Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sibel Halimi, në kuadër të emisionit “Debat Përnime”, ka folur për qasjen që LDK-ja do ta ketë ndaj komunitetit LGBTQ+, në rast se rikthehet në pushtet.
Lidhur më këtë, ajo ka thënë se “të drejtat e njeriut janë pjesë fundamentale për funksionimin e shoqërisë kosovare”.
Sipas saj, të drejtat e njeriut duhet të respektohen ashtu siç janë të përfshira edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, duke garantuar mbrojtje për të gjitha kategoritë shoqërore.
“Ne ose jemi shoqëri e hapur ose nuk jemi shoqëri e hapur. Ne nuk mund të konsiderojmë që jemi pro një grupi shoqëror dhe nuk jemi pro një grupi tjetër. Kështu që mendoj që të drejtat e njeriut janë të përfshira në Kushtetutën e Kosovës edhe në mekanizmat ndërkombëtarë që ua garanton të gjitha kategorive shoqërore jetën dhe mbrojtjen e tyre”- ishte përgjigjia e kandidiatës Sibel Halimi, më 12.01.2025 në “Debat Përnime”
Ndërsa, kandidati tjetër për deputet nga po e njëjta parti, Ardian Shala, nuk e ka përjashtuar mundësinë që pjesë e Listës se Barnave Esenciale të jetë edhe terapia hormonale, e cila ka qenë kërkesë e komunitetit LGBT+ më herët.
“Dhe pse jo, të përfshijmë edhe shumë kategori të tjera që i përmendet: terapia hormonale, sepse kjo ka qenë diskutim i madh edhe më herët dhe ne do të bëjmë çmos që këtyre njerëzve që kanë nevojë të jashtëzakonshme t’ua sigurojmë terapinë e duhur. Pra me pagesë, me mbulim nga shteti” – tha Shala.
Terapia hormonale për individë të komunitetit LGBTQ+, sidomos për individë transgjinorë ose jo-binarë, është një proces që përfshin përdorimin e hormoneve për të rregulluar karakteristikat fizike të një personi në përputhje me identitetin e tij gjinor. Qëllimi është të ofrojë një përvojë më të përputhshme me gjininë me të cilën një person identifikohet, sipas Asociacionit Botëror Profesional për Shëndetin e Transgjinorëve.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 09.02.2025, datë kjo e dekretuar nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.