në formë të maskuar, kishte shtënë në drejtim të viktimës, e cila për pasojë edhe ka vdekur. E për të gjithë këtë rast, Plava do të kompensohej me një shumë prej 30 mijë eurosh.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, Plava ishte afruar drejtpërdrejt me viktimën dhe të njëjtën e ka qëlluar me armë, derisa krahun viktimës po ia mbante ish-bashkëshorti i saj, që të mos i shmangej plumbit.

    Arma që ishte përdorur në rast ishte gjetur në shtëpinë e të akuzuarit tashmë Granit Plava, në fshatin Cermjan në Gjakovë. Sekuestrimi i armës u bë pas bastisjes, që u krye në shtëpinë e të dyshuarit.

    Plava nga Prokuroria ngarkohet me veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “posedim i armës pa leje”.

    I akuzuari i tretë është Kushtrim Kokalla, djali i tezës së Naim Murselit. Dosja tregon se Kokalla kishte refuzuar të kryente vrasjen, por që më pas kishte gjetur Granit Plavën dhe i kishte prezantuar Naim Murselit.

    Edhe Kokalla ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë. E i pandehuri i katërt në këtë rast është Tom Dodaj. Ai po ngarkohet për “furnizim me armë” të tre të dyshuarve të parë që planifikuan dhe kryen vrasjen.

    Dodaj e kishte shitur armën, në vlerë prej 280 eurosh, me 20 fishekë.

    https://kallxo.com/lajm/vrasja-e-liridona-ademajt-aktakuze-ndaj-naim-murselit-dhe-tre-te-tjereve-video/

    Raportimet e KALLXO.com – LINK

  • Prokuroria e Prishtinës refuzoi bastisjet në objektet e strukturave paralele

    Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukuturave paralele, të mërkurën, më 15.01.2025.

    Por KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

    Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje – jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhërin përmes telefonit.

    Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

    Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.

    KALLXO.com po raporton nga Graçanica për mbylljen e disa objekteve:

  • Vrasja e Liridona Ademajt – Prokurorja flet për një nga motivet e rastit

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një Konferencë për media më 15.01.2025 ka bërë të ditur se kanë ngritur Aktakuzë, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29.11.2023.

    Të akuzuarit janë Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla e Granit Plava dhe një person tjetër të cilit prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq nuk ia përmendi emrin.

    Ajo tha se i njëjti nuk është i përfshirë në mënyrë direkte dhe se rastësisht është gjendur aty.

    Prokurorja e rastit, Javorka Perlinqeviç ka thënë se nuk mund t’i bëjë të ditura motivet e rastit, megjithatë theksoi se përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona Ademaj dhe Naim Murseli kanë pasur marrëdhënie të çrregullta martesore e familjare, prej të cilave kanë ardhur edhe probleme pasurore.

    “Nuk mundemi me i tregu të gjitha motivet, sepse Aktakuza është dërguar në Gjykatë, por mund të themi se përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore e familjare, gjatë të cilave kanë ardhur edhe deri të problemet pasurore. Arsyet e tjera, të cilat i ka pasur Naimi që ta planifikojë dhe ta bëjë këtë vrasje, mund t’i kuptoni në Gjykatë kur të fillojë seanca.” – ka thënë ajo.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në Konferencë për media ka thënë se lidhur me rastin janë zhvilluar hetime në shumë dimensione dhe se kanë siguruar ekspertiza nga brenda dhe jashtë vendit.

    “Ky rast ka qenë i ndishëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve. Po ashtu, siç e dini, rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, por në një afat të shkurt kohor kemi arritur të zbulojmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë.” – ka thënë Gashi.

    Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se arsyeja pse ka kaluar një kohë e gjatë për ngritjen e Aktakuzës ka qenë mungesa e informacioneve për motivin e ngjarjes.

    “Dua të sqaroj pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngritja e Aktakuzës. Provat janë mbledhur shpejt për veprën penale. Çka ka munguar ka munguar motivi dhe e kemi të njohur faktin se e ndjera me familje ka jetuar në Suedi. Organeve atje iu jemi drejtuar për të kërkuar të dhëna, nëse kanë pasur të dhëna në lidhje me problemet. Derisa nuk i kemi pasur të dhënat në lidhje me këtë, nuk kam mundur ta ngrisë Aktakuzën. Tani që kemi edhe motivin kemi zbuluar edhe faktin pse ka ndodhur dhe pse janë përfshirë, edhe si janë përfshirë edhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.” – është shprehur ajo.

    Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

    Sipas Prokurorisë, ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

    Më 27.12.2024, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë, që nga nëntori i vitit 2023.

  • Vrasja e Liridona Ademajt – Aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve – VIDEO

    Katër persona tashmë po akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në lidhje me vrasjen e Liridona Ademajt – ngjarje kjo e regjistruar më 29.11.2023.

    Të akuzuarit janë Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla e Granit Plava dhe Tom Dodaj.

    Liridona Ademaj ishte vrarë më 29.11.2023, në ora 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe – sipas Prokurorisë – dorasi ishte pajisur me armë dhe ishte inskenuar një grabitje.

    Kryeprokurori Zejnullah Gashi tha se ky rast ka qenë i ndjeshëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve.

    “Po ashtu siç e dini rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, por në një afat të shkurt kohor kemi arritur t’i gjejmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë.” – tha Gashi.

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi në një Konferencë për media më 15.01.2025 ka bërë të ditur se kanë ngritur Aktakuzë, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Gashi ka thënë se lidhur me rastin janë zhvilluar hetime në shumë dimensione dhe se kanë siguruar ekspertiza nga brenda dhe jashtë vendit.

    “Ky rast ka qenë i ndjeshëm dhe për atë ka qenë një kufizim për dhënie të informacioneve. Po ashtu siç e dini rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, por në një afat të shkurt kohor kemi arritur të zbulojmë kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë.” – ka thënë Gashi.

    Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se arsyeja pse ka kaluar një kohë e gjatë për ngritjen e Aktakuzës ka qenë mungesa e informacioneve për motivin e ngjarjes.

    “Dua të sqaroj pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngritja e Aktakuzës, provat janë mbledhur shpejt për veprën penale. Çka ka munguar ka munguar motivi dhe e kemi të njohur faktin se e ndjera me familje ka jetuar në Suedi. Organeve atje iu jemi drejtuar për të kërkuar të dhëna, nëse kanë pasur të dhëna në lidhje me problemet. Derisa nuk i kemi pasur të dhënat në lidhje me këtë, nuk kam mundur ta ngrisë Aktakuzën. Tani që kemi edhe motivin, kemi zbuluar edhe faktin pse ka ndodhur dhe pse janë përfshirë, edhe si janë përfshirë edhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.” – është shprehur ajo.

     

    Sipas Prokurorisë, ndaj Naim Murselit rëndon vepra penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, për Plavën rëndon vepra penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje”, ndërsa për Kushtrim Kokallën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.

    Më 27.12.2024, Gjykata e Prishtinës ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës e Granit Plavës, të dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Të njëjtit gjenden në këtë masë, që nga nëntori i vitit 2023.

    Si shpjegohen veprimet e të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Sipas Dosjes që kishte siguruar KALLXO.com, disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla, duke i thënë “Sot duhet të kryhet kjo punë.” – me aludim në vrasjen e Ademajt.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë, takimi kishte ndodhur në një Qendër në Gjakovë, në ora 9:30 minuta në mëngjes. Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, kur Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”.

    “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit, duke i thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’.” – thuhet në Dosje.

    “Naim Murseli i ka treguar të pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore, me tani të ndjerën Liridona Murseli. I pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘Unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar.” – thuhet në Dosjen e Prokurorisë.

    Kështu, të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas Vendimit të Gjykatës, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve dhe Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”.

    Pas këtij takimi, Naim Murseli kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla, i cili ia kishte dhënë numrin.

    Sipas Dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast – sipas Prokurorisë – dyshohet të jetë Granit Plava.

    Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli, me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin, Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

    Sipas Dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën, e kishte pajisur më armë dorasin dhe kishin inskenuar një grabitje – inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit 2023, rreth orës 20:25, në Rrugën “Dalip Alshiqi”.

    Raportimet e KALLXO.com – LINK 

    (Shënim: Lajmi është edituar duke e shtuar edhe emrin e të akuzuarit të katërt pasi KALLXO ka siguruar Aktakuzën- Koha e editimit: 14:39 – 15.01.2025).