Ballina

Autor: Adelina Ahmeti

  • Policia po heton vdekjen e të burgosurit që po trajtohej në Klinikën Infektive

    Policia tashmë ka nisur që të hetoj edhe vdekjen e një personi i cili ishte në masë të paraburgimit në Qendër të Paraburgimit në Prishtinë, ndërsa po trajtohej në Klinikë Infektive ku edhe vdiq më 06.01.2025 rreth orës 21:45.

    “Është raportuar se viktima mashkull kosovar i cili kishte qenë në Qendër të Paraburgimit,  që rreth orës 12:00 ishte dërguar për tretman mjekësor, ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit,  trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është nën hetime”- thuhet në njoftimin e policisë ndërsa rasti është iniciuar si hetim mbi vdekjen.

    KALLXO.com raportoi se një i burgosur i cili po trajtohej në Klinikën Infektive të QKUK-së ka vdekur të hënën rreth orës 21:50 minuta. Kështu ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, rreth orës 21:50, në Klinikën Infektive të SHSKUK-së, ka ndërruar jetë i burgosuri A. M.”- thuhet në njoftim.

    I njëjti sipas njoftimit ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë më 14.11.2024.

    “Në momentin e pranimit, gjendja e tij ka qenë stabile, por me të dhëna për sëmundje paraprake të mushkërive. Ai ishte duke u trajtuar për një gjendje gripale, e cila ka progreduar në mushkëri. Për këtë arsye, është dërguar për kontroll specialistike pulmologjike. Në Klinikën e Emergjencës në SHSKUK, janë konsultuar radiologu, pulmologu dhe kirurgu torakal, dhe pacienti është transferuar në Klinikën Infektive”- thuhet tutje në njoftimin e SHKK-së.

    “Gjendja e tij ka filluar të përkeqësohet dhe, përkundër angazhimit të stafit të kësaj klinike, nuk është arritur që pacienti të mbahet në jetë. Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekje”- përfundon njoftimi.

     

     

  • Arrestohet një grua, dyshohet se rrahu nënën dhe motrën e saj

    Një grua është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin se e njëjta ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës dhe motrës së saj.

    Policia ka pranuar informacionin dhe më pas ka bërë edhe arrestimin e të dyshuarës më datë 03.01.2025.

    Sipas raportit ditor, e dyshuara më pas është dërguar për tretman mjekësor në repartin e psikiatrisë.

    Rasti është duke u hetuar edhe më tutje ndërsa është iniciuar si dhunë në familje.

  • Nëna raporton zhdukjen e dy vajzave të saj

    Një grua ka raportuar se dy vajzat e saj janë zhdukur.

    Vajzat e mitura sipas ankueses kanë dalë nga shtëpia me datë 01.01.2025 dhe deri më sot nuk ka marrë asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre.

    Rasti është regjistruar në Fushë Kosovë dhe është iniciuar si person i zhdukur.

  • Polici i shqiptoi gjobë, i dyshuari e kërcënoi

    Një person është arrestuar nën dyshimin se ka kërcënuar një zyrtar policor.

    Shkak i kërcënimit u bë një tiketë e trafikut që iu shqiptua fillimisht të dyshuarit.

    Ngjarja u regjistrua në rrugën “Brigada 123” në Prizren më 03.01.2025.

    Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar.

    Me vendim të këtij të fundit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

  • Prishtinë, tentim grabitje në një pompë derivatesh

    Në formë të maskuar e i armatosur, një person ka tentuar që të kryej një grabitje në një pompë derivatesh në rrugën “Gjilani” në Prishtinë.

    Më 03.01.2025 është regjistruar rasti si tentim grabitje deri sa rastin e kishte raportuar një punëtor i pompës së derivateve.

    Punëtori ka raportuar se derisa ka qenë duke punuar në pompën e derivateve, një i dyshuar i maskuar dhe i armatosur i ka drejtuar armën pistoletë dhe ka kërkuar të hap derën.

    Punëtori kishte refuzuar t’ia hap derën të dyshuarit që tentonte të grabiste pompën e derivateve dhe i njëjti më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.

    Deri më tani policia nuk ka njoftuar nëse ka arritur që të identifikoj ndonjë person të dyshuar për këtë rast por që rasti është duke vazhduar të hetohet.