Ballina

20 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Sudanin Jugor

Një fluturake e vogël që po bartte punëtorë të industrisë së naftës në Sudanin Jugor është rrëzuar të mërkurën, më 29.01.2025, duke lënë të vdekur 20 persona – bën të ditur për Reuters një zyrtar vendas.

Aeroplani është përplasur në Aeroportin e Kompanisë shtetërore të naftës në mëngjes, derisa po ngrihej drejt kryeqytetit Juba – ka bërë të ditur ministri i Informacionit Gatvech Bipal.

Bipal ka thënë se pasagjerët ishin punëtorë të Kompanisë GPOC – Konzorcium që përfshin Korporatën Kombëtare Kineze të Naftës dhe Kompaninë shtetërore të Sudanit.

Ai ka thënë se në mesin e të vdekurve ishin edhe dy shtetas kinezë dhe një indus.

Bipal nuk ka dhënë më shumë hollësi për rrethanat e përplasjes. Mediat raportuan fillimisht se numri i viktimave ishte 18 sosh, por Bipal ka thënë për Reuters se dy prej të mbijetuarve vdiqën më vonë. Një person ka mbijetuar.

Shumë rrëzime aeroplanësh kanë ndodhur viteve të fundit në Sudanin Jugor, të zhytur në luftë. Në shtatorin e vitit 2018, së paku 19 persona vdiqën kur u rrëzua një fluturake e vogël, që po bartte pasagjerë nga Juba në Yirol.

Më 2015 shumë persona vdiqën kur u përplas një aeroplan rus bagazhi me pasagjerë në bord, pas ngritjes nga pista në kryeqytetin Juba.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com